KRITIKA E SË DJESHMES

nga A.A.B.

Duhet të rrëfej se, kur vjen puna tek gazetaria kulturore shqiptare, e veçanërisht kritika letrare, jam reticent. Shumë zhgënjime të ardhura nga besimi naiv i recensioneve në shtypin fundjavor e kanë këtë efekt. Arsyeja duhet të jetë, deri diku, paaftësia për të vrarë autorin që bashkohet me nevojën për të banalizuar llojin e veprimtarisë—një qokë këtu, një nder atje—e që në fund vret, në vend të viktimës së munguar, shumicën e tekstit kritik të prodhuar. Megjithëse…jo, jo në të vërtetë. Edhe vdekja, supozoj, ka më tepër dinjitet sesa pehlivanllëku që shpeshherë na serviret me detyrim për kritikë.

Ky paragjykim i imi shfaqet, në trajtë më agresive, kur vjen puna tek shtypi i përditshëm kosovar. Kjo edhe pse, besoj, nuk e njoh mjaftueshëm shtypin e specializuar të fushës atje dhe kufizohem me të përditshmet e mëdha. Është e vërtetë, autorët dhe redaktorët që qepin dokun e teksttheve të ditëpërditshmërisë kosovare nuk mund të priten që të kenë kohën e prirjen për të bërë kritikë kulturore serioze. Nuk mund t’i bëj me faj. Ç’është më e rëndësishmja, shumica e tyre nuk e kanë për detyrë një gjë të tillë. Ndaj, unë kam reshtur së prituri e ata kanë qenë aq të mirësjellshëm sa të mos më nxirrnin gabim. Ose më saktë, ishin aq të mirësjellshëm deri kur rastësisht lexova, ca javë të shkuara, fillimin e një editoriali në gazetën “Express.”

Siç e di mirë çdo student apo ish-student i palumtur i English 101 dhe 102, është imperative dhe ekzigjente që një ese e mirë të nisë me një gremç (hook) të efektshëm. Doemos, një editorial, editorial i hapur apo opinion i shkruar nuk mund të jetë më shumë se një ese dhe i duhet të ndjekë—nëse do të jetë relativisht i lexuar—këto rregulla loje. Shpërfillja e plotë ndaj rregullave të eseistikës anglo-saksone në favor të atyre frënge, apo italiane, apo asnjë sistemi rregullash homolog duhet mbështetur. Varieteti dhe forma të reja proze jo— apo quasi—letrare janë një zhvillim kurdoherë i mirë në letërsinë e një vendi. Një shembull i mirë i kësaj do të ishin shkrimet[1] e z. Artur Zheji, të cilat rëndom mbështeten në një figuracion letrar të pasur (për prozën politike shqiptare), patos melodramatik dhe përdorimin prej tij të një forme jo-standarde të shqipes. Personalisht kam humbur një pjesë të interesit fillestar që më ngjallnin këto shkrime, por kjo nuk ka rëndësi.

Nga ana tjetër, kur të kap syri “Këshilla politike pa para[2]” të shkruara nga z. Berat Buzhala, qasja sigurisht që duhet të jetë e ndryshme dhe vetë oferta nuk mund të refuzohet. Në mënyrë të përmbledhur, teza e tij kërkon të gjejë një analogji midis shtresës së votuesve të rinj, millennials, në SH.B.A. dhe Europën Perëndimore e shtresës analoge të votuesve të rinj—që do të duhej t’i quanim ‘mijëvjeçaras’—në Kosovë. Është objektivisht e admirueshme thirrja e z. Buzhala për nevojën e brezave më të vjetër—mes të cilëve ai përfshin veten—për t’u mësuar me fizionominë e re politike që do të sjellë kjo rini. Po aq objektivisht, ka mangësi të mëdha në presupozimin e paralelizmave midis proceseve historike në Perëndim e atyre në Kosovë gjatë njëzet viteve të fundit. Për vete nuk jam në gjendje të provoj ndonjë të përbashkët të prekshme midis millennial-it amerikan dhe mijëvjeçarasit kosovar, përtej asaj kohore. Sidoqoftë, ky nuk është problematika në thjerrën e këtij shkrimi.

Gremçi i zgjedhur i z. Buzhala për këtë shkrim është “Bota e së djeshmes,” nga Stefan Zweig (Shtefan, përkundër Stefan, Cvajg). Se përse autobiografia e Zweig-ut, një vajtim elokuent por jo tepër i sinqertë i një bote të humbur të ante bellum-it është një analogji e mirë për ndryshimet radikale politike të viteve të fundit, këtë e di autori. Për fat të keq, leximi që i bën ai veprës nuk është veçanërisht ndriçues mbi këtë pikë, si më poshtë:

Stefan Zweig, në librin e tij “Bota e së djeshmes”, tregon se si Evropa kishte ndryshuar radikalisht kur kishte kaluar prej shekullit të 19’të në atë të 20’të. Prej një periudhe relativisht të qetë dhe paluftëra[sic!], kontinenti ishte futur në një kaos të vërtetë, me dy luftëra botërore. Por përveç kësaj, ai tregon se si prej një Vjene konzervative[sic!], ku gratë nuk shfaqnin asgjë prej bukurisë së tyre, kur ato mbulonin me kujdes hiret e tyre, kishte kaluar në një Vjenë me nënkultura, në një Vjenë përplot dallime. Ndryshimet të jashtëzakonshme ishin shfaqur edhe në politikë, posaçërisht[sic!] në botën gjermane. Po supozoj që e dini se çfarë ndodhi atje, me rritjen e nazizmit.

Dhe kjo gjë, thotë Zweig, ndodhi në mënyrë të pakuptimtë. Ndonëse ishin shumë afër, vetëm 20 vite dallim, viti 1890 dallonte sikur nata me ditë, me vitin 1910. Dukej sikur njerëzit po e pritnin kalendarin për ta shfaqur revoltën e tyre. Këtë revoltë nuk donin ta bënin në vitin 1899, por në vitin 1901.

Fillimisht, ekziston problemi i kalimit nga epoka e “paluftës” në atë të dy Luftërave Botërore. Bazuar në fragmentin e mësipërm, do të thoje se ky kalim u bë në mënyrë të vullnetshme (siç argumentohet prej një numri historiografësh seriozë) dhe me zgjedhje, pak i prekur nga konteksti historik në të cilin ndodhi. Gjasat janë që trajtimi kaq i përciptë i ngjarjes epokale të shekullit të shkuar të jetë një koncesion ndaj nevojave stilistike të paragrafit dhe njohurive paraprake të lexuesit. Dakord, paçka se koncesioni, në qoftë vërtetë i tillë, nuk i shton asnjë gjysmë grami në vlerë argumentit kryesor të esesë, që në ketë pikë të tekstit nuk ka dalë ende në pah.

Kalojmë tek fustanet e rënda, dorashkat, kapelat dhe ombrellat e Wiener Fraülein dhe Mädchen-eve në kapërcyell të shekujve. Dukja apo mosdukja e kyçeve të zhdërvjellëta të zonjave dhe zonjushave të borgjezisë perandorake nën cep të fustanit, që përmendet nga Zweig-u për të ilustruar moralin e dalë kohe të shtresave të larta të Monarkisë së Dyfishtë, është një gjë. Radikalizimi dhe politizimi i paparë ndonjëherë i masave të mikroborgjezisë dhe proletariatit urban austriak dhe bohem, që ktheu përmbys sistemin politik të Austro-Hungarisë, cyti agresivisht nacionalizmat rajonale të periferisë perandorake, e ndoshta shpejtoi fundin e sundimit Habsburg mbi Europën Qendrore, është diçka krejt tjetër.

Fenomeni i parë ishte mjaftueshmërisht i dukshëm që atëbotë, sa Freud-i, Schnitzler-i, Klimt-i, Kokoschka dhe Hofmannsthal-i të merreshin gjatë me të. Në fakt, qëllimi i grupit Jung-Wien, pjesë e së cilit ishin të gjithë (përjashtuar Freud-in) ishte, midis të tjerash, krijimi i një atmosfere më pak të ndrydhur seksuale. I dyti, ai i tejkalimit të liberalizmit borgjez austriak nga një sërë nacionalizmash dhe populizmash të ndryshme, është jashtëzakonisht popullor në analizimin e zgjedhjeve të Presidentit Trump, Brexit-it dhe moszgjedhjes së znj. Le Pen në Francë.  Po të ishte ndalur këtu, autori i cituar do të kishte qenë në vendin e përkryer për të tjerrë krahasimin e tij të dëshiruar mes dy kohëve. Kaq do të kishte mjaftuar për të make his point loud and clear dhe të kalonte në trupin e esesë.

Habia është e madhe, rrjedhimisht, kur vërejmë, përpos “Vjenës me nënkultura” (me rëndësi më pak se jetike për argumentin e z. Buzhala), ngritjen e Nacional-Socializmit në Gjermani. Mos qofsha i gabuar, tha, por Nacional-Socializmi hitlerian nuk e filloi rrugëtimin e tij drejt pushtetit deri në 1921-shin, kur oratoria e udhëheqësit të tij filloi të mblidhte turmat e para të mëdha në mitingjet partiake. Ndërsa “Karli i pashëm,” dr. Lueger-i, themeluesi i Kristian-Socializmit që pruri për herë të parë anti-semitizmin në mainstream-in e politikës austriake, erdhi në pushtet si Bürgermeister i kryeqytetit më 1897 dhe vdiq në 1910.  Georg von Schönerer-i, nacionalisti i madh pan-gjerman dhe eksponenti tjetër i populizmit anti-semitik në Austro-Hungari, u zhduk nga skena politike që në 1907-n. Ka një hapësirë së paku dymbëdhjetë vjeçare pra, midis vdekjes së njërit eksperiment në ekstremizëm dhe fillesave të tjetrit, vite gjatë së cilave Adolf Hitleri mori formimin e tij politik dhe jetësor si ushtar dhe politikan.

Sa më sipër është arsye e bollshme, për mendimin tim, që të mos i plasim të dyja palët në të njëjtën arkë. Lidhjet historike dhe filozofike midis të dyjave janë të pamohueshme, e megjithatë rrethanat vendimtare historike dhe ndryshimet midis tyre bëjnë idenë e një vazhdimësie organike të autoritarizmit anti-semit austro-gjerman tepër të vështirë për t’u mbrojtur. Ajo që është vërtet e çuditshme është mungesa e ndonjë lidhjeje midis kësaj tabloje dhe Kosovës së pas 1999-s. Atje, në ndryshim nga në Austro-Hungari, nuk ka pasur një ndryshim gradual nga qetësia relative e një ideologjie pozitiviste borgjeze në një ekstremizëm populist deri diku ksenofob. Përkundrazi, rrymat radikale politike kanë qenë një element i përhershëm i politikës kosovare, për shkak të marrëdhënies problematike me Serbinë, pakicën serbe në Kosovë dhe ngërçit në normalizimin e situatës nga të dyja palët.

Ku në Monarkinë e Dyfishtë ka një trysni nga poshtë-lartë dhe nga periferia drejt qendrës, në Republikën e Kosovës ka të njëjtën trysni nga poshtë-lart (të pashmangshme në kapitalizëm) dhe një trysni nga jashtë-brenda. Në terma strukturorë, analogjia është vetëm pjesërisht e saktë, ndërsa, për sa i përket kushteve historike, ngjashmëria midis dy rasteve do të kërkoje ende ca kohë para se të arrijë pjekurinë për një studim serioz krahasues.

Së fundmi, pesha që i jepet në editorial çastit të kthimit të shekujve, rëndësisë së 1900-s kundrejt 1899-s, është plotësisht e drejtë. Një figurë jo më e pakët se Freud-i vetë e ndjente aq shumë rëndësinë e shekullit të ri sa për ta datuar Interpretimin e Ëndrrave 1900, pavarësisht se kishte shkuar për botim pak muaj përpara shekullit të ri. Siç e kupton dhe bufi, as në Kosovë e askund tjetër në botë nuk mund të mëtohet se viti 2017 paska të njëjtën peshë psikologjike tek masa e njerëzve. Viti i mijëvjeçarit të ri mbart aq kuptim për Kosovën, vazhdon argumenti, sat ë lindurit e parë “të lirisë” do të jenë krejt të pangjashëm më pararendësit e tyre. Cinikisht, më duhet të vë në dukje se i njëjti argument u pru, ca vite të shkuara, për fëmijët e post-komunizmit shqiptar. Jo se arsyetimi nuk është intrigues, por Shqipëria e solli puna ta ketë këtë çastin epokal një dhjetëvjeçar më herët se Kosova, ndaj dhe ka pasur mundësi ta shqyrtojë paraprakisht këtë argument. Përfundimi: asgjë konkrete, por jemi ende në pritje të vizitës së miut që polli mali.

Ajo që tregon kjo analizë e vogël e imja, përveç maksimës së mirënjohur se nuk duhet të futësh këmbën në ujëra që nuk i njeh, është një neglizhencë disi dëshpëruese në lëvrimin e publicistikës shqiptare. Tema dhe njohuri që i përkasin kulturës së përgjithshme, e që për njëmijë arsye të ndryshme gëzojnë popullaritet në internet, ekzaminohen në mënyrë fare të vrazhdë e jo-informuese. Edhe më keq akoma, i gjithë trajtimi i interpretimit buzhalian të Zweig-ut që bëra është në një këndvështrim detyrimisht historik. Detyrimisht, sepse cituesi i “Botës së të djeshmes” nuk i jep më tepër rëndësi se aq librit: një tekst i thjeshtë ilustrues historik. Kjo për një libër që është lehtësisht dhe thellësisht i interpretueshëm, e që vitet e fundit ka gëzuar një popullaritet veçanërisht kontrovers[3] në gjuhën angleze. Më e pakta që z. Buzhala mund të bënte, si një student duke shkruar research paper-in e tij të parë, ishte që ta përmendte debatin. Kështu, në mos asgjë tjetër, ai—të paktën—do ta kish përditësuar leximin e tij të Zweig-ut pa u thelluar domosdoshmërisht në të.

Është e kotë të presësh shkollari etike dhe profesionalizëm nga gazetarët shqiptarë: janë prodhime të një mjedisi që nuk ka vend dhe kohë për të tilla stërhollime. Ajo që duhet të presësh, duhet të kërkosh me forcë, madje duhet të imponosh mbi të tillë nallbanllëk flagrant, është detyrimi për të mos atemporalizuar diskursin publik shqiptar në një Purgator pseudo-dijeje. Vetëm sepse një pjesë e vogël e atyre që shkruajnë e lëçisin kanë zgjedhur degdisjen e tyre në atë vend, kjo nuk u jep të drejtë të na e shesin për resort (intelektual) me pesë yje dhe të thonë se po na bëjnë nder duke na pranuar.

Kjo është një përpjekje, me ndërgjegje të plotë të varfërisë që ndalon shqiptarët që të marrin pjesë në garën kulturore, që së paku të përpilojmë një guidë për t’i ndihmuar të hyjnë nëpërmjet rrugëve të tjera në konkurrim. Kaq, së paku, duhet ta kemi të arritshme.


[1] https://www.360grade.al/me-shume/editorial

[2] http://www.gazetaexpress.com/oped/shkruan-berat-buzhala-keshilla-politike-pa-para-375732/

[3] https://www.lrb.co.uk/v32/n02/michael-hofmann/vermicular-dither

About the Author

Alen Bejko është historian dhe përkthyes e redaktor letrar. Shkruan më së shumti për tema të kulturës dhe të shoqërisë. Është i dhënë pas aventurave në det të kapiten Aubrey-t e dr. Maturin-it, si dhe muzikës së Mahlerit.

Author Archive Page

3 Comments

  1. Nje zot e di se sa me mallengjen Rama dhe socialistet e tij, por nuk e di se sa e perligj artikulli, qe gjeta sot te BW, idene tuaj te lumtur per komentet A. Zhejit (…patosin e tij melodramatik dhe perdorimin jo standart te shqipes, sic).
    Ne krye te shenimit te Zhejit lexohej:
    T’i veshim pizhamat derdimenit e ta mbyllim ne çmendinë.

    1. … dhe duke lexuar komentet e lexuesve te artikullit te z. Zheji krijova pershtypjen se niveli i tyre baze eshe me i larte se ai i kesaj rrace analistesh te frustruar qe behen inkandeshente dhe histerike sapo i permend dikush, ka me sens konstruktiv dhe analitik te lexuesit se te analiste te tille.
      Ti te faleminderit o mik qe na sjell si shembull te hatashem kete shokun. Une kurre nuk e kisha lexuar deri ne fund ne jeten time, te pakten nuk e kisha lexuar fare qe kur shfaqi ato shenja imoraliteti te neveritshem tek i lepinte prapanicen Ilir Metes dhe ky i kenaqur nga sherbimi qe i behej hidhej ne sulm per t’i hapur vend si komandant i ATSH.

  2. Lyss,

    ju kërkoj të falur për vonesën – sapo i lexova komentet tuaja.

    Artikulli në fjalë është për faqe të zezë, siç janë shumë prej editorialëve të fundit që shkruan z. Zheji, ndonëse trillimi që trajton ky i pari ka padyshim natyrë letrare me shumë se publicistike. Për mendimin tim, vetë termi ‘editorial’ është i papërligjur për këto shkrime, megjithëse mbajnë autorësinë e kryeredaktorit. Kam një dyshim në rritje që mungesa e kontrollit redaksional e përkeqëson në mënyrë të dallueshme cilësinë e shkrimit të tij.

    Sidoqoftë, pikërisht se janë krejtësisht të paredaktuar dhe jo në shqipe standarde, paraqesin njëfarë interesi krahasuar me shumçka tjetër që botohet në shtyp këto ditë fushate. Kam vënë re gjithashtu disa ngjashmëri me shkrimet e hershme gazetareske të z. Rama, veçanërisht një kalim në shkronjë të madhe i disa emrave që shënjojnë koncepte apo ide abstrakte. Më sugjeroi, atypëraty, një lloj thjeshtëzimi të qëllimshëm të diskursit që nuk është aspak i nevojshëm përveçse në ligjëratën patetike. Në mos e vlefshme për studime dikur në të ardhmen, ishte një risi deri diku kureshtare për mua.

    Sa për idenë time të lumtur, po të kishte qenë vërtet një sugjerim i nënkuptuar për të lexuar z. Zheji, nuk do të kisha guximin, apo pafytyrësinë intelektuale, për t’a shprehur me zë të lartë – aq më pak t’i bëja kaq pak nder dhe ndoshta të cënoja atë pak integritet etik që të jep botimi në një revistë si kjo (përkundër një blog-u vetjak).

    Ndjesë sërish, por askush i përmendur me emër në tekst që nuk bashkëshoqërohet me një link të tijin nuk ia vlen, sipas meje, të lexohet. Konkretisht, në vend të BalkanWeb-it me të cilin çuat dëm kohë, mund t’ju kisha këshilluar recensionin e London Review of Books që citoj e që është pafundësisht më interesant si për nga stili dhe nga përmbajtja.

    Sidoqoftë, ju falenderoj për komentet dhe interesin.

Comments are closed.