ÇMIM I PËRFOLUR

Këtë vit – ose ndoshta duhej të shkruaja edhe këtë vit – dhënia e çmimit “Kadare” u shoqërua me polemika.

Pa i paragjykuar të gjithë ata që janë shqetësuar nga mënyra si u dha ky çmim, por pa paragjykuar as veprën fituese dhe as punën dhe kredencialet e jurisë, dua vetëm të vërej se ky çmim vjen kaq fort në vëmendjen e publikut ngaqë lidhet me emrin e Kadaresë; por edhe për shkak të honorarit relativisht të majmë (10K euro) që merr fituesi.

Shpresa ime është që, me kalimin e viteve, çmimi Kadare të konsolidohet, për të krijuar një traditë; meqë çmimet letrare vetëm ashtu fitojnë vlerë kulturore – kur arrijnë t’i referohen vetes.

Këtë çmim e kanë fituar deri më tash Rudolf Marku, Shkëlqim Çela dhe Musa Ramadani.

Megjithatë, sipas rregullave të pjesëmarrjes në konkurrim, çmimi gjithnjë i jepet një vepre në dorëshkrim, e cila ende nuk është botuar dhe as i ka rënë në dorë lexuesit; çfarë do të thotë se juria e merr vendimin në bazë të opinionit të anëtarëve dhe ndoshta edhe të reputacionit të autorëve përkatës, por jo edhe duke marrë parasysh pritjen e veprës nga kritika dhe lexuesi.

Edhe pse fondacioni që e jep çmimin mund ta quajë si të dëshirojë, unë kam frikë se, më shumë se çmim, bëhet fjalë për një grant, i cili i jepet autorit të një dorëshkrimi premtues.

Dallimi nuk është vetëm formal: ndryshe nga çmimi, i cili sanksionon suksesin artistik, granti synon ta ndihmojë veprën për ta arritur këtë sukses, gjithnjë me supozimin – e argumentuar nga juria – se kjo vepër e meriton suksesin.

Nga ky këndvështrim, vepra fituese mund të shitet më shumë, ngaqë lexuesi e sheh çmimin “Kadare” si dëshmi të vlerës ose të prestigjit; mund të përzgjidhet për t’u përkthyer ose për lista çmimesh të tjera; ose mund të përfitojë edhe ndryshe.

Megjithatë, statusi i dorëshkrimit nuk është i njëjtë me atë të veprës; sepse dorëshkrimi (ende) nuk i ka rënë në dorë lexuesit; teksa as anëtarët e jurisë përkatëse nuk mund të konsiderohen lexues.

Prandaj po aq logjike do të ishte të thuhej se “çmimin” mund ta ketë fituar vërtet vepra, por grantin e ka fituar autori; sa kohë që vepra – në kohën kur iu dha “çmimi” – ende nuk ekzistonte si vepër.

Ky moskuptim, ose keqkuptim, është në rrënjë edhe të disa prej polemikave të ngritura rishtas, dhe që për mua dëshmojnë për statusin e vlerësimit institucional të arritjeve letrare dhe artistike, brenda kulturës shqiptare.

Shqipëria e pas-1990-ës arriti ta krijojë një traditë çmimesh letrare, të cilat jepeshin nga Ministria e Kulturës: për librin më të mirë, përkthimin më të mirë, librin më të mirë për fëmijë e kështu me radhë.

Kjo traditë u prish, me një të rënë të lapsit, nga Ministria e tanishme e Kulturës; çfarë unë do ta quaja gabim të rëndë, për të mos thënë faj kulturor; por edhe fyerje përçmuese ndaj të gjithë atyre që i patën marrë ato çmime në të kaluarën (përfshi këtu edhe autorin e këtyre radhëve).

Përpjekja tani së voni e Fondacionit MAPO, më pas Institutit Europian Pashko dhe UET-it, edhe pse e lavdërueshme në vetvete, nuk arrin ta mbushë zgavrën e krijuar – ngaqë çmimi Kadare u jepet dorëshkrimeve (ose veprave të pabotuara); dhe ngaqë deri më tash ka qenë shoqëruar me kushtin që këto dorëshkrime t’i botojë pastaj ekskluzivisht UET-i.

Aq më tepër që shqetësimi kryesor i autorëve shqiptarë sot, dhe ndoshta edhe i shtëpive botuese, mbetet si t’ia japin librin shqip në dorë lexuesit – jo si të vleftësojnë dorëshkrimet.[1]

Krahas shqetësimit, në mos hatasë tjetër, që pothuajse të gjithë librat nga autorë shqiptarë, të botuar rishtas dalin nga vëmendja e publikut pak javë pasi botohen dhe prezantohen; a thua se është fjala për këpucë, këmisha dhe fustane të stinës.[2]

Sivjet çmimin “Kadare” ia dhanë një autori praktikisht të panjohur për lexuesin në Shqipëri: Musa Ramadanit; por kjo mosnjohje nuk ka të bëjë me statusin e autorit vetë, por me rrethana jashtëletrare – dhe pikërisht me atë që Tirana dhe Prishtina letrare vazhdojnë të komunikojnë shumë keq mes tyre.

Po a do të ndihmojë vallë gjesti i dhënies së një çmimi – sado të majmë – për ta kapërcyer këtë stazë; apo vallë do të shërbejë veç si masë paljative, për të na gënjyer se diçka po bëhet?

Si ta shpjegojmë që në Shqipëri hyn kaq lirisht dhe bollshëm mielli i grurit (aq i përfolur për cilësinë) nga Kosova, por jo letërsia që andej?

Në këto rrethana, gjithnjë disa do të thonë se Musa Ramadanit iu dha ky çmim thjesht sepse është nga Kosova; dhe kjo mund mos ketë asnjë farë baze, përveç faktit që ky argument ende mund të sillet në publik.

Përndryshe, dhe pavarësisht nga emri i njohur që ka zgjedhur të mbajë[3] dhe shuma e lakmueshme e honorarit përkatës, çmimi “Kadare” jepet nga një institucion privat; dhe as çmimi vetë, as institucioni që e jep, nuk e kanë fituar ende aq traditë, sa t’ia përcjellin këtë si status çmimit vetë.

Kjo e dhënies së çmimeve kulturore nga fondacione ose institucione të tjera private është prirje për t’u përshëndetur dhe përkrahur me çdo mënyrë; por jemi ende larg, shumë larg konsolidimit të nismës private në lëmin e kulturës, pavarësisht nga pallavrat qeveritare.

Dhe nëse flitet kaq me pasion dhe interes për këtë event që ende nuk e ka gjetur identitetin e vet, kjo dëshmon – për mua – varfërinë kulturore të skenës së çmimeve dhe të njohjes kulturore në Shqipëri sot; varfëri që i detyrohet, në masë të madhe, edhe dështimit të Ministrisë së Kulturës, për të themeluar një prani të vetën institucionale prestigjioze në këtë fushë.

© Peizazhe të fjalës. Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe riprodhimi nga media të tjera, elektronike ose të shtypura.


 

[1] Ende nuk kam arritur të gjej një vlerësim kritik të fatit që kanë pasur, pasi i janë dhënë lexuesit, veprat përkatëse të Markut dhe të Çelës, si fituese të çmimit “Kadare” – ose të impaktit që ka pasur çmimi vetë në leximin, vlerësimin dhe suksesin e këtyre veprave, si për publikun, si për kritikën. Por nuk mund të them, me siguri, se për këtë e ka fajin formula e çmimit vetë dhe jo skizofrenia që ka kllaposur industrinë dhe kulturën shqiptare të librit sot. Më i sigurt jam për faktin që honorari i çmimit u ka vlejtur mjaft të dy autorëve.

[2] Ndoshta duhej sponsorizuar një çmim periodik për vepra shqip të botuara jo më herët se 10 vjet më parë; sepse veprat e mira janë si vera e mirë – u rritet vlera kur vjetrohen.

[3] Po më duket shijekeqe në mos provinciale, që çmimit i është dhënë emri i një shkrimtari si Kadareja, ende gjallë e shëndoshë dhe i pranishëm në jetën kulturore shqiptare. Orvatje të tilla, që mund t’i marrësh si monumentalizuese por mund t’i marrësh edhe si instrumentalizuese, nuk i vlejnë shumë as Kadaresë, as kulturës.

3 Komente

  1. Vetëm një gje. Vepra nuk bëhet vepër pasi botohet. Vepra është vepër edhe ne dorëshkrim. Per artin, botimi eshte pune teknike.

  2. Ne ato pazaret qe zhvillohen dy-tre here ne vit, here ketu e here atje, ku njerzit shesin gjera te vjetra me cmime shume te lira, dalin shpesh medalje dhe cmime, biles edhe kupa, per tu shitur! Ne vitet 90 shihje tonelata te tera, sidomos te ardhura nga vendet e lindjes. Te gjitha keto simbolika shiten lire dikur, apo harrohen fare! Ndersa veprat e mira jane ato qe mbesin.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin