HIJA E USHTARIT TË MIRË

Nëse ka një hero romani të rinisë sime, për të cilin më merr malli ta kem afër kur jam në Shqipëri, ky është ushtari i mirë Shvejk, i shkrimtarit çek Jaroslav Hashek.

Aq i dashur dhe popullor ishte bërë Shvejku mes rinisë tiranase në vitet 1970 dhe 1980,  sa erdhi e u shndërrua në personazh folklorik, në një trickster të së njëjtit lloj me Qerosin e përrallave popullore dhe Nastradinin e rrëfenjave të Lindjes.

Hasheku kushedi e shkroi Shvejkun për të përqeshur degradimin, hipokrizinë dhe burokracinë e Perandorisë Austro-Hungareze, në vitet e rrokullimës së saj – gjatë Luftës I Botërore.

Ne, që nuk dinim shumë për atë Perandori, e donim ushtarin e mirë dhe batutat e tij dhe historitë që i kish të gatshme për çdo situatë, sepse na ngushëllonte si pakkush tjetër, në betejat tona të pabarabarta me autoritetin dhe autoritarizmin bruto të regjimit totalitar.

Ngushëllimi që gjenim te ky mik i shtrenjtë ishte fund e krye anti-autoritar.

ShvSiç e përshkruan Hasheku, Shvejku është një çek i bëshëm nga Praga, edhe shejtan edhe naiv, që vihet të zbërthejë tërë ngrehinën e kalbur të autoritetit, i armatosur veç me një certifikatë prej “idioti noterik”: është një “idiot” që lufton idiotizmin.

I rekrutuar shpejt e shpejt në kohë lufte, i gatshëm të shkojë në front ulur në karrigen me rrota të invalidit, ai u reziston mekanizmave të hierarkisë ushtarake dhe të rrëgjimit aristokratik të ushtrisë austro-hungareze, duke ua shpuar tullumbacet fryrësve.

Duke filluar nga të gjithë ata që ende i besonin Perandorisë.

Një regjim autoritar mund të mbijetojë veç sa kohë që nënshtetasit ia njohin autoritetin dhe i besojnë; dhe aq më mirë nëse e shoqërojnë këtë besim me entuziazëm.

Edhe ne, në Tiranën e atëhershme, kishim rrotull tipa të tillë, në të gjitha shkallët dhe nivelet e hierarkive të pushtetit – karrieristë, naivë të pashërueshëm ose edhe thjesht hajvanë, të cilët e shihnin veten si rripa transmisioni midis vullnetit të shtetit totalitar dhe masës.

Sekretarë rinie, aktivistë, kandidatë partie, kontrollues flokësh, masovikë, fizkulturistë, miq të proletariatit, Lej-Fenë, të apasionuar pas paradave dhe stërvitjes rreshtore, veprimtarë, lexues të Leninit, citues të Stalinit, njerëz pararojë – që të shihnin si njeri me lakra në kokë, parazit, të përkëdhelur, kontingjent të armikut. Njerëz që të nxinin jetën, si dhëmballa e syrit. Njerëz që i qaseshin ushtrimit të autoritetit si të ishte ndonjë lloj zotimi thellësisht erotik. Njerëz të rruar taze, që merrnin frymë me gojë dhe i kishin këmishët përsosmërisht të hekurosura.

Shvejku na vinte në ndihmë sidomos ditët e mërzitshme të zborit, kur të vdekur për gjumë dhe për të ngrënë, përfshiheshim nga mëngjesi në darkë në vërdallosje të organizuara por krejt pa kuptim, të trullosur me doza të forta poshtërimi.

Libri i Hashekut na u shndërrua, njëfarësoj, në një bibël sekrete, të cilën e përdornim për të mjekuar lëndimet e përditshme, fyerjet dhe absurditetin e këtij autoriteti lakuriq, që na torturonte 24 orë në ditë.

Çdo situatë, çdo shtrëngim, çdo alarm në pikë të natës, çdo urdhër që duhej zbatuar, çdo hakërrimë e oficerit na dëgjohej më e lehtë, kur e kishim gati, në majë të gjuhës, pasazhin përkatës, nga Shvejku.

Me pak fantazi dhe këmbëngulje, ushtarin e mirë të Hashekut do ta kishim shndërruar në shëlbuesin tonë, shenjtin tonë mbrojtës, madje Mesinë që do të na nxirrte nga shkretëtira e dhunës autoritare.

Si tani e mbaj mend, kur urdhrin hakmarrës dhe poshtërues për t’u përfshirë në një akt të kotë dhe të pakëndshëm higjienizimi, lëshuar prej një pedagogu të metamorfozuar në kapter me zë të çjerrë, miku im B.R., i viteve të universitetit, iu përgjigj me një batutë të mirënjohur të kadetit Marek:

“Unë nuk i pastroj nevojtoret!”

Revolta në këtë batutë ishte e tëra e mikut tim të fyer; por suksesi i saj i garantuar i kish rrënjët te pasazhi në romanin e Hashekut. Fati i madh i mikut tim, që pati rast ta përdorte këtë replikë, në një kontekst aq të ngjashëm me origjinalin.

Pa asnjë shpresë tjetër, përballë autoritetit të këtyre qehallarëve të vegjël të pushtetit, nuk na mbetej veç një pasthirrmë kundërshtuese, e mbytur në dëshpërim:

“Unë nuk i pastroj nevojtoret!”

Shvejku në romanin e Hashekut shëtit nga një faqe në tjetrën duke u përballuar i vetëm me institucionet dhe burokracinë e hatashme të Perandorisë: ushtrinë me hierarkitë e saj, disiplinën, kohëvrasjen dhe absurditetin; burgjet e provincës dhe spitalet e administruara nga mjekë tuhafë dhe sadistë dhe çmendinat, ku – për ta thënë sërish me Shvejkun – “gjithçka shkonte si sahat”. E vetmja mbrojtje e tij, ndaj kësaj bote që rrezikon t’i shembet në gjoks dhe ta mbulojë, si dheu të varrosurin, janë miqtë me të cilët e rrethon veten, dhe sërish miqtë që krijon me historitë e veta, anekdotat, batutat dhe qetësinë diskursive prej Bude.

Është një Sheherazade e katapultuar në zemër të burokracisë së Perandorisë Austro-Hungareze, së cilës Hasheku vetë ia përkufizon skajet me të njëjtën metaforë: nga një anë, perandori plak Franz Joseph, i cili “kur dhjet, e ndyn gjithë Shënbrunin”; nga ana tjetër, portreti i dhjerë nga mizat i po këtij perandori, në pijetoren “Tek gota” të mikut të Shvejkut, të urtit Palivec, i përgjuar hap pas hapi nga spiuni perandorak, Bretshnajderi.

Është një Sheherazade, sepse historitë e rrëfyera prej Shvejkut janë ndoshta e vetmja mënyrë për të mbijetuar, brenda një bote që po vithiset e shembet e gjitha, nën peshën e absurditetit të vet.

Që këtej edhe prania – përndryshe vulgare – e skatologjisë në roman; obsesioni plebeas me nevojtoret, diarrenë, ekskrementin, kutërbimin, klizmën radikale që ua bëjnë “simulantëve” në klinikë.

Mënyra më e mirë për ta kuptuar “Ushtarin e mirë Shvejk” të Hashekut do të kish qenë që ta lexoje krahas prozave të Kafkës – edhe ky nga Praga, dhe bashkëkohës sa i Shvejkut, aq edhe i autorit të tij. Edhe vetëm nga “Procesi” kuptohet se Kafka ndihej njëlloj i tmerruar, përballë burokracisë perandorake – por ndryshe nga rusofili Hashek, ai nuk shihte rrugëdalje tjetër, veç shndërrimit në insekt.

Ne nga Kafka na kishin privuar; prandaj ndoshta nuk kishim mësuar si t’u trembeshim seriozisht hierarkive, shkallëzimeve të pushtetit, autoritetit prej gjelash mbushur me kashtë, të nëpunësve të lartë dhe seriozitetit qesharak, të së gjithë atyre që regjimi u kish besuar dhe që regjimit i besonin.

Shvejku ishte profesori ynë i Cinizmit. Imunizuesi ynë i sigurt, ndaj trysnisë që vinte prej autoritetit. Mbrojtja jonë e vetme, përballë bullshit-it.

Dhe ky është Shvejku që më mungon, tani që kthehem pas shumë vjetësh në Tiranë; dhe shoh që autoritetet, burokracitë dhe hierarkitë kanë ndërruar, por teknikat autoritare, idiotizmi i kujt armatoset me pushtet dhe besimi magjik në hierarkinë kanë mbetur të njëjtat.

Më mungon një Shvejk, që të zbërthejë dhe qesëndisë, me batuta dhe rrëfenja, autoritetet e reja: të fortët, ambasadorët, BE-ja, OJQ-istët, sponsorët dhe koordinatorët gjithfarësh. Një Shvejk që t’ia nxjerrë penjtë e bardhë sheshit Austro-Hungarisë metaforike që po ua merr frymën shqiptarëve sot – me gjithë idiotizmin, pozat më të bukura, të pasmet e idealeve, les nouveaux riches, sallonet e debateve televizive, fituesit e tenderëve, zhonglerët e podiumeve, prostitutat e mirëpaguara të politikës dhe dërdëllitjet ditore të Atyre në Facebook.

Shvejku ka ikur, së bashku me lexuesit e vet besnikë dhe ithtarët e fesë së vet anti-autoritare dhe anti-konformiste; për t’u zëvendësuar nga një Shvejk surrogato, dordolec i atij të vjetrit, që kinse mbijeton në kujtimet e të gjithë atyre pseudove që Hashekun nuk e kanë lexuar vetë, por që veç ua kanë dëgjuar të tjerëve që e kanë lexuar.

Ky Shvejk i dorës së dytë, i përdorur, i zhvlerësuar; i blerë te GABI i kujtesës kolektive të shqiptarëve; Shvejku i të gjithë atyre që e kanë njohur nëpërmjet batutave tona të dikurshme, vjen me të gjithë energjinë e flashkët të një skeçi estrade ose dialogu të nxjerrë nga filmat e Realizmit Socialist.

Po të kish vdekur, do t’ia kisha çuar tufën me lule te varri (duke i kërkuar të falur për patetizmin e gjestit); por kështu siç është katandisur, nuk e duroj dot më, aq sa më bëhet të ndërroj rrugë, kur më del ndonjëherë përpara në Tiranë.

Botuar në Revistën “Saras”, no. 8, 2015.

1 Koment

  1. Mua më bën përshtypje se si perceptimet shumë të mprehta për epokën që po afrohej me shekullin e 20-të, të gjalla në fillimet e këtij shekulli, por edhe pas luftës së 1-rë, si tek Kafka, Hasheku, Huxley, Orwell etj., pas luftës së 2-të erdhën duke u zbehur e margjinalizuar, aq sa sot nuk janë më fare pjesë e mainstream-it. Paradoksalisht, këto perceptime të një bote të re totalitare, distopike e të frikshme vetëm sa janë konfirmuar. Nga ana tjetër, sërish paradoksalisht, distopitë e Huxley dhe të Orwell, ashtu si dhe makthet e Kafkës, vazhdojnë ta ruajnë popullaritetin. Duket sikur të shumtë janë ata që impresionohen, por pak janë ata që i marrin seriozisht paralajmërimet që veprat e tyre bartin. Besoj se ka të bëjë me atë që gjithçka sa vjen e perceptohet si “pjesë e performancës”, siç e cek Xhaxhai edhe në shkrimin Dhuna si Instalacion. Kështu, pjesë e performancës bëhen edhe distopitë britanike, edhe epikat e Pragës të fillimshekullit të 20-të. Në fakt e diskutueshme është edhe se sa e konsideronin apo jo pjesë të performancës veten dhe krijimtarinë e tyre këta autorë. Megjithatë personalisht besoj se çdo gjë është serioze në thelb, siç është edhe një hamster që vërtitet në rrotën e tij vicioze. Jemi ne ata që e perceptojmë si gallatë. Shvejku është serioz po ashtu, edhe sikur për vetë autorin të ketë qenë kulmi i karagjozllëkut. Prandaj në kërkim të seriozitetit vetë ia jam afruar gjithnjë e më tepër diskursit profetik, që ndër të tjera paralajmëron edhe për një kryemjeshtër të performancës të ditëve të fundit që të krishterët e quajnë Antikrisht e myslimanët Dexhal, i cili pritet të shfaqet pikërisht atëherë kur njerëzit do ta harrojnë dhe s’do ta kuptojnë se ç’po ndodh.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin