VIA MARGUTTA (I)

Për mua që jetoja përtej Perdes së Hekurt, në periferi të Tiranës, kënga “Via Margutta” e kantautorit Luca Barbarossa, prezantuar në Sanremon e largët të 1986-s, ishte poezi e kulluar, kushtuar qytetit të Romës, por edhe dashurisë në përgjithësi.

Megjithëse qëndronte në titull të këngës, rruga Margutta, sikur humbiste nën peshën emocionale dhe poetike të shesheve, rrugëve dhe rrugicave të Romës që, nuk e di pse, shkonin e bëheshin njësh, duke i shkrirë konturet dhe identitetin për t’u njëjtësuar me qytetin.

Ky ishte ndoshta haraçi, jo aq i rëndë, i shikimit nga larg, përtej detit, i një vendi të paarritshëm në atë kohë, përveçse në ëndrrat e pacensuruara dhe në fantazitë rinore.

Via Margutta, që përçohej nga vargjet e Luca Barbarossa-s, ishte për mua një rrugë çfarëdo, si shumë të tjera, sinonim i çdo rruge romane, nga ku mund t’i këndosh lirisht një këngë dashurie qytetit tënd. Por edhe të dashurës. Via Margutta ishte, gjithnjë në këndvështrimin tim, pa identitet, një rrugë anonime, një hapësirë urbane, që humbiste në rrjetin e gjerë rrugor të kryeqytetit italian.

Fundja, vargjet e këngës të çonin detyrimisht në një mjedis poetik e romantik, që mund të gjendej në shumë cepa të qytetit. Nata që binte ngadalë dhe heshtazi mbi çatitë e Romës, macet që kërkonin e ëndërronin dashuri, ylli që kalonte në qiell mbi kopshtet e qytetit, zilja e telefonit që binte, radioja që fliste…

Ja edhe teksti i këngës “Via Margutta” i Luca Barbarossa-s, ndërsa këngën, në versionin origjinal të paraqitur në Sanremo, mund ta dëgjoni këtu:

Via Margutta

 

Sta cadendo la notte

sopra i tetti di Roma

tra un gatto che ride e un altro che sogna

di fare l’amore.

Sta cadendo la notte

senza fare rumore

sta passando una stella

sui cortili di Roma

e un telefono squilla

nessuno risponde

a una radio che parla

e’ vicina la notte

sembra di accarezzarla.

Amore vedessi

com’e’ bello il cielo

a via Margutta questa sera

a guardarlo adesso

non sembra vero che sia lo stesso cielo

dei bombardamenti, dei pittori,

dei giovani poeti e dei loro amori

consumati di nascosto

in un caffe’.

Amore vedessi

com’e’ bello il cielo

a via Margutta insieme a te

a guardarlo adesso

non sembra vero che sia lo stesso cielo

che ci ha visto soffrire

che ci ha visto partire

che ci ha visto.

Via Margutta

 

Po bie nata

mbi çatitë e Romës

midis maces që qesh e tjetrës që ëndërron

të bëjë dashuri.

Po bie nata

pa bërë zhurmë

po kalon një yll

mbi kopshtet e Romës

e një telefon tringëllon

askush nuk i përgjigjet

radios që flet

po afrohet nata

duket sikur po e përkëdhel.

Zemër sikur ta shihje

sa i bukur është qielli

sonte në rrugën Margutta

ta shikosh tani

nuk duket e vërtetë që është i njëjti qiell

i bombardimeve, i piktorëve,

i poetëve të rinj e i dashurive të tyre

të konsumuara fshehtas

në një kafene.

Zemër sikur ta shihje

sa i bukur është qielli

në rrugën Margutta së bashku me ty

ta shikosh tani

nuk duket e vërtetë që është i njëjti qiell

që na ka parë të vuajmë

që na ka parë të nisemi

që na ka parë.

 

Ndoshta ishte faji i qiellit, që i mbledh të gjitha vendet e të gjithë njerëzit nën vete, por detaje të rëndësishme të këngës, si piktorët, poetët, kafenetë, sikur i shkëputeshin rrugës Margutta, e braktisnin atë, për t’u shpërndarë në qytetin e Romës, diku andej nga qendra, por edhe më larg, përtej mureve antike. Që kantautori i referohej qytetit gjatë luftës ishte e qartë, por qielli, tashmë në paqe, mbetej po ai, me të njëjtët artistë, që e shëtisnin dhe e banonin.

 

Scende piano la notte

sui ricordi di Roma

c’e’ una donna che parte

e un uomo che corre

forse vuole fermarla

si suicida la notte

non so come salvarla.

Amore vedessi

com’e’ bello il cielo

a via Margutta questa sera

a guardarlo adesso

non sembra vero che sia lo stesso cielo

dell’oscuramento e dei timori

dei giovani semiti e dei loro amori

consumati di nascosto in un caffè.

Amore sapessi com’era il cielo

a Roma qualche tempo fa

a guardarlo adesso

non sembra vero che sia lo stesso cielo

la stessa citta’

che ci guarda partire volerci bene

che ci guarda lontani

e poi di nuovo insieme

prigionieri di questo cielo

di questa citta’

che ci ha visto soffrire

che ci ha visto partire

che ci ha visto.

Si suicida la notte

non so come salvarla

Bie ngadalë nata

mbi kujtimet e Romës

një grua që niset

e një burrë që vrapon

ndoshta dëshiron ta ndalojë

vetëvritet nata

nuk di si ta shpëtoj.

Zemër sikur ta shihje

sa i bukur është qielli

sonte në rrugën Margutta

ta shikosh tani

nuk duket e vërtetë që është i njëjti qiell

i errësimit e i frikës

së të rinjve semitë dhe i dashurive të tyre

të konsumuara fshehtas në një kafene.

Zemër sikur ta dije si ishte qielli

në Romë ca kohë më parë

ta shikosh tani

nuk duket e vërtetë që është i njëjti qiell

i njëjti qytet

që na shikon të nisemi të duhemi

që na shikon larg

e pastaj sërish bashkë

robër të këtij qielli

të këtij qyteti

që na ka parë të vuajmë

që na ka parë të nisemi

që na ka parë.

Vetëvritet nata

nuk di si ta shpëtoj

 

Ndoshta ishte faji i skenës së përshkruar, aq klasike saqë mund të ndodhte në çdo rrugë qyteti, por “via Margutta” nuk ma karakterizonte përfytyrimin. Ndërsa drita i lëshonte vendin natës, një çift përpëlitej nga dhimbjet e dashurisë; gruaja ikte me siguri e fyer dhe e nxehur, burri e ndiqte i dëshpëruar për ta bindur të kthehej.  Më pas nata tërhiqej nën dritën e agimit. E përsëri kujtimet e dikurshme, kur fikeshin dritat për shkak të bombardimeve dhe kur semitët kishin frikë të dilnin hapur me dashuritë e tyre… Të gjitha ndodhnin në të njëjtin qytet,  nën të njëjtin qiell, që i kishte zënë rob të rinjtë e dashuruar.

Për mua, që e shijoja këngën pa pasur mundësi ta vizitoja realisht Via Margutta-n, nuk kishte rëndësi vendi i saktë, ku shihej qielli, as shtëpia ku binte zilja, por poezia me të cilën i këndohej qytetit dhe dashurisë. Via Margutta, ishte shndërruar papritur në sinonim të Romës, atje ku një çift ecën me duar kapur, kujton kohën e dikurshme, admiron qiellin plot yje.

Me siguri, ka qenë një nga arsyet që, kur shkova në Romë për herë të parë, nuk nxitova ta vizitoja rrugën e njohur. Ajo ka pritur gjatë, ndoshta për shkak të magnetizmit që ushtrojnë simbolet kryesore të qytetit, ndoshta për faj të famës së rrugëve të njohura, ndoshta për arsye të peshës simbolike të kartolinave. Por ndoshta edhe – për meritë do të thosha – të karakterit të saj intim. Via Margutta është e tërhequr, e ngrohtë, e fshehur, konfidenciale, e brendshme, njerëzore. Sikur kërkon t’u fshihet njerëzve e jo të duket. E të mendosh që nga vendasit quhet rruga e artistëve. Në të vërtetë me ekzibicionizmin ka një raport ambig.

Ndrojtja e saj dallohet edhe nga harta. Në Via Margutta, sikurse thuhet nga shumë vetë, nuk të bie rruga rastësisht. Duhet të shkosh qëllimisht. Përulësia e saj i ka rrënjët në historinë e hershme, por unë i vërej veçanërisht tek sakrifica për ta tërhequr vëmendjen në favor të Romës, për të treguar një faqe tjetër të saj, atë që nuk i tërheq turmat e turistëve me shkopinj selfie në duar.

 

[vijon]

1 Koment

  1. Interesant sa ndryshe i jemi qasur! Une e pashe dhe e preka qe heren e pare qe shkova. Sic thua ti, jo rastesisht. Dhe ia bej adetin sot e kesaj dite sa here shkoj ne Rome. Vajzat e mia e duan po aq, se jane mesuar me te. Ndoshta edhe u duket te prekin pak Fellinin atje.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin