STREHA E FUNDIT E AUTORIT

“Mos më pyesni kush jam dhe mos më kërkoni të mbetem i njëjti: le t’ua lëmë burokratëve dhe policisë që të kontrollojnë nëse i kemi në rregull letrat. Së paku na i kurseni moralitetin e tyre, kur ne shkruajmë.” Kështu thotë M. Foucault-i, tek Arkeologjia e dijes – edhe pse këto fjalë të tij do të merrnin kuptim tjetër, më të guximshëm, në mos edhe më subversiv, në epokën e uebit 2.0, kur gjithsekush doli në rrugë dhe i shkroi mendimet e veta me shkronja të mëdha, por për t’i nënshkruar me një emër tjetër. Kësisoj, pseudonimi u shndërrua sërish, nga përftesë letrare dhe hokë adoleshentësh, në një faktor ndryshimi social, si në kohën e revolucionarëve, të Leninit, të Stalinit dhe të Che Guevarës, pa folur për Tarasin dhe Delikaten dhe të tjerë noms de guerre.

Në fakt pseudonimi gjithnjë tradhton një siklet të padurueshëm me fatalitetin e ekzistencës, ose një reklamim sado të vonë të asaj lirie që të mungonte, kur të tjerët vendosën për ty. Emri im, Ardian, i referohet një fisi ilir që jetonte diku në Perëndim të Ballkanit; prindërit e mi e zgjodhën sepse ishte kulturorisht i modës në atë kohë, kur qytetarët në Shqipëri po zbulonin se stërgjyshërit e tyre nuk paskëshin qenë pellazgët, por ilirët: risia këtu kish të bënte edhe me një gënjeshtër të vjetër, që tashmë kish kafshuar dheun. Përkundrazi, mbiemri im, Vehbiu, më klasifikonte sakaq si anëtar të një familjeje, të një dege, të një lisi, të një fisi; kish diçka të përbashkët me gjakun, por që e mbulonte si të ishte band-aid. Kombinimi i këtyre dy emrave, si enë në fillim e zbrazët, do të mbushej dalë nga dalë me mua, si shumë e bëmave të mia dhe perceptimeve të botës për mua; pa çka se të parët që u morën me këtë kombinim dhe që e riprodhuan në dokumente dhe lista dhe fac simile ishin burokratët, kushedi më vonë edhe policia; duke më dhënë një identitet që, për mua, thellë-thellë manifestohej me nevojën, ndoshta duhet të them imperativin, për të qenë sot i njëjti me atë që kam qenë dje. Pa çka se ky identitet i subjektit nuk ka shumë të bëjë me firmën që vëmë, në përfundim të një vepre arti, të një artikulli, të një propozimi, të një projekti, të një deponimi, të një rrëfimi. Sërish Foucault-i: “Fjalimet dhe librat iu bashkëlidhën [në krye, A.V.] autorëve të mirëfilltë, dhe jo figurave fetare mitike ose të rëndësishme, vetëm atëherë kur autori u bë subjekt ndëshkimi dhe në atë masë që diskursi i tij u konsiderua si transgresiv.” Me fjalë të tjera, autori ishte ai që shkonte në burg ose në gijotinë, në qoftë se gabonte me veprën e vet. Çfarë do të ishte edhe një arsye e mjaftueshme, në mos optimale, për të shkruar me pseudonim.

Sot në forumet online dhe në faqet e komenteve të disa mediave pseudonimet janë ende de rigueur – njëlloj si kostumet në një ballo me maska: ai që nuk mbulohet, do të tregohet me gisht si lakuriq. Por këto pseudonime çlirojnë nga përgjegjësia, ose nga nevoja që dikush t’i dalë zot fjalës; duke shtruar njëkohësisht një çështje gati filozofike madhore: a mund të funksionojë normalisht ai tekst, të cilit nuk i del zot përveçse një personazh? Sërish do të na duhet të pyesnim: a mund ta çosh një pseudonim në burg? Në një farë mënyre, po – duke ia ndaluar qarkullimin; pa çka se ai që ia lëviz fijet, ose kukulltari në hije, sakaq mund të krijojë një pseudonim të ri: një, dhjetëra, mijëra. Borges-i i pat vënë në gojë një personazhi, te “Tlön, Uqbar, Orbis Tertius,” thënien se “pasqyrat dhe akti seksual janë të përbindshme, sepse i shumëzojnë njerëzit”; po të ish gjallë sot, kushedi do të kish shtuar këtu edhe Internetin. Pa çka se jo gjithmonë pseudonimin e sugjeron djalli; mund të tradhtojë edhe ndrojtje, modesti, ngurrim për të përdorur emrin e vërtetë, meqë ky ende nuk ka asnjë kuptim, përveç atij që i kanë dhënë shkresat.

Aq më tepër që, dikur midis viteve 1995 dhe 2005, të gjithë ne e kishim të paktën nga një pseudonim, që na shërbente jo aq si maskë për të mbuluar fytyrën (tek e fundit, një fytyrë që nuk na e njihte kush), sesa si një targë, nga ato që varen në gjoks, dhe që të lejojnë të qarkullosh i papenguar në virtualitet. Nuk e dinim atëherë që emrat e rinj ishin edhe ftesa për të eksploruar drogën e personalitetit të shumëfishtë – ti zgjidhje një emër për veten dhe i nënshkruaje tekstet e tua me të; dhe pas një farë kohe e kuptoje, herë me tmerr dhe herë me entuziazëm, se ky emër tashmë po të kërkonte ty, po të varej pas qafe si ta kishe fëmijë.

Shumë shkrime të miat të hershme, në një forum diskutimesh të quajtur Alb-Club, i kam pasë nënshkruar si Dale Hashorva, një emër që mua më sillte në mend imazhin e një burri të shëndoshë me kostum liri dhe borsalinë ngjyrë kremi me vrima dhe këpucë të bardha ndoshta edhe këto me vrima; dhe që merrej shumë me politikë. Kur më pas një dorë e fshehtë brenda meje filloi të trokiste me të madhe dhe të kërkonte penën për të shkruar letërsi të mirëfilltë, këtë nuk mund t’ia besoja sërish Dales, i cili e kish krijuar tashmë një profil të vetin.

Ashtu erdhi njëditëzaj në jetë Maks Gjerazi, autor gjithnjë eksperimental dhe dadaist, i njëjti që më vonë do të përmendej në titullin e librit tim Gjashtëdhjetë e gjashtë rrëfimet e Maks Gjerazit. Për këtë të fundit, ideja ime ish që të dilte me Maks Gjerazin si autor; por botuesi, A. Klosi, më bindi që të përdorja emrin tim – edhe pse jam i sigurt se ai nuk kish parasysh burgun. Kujtoja se një libër që i këndonte paranojës e meritonte të nënshkruhej nga një autor fiktiv; sot kujtoj se asgjë nuk është më fiktive, se emri real, ose ai që nuk e ke zgjedhur ti vetë por ta kanë vënë të tjerët, njëlloj siç i shënjon bariu delet me hekur të djegur, ose sot duke u injektuar një chip nën lëkurë. E megjithatë, pseudonimi është edhe fatalitet – vetë Maks Gjerazi më dukej i predestinuar për të krijuar një lloj të caktuar letërsie, ose i kapur peng i arsyes për të cilën kish ardhur në jetë; të lashtët kanë pasë thënë nomen (est) omen, emri është shenjë, emri flet; unë do të shtoja këtu se emri është kryq që e mbajmë në shpinë gjithë jetën, madje edhe kur nuk kemi mëkatuar dhe aq.

Duke e ndier këtë peshë të papërballueshme te pseudonimet, fillova të kuptoj se sa më e rëndë ishte, kur i bashkëlidhej emrit tim real. Për autorin, emri rëndon si guri i Sizifit; për lexuesin, emri i autorit është lodhje. Sot janë të shumtë ata lexues që, sapo shohin emrin tim poshtë një eseje ose një copëze letrare, e ndalojnë leximin – jo sepse më urrejnë, më përçmojnë a më refuzojnë, por sepse “e dinë” se çfarë shkruan A.V.; në kuptimin që çdo nënshkrim e sjell kuptimin me vete. Që këtej edhe mundësia për të përdorur pseudonim i ngjan një dhurate pothuajse mistike: ta anulon ballastin, t’i heq thasët me rërë nga shpatullat, ta pastron dosjen që ka hapur për ty publiku, ta djeg kartelën mjekësore duke të dhënë krahë për të fluturuar sërish. Ashtu lexuesi do t’u afrohet shkrimeve të tua me kuriozitetin e duhur, teksa ti shpreson që pyetja “kush është ky” mund të shndërrohet në pyetjen tjetër “çfarë shkruan ky” dhe që është e vetmja që ty të intereson, së paku si autor.

Nga kjo pikëpamje, teksti i hedhur në qarkullim i ngjan nga pak një romani policor, të ndërtuar rreth pyetjes: “kush e ka bërë (krimin)?”; çfarë edhe bashkëtingëllon bukur me autorin që gjithnjë e mban gati, në dhomën e gjumit, valixhen e burgut; duke konfirmuar, edhe një herë, se lexuesi nuk mund të kënaqet, pa u siguruar se pas fjalëve që i janë dhënë të lexojë qëndron dikush; ose të paktën, një palë kyçe duarsh të bëra gati për prangat. Aq sa, me kalimin e kohës, tekstet sa vijnë e bëhen edhe më të tejdukshme, në kuptimin që do të lexohen duke pasur parasysh tekstet e mëparshme të këtij autori; ose në një orvatje, ndonjëherë patetike, për t’i dhënë këtij të shkretit një biografi, madje edhe atëherë kur kjo biografi nuk ka doemos trajtën e një dosjeje. Vjen pastaj momenti kur çdo tekst i nxjerrë rishtas nuk perceptohet veçse si portret i atij që e ka shkruar, ose që pretendon ta ketë shkruar: një moment që nuk ka shkrimtar dhe artist të mos e urrejë, me përjashtim të atyre që e prisnin t’u mbërrinte gjithë jetën. Dhe shumëkush do ta ketë ëndërruar, në këto rrethana, mundësinë për t’u rilindur nën një emër tjetër, ose për t’i dhënë vetes një palë flatra të reja.

Dikur, rreth vitit 2004, pata rinxjerrë në qarkullim, për veten si autor non-fiction, një pseudonim të vjetër, të viteve të shkollës së lartë: Xha Xhai; ky më shoqëroi edhe gjatë periudhës kur u konsolidua “Peizazhe të fjalës”, më parë blog tani revistë; por edhe Xha Xhai me kohë u konsumua, sepse u mbush me material dhe me junk, si disku i ngurtë i një kompjuteri të vjetër; aq sa m’u desh tani ta lë mënjanë, për t’iu kthyer emrit tim real, si streha e fundit e autorit. Në mënyrë të ngjashme, Maks Gjerazi pas botimit të librit u kap peng në paranojat e atyre rrëfimeve dhe e pati të vështirë ta rikrijonte veten si personazh dhe si autor; thirra në ndihmë një personazh tjetër, castigat, me të cilin shkruaj herë pas here tekste letrare, tregime të shkurtra dhe skica, te “Peizazhet.” Tani që e mendoj, të gjithë këta emra më kanë shërbyer njëfarësoj edhe për t’u mbrojtur – jo nga përgjegjësia, sa nga konsumi dhe rrëgjimi në sytë e lexuesit; sikurse më kanë shërbyer për të mbajtur gjallë iluzionin, në fakt patetik, se autori ende mund të ruajë ndonjëfarë kontrolli, ndaj atyre që shkruan dhe ua jep të tjerëve.


Shënim: ky shkrim u botua në numrin e fundit të revistës “Saras.”

2 Komente

  1. Falemnderit (më erdhi të të të them falemnderit Xhaxha, po kjo do të mohonte thelbin e këtij shkrimi) Ardian.

    Ndërkohë që më duhet pak më shumë kohë ta shijoj thelbin e shkrimit, kam një asociacion që dua ta ndaj shpejt e shpejt: teksa është e vërtetë që emri i autorit e prangos tekstin ngaqë lexuesi e paragjykon tekstin mbështetur në skemën e parapërgatitur mbi autorin në fjalë (skema është aty edhe kur autori është fare i panjohur sepse, kush është ky, me demek…) më duket që ndodh e kundërta me përkthyesin e tekstit. Sa më i njohur të jetë ky, aq më lehtë rrëshqet teksti drejt lexuesit.

    Dua të them që paragjykimi i lexuesit mbi përkthyesin jo vetëm që nuk e prangos tekstin, por i rrit mundësitë e kontaktit me publikun; emri i përkthyesit shërben kështu si ndërmjetës midis autorit dhe publikut.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin