LIDER I KEQ APO SHOQËRI NAIVE?

Pas qarkullimit të një filmimi të vitit 2005 në mediat amerikane ku kandidati republikan për president në SHBA, Donald Trump, shfaqet jo vetëm duke përdorur një gjuhë të dhunshme dhe poshtëruese ndaj grave por duke u mburrur mbi këtë gjë, shoqëria në perëndim dhe shoqëria e rrjeteve sociale në veçanti, u përfshinë në një debat të flaktë dhe si zakonisht me debatet e këtij lloji, pati një pozicionim ndaj çështjes prej dy kampesh kundërshtare. Njëri kamp me të drejtë, e dënon qasjen e Trump ndaj grave duke e argumentuar atë si vepër penale të dënueshme me ligj, diskriminuese dhe krejtësisht të pavend (sidomos) për një individ pozitat e të cilit e kërkojnë pa kompromis që ai të jetë i matur dhe i përgjegjshëm. Kampi tjetër ndërkohë e justifikon dhe e përligj të folurën e tij.

Në video Donald Trump dokumentohet teksa qartësisht tregon se ai u avitet grave duke i ngacmuar seksualisht ato, duke i kapur dhe prekur në pjesët intime, duke i puthur pa miratimin e tyre dhe duke iu drejtuar në mënyrë fyese nga pozita superiore pushteti. ‘‘Mund të bësh ҫ’të duash (me to)!‘‘[1][2],zgërdhihet në video ai. Trump shfaqet për atë që është: një burrë i bardhë i privilegjuar amerikan, i pasur, arrogant, seksist, mizogjin, i lig, i pakulturuar, i paditur dhe pa kurrfarë pendimi për fjalët që lëshon e veprimet që kryen (ende sot në 2016-ën).

Mbrojtja e shpurës së Trump dhe atij vetë ndaj këtij skandali ishte e dobët, patetike dhe e përforconte sjelljen e tij të 2005-ës. “Këto janë llogje të dhomave të zhveshjes, një bisedë që ka ndodhur vite më parë. Bill Clinton ka thënë gjëra më të këqija se unë në fushën e golfit.[3]“, është shprehur Trump kinse për t’u shfajësuar, duke mos kërkuar kësisoji ndjesë dhe duke mos u lëkundur nga pozita e tij por mbi të gjitha duke e ofruar sulmin seksual si një bisedë pa vramendje mbi seksin; duke bërë kështu që kultura e përdhunimit (rape culture) të shitet si diҫka normale ndërkohë që po flasim për një krim!

Çfarë më bën përshtypje këtu ama nuk është domosdoshmërisht Donald Trump dhe retorika që ai përdor por ndjekësit e tij; personat të cilët e admirojnë dhe e mbështesin edhe kur e kuptojnë që ai po tregohet dhe po sillet në mënyrë të tmerrshme dhe të patolerueshme. Të parët që i dalin në mbrojtje, janë ata të cilët janë të vendosur pavarësisht gjithçkaje, t’i japin votën.

Që Trump është seksist, racist, homofob, ksenofob, krejt i paaftë për t’i dorëzuar ҫelësat e zyrës së shtetit më të fuqishëm në botë sot, nuk është lajm. Lajm është që një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë në SHBA, duke e ditur pikërisht se si Trump është, zgjedhin t’i mbajnë ison. Fundja, ai është shëmbëlltyra më direkte e ndjekësve të tij. Kush do të votonte për një kandidat si Trump, nëse nuk do të mendonte si Trump? Por pyetja që shtrohet paskëtaj është se çfarë e bën një person që jeton në një vend të zhvilluar e kaq të larmishëm si SHBA-të të mendoj në atë mënyrë? Po ashtu, kur flasim për zhvillimin në SHBA s’mund të mos kërkojmë të mësojmë se si është i shtresëzuar ky zhvillim dhe cilat masa popullore rrok?

Pabarazia sociale dhe ekonomike është kriza më e thellë e shoqërisë amerikane sot. Sipas raportit të Institutit të Politikave Ekonomike[4], qershor 2016, pabarazia në të ardhura është rritur në secilin shtet që prej 1970-ës dhe në shumë shtete është e lartë që prej periudhës së Recesonit të Madh[5] (dhjetor 2007 – qershor 2009). Në 24 shtete, 1% e popullsisë rroku të paktën gjysmën e rritjes së të ardhurave. Në 10 shtete të tjera, të ardhurat e këtij 1%-shi u dyfishuan ndërsa ato të 99%-shit të popullsisë, ranë. Për Shtetet e Bashkuara në tërësi, 1% e popullsisë rroku 85.1% të rritjes totale të të ardhurave ndërmjet 2009 dhe 2013. Në 2013 1%-shi i familjeve të kamura në nivel kombëtar, prodhonte 25.3 herë po aq sa 99%-shi i poshtëm. [6] (Përmbledhja më e detajuar për këtë gjendet në link-un në fund të shkrimit.)

Ҫfarë prodhon zakonisht kriza ekonomike dhe shpërndarja jo e drejtë e të ardhurave dhe të mirave në shoqëri? Krizë sociale. Amerikani mesatar por sidomos amerikani që i përket shtresës së varfër e ka të pamundur të arsimohet ose t’u ofrojë fëmijëve të tij të njëjtin arsimim si amerikani pasunar i radhitur në shkallët e larta të 1% të shoqërisë. Shkollat elitare në Amerikë ose më saktë, shkollimi i mirë, kushtojnë tmerrësisht shumë dhe përgjithësisht janë të rezervuara për pakicën e privilegjuar të shoqërisë. Edhe në rastin e të zgjedhurit të studiuarit në një institucion elitar (për shkollimin e lartë) nëpërmjet marrjes së një borxhi studentor, shlyerja e borxhit pas përfundimit të studimeve (e zëmë se ky qytetar zgjedh të studiojë mjekësi, një shkollim goxha i gjatë) nuk e lejon këtë të ri apo të sapodiplomuar të rritet ekonomikisht. E përmbledhur në një fjali, një sistem i këtillë ekonomik i lë të varfërit më të varfër dhe të pasurit më të pasur. Në një situatë të tillë, ankthi dhe pasiguria rriten e krejt papritur Ëndrra Amerikane duket t’i përngjajë më tepër një makthi vicioz. Nën të tilla kushte dalin në sipërfaqe personazhe si Donald Trump të cilët duke shfrytëzuar terrenin e polarizuar shoqëror (shto këtu shifrat alarmante të rritjes së dhunës dhe të sjelljeve agresive), e shfrytëzojnë këtë të fundit duke e thelluar përҫarjen më tepër për interesat vetjake, nëpërmjet retorikave ҫnjerëzore, duke i bërë disa prej këtyre qytetarëve mesatarë jo fort mirë të edukuar, të besojnë që armiku u ndodhet përkarshi jo përballë  majë një podiumi duke vjellë gënjeshtra e poshtërsi kundra tyre; duke bërë që këta njerëz të demoralizuar, me probleme ekonomike dhe sociale të fajësojnë shoshoqin për fatkeqësitë apo pamundësitë në jetë e të luftojnë njëri-tjetrin, jo sistemin.

Kësisoji një nënë e divorcuar, djali i së cilës është kritikisht i varur nga droga e që përdorimin e saj e ka nisur në adoleshencën e hershme, ndërkohë që të ëmës i duhej të punonte me dy turne pasi ish bashkëshorti ishte i papunë dhe nuk ofronte asnjë të ardhur për të birin; ky i fundit po ashtu merrte pak përkujdesje e vëmendje edhe nga nëna e zënë me punë, për pasojë prirej të mungonte në shkollë e ta shuante kureshtjen tjetërkund rrugëve; kur kjo nënë pra, dëgjon një kandidat si Donald Trump t’i thotë se ai do të ndërtojë një mur me Meksikën për të ndaluar importin e drogave, armëve dhe kriminelëve nga shteti fqinj, ia fal, ia justifikon atij mizogjininë dhe seksizmin apo ndonjë tjetër retorikë diskriminuese të ngjashme, ajo madje i fal atij deri edhe përligjjen e krimit si në rastin me videon e 2005-ës, pse fundja ky kandidat po i ofron asaj një zgjidhje e cila tingëllon tepër emocionale dhe e drejtpërdrejtë për të, pavarësisht sa e pavërtetë dhe iluzive ajo është aktualisht.

Personazhe si Donald Trump nuk mbijnë në skenën politike nga hiҫi. Ata janë pasoja në kohë nga mënyra se si organizohet jeta ekonomike dhe sociale brenda një shoqërie. Ata janë pasoja e shkaqeve më të hershme dhe shkaqet e pasojave të mëvonshme që bien në kurriz të këtyre shoqërive e pasandaj shpërhapen në efekt domino në politikat ndërkombëtare duke afektuar të tjera shtete, të tjera shoqëri, të tjerë njerëz. Ajo se ҫfarë mund të bëjmë kur ballafaqohemi me dështimet shoqërore tonat në kohë, si në rastin e fenomenit Trump në Amerikë, është t’i luftojmë këto dështime sa më fort, t’i kritikojmë ato, t’i dënojmë, të mos i votojmë por mbi të gjitha, të mos i glorifikojmë.

Një shoqëri që refuzon të informohet, do të përballet vetëm me udhëheqës monstruozë, të cilët do t’u ngrenë lavd injorancës dhe dashakeqësisë, do t’i nxisin këto të fundit me forcë, pa u lëkundur, derisa anormalja të bëhet normale dhe antivlerat, vlera që breza të mëvonshëm do t’i përqafojnë për të nxjerrë të tjerë monstra, duke mos mësuar aspak nga historia, duke prodhuar jo vetëm dështime shtetesh dhe shoqërish të drejta por mbi të gjitha, dështim dhe ngadalësim të motorrit emancipues të njerëzimit.


[1] http://www.thedailybeast.com/articles/2016/10/07/donald-trump-brags-about-nonconsensually-groping-women-in-newly-uncovered-recording.html

[2] http://www.slate.com/blogs/xx_factor/2016/10/07/the_trump_video_is_sickening_even_from_a_known_misogynist.html

[3] http://occupydemocrats.com/2016/10/07/trump-just-got-caught-insulting-women-excuse-pathetic/

[4] http://www.epi.org/publication/income-inequality-in-the-us/

[5] http://stateofworkingamerica.org/great-recession/

[6] http://stateofworkingamerica.org/great-recession/

7 Komente

  1. Besoj se shkrimi më lart ka nevojë për disa sqarime: i lutem autores të më mirëkuptojë dhe t’i konsiderojë si vazhdim i debatit.

    Duke filluar që nga domethënia e regjistrimit audio të Trumpit në 2005 – ky regjistrim nuk “dokumento[n] teksa qartësisht tregon se ai u avitet grave duke i ngacmuar seksualisht ato, duke i kapur dhe prekur në pjesët intime, duke i puthur pa miratimin e tyre dhe duke iu drejtuar në mënyrë fyese nga pozita superiore pushteti,“ por vetëm tregon se çfarë muhabetesh ka pasë bërë Trump-i me burra të tjerë në privat; dhe, po të spekulojmë sado pak, tregon edhe si ka pasë dëshiruar Trump-i që ta shihnin të tjerët në atë kohë. Një lloj krekosjeje tipike machiste, që sikurse të gjithë e dimë shpesh nuk i përgjigjet realitetit, përkundrazi. Trump-i mund edhe t’i ketë bërë këto gjëra, por kjo NUK KA SHUMË LIDHJE me çfarë thotë në atë regjistrim.

    Ky lloj superioriteti i fryrë i mashkullit ndaj femrës, që përcillet nga regjistrimi në fjalë, gjithashtu nuk besoj se e nxjerr Trump-in “për atë që është: një burrë i bardhë i privilegjuar amerikan, i pasur, arrogant, seksist, mizogjin, i lig, i pakulturuar, i paditur dhe pa kurrfarë pendimi për fjalët që lëshon e veprimet që kryen (ende sot në 2016-ën).” Besoj se të njëjtin regjistrim do të mund ta bëje edhe te një zezak në geto, ose që sapo ka dalë nga burgu; dhe aq më tepër te një zezak i pasur – bëmat dhe thagmat e rappers-ëve mjaftojnë për ta argumentuar këtë. Seksizmi nuk ka të bëjë aq me racën, sa ç’ka të bëjë me paranë dhe një model të jetuari që i bashkëngjitet kamjes ose milionave. Edhe një kinez ose korean ose meksikan milioner do të thoshte pas gjase të njëjtat gjëra. Madje po të flasim për racë dhe racizëm, le të mos harrojmë se lëvizja anti-patriarkale dhe emancipatore e gruas është produkt i kulturës Perëndimore (të bardhë), sikurse edhe feminizmi.

    Dhe gjithsesi, Trump-i ndoshta nuk është i përshtatshëm as edhe për t’u konsideruar për president të ShBA, por JO për arsye të seksizmit; seksizmi i tij, arroganca dhe budallallëqet e tjera thjesht tregojnë se, ndryshe nga kolegët e vet, Trump-i ende nuk është sofistikuar aq, për të arritur nivelin e një “slick Willie”.

    Më tej akoma, edhe pse çfarë thotë autorja për pabarazinë sociale në ShBA është e drejtë, do të vëreja se komentet e saj për arsimin e lartë nuk i përgjigjen realitetit. Ekziston një PRIRJE NË RRITJE, për polarizimin e arsimit të lartë, por kjo prirje ende kundërshtohet gjerësisht, nga rregullat meritokratike – të cilat ia mundësojnë edhe fëmijës së një emigranti me green card dhe kushedi edhe me ndihma sociale dhe me food stamps, të shkojë në një shkollë IVY LEAGUE, në qoftë se arrin rezultate të mira. Ka një sistem të tërë bursash dhe ndihmash të tjera, që e mundësojnë këtë. Vajza ime, sa për të sjellë një shembull, arriti të futet në shkollën e mesme elitare The Bronx School of Science, ngaqë fitoi konkursin e pranimit – ishte e zonja, e kaloi. Nga kjo shkollë e mesme, asaj iu hapën praktikisht dyert e universiteteve më të mira në ShBA. Po të shkosh dhe t’u hedhësh një sy nxënësve në shkollat e mesme publike elitare në New York, si kjo e mësipërmja, do të shohësh që atje ka një numër të madh fëmijësh të emigrantëve, por edhe nga minoritetet racore në ShBA, të cilët kanë arritur të hyjnë atje sepse janë të zotët. Dua të them: sistemi meritokratik ende funksionon dhe jep rezultate, më mirë se në Europë ku studentët gjithnjë rrezikojnë të mbeten pa punë. E kam të qartë, natyrisht, se nuk mund të kundërshtohet një argument i përgjithshëm me një shembull personal (individual); por unë të njëjtën histori suksesi e dëgjoj kudo, me fëmijët e imigrantëve në ShBA; dhe shembullin personal e solla vetëm ngaqë e kam të verifikuar; prandaj shembulli që sjell nuk është përjashtim.

    Shkruan autorja: “Edhe në rastin e të zgjedhurit të studiuarit në një institucion elitar (për shkollimin e lartë) nëpërmjet marrjes së një borxhi studentor, shlyerja e borxhit pas përfundimit të studimeve (e zëmë se ky qytetar zgjedh të studiojë mjekësi, një shkollim goxha i gjatë) nuk e lejon këtë të ri apo të sapodiplomuar të rritet ekonomikisht.” Shembulli nuk më duket se qëndron. Të paktë janë ata mjekë, në ShBA, që ankohen se “nuk po rriten dot ekonomikisht” – meqë rrogat e mjekëve janë jashtëzakonisht të larta, dhe ua mundësojnë këtyre që t’i paguajnë borxhet. Dua të them: mjekët janë shtresë profesionale e privilegjiuar, por ndërkohë fakulteti i mjekësisë është jashtëzakonisht i vështirë. I njëjti argument mund të sillet edhe për juridikun. Ka një korrelacion midis borxheve relativisht të larta, që duhet të marrë studenti, dhe rrogës që merr po ky student, në varësi të profesionit ku ka zgjedhur të specializohet. Një student i historisë së instalacionit në art ose i letërsisë post-feministe do ta ketë të vështirë që të arrijë sukses financiar – jo vetëm në krahasim me mjekun ose avokatin, por edhe me një hidraulik a teknik telefonash. Problem më i madh në arsimin e lartë në ShBA, besoj unë, është rritja artificiale e kostos së studimeve të larta, për shkak të fryrjes së administratës në universitete dhe shpenzimeve që nuk lidhen drejtpërdrejt me dijen; por kjo nuk më duket se ka lidhje të drejtpërdrejtë me polarizimin social, dhe as me anti-intelektualizmin e asaj pjese të ShBA që po kërkon të sjellë në fuqi një person relativisht të pagdhendur, si Trumpi.

    Disa nga problemet që sjell në tryezë Trump-i – duke filluar nga papunësia e frikshme që i ka shkaktuar zemrës së Amerikës globalizimi – janë probleme reale dhe përjetohen nga shumica e amerikanëve (si Trump-i dhe shumë më mirë se Trump-i, ato i ngriti dhe i shtjelloi Sanders-i). Janë me qindra qytete dhe zona të banuara që gjenden sot në agoni, ngaqë fabrikat dhe industritë që i mbanin gjallë tanimë janë zhvendosur drejt Kinës, Meksikës ose vendeve të tjera të botës së tretë. Nga kjo pikëpamje, zhurma e madhe që bëhet në media, për “seksizmin” dhe gjëra të ngjashme, mbulon problemet e mëdha të cilat Trump-i të paktën ka pasur kurajon t’i quajë me emrin e tyre: që nga globalizimi dhe NAFTA, te përzierja ushtarake e ShBA në Lindjen e Mesme dhe kudo gjetiu në botë, në rolin e xhandarit. Këtu Hillary është zëdhënëse e establishment-it globalist, që kërkon të ruajë statu quo-në, ndërsa Trump-i përfaqëson revoltën e Amerikës së mesme, në gjithë sinqeritetin crudo dhe degradimin e saj social dhe kulturor.

    Për sqarim: unë si qytetar amerikan këtë herë do t’ia jap votën një kandidati palë të tretë, meqë nuk e gjej veten në asnjë prej këtyre të dyve të vitrinës. Do të më shkojë vota kot, por të paktën do të jem i qetë me veten.

  2. Ardian, thua se ke vendosur t’ia japesh voten nje kandidati te trete per ta pasur ndergjegjen te qete.

    Kam lexuar se ne zgjedhjet e vitit 2000 shume zgjedhes amerikane, per ta pasur ndergjegjen te qete, vendosen te mos ia jepnin voten nje prej dy kandidateve kryesore qe ishin Bush dhe Gore, por nje kandidati te trete. Dihet sesi perfunduan ato zgjedhje, me fitoren e diskutueshme te Bush-it. A thua se zgjedhesve te lartpermendur do t’u kete mbetur e qete ndergjegjja duke ditur se me voten e tyre favorizuan fitoren e Bush-it? 🙂

    1. E kam kollaj ta marr atë pozicion në New York, sepse ky është një bastion i demokratëve dhe dihet që shumicën do ta fitojë Hillary. Po të isha në ndonjë shtet të paqartë, si Ohio, ndoshta nuk do të kisha votuar fare.

  3. Ne (ata, amerikanët) mund t’i luftojmë sa të duam “dështimet tona shoqërore në kohë, si në rastin e fenomenit Trump”, siç shkruani më lart, por kjo nuk do të ndryshoj shumë ose efekti do të jetë vetëm i përkohshëm, sa kohë që shkaqet, që çojnë në daljen në krye të këtyre dështimeve, janë aty dhe po ato.

    Trump është një trap pa dyshim, i padenjë për postin për të cilin kandidon, por ai ka prekur një nerv, apo më mirë, ka prekur shumë nerva të tendosur të shoqërisë së sotme amerikane, dhe më në përgjithësi, të shoqërive perëndimore: globalizimi dhe efektet e tij mbi shoqërinë, emigrimi, pabarazia sociale, kapja dhe korruptimi i elitave nga oligarkia, hipokrizia e politikës dhe mediave etj. Sa kohë që këtyre problemeve nuk u jipet drejtim dhe zgjidhje, priti Trumpat të vijnë radhë.

    Personalisht, duke gjykuar nga larg, Bernie Sanders më është dukur kandidati më i mbarë nga të tre, që u fokusua te disa prej këtyre problemeve, por njëkohësisht dhe politikan i matur, që nuk të lë me merakun, se mund të kesh president një kobure, që mund t’ia shkrep kur t’i teket. Por siç duket, Demokratët nuk dilnin dot nga lëkura e tyre.

  4. Personalisht ketij shkrimi une do t’i pergjigjesha vetem me shprehjen lapidare te shokut Pilo Peristeri: “Kadale mi gra, se na caperlut!”

  5. As lider i keq dhe as shoqeri naive. Kohe te keqia, per mendimin tim.
    Tramp eshte nje simptome e kesaj kohe.
    Dhe kjo kohe i ngjan shume asaj te Kleonit te Athines apo Crassusit te Romes. Keta te pakten kishin forcen e bindjeve dhe te karakterit, per te cilat lane edhe koken. Por ky i yni nje zot e di se cfare ka

    Kjo eshte nje rreshqitje e ngadalte, ndofta dhe e padukshme, por e pandalshme. Deri sa te vije ai “watershed moment”, ku me pas s’ka me. As Athine e as Rome.
    Por deri atehere do presim edhe ca. Nderkohe, i them tim biri te mesoje kinezce. “Jo-me thote-. Po mesoj suedisht.”
    Nuk e di i ziu qe Odinin e kane veshur me fund dhe me sytjena.

    Po te votoja dot ne SHBA, do kisha votuar per Tramp. Per te vetmen arsye sepse eshte anti PC ( antieunuk).

    1. Eshte e trishtueshme te lexosh Gibbon sot, por them se ke shume te drejte persa i perket koheve te keqia. Kije inat Marksin, po mos ja ha hakun kur thote me te drejte qe kohet nxjerrin udheheqesa dhe jo anasjelltas. Ose udheheqese.

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: