SHKRIMTARI I KEQKUPTUAR

Gazeta e përvitshme “Pazari” ka botuar sot një intervistë me shkrimtarin Gazmend Butka. Shkrimtari ka qenë në një lloj mërgimi të brendshëm prej 6 muajsh. Ai ka refuzuar të komunikojë me botuesin e tij dhe publikun e dashur që nuk e njeh ende atë. Kohët e fundit Butka e ka rritur shumë prodhimtarinë e tij. Që nga viti 2010 numri i librave të tij është rritur me 15%, gati dy-fish sa rritja vjetore e ekonomisë shqiptare dhe tre-fish i eksporteve të shalqirit për këtë vit. Numri i lexuesve gjithashtu ka pësuar një rritje prej 20 njësish në shifra absolute, ku futen veç kolegëve të tij edhe miq e familjarë. Numri i atyre që nuk e njohin ka rënë me 0.002%. Me një numër titujsh prej 25 librash, mesatarisht nga dy librave në vit që prej 2008, ai tashmë rrek të thyejë rekordin e Muzg Moravës.

Gazetarja jonë Alela Freda e intervistoi atë në bibliotekën e tij, ku me modesti autori prezanton numrin e madh të librave, plot 1000 libra nga fusha e disiplina të ndryshme, kryesisht kopje të librave të autorit ose komenteve mbi to.

Intervista i është përmbajtur formatit të gazetës sonë, ku 80% të bisedës, rreth 1000 fjalë, e zhvillon vetë intervistuesi.

Alela: Z. Butka, keni gjashtë muaj në ekzil të brendshëm. Çfarë keni bërë këto muaj? Lexuesi ynë është i interesuar të dijë si e keni kaluar kohën. Unë e imagjinoj se ju keni mbledhur materiale për librin tuaj të radhës që me siguri flet për lidhjen e kooperativës së Qukësit me kartelën e prodhuesve të ziftit dhe mbjellësit e mariuanës në zonën e Cërrikut. Ju kemi parë të merrni kontakte me ata njerëz dhe të shëtisni atyre anëve.

Butka: Nuk jam marrë me asgjë tjetër veçse kam luajtur domino me Nikon, fqinjin tim të përhershëm. Tetë orë në ditë, shtatë ditët e javës, e pas gjashtë muajsh për fat të keq na la shëndenë. Kështu mu desh ti kthehem librave të mi.

Alela: Cili është mendimi juaj në lidhje me mbetjet? Ju jeni shprehur se identiteti i shqiptarëve duhet të orientohet nga Evropa. Për këtë është e domosdoshme që shqiptarët të pranojnë mbetjet evropiane si një instrument për integrimin e shoqërisë sonë në këtë komunitet vlerash, ku edhe mbetjet kanë një vlerë, edhe pse veç monetare për ricikluesit. Prandaj quhet edhe ligji i menaxhimit të integruar të mbetjeve, se veç integrimit në Evropë, sistemi i mbetjeve integron edhe industrinë e prostitucionit për përdorimin e prezervativit, atë të kultivimit të hashashit në këmbim të plehrave të Kamorrës etj. A nuk mendoni edhe ju kështu? Se nuk ka si të mendoni ndryshe kur vetë jeni vëzhguar tek merrni gjithfarë plehrash nga vendet e Evropës ku keni qenë: rroba e këpucë të përdorura, televizorë, libra apo të tjera aparate elektronike.

Butka: Kam marrë disa mbetje, është e vërtetë. Por i kam futur në shtëpinë time. E kur qeveria nuk është e zonja të riciklojë këto librat që i kanë zënë frymën bibliotekës sime, nuk ka mundësi të riciklojë plehrat e botës.

Alela: Në librin tuaj të fundit, që për fat të keq nuk kam pasur mundësi ta lexoj, kam dëgjuar se ju keni kritikuar ndër të tjera edhe qeverinë aktuale. Patjetër që kjo qeveri ka gjynahe, por ajo ka ndërmarrë shumë reforma, si reforma për lyerjen e makinave të policisë më bojë blu, apo reforma e bashkisë për krasitjen e pemëve frutore në qendër të Tiranës; dhe nuk është aq e korruptuar sa qeveria e kaluar. Kjo besoj se duhet t’ju bind se kritika juaj është e pavend, për më tepër që botimi i librit tuaj të ardhshëm ka fituar një grant nga qeveria për botim.

Butka: Vitin e kaluar një komision i qeverisë më nderoi me çmimin në nder të një shkrimtari të madh të ishujve Lau në Fixhi, por ma morën prapë se kishin ngatërruar autorin me librin. Besoj se edhe granti duhet të jetë ndonjë gabim.

Alela: Shqipëria ju ka një borxh të madh. Ju keni shkruar kaq shumë e jeni lexuar aq pak.  Nuk keni dëshira të hakmerreni ndaj një populli kaq mosmirënjohës, që nuk ju meriton ju dhe sërën tuaj të shkrimtarëve? Një popull bukëshkalë, ziliqar, shpërfillës e i verbër. Si mund të qëndroni kaq i qetë? Unë nuk mundem. Besoj se llulla juaj, e bari i Matit për hir të së vërtetës, luan një rol thelbësor në paqëtimin tuaj.

Butka: Ziliqar jam unë, jo populli. Atij ia kam zili të vërtetat. Këto që shkruaj unë janë veç broçkulla. Mosmirënjohës madje jam po unë. Pse nuk ja di për nder kurrkujt, as ty, apo Naimit, botuesit të librave të mi, jam i lirë të shkruaj, e të tymos këtë të bekuar.

Alela: Prej cilës fjalë të pellazgjishtes magjepseni, e cilën fjalë turke nuk duroni dot? A ka një rrezik marsiano-otoman për Shqipërinë? A ekziston një Shqipëri evropiane dhe një indoneziane? Haxhi Qamilin, ndër të tjera, e kanë quajtur Princ të gjurulldisë. M’anë tjetër regjimi marksist i Enver Hoxhës e paraqiti lëvizjen e tij si kryengritje të vegjëlisë. Kur dëgjoni “‘o sa mirë me qenë shqiptar!” a nuk ndiheni si ilir? A po shkruhet letërsi në liri, pas vitit 1990, dhe si është ajo krahasuar me atë të shkruar nën diktaturë, kur dihet që Kadare është një dukuri unike në historinë e kombit? Cila është pyetja që gjithmonë keni dashur të bëni dhe kujt?

Butka: Pse bëni kaq shumë pyetje?

Alela: Pozicioni gjeopolitik i Shqipërisë dhe historia e saj janë në gjenet tuaja pellazge, ato kane ndikuar edhe qasjen tuaj ndaj të ushqyerit. Si ushqeheni ju në mënyrë që ta kultivoni këtë origjinë hyjnore dhe të përfitoni sa më shumën nga kjo tokë e shenjtë dhe e mbushur me energjinë kozmike të të parëve tanë pellazgë? Shumë prej karaktereve që përshkruani në librat tuaj kanë një dietë pellazgjike ose ilire, si byrek me kos, ose pilaf me kos. Çfarë simbolizon lakrori në shkrimet tuaja? Kur kryetari i bashkisë ulet të hajë lakror në sofrën e armiqve të tij, mos vallë  simbolizon aktin e shantazhit ndaj sekreteve të tyre apo lidhjen e tij me të parët tanë pellazgë?

Butka: Jo, nuk besoj se ka ndonjë nënkuptim, përveç asaj, se ai ishte i uritur atë ditë.

Alela: Ju keni kritikuar disa herë edhe oligarkët e vendit tonë. Pse nuk mendoni edhe ju se ata janë dashamirës, benevolentë, si dikur aristokracia perëndimore? Fundja ata pushtetin ekonomik dhe politik e përdorin për të mirën e popullit. Edhe pse pak prej tyre paguajnë taksa, ata e shpërndajnë pasurinë nëpërmjet blerjes së votave, të deputetëve e gjithkujt që ka varur në qafë një tabelë çmimesh. Ata madje paguajnë edhe biletat e kinemasë, e nuk presin t’ua paguajnë të tjerët. Gjithsesi këtu po e mbyllim bisedën për shkak të kohës. Ju faleminderit për intervistën dhe ju urojmë suksese në botimin e librit tuaj të radhës.

2 Komente

  1. Urime Alelaaaaaa…. Yll floket, po thonjt ku i ke ber? Mtha edhe mami sa yll kjo spikerja! I thash esht gazetare o ma, spikeret jan pabukse! Na nderove per koktbabit, Puc puc, Xhesika qe tka xhan

  2. Eh, dikur ka qene “i gjithe populli ushtar”, tani eshte bere i gjithe populli shkrimtar. Megjithese me thene te drejten nje pjese e madhe (vecanerisht grupmosha 50+) jane bere historiane, etnologe dhe etimologjiste. Ka pasur dhe tentativa per t’u bere arkeologe, po kur u pa se ky zanat kerkonte vegla (kazem, lopate, furca etj) si dhe pune te vertete krahu, planet e arkeologjise u lane per nje dite tjeter ose per dike tjeter, whichever comes first.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin