GRAMAFONËT E ORWELL-IT

Ka ca tipa që, kur i dëgjon të flasin në publik, thua çfarë fati që i kemi: i shtrojnë çështjet drejt, përvijojnë perspektiva të qarta dhe vizione ndjellëse, e kuptojnë të mirën dhe të keqen dhe kufirin mes tyre, identifikojnë miqtë dhe armiqtë, i apelohen me të njëjtin zjarr në zemër edhe flamurit edhe humanizmit, gjithnjë gjejnë fjalën e duhur në momentin e duhur, respektojnë traditën por vështrimin e mbajnë të kthyer nga e ardhmja. Këta tipa, kur më dalin përpara, nuk di pse më bëjnë menjëherë të mendoj për sekretarët e dikurshëm të Rinisë – dhe jo aq ngaqë disa prej tyre kanë qenë vërtet sekretarë të Rinisë dikur; por më tepër ngaqë disa prej tyre, madje shumë, janë prerë për atë rol; dhe e kanë të shkruar në ballë dhe në çdo gjest që bëjnë dhe në çdo buzëqeshje dhe rrahje shpatullash dhe përqafime me fëmijë të panjohur. Dhe me këtë nuk dua të them se sekretarët e Rinisë në kohën e Enverit kanë qenë vërtet njerëz të pështirë, sepse në fakt shumë prej tyre nuk kanë qenë dhe gjithsesi përqindja e të neveritshmëve mes kësaj kategorie profesionale ka qenë ku e ku më e ulët se në disa kategori të tjera, sindozot ajo e artistëve dhe e shkrimtarëve; por veç dua të them se këta të sotmit, që mund të kishin bërë karrierë të shkëlqyer si sekretarë rinie dje, sepse i kënaqin të gjitha kushtet, përfshi këtu edhe mënyra si sillen me këmishën që kanë veshur, këta të sotmit, pra, vërtet nuk mund të jenë më sekretarë të Rinisë, por kjo nuk i pengon që të dalin sërish në krye të punëve dhe njëfarësoj vibrojnë gjithnjë, si tela kitare a violine, me harmonikat e epokës. Bash këta njerëz, që nuk kanë as parime as kritere as moral të tyrin, por që shquhen për mjeshtërinë e hatashme me të cilën u konformohen parimeve, ideologjisë dhe etikës së kohës, duke u hequr si besimtarë në kishë, si bixosçinj në kazino, si mami në maternitet, si kurvarë në bordello, si asketë në manastir dhe si qen me brekë në cirk; ose më mirë akoma, si inkuizitorë me Torquemada-n, jakobinë me Robespierre-in, bolshevikë me Leninin, gardistë të kuq me Maon, anti-semitë me Hitlerin, khmers rouges me Pol Potin; këta njerëz pra që kanë vesh të pagabueshëm madje absolut për muzikën e momentit, mishërojnë çfarë George Orwell e pat quajtur “mendje gramafon”, e cila veç kujdeset të riprodhojë, me besnikëri mekanike, diskun përkatës – dhe që nuk është veçse ideologjia sunduese e momentit. “Të këmbesh një ortodoksi me një tjetër nuk është doemos një hap përpara,” pat vërejtur Orwell-i. “Armiku është mendja gramafon, pavarësisht nëse jemi dakord apo jo me diskun që po luhet tani.” Autori i 1984-ës i shkruante këto në një parathënie që kish përgatitur për një botim në gjuhën ukrainase, të satirës “Ferma e kafshëve”, të destinuar për t’u shpërndarë në një kamp refugjatësh ukrainas të Luftës në Mbretërinë e Bashkuar; dhe ku denonconte censurën e atëhershme ndaj qëndrimeve anti-sovjetike, në shtypin britanik. Nuk do t’i kish shkuar në mendje, Orwell-it, se liria e fjalës do të përfundonte, në shekullin XXI, si pjesë e kanonit të ideologjisë sunduese në Perëndim dhe veçanërisht në vendet post-totalitare si Shqipëria, të cilat në mungesë të një terminologjie më të saktë, ende konsiderohen si kapitaliste; dhe ku zhargoni i pushtetarëve artikulohet në lakime dhe zgjedhime gjithnjë gramatikisht korrekte të koncepteve të tilla si demokracia, pluralizmi, ndarja e pushteteve, të drejtat e njeriut, ekonomia e tregut, fqinjësia e mirë, bashkëjetesa fetare, toleranca, multikulturalizmi, zgjedhjet e lira dhe të paanshme e kështu me radhë; pa folur pastaj për lëpirjet aspak gramatikore madje shpesh të gërditshme, ndaj “Amerikës,” në rolin e perëndisë gjeopolitike që “do t’i shpëtojë shqiptarët nga vetja.” Ky është disku që është vënë të luajë në gramafonët që prej 1990-ës; dhe gramafonët po e luajnë me bindje dhe zell, sepse gramafonët veç atë dinë të bëjnë, të luajnë diskun që u vihet në kokë. Siç e shpjegon Orwell-i, këtu nuk është puna nëse pajtohemi apo jo, me çfarë po na ligjëron disku i tanishëm; por te vetëdija se ka gjithnjë një ideologji zyrtare, sunduese, censuruese, e cila shprehet nëpërmjet tabuve të veta, të cilat sa më padukshme e të paperceptueshme të jenë, aq më mirë e më efektshëm funksionojnë; e cila vetëdije sot e gjen veten, njëlloj si 70-75 vjet më parë, të censuruar, të treguar me gisht, të akuzuar si subversive, si “anti-“ kështu ose ashtu; çfarë bën gjithashtu pjesë te muzika që po luhet. Problemi pra janë gramafonët, jo disqet; sepse gramafoni që luan Abbey Road të Beatles-ve sakaq nis të besojë se ka një lidhje pothuajse organike, ose të predestinuar, midis këtij albumi kryevepër të pop-it britanik dhe gramafonit vetë; në kuptimin që kjo lloj muzike nuk mund të luhet veçse prej atij gramafoni, për shkak të virtyteve të tij unike; pa çka se po ky gramafon dje mund të ketë luajtur fjalimet e Stalinit, ose po të ketë pasur pak fat, edhe të vetë Duce-s. Çfarë edhe karakterizon procesin aq banal të përftimit të elitave, në një epokë të globalizimit kur virtuoziteti politik i një shteti ka drejtpërdrejt të bëjë me kultin e kargove, ose me imitimin e ekstravagancave të përtejdetit, ose të kakofonisë që vjen prej helikopterëve ose supermarketeve ose dronëve ose stadiumeve të andejshme; ose – për ta thënë me alegorinë e një bashkatdhetari të shquar të Orwell-it, si Swift-i i Udhëtimeve të Guliverit, me aftësinë për të kuptuar se nga cila anë, e ngushta po e gjera, duhen thyer vezët e ziera; madje edhe në ato raste kur vezët e ziera nuk janë për t’u ngrënë. Me një fjalë, këta gramafonë të Orwell-it ndihen gjithnjë të predestinuar nga muzika që luajnë, në kuptimin që nuk arrijnë dot të përfytyrojnë një botë kundërfaktuale, ku atë muzikë mund ta luante një gramafon tjetër, ndërsa këta të mjaftoheshin, bie fjala, me Schubert-in, ose me himnin kombëtar të Guadalupës; çfarë u lë këtyre më pak dinjitet dhe fibër se edhe një kanarine të shkretë, që cicërin në kafaz. Edhe pse, tani që e mendoj pak më mirë, sekretarët e Rinisë atëherë ndiheshin njëfarësoj të detyruar, në lirinë e tyre për të riprodhuar porositë e shenjta dhe tabutë e kohës, sepse aso kohe liria ishte njohje e domosdoshmërisë; ndërsa sivëllezërit e tyre sot as këtë alibi nuk e kanë, prandaj edhe ndonjëherë të shpjegojnë – pa iu dredhur qerpiku – se liria është që gramafonit të mos i mungojë kurrë korrenti.

6 Komente

  1. Ardian Vehbiu,kuptohet se e ke fjalen per zotni Lisien Bashkurti.Ke shkruar edhe radhe tjeter per te.E ke quajtur,mos gaboj, “koklope” (nese nuk eshte kjo fjala taman,eshte nje sinonim i saj,per kete jam mese i sigurte),pikerisht ne kete blog.Behej fjale,kur zoti Bashkurti ishte me Aleancen Kuq e Zi,qe ti e sulmoje shpesh dhe shume,meqe ishte e para force politike qe fliste per bashkimin Shqiperi-Kosove,kunder te cilit bashkim ju jeni nder me te egrit krahinore.
    E gjithe kete e beni,ne menyre burracake.Pa permendur emrin e zotit Lisien Bashkurti.Nuk e keni permendur kurre.Por e keni nenkuptuar ,ne nje menyre te tille,qe ta kuptoje cdokush.
    Jo mire keshtu,o Ardian!
    Edhe njehere po te them: nga te vjen,nga e ke marre gjithe kete urrejtje per Veriun,per verioret,per verioret ne Shqiperi e Diaspore,per Kosoven, aaaa?!
    O Ardian,je kaq i lexueshem ne kete mllef…
    Kam vene re dicka shume interesante tek ju krahinoret e majte: ju e hidhni pisllekun e diskriminimit krahinor,dhe kur te tjeret tregojne me gisht pisllekun qe ju vete keni hedhur, i akuzoni ata per percarje krahinore…!!!
    Jo mire keshtu,o Ardian!

    1. Timur, me thene te drejten, mua mu duk sikur Z.Vehbiu kishte pasur ne mendje Erion Veliajn, po nuk e ve doren ne zjarr, mund te jete edhe ashtu si thua ti vetem per pjesen se per “ke e ka fjalen”, ama’.

    2. Timur, Timur… Shkrimi më lart nuk është shigjetim ad hominem, por përshkrim i një tipi të homo politicus, i cili është shtuar pak si më shumë se ç’e lejon ekosistemi. Ty shkrimi të ka sjellë në mend z. Lisen Bashkurti, dhe mbaje këtë asociacion me shëndet; imazhi është yti, edhe referenca. Unë këtë Bashkurtin pothuajse nuk e njoh fare – ti me sa duket e njihke mirë. Si edhe herën e mëparshme, neurozat e tua i projekton tek unë. Të lutem, o zotëri, m’i kurse këto budallallëqe.

    3. Timur, për asnjë çast gjatë leximit të shkrimit nuk më vajti mendja se kishte të bënte me ndonjë person të veçantë. Madje dikush, siç ndodh shpesh nga anët tona, mund ta akuzonte për teori e mund t’i kërkonte: “Na thuaj emra e mbiemra zotëri!”. Mua m’u duk se shkrimi flet për të sotmen, jo për të djeshmen dhe aq më pak për temat që ti prek me zemëratë. Së fundi, mendoj se nuk i ke bërë shërbim të mirë dhe as nder personit të cilit i përmendje emrin. Shpresoj të ketë qenë gabim pa dashje. Le ta mbajmë diskutimin jashtë emrave të përveçëm (ad hominem).

  2. Një ndërhyrje e vogël: meqë jemi te Orwell-i, dhe pas leximit të deklaratave më të fundit të ministrit të ri, propozoj që Ministrinë e Financave ta riemërtojmë në “Ministria e së Vërtetës”. Kaq.

  3. Ndonese jemi mesuar me tipa te tille Shqiptare, gjithmone kam qene kurioz per tipa te tille Anglo Saksone. Kam rremuar me vite dhe e gjeta nje; Michael Coren.

    Me prejardhe hebraike por katolik, ish prezentator i nje emisioni me tematike fetare/konservatore, sot eshte kthyer ne Anglikan dhe ka pasur nje ‘epifani’. Lufta qe konservatoret i bejne stilit te jetes homosekuale paskesh qene nje nulitet per te. E pati ket ‘epifani’ pasi humbi vendin e punes kur nje projekt kanadez per krijimin e nje televizoni alla Fox News deshtoi.

    Tani e kemi perseri ne cirkun e ‘punediteve’ duke kerkuar falje per sjellen e tij si i krishtere katolik.

    http://news.nationalpost.com/news/religion/i-felt-a-hypocrite-author-michael-coren-on-why-he-left-the-catholic-church-for-anglicanism

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin