nga Gjilpëra
“Bankers” mposht qeverinë”, “Bankers Petroleum fiton betejën me qeverinë”, “Audituesi i jep të drejtë ‘Bankers’, shteti duhet t’i kthejë 37 mln USD” – janë vetëm disa nga titujt në mediat shqiptare mbi humbjen e radhës të shtetit shqiptar, në një konflikt me një kompani të huaj. Në fakt, asgjë të jashtëzakonshme nuk ka në këtë lajm: a ka konflikt me firma të huaja që shteti shqiptar nuk ka e humbur këto dy dekadat e fundit, a ka proces gjyqësor dhe arbitrazh ndërkombëtar që palët kundërshtare nuk e kanë fituar kundrejt shtetit dhe qeverive të radhës të Tiranës? “General Electric”, “Rapiscan”, “CEZ” janë vetëm rastet më të njohura, në një mori procesesh gjyqësore apo arbitrazhi, të mbyllura ose ende në shqyrtim. Humbja për palën shqiptare është tashmë rezultati by default dhe rasti i “Bankers” është vetëm dëshmia më e fundit e nivelit të një republike bananesh, në të cilin establishmenti politik i Tiranës e ka rrëzuar tashmë shtetin shqiptar.
Publiku shqiptar e njeh “Bankers Petroleum” jo vetëm për paturpësinë me të cilën ajo i është shmangur pagesës së taksave që prej fillimit të aktivitetit të saj në Shqipëri – edhe për vitet kur çmimet e naftës në tregjet botërore dhe xhirot vjetore të kompanisë ishin në nivele rekord – jo vetëm për neglizhencën që u ka bërë kritereve ekologjike në aktivitetet e saj naftënxjerrëse, as vetëm për arrogancën, shpesh deri në tallje haptazi të firmës në komunikimin me publikun dhe institucionet shqiptare (ish-Drejtori i Përgjithshëm i “Bankers” në Shqipëri me rastin e shpërthimit të gazit në mes të zonës së banuar, në 2015: “Dioksidi i karbonit CO2 është një gaz pa ngjyrë, pa erë, vital për jetën në tokë… dhe mund të blihet në supermarket për ata që e pëlqejnë në formën e ‘dry ice’”) por është e njohur te publiku dhe për mënyrën origjinale se si kjo kompani hyri në Shqipëri në 2004.
Rruga që ajo ndoqi për të kopsitur një marrëveshje të tillë – ku shteti dhe institucionet shqiptare “s’kanë nga ta luajn bishtin” – për një nga pasuritë më të vlefshme kombëtare që ka Shqipëria, duke angazhuar si lobbyist gjeneralin tashmë në pension Wesley K. Clark, ish-Komandantin Suprem të Aleatëve të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, doli shumë e suksesshme për “Bankers Petroleum”. E si mund t’i thoshte “Jo” qeveria shqiptare një miku të tillë? Po si mund të refuzohej një kontratë e ofruar prej tyre? Sigurisht që s’mundej të refuzohej, natyrisht që qeveria e nënshkroi kontratën. Rezultatet, për kompaninë dhe për Shqipërinë, dihen dhe shihen ende sot.
Por kjo qasje e Bankers me karremin patriotik ishte aq e suksesshme në Shqipëri, sa duket se ajo është kopjuar dhe nga kompani të tjera që duan të bëjnë aktivitete ekonomike me shqiptarët, kësaj radhe në anën tjetër të kufirit, në Kosovë. Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruante para disa ditësh për procesin e privatizimit të “Posta dhe Telekomunikacioni Kosovës Sh.A. (PTK)” dhe për firmat e huaja që morën pjesë në garën për koncesionin, pak vite më parë. Nuk dua të hyjë në hollësitë e miratimit dhe më pas të prishjes së marrëveshjes nga qeveria kosovare, që çoi pastaj në hedhjen në gjyq të shtetit të Kosovës dhe kërkesën e një dëmshpërblimi prej 390 milionë Euro nga firma “ACP Axos Capital”, por është me interes të shohim se cilat ishin kompanitë pjesëmarrëse, ose më mirë, me cilët personalitete u futën ato në garë: kompania “ACP Axos Capital” nga Hamburgu e përfaqësuar nga ish-ministri gjerman i Mbrojtjes Volker Rühe, nga ish-këshilltari i Kancelarit gjerman Helmut Kohl për politikën e jashtme Horst Teltschik dhe nga ish-ambasadori amerikan në Gjermani Richard Burt; kompania “Albright Capital” e Madeleine Albright, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit; kompania turke “Turkcell” e cila – sipas FAZ – është nën kontrollin në rritje të presidentit turk Erdogan; dhe kompania libanese M1 Group.
Skema e përdorur, të paktën nga tre kompanitë e para, është dukshëm e njëjtë me atë të Bankers në 2004: tërheqja si lobbyist për firmën i një apo më tepër personaliteteve të njohur nga politika evropiane apo amerikane, të cilët gjatë karrierës së tyre të mëparshme apo të tanishme kanë luajtur një rol aktiv në politikat euro-atlantike për Ballkanin në përgjithësi dhe për Kosovën dhe Shqipërinë në veçanti, dhe ndikimi nëpërmjet tyre i politikanëve apo shtetarëve shqiptarë për të vendosur në favor të kompanive përkatëse. Edhe këtu angazhohen miqtë, ashtu si te Bankers me gjeneralin Clark, të cilët duket sikur kërkojnë – tashmë privatisht – nga Shqipëria dhe Kosova që t’u kthejnë nderet, që këto personalitete u paskan bërë shqiptarëve gjatë karrierës së tyre në politikë, a thua se këta politikanë nuk përfaqësonin atëhere shtetet dhe qeveritë e tyre reciproke, por veten e tyre!
[Një diskutim më vete do të ishte dhe morali i këtyre kalimeve, nga politika e lartë në biznese të lidhura me punën e mëparshme të politikanëve dhe anasjelltas, këtyre “revolving doors” që janë bërë kaq në modë në Perëndim këto vitet e fundit, por kjo është çështje tjetër].
Për Shqipërinë, marrëveshja e koncesionit të naftës me Bankers Petroleum ishte nje fiasko e plotë, që çoi në plaçkitjen e paskrupullt të pasurisë kombëtare – në saj të paaftësisë së elitës së vet por edhe në emër të miqësisë – që vetëm sa bëri multimilionerë ca “miq” të huaj dhe ca të shtëpisë, por që solli pak ose aspak përfitime për ekonominë dhe mirëqënien vendit. Për qytetarët shqiptarë, kjo marreveshje më mirë të mos ishte bërë fare dhe nafta të ishte lënë nën tokë, për t’u shfrytëzuar nga brezat e ardhshëm, kur Shqipëria të kishte kapacitetet dhe elitat e duhura për ta shfrytëzuar vet këtë pasuri kombëtare.
E sa për zhgënjimin e mikpritësit – “Po si të na e punoj miku kështu? – “miqtë” e Bankers-it besoj e kanë gati përgjigjen: “Nothing personal, it’s just business!”
ke harruar te permendesh edhe nderhyrjen e ambasades amerikane per kete qellim, te pakten sic eshte interpretuar nga gazetat ketu, pasi eshte vetem nje deklarate e ambasadorit per te mos ndeshkuar biznesin ndaj prokurorit te pergjithshem – interpretuar si mbrojtje per Bankers.
Sidoqofte – te pakten disa prej ketyre ceshtjeve jane cuar ne arbitrazh edhe pse paaftesia e qeverise apo e zyrave te avokatise te pajtuar nga ajo, nuk jane treguar ne lartesine e duhur. Por ne kemi ende disa koncesione te deshtuara apo te dhena me afera korruptive qe nuk hetohen, e as nderpriten per ti kaluar pastaj ne arbitrazh.
Ke psh. koncesionin e parkimit ne Vlore, apo hidrocentralet e Kurumit. Hic nga keto nuk ka. Edhe pse keto koncesione jane dhene nepermjet aferave korruptive, asnje prej tyre nuk kalon ne arbitrazh me sebepin se fatura financiare eshte e larte.
Dhe çfarë bën qeveria kur sheh sa koncesione të tilla i kanë shkuar, pardon, për lesh? Pikërisht. Vazhdon e jep dhe ca të tjera. A nuk përkufizohet marrëzia si përsëritja gjithmonë e të njëjtës gjë dhe pritja e një rezultati të ndryshëm? Kështu dhe qeveritë tona me koncesionet.
Ndërsa letra e ambasadës – me shumë gjasa autentike dhe formalisht “në rregull” – në një vend normal do të kishte kaluar thjesht me një “konstatuam interesin/shqetësimin tuaj për këtë çështje” nga ana e institucionit përkatës dhe pastaj drejtësia do të bënte punën e saj sipas ligjit, kurse aty te ne rrezik do ta kenë parë si ato fermanet e Portës së Lartë, të njëherë e një kohe.
Duke ditur paaftesine e shtetit shqiptar, ka shume te ngjare qe kontrata me Bankers te jete e pafavorshme. Por artikulli e merr kete si te mireqene pa dhene asnje fakt. Keshtu qe marrim vetem nje propagande te tipit “shteti shqiptar kot”, dhe asgje te re.
Do të bënit mirë që ta lexoni dhe një herë shkrimin, qëllimi i të cilit nuk është analiza e kontratës me Bankers ose me firmat e tjera të përmendura aty, por përdorimi si karrem i ish-personave publik: ish-politikanë, ish- ushtarakë apo diplomatë në pension – nga firmat perëndimore t’i futur “miq” te politikanët dhe shtetarët shqiptarë për interesa thjeshtë ekonomike dhe private të këtyre firmave. Të cilët çojnë pastaj në rezultate si ato me Bankers, që nuk paguajnë taksa, që nuk duan t’ia dinë për ambientin, që edhe pse kanë një kontratë me shtetin shqiptar, faktikisht veprojnë jashtë juridiksionit të këtij të fundit.
Sa për kontratën e Bankers me shtetin shqiptar – edhe sikur ne ta kishim në dispozion – ajo nuk do të na ndihmonte shumë për të provuar se si janë shmangur taksat. Për këtë duhet të dal në dritë zinxhiri i të gjitha firmave – bashkë me kontratat përkatëse – me të cilat Bankers ka punuar brenda dhe sidomos jashtë vendit: shitje, blerje, transferime makinerish, shërbimesh, fitimesh, bashkë me statuset, bilancet, manaxherët dhe sidomos me pronarët real të këtyre firmave (beneficial owners).
Çelësi mendoj se gjendet te një pikë e kontratës që thotë se “kompania ka te drejte qe te blere cdo pajisje apo produkt i cili i nevojitet per te kryer operacionet e kerkimit dhe shitjes se naftes jashte pa paguar taksa doganore dhe tatimore” dhe “qeveria ose parlamenti nuk mund te marre dot asnje hap ne ndryshimet e barres qe duhet te tatohet ky koncesionar pa dhene ai me pare dakordesine” (http://www.arkivalajmeve.com/Zbulohet-kontrata-e-Bankers.1047744314/)
Për të tjerat, veç po na i hapi letrat Wikileaks… : )
Gazetari Gergj Erebara në një investigim për BIRN ka sjellë një përmbledhje të plotë të konfliktit midis shtetit shqiptar dhe Bankers, lidhur me shmangien e pagesës së tatimeve nga ana e kompanisë për vitin 2011. Hollësitë e këtij konflikti hedhin dritë njëkohësisht dhe mbi metodat agresive me të cilat ka punuar Bankers-i në Shqipëri, duke iu shmangur ku të mundej e sa të mundej zbatimit të rregullave ligjore dhe kushteve të kontratës me shtetin shqiptar. Disa pika shkurtimisht nga hetimi i BIRN:
1. Bankers pretendon që të ketë dalë me humbje gjatë gjithë veprimtarisë së saj në Shqipëri por
2. kontraktorët që kanë punuar për llogari të Bankers dhe janë paguar prej saj kanë pasur norma të stërmëdha fitimi.
3. Tatimi i fitimit për Bankers, nëse do të dilte me fitim, ishte sipas kontratës 50% por
4. kontraktorët kishin tatimin vetëm 10%, si çdo firmë tjetër në Shqipëri atëherë.
5. Shumica e firmave kontraktore kanë qënë të regjistruara në parajsa fiskale, ashtu si dhe Bankers vetë.
6. Bankers i është shmangur rregullisht kontratës koncesionare, sipas të cilës kompania duhet të përdorte procedura prokurimi për shërbimet dhe produktet që blinte nga kontraktorët, me qëllim marrjen e çmimit më të ulët në treg.
7. Por, në mënyrë paradoksale, këto shkelje nuk u kanë mjaftuar panelit të ekspertëve, të thërritur vullnetarisht prej shtetit shqiptar dhe Bankers – në vend që të ndiqnin rrugën e procesit gjyqësor – për të vërtetuar shmangien e qëllimshme të tatimeve nga Bankersi, por kanë kërkuar që pala shqiptare (!) të provonte që shkeljet e kontratës nga Bankers-i, kishin rezultuar në dëm financiar për shtetin shqiptar.
8. Avokati i palës shqiptare i rekomandon qeverisë që të mos e pranoj vendimin e panelt të ekspertëve dhe t’i drejtohet Gjykatës së Arbitrazhit
9. Qeveria shqiptare nuk ka vendosur ende, nëse do t’i drejtohet gjykatës për të hedhur poshtë raportin e ekspertëve apo jo.
10. Bëhet fjalë për 60 milionë dollarë tatim dhe gjoba të papaguara nga Bankers vetëm për vitin 2011.
Pala shqiptare – dhe nuk besoj se duhet të jesh ekspert juridik për ta kuptuar këtë nga leximi i raportit – jo vetëm që duhet ta ndjek çështjen në gjykatën e Arbitrazhit, ku Bankers-i, bashkë me kontraktorët e tij, të tregoj dhe të vërtetoj me hollësi çdo transaksion mallrash, shërbimesh dhe ato financiare të kryera gjatë 2011, por këtu kemi, për mendimin tim, dhe një rast për prokurorinë shqiptare që të hap një hetim për shmangie të qëllimshme dhe ndoshta me metoda kriminale të detyrimeve fiskale nga Bankers (lexo historinë e diluentit te reporti i Erebarës).
Si shpesh në raste të tilla komplekse, do të ndihmonte shumë gjetja dhe dhënia e statusit “dëshmimtar i mbrojtur” i një personi të brendshëm të firmës – manaxher, jurist, financier – i gatshëm për të bashkëpunuar me autoritetet shqiptare në këtë hetim…
Më poshtë lidhja për raportin e BIRN – ia vlen të lexohet i plotë!
http://www.reporter.al/gjigandi-i-varfer-i-naftes-me-kontraktore-te-pasur-prapaskenat-e-betejes-se-qeverise-me-bankers-petroleum/