NGA PORTAT E FUTBOLLIT TE DYERT E SHTËPISË

Të trullosur siç ishim nga dehja kolektive e Kampionatit Europian 2016, të joshur nga komplimentet për tifozet bukuroshe shqiptare, të ngazëllyer nga bëmat e heronjve kuqezinj të kombëtares, nuk vumë re disa sinjale të rëndësishme që na vinin nga bota përreth.

Disa ditë para se të zhvillohej ndeshja Shqipëri – Rumani, kryesisht nëpërmjet grupeve Whatsapp dhe Twitter, në Itali u përhap si vetëtimë mesazhi i mëposhtëm, i cili mund të përkthehej kështu: “Dita e dyerve të hapura: Informojmë se në datën 19 qershor, nga ora 21.00 deri 23.00 mund të lihen dyert e dritaret hapur, askush nuk do të vijë për të vjedhur, për shkak të ndeshjes Shqipëri – Rumani!”.

dyert-e-hapuraPër hir të së vërtetës qarkulloi edhe një variant tjetër i mesazhit, kryesisht në trajtë cicërime: “Domenica lasciate pure spalancate porte e finestre, staccate l’allarme, auto e moto con le chiavi inserite: in Tv c’è Romania-Albania” (Të dielën lërini hapur dyert e dritaret, shkëpusni alarmin, lërini makinat dhe motorët me çelësat brenda: në televizor jepet ndeshja Rumani – Shqipëri).

Nuk jam në gjendje të them statistikisht se çfarë përhapje arriti kjo batutë në popullsi. Mua ma treguan ex post, kur fjala ra rastësisht me disa kolegë, të cilët ma shpjeguan me një farë sikleti batutën e si të zënë pak ngushtë. Vura re që e kishin lexuar të gjithë. Meqë dukuria u tërhoqi vëmendjen edhe mediave kombëtare, do të thotë se batuta ka pasur përhapje konsistente.

Meqë nuk kam Whatsapp, nuk di të them gjithashtu, nëse pati të vetëcensuruar, që nuk ma dërguan mesazhin për shkak të prejardhjes sime. Megjithatë, duke u bazuar tek sikleti i kolegëve të huaj, mund të supozohet që ndonjë marrës shqiptar të jetë anashkaluar, ngaqë mekanizmi i vetëcensurimit mund të ketë hyrë në çastin e përcjelljes së mesazhit. Natyrisht, kjo nuk vlen plotësisht për grupet e paracaktuara, ku mesazhet vijnë automatikisht.

Është e tepërt ta shpjegojmë batutën e mësipërme. Në të dyja variantet dallohet qartë nënshtrati i saj paragjykimor. Me fjalë të tjera, më prozaike, batuta mund të artikulohej kështu: “Meqë rumunët e shqiptarët janë hajdutë, ditën e ndeshjes Rumani – Shqipëri do të jenë para televizorit e do ta kenë mendjen tek futbolli. Prandaj pa merak, lërini hapur dyert e dritaret e shtëpisë dhe mos i ruani sendet e tjera, sepse nuk jua vjedh kush”.

Dallimi midis variantit të parë dhe të dytë qëndron tek shtrirja e hajdutërisë shqiptare e rumune. Në rastin e dytë shqiptarët dhe rumunët nuk dalin vetëm hajna shtëpish, por edhe makinash e motorësh. Nuk mund të mos vihet re që batuta e jep të mirëqenë tifozllëkun e rumunëve dhe të shqiptarëve.

Se kush e ka shkruar batutën e dyerve të çelura, nuk do ta mësojmë kurrë. Por mund të reflektojmë për procesin e përhapjes virale të mesazhit, sepse më shumë se batuta vetë, ose autorësia, ka rëndësi mënyra dhe arsyet e përhapjes së mesazhit. Nga ana tjetër një mesazh çfarëdo (barsoletë, imazh, video, audio, etj.) që përhapet me forcën e virusit, nënkupton në një farë mënyre edhe suksesin e tij, edhe pse jo gjithnjë konceptohet për t’u përhapur me shpejtësi marramendëse.

Shpërndarja virale e një mesazhi në epokën e rrjeteve sociale është studiuar kryesisht në fushën e marketingut e reklamës online. Në një nga studimet themelore në këtë fushë[1] thuhet se popullariteti i mesazhit varet nga disa faktorë, midis të cilëve spikat niveli i ngacmimit emotiv që arrin të krijojë tek marrësit. Duhet nënvizuar gjithashtu, se emocionet që ngjall mesazhi duhet të jenë pozitive[2]. Ato të trishtuara nuk kanë gjasa të kenë sukses. Nga ana tjetër, mesazhi, që të bëhet viral – siç thonë shumë studiues të komunikimit në ueb – duhet të jetë praktik, i lexueshëm e argëtues.

Me siguri mesazhi i mësipërm i dyerve të hapura pretendon të jetë zbavitës. Mund të jetë edhe për shqiptarët e rumunët, që nuk kanë komplekse inferioriteti, që janë të pajisur me autoironi të spikatur, që i njohin mekanizmat përgjithësuese, ose që e dinë se mater stultorum semper gravida est. Por përjashto këto kategori, ç’kënaqësi ndjejnë ata që luajnë me paragjykime? Çfarë e shtyn dikë, që t’ua shpërndajë grupeve të veta në Whatsapp mesazhin e mësipërm? Thjesht për t’u treguar shakaxhi?

Në analizat e shumta që gjenden në internet, thuhet se një mesazh, që të bëhet viral, duhet të jetë i lexueshëm, por edhe i besueshëm. Nëse është e vërtetë, duhet të pranojmë që lexueshmëria është e lartë, sepse mesazhi është i thjeshtë, kurse për sa i përket besueshmërisë duhet të pohojmë se ai u bën thirrje paragjykimeve, që gjenden prej kohësh në shoqëri.

Është e vërtetë që vitet e fundit trysnia mediatike negative është reduktuar disi në drejtim të shqiptarëve, duke u zhvendosur drejt rumunëve, por paragjykimet ndaj tyre nuk janë shuar asnjëherë. Edhe përshoqërimi i dy kombësive nuk është e para herë që bëhet, edhe pse mënyra e fundit duket mjaft evidente.dyer-te-hapura-2 Duket sikur batuta zinxhir merr jetë nga gurra e paragjykimeve ekzistuese në shoqëri.

Nuk mund të pohojmë se mesazhi është hapur në mënyrë globale, sepse fakti që është shkruar vetëm në italisht (nuk na rezulton në gjuhë të tjera) tregon që ka qarkulluar vetëm në sferën e Italisë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk i ka kaluar kufijtë e shtetit, për sa kohë realiteti virtual nuk i njeh kufijtë normalë.

Dukuria nuk kaloi pa u vënë re. Madje pati gazeta që u treguan kritike ndaj atyre që e kanë publicizuar këtë përmbajtje plot paragjykime[3]. Pati edhe komente nëse ajo mund të quhej batutë raciste apo jo, përderisa shqiptarët dhe rumunët nuk janë racë e ndryshme… Po kështu u diskutua (në mënyrë krejt surreale) nëse ishte batutë origjinale, apo u erdhi në mend disa njerëzve në të njëjtën kohë [4]. Në rast se do të ishte i saktë varianti i dytë, pra që disa njerëz pa lidhje bënë të njëjtën batutë për shqiptarët e rumunët, fakti do të vërtetonte se humusi social ka predispozitën të gjenerojë në mënyrë natyrale mesazhe dhe meme në internet, që bazohen në stereotipat sociale paraekzistuese.

E të mendosh që ndërkohë mediat e Europës botonin ethshëm, gjithnjë në mënyrë virale, fotografitë seksi të dy WAGS shqiptare, duke përkëdhelur krenarinë e shqiptarëve për bukurinë e vajzave e duke vërtetuar njëkohësisht se imazhi ka gjithnjë dritëhijet e veta…

 


[1] Jonah Berger, Katherine L. MilkMan, What Makes online Content Viral?, Journal of Marketing Research, 2011, American Marketing Association.

[2]  Liz Rees-Jones, Katherine L. Milkman, Jonah Berger, The Secret to Online Success: What Makes Content Go Viral. The psychological dimensions of what gets shared and shared and shared again, Scientific American, 14 prill 2015.

[3] Domenico Naso, Europei 2016, guardare la partita dell’Italia? Meglio gli spogliatoi. Razzisti in libertà su Whatsapp, Il Fatto quotidiano, 18 qershor 2016.

[4] Kjo mund të dallohet fare mirë në llogarinë Twitter të gazetarit italian Filippo Facci https://twitter.com/filippofacci1/status/743574609254047744

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin