Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Antropologji

PUSHKINI HERO KOMIK

Në Tiranën e fëmijërisë sime – flas për vitet 1960 – barceletat banale me përmbajtje licencioze do të kishin, zakonisht, për hero Pushkinin, poetin e madh rus të shekullit XIX.

Këto barceleta nuk kishin lidhje me statusin e Pushkinit, si poeti kombëtar rus; por shpesh qesëndisnin urinë e tij seksuale, dëshirimin e grave të tjera, paturpësinë totale, gati fëmijërore të epshit.

Si fëmijë, them se do të kem dëgjuar për Pushkinin anti-hero seksual më parë se për Pushkinin poet; pa çka se librat e këtij, edhe në origjinal edhe të përkthyera në shqip, do t’i zbuloja pastaj në bibliotekë.

Asnjë shpjegim nuk jepej, në barceletat ose nga ata që i rrëfenin, se si kish përfunduar i madhi Pushkin në histori të tilla të pahijshme. Thjesht, Pushkini kështu, Pushkini ashtu. Ose: ishte një gjeneral dhe kish një grua të bukur dhe kësaj i afrohet një ditë Pushkini…

Më vonë kam marrë vesh për statusin prej heroi edhe sublim, edhe karnevalesk të Pushkinit, në psikologjinë popullore ruse; një status që u jepte barceletave të tilla kontekstin përkatës në Rusi, por jo në Shqipëri.

Ma merr mendja se barceletat “me Pushkin” i sollën në Tiranë të gjithë ata që kishin studiuar në Rusi, ku edhe ishin ekspozuar ndaj një qasjeje më të çlirët ndaj seksualitetit, se në Shqipërinë e prapambetur të Paluftës.

Barceleta të tilla gjetën truall të përshtatshëm mes të rinjve, në kontekstin e urbanizimit të shpejtë të fundviteve 1950; teksa edhe marrëdhëniet mes sekseve e humbnin tabunë që i kish shoqëruar në mjediset e mëparshme patriarkale rurale.

Pushkini do të shërbente kështu si një lloj Mefistofeli i seksualitetit të mëvetësuar nga martesa; dhe historitë me të, të treguara herë si barceleta dhe herë si rrëfenja, do të mbushnin një zbrazëti të sapokrijuar në Shqipëri.

Brezi im, që nuk e arriti periudhën e miqësisë sovjetike, do ta trashëgonte Pushkinin si figurë foklorike pak të mistershme, jo doemos të lidhur me poetin e madh. Asgjë në barceletat seksuale eksplicite nuk të çonte tek autori i Eugjen Onjegin-it a i Vajzës së kapitenit.

Në fakt, për të gjithë ne të brezit tim dhe ndoshta edhe ata të brezave të mëparshëm që e kishin përjetuar ndërkohë Moskën si strumbullar të kulturës dhe të modës së re socialiste, biografia e Pushkinit, atij të vërtetit, nuk kish pasur ndonjëherë rëndësi.

Pushkini u integrua në folklorin urban shqiptar si të ishte një lloj Qerosi për kohët e reja; ose si figurë e jashtëkohshme, me të vetmin sfond biografik atë që i përvijohej në barceletat.

Rusët i kujtojnë në mos i përdorin sot e kësaj dite barceletat me Pushkin; nëse këto janë të njëjta me ato tonat, kjo mbetet për t’u ftilluar, nëse ndonjëherë do t’i interesojë kujt.

Surrealisti sovjetik Daniil Kharms madje e vazhdoi këtë traditë, duke shkruar një numër historish të vogla, absurde, që e çojnë në ekstrem praninë dhe statusin e Pushkinit personazh në imagjinatën popullore.

Ja njëra prej tyre:

Pushkini kish katër djem, dhe që të katërt ishin idiotë. Njëri prej tyre nuk rrinte dot as ulur në karrige, dhe gjithnjë rrëzohej përdhe. As Pushkini nuk ishte shumë i zoti për t’u ulur në karrige, meqë ra fjala. Dhe ashtu krijohej një situatë qesharake: ata rrinin në tryezë, dhe nga njëra anë ishte Pushkini që rrëzohej nga karrigia, nga ana tjetër i biri. S’dinte i shkreti njeri se ku të shihte.

Ja edhe një tjetër:

Siç e dimë të gjithë, Pushkinit nuk iu rrit kurrë mjekra. Pushkini shqetësohej shumë nga kjo dhe gjithnjë e kish zili Zakharinin që, përkundrazi, kish arritur të rriste një mjekër plotësisht të respektueshme. ‘E tija rritet, por imja jo,’ thoshte shpesh Pushkini, duke e treguar Zakharinin me gisht. Dhe gjithnjë kishte të drejtë.

Në historitë e rrëfyera prej Kharms-it zhduket edhe elementi licencioz i barceletave klasike “me Pushkin”, duke mbetur vetëm banaliteti i së përditshmes: këtu efekti komik përftohet më shumë duke marrë një ikonë të ideologjisë kombëtare ruse dhe duke e vendosur në situata krejtësisht të padenja: Pushkini që gjuan me gurë, Pushkini që fut gishtat në hundë, Pushkini që ankohet pse nuk po i rritet mjekra…

Suksesi i një absurdizmi të tillë, prej karnevali, lidhej drejtpërdrejt me statusin e Pushkinit super-poet në imagjinatën sovjetike. Përkundrazi, suksesi i barceletave të ndyra me Pushkinin në Tiranë varej nga distancimi i publikut prej vlerave letrare ruse, sidomos atyre të pompuara nga filistinizmi filo-sovjetik i viteve 1950.

Nëse në Bashkimin Sovjetik barceletat “me Pushkin” luanin një rol çlirues, të ngjashëm me atë të karnevalit, duke e ulur një autoritet sublim si super-poetin Pushkin në nivelin e së përditshmes banale, në Shqipëri i njëjti Pushkin do të përdorej për subversion seksual, nga ndoshta i pari brez djemsh përballë masës së vajzave që nxori prej shtëpive modeli i ri i jetës socialiste.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading