Feja si majdanozi

FEJA SI MAJDANOZI

 

Në një artikull përgjithësisht të drejtë kundër rifutjes së dënimit me vdekje në Shqipëri, botuar sot te “Shekulli”, Amarildo Laçi – që e prezanton veten si “Magjistrat, Pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës” – thotë ndër të tjera:

“Dënimi me vdekje është një problem vërtet delikat dhe mjaft kompleks, pasi ka të bëjë me jetën e njeriut, gjënë më të shtrenjtë, të pazëvendësueshme dhe që e gëzojmë vetëm një herë. Ky dënim nuk duhet të ekzistojë në Shqipëri, pasi jeta është dhuratë e Zotit, Ai dhe vetëm Ai dhe askush tjetër nuk ka të drejtë ta marrë atë, qoftë edhe një bazë të një vendimi gjyqësor të dhënë për kryerjen e një krimi të rëndë.”

Nuk më interesojnë këtu arsyetimet e tjera që sjell autori në mbrojtje të tezës së tij (të cilën e mbështes), por vetëm kjo thirrje e papritur në ndihmë e autoritetit qiellor, në një përpjekje për t’i dhënë lexuesit argumentin përfundimtar, i cili nuk mund të kundërshtohet pa rënë në kundërti me Perëndinë vetë. As jam jurist që të analizoj me rrënjë pse mund apo nuk mund të përmendet Zoti në një ligjëratë publike të dikujt që prezantohet si “magjistrat”. Megjithatë, si qytetar, më vret veshin apelimi vend e pa vend i Zotit në publik nga autoritete të pushtetit shekullar në Shqipëri, ose nga të tjerë autorë që sugjerojnë mënyra për konceptimin dhe zbatimin e këtij pushteti.

Dje kishim një president që nuk linte rast pa iu referuar Zotit në fjalimet e veta; edhe pse pa e specifikuar kurrë se për cilin Zot e kishte fjalën – me një qëndrim që do ta quaja pseudo-ekumenik, sipas të cilit pushteti politik në Shqipëri u ligjësuakësh, tek e fundit, nga një Zot abstrakt, i pranueshëm si për myslimanët edhe për të krishterët. Sot autoritetet politike në pushtet nuk lënë rast pa pozuar para kamerave, sa herë është fjala për festa fetare dhe veprimtari të tjera të ngjashme. Një murgeshë e shquar katolike si Nënë Tereza është adoptuar njëzëri si ambasadore simbolike e shqiptarizmit në Perëndimin e krishterë.

Fjalët e mësipërme të A. Laçit nuk duan marrë, kështu, si ndonjë përpjekje e guximshme për t’i hapur udhë ndërhyrjes së fesë (feve) në legjislacion, ose të paktën në arsyetimin e bazave të legjislacionit; pse A. Laçi me siguri nuk bën tjetër veçse i referohet instinktivisht një mendësie tipike për klasën e re politike në pushtet: dhe pikërisht idesë se vringëllima publike e përnderimit për fenë dhe institucionet përkatëse është garanci për t’u pranuar si “pro-perëndimor” nga publiku potencial brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Më kujtohet këtu se si para pak muajsh forca politike të caktuara desh e linçuan drejtorin e RTV-së – Artur Zhejin – për një shaka për Papën e Romës që pat lejuar të kalonte në programin televiziv të Fundvitit, në një kohë që Papa përqeshet rregullisht në emisionet satirike të mbarë Evropës katolike.

Do të më thonë: rasti i Shqipërisë është i veçantë, sepse Shqipëria ishte i vetmi vend që për turp e pat ndaluar me kushtetutë ushtrimin e fesë për më se 20 vjet; prandaj shqiptarëve të sotëm u falet e ndoshta u kërkohet një farë entuziazmi publik më i theksuar për punë të fesë. Kështu pakkush e ngre zërin të protestojë për ndotjen akustike në qytete të shkaktuar nga myezinët e xhamive e nga këmbanat e kishave; ndoshta pse mendohet që “kështu na do Evropa”.

Mirëpo fakti që feja ka qenë ndaluar e persekutuar në Shqipëri gjatë komunizmit nuk don të thotë që sot ta vëmë në qendër të jetës publike, as t’i kërkojmë të na përligjë bazat e legjislacionit apo të na marrë për dore për të na futur në Evropë. Pikë së pari, jam i sigurt se këtë nuk e duan as udhëheqësit e komuniteteve fetare, të cilët janë më të vetëdijshëm se të tjerët që feja sot në Shqipëri është më tepër çështje e punës kapilare e durimplote për t’i kthyer ndjenjat e përdëllesës, mëshirës, dashurisë për të afërmin e përulësisë në votrat e familjeve shqiptare në fushë e në mal, e sidomos ndër elitat.

Përndryshe, përmendja e Zotit në ligjëratat publike me natyrë pak a shumë politike është – besoj unë – manipulative, abuzive, shpesh e pasinqertë dhe hipokrite, dhe juridikisht absurde. Po ta kishte seriozisht argumentin A. Laçi, do t’i isha përgjigjur se thirrja në ndihmë e Zotit për probleme të ligjshmërisë është lojë shumë e rrezikshme; dhe se vendet që e kanë praktikuar këtë kohët e fundit, si Irani dhe Afganistani, nuk janë modele të qytetërimit dhe të zbatimit të të drejtave të njeriut. Gjithashtu do t’i thoja se në emër të Zotit, të krishterë a musliman qoftë, janë vrarë e vriten miliona e miliona njerëz, në vende të prapambetura e të zhvilluara. Do të shtoja edhe se dënimi me vdekje nuk do konsideruar ligjërisht sepse është në kundërshtim me humanizmin, ose me respektin për njeriun; jo sepse feja nuk e gjen me vend – meqë ligjet e një shteti laik si ai shqiptari nuk besoj se duan të marrin parasysh sensibilitetet sociale të kësaj apo asaj feje (dhe bëjnë mirë).

Mirëpo e kotë t’i them këto të gjitha; sepse A. Laçi i pari do të m’i mbështeste – siç edhe ka bërë, në artikull, pa u shqetësuar për kontradiktat logjike që sjell me vete ky eklektizëm. Natyrisht, eklektizmi nuk është ndonjë alibi për të qenë, as ia përligj këtij magjistrati fluturimin poetik të frazës: “Ai dhe vetëm Ai dhe askush tjetër nuk ka të drejtë ta marrë atë [jetën]” (ku përemri vetor “Ai”, e përshenjuar kujdesshëm me shkronjë të madhe, i referohet Perëndisë). Këto janë fjalë ndoshta domethënëse në kontekste spirituale të caktuara, por krejt pa vend kur është fjala për diskutim publik ligjesh ose kodesh; dhe sidomos në gojën e një juristi e pedagogu, nga i cili presim të ndriçohemi për probleme të ligjit, jo të errësohemi edhe më.

Më në fund: me ç’të drejtë ky autor e merrka aq për të mirëqenë se “jeta është dhuratë e Zotit” sa të na e servirë si premisë të arsyetimit të vet kundër dënimit me vdekje? Pohime të tilla ndoshta kanë vlerën e vet në ligjërata fetare publike ose private, të cilat nuk më interesojnë shumë; por jashtë kontekstit fetar më tingëllojnë qesharake. E keqja këtu, them unë, nuk është se z. Laçi i referohet Zotit në një artikull krejt konvencional për një problem të kodit penal; por se z. Laçi – bashkë plot të tjerë që ligjërojnë publikisht sot në Shqipëri – nuk e kupton që ky referim e diskrediton atë vetë e sidomos çështjen fisnike që kërkon të mbrojë. [2003]

 

2 Komente

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin