MBI VETVETEN

Çfarë është uni? Jo uni, si pjesë e një bashkësie njerëzore apo anëtar i një grupi qeniesh, por uni si një qenie e veçantë dhe e dallueshme nga të tjerat? Çfarë është vetvetja? Dhe a mund të flasim për vetveten në një gjuhë që nuk përfshin edhe të tjerët?

Çështja e qenies së vetvetes ose unit është një nga problemet më të rëndësishme të mendimit filozofik: Sokrati, ky pyetës i madh që ngriti vetëm pyetje dhe nuk dha gati asnjë përgjigje, u bë prijësi i filozofisë europiane vetëm duke ngritur dhe trajtuar këtë pyetje. Sokrati, madje, ndryshoi rrjedhën e mendimit njerëzor duke braktisur pyetjet e filozofëve parasokratikë që i ishin përkushtuar vetëm vëzhgimeve se çfarë është qënia në përgjithësi. Sokrati nuk donte të dinte se çfarë është gjithësia, por donte të dinte diçka më të vockël, diçka më afër nesh: çfarë është njeriu? Ende, kjo pyetje bredh mes nesh si ndonjë endacak që fle ku ta zërë nata. Dhe endacaku nuk do pushojë së bredhuri për sa kohë që kërkon një përgjigje që askush s’ja jep: çfarë është vetvetja?

Fillimisht të duket se do të ishte më e thjeshtë t’i përgjigjemi pyetjes “çfarë është vetvetja?” se sa pyetjes “çfarë është gjithësia?” Por e kundërta qëndron: ajo që është më afër nesh është më e pakuptueshmja dhe më e përfshehta. Gjithësia hapet para nesh si një fushëpamje e qartë; ndërsa, vetvetja fshihet brenda nesh në errësirë. Ne kemi frikë nga vetvetja: e shikojmë atë me kujdes si një djalë që mbështet fort para se të shikojë pusin e thellë. Ne trullosemi shpejt kur kundrojmë vetveten. Kur i shikon gjërat shumë afër ato bëhen të paqarta e të turbullta: e asgjë nuk mund të jete më afër nesh se sa vetvetja, prandaj ajo është krejtësisht e pakuptueshme. Unë e prek vetveten, e ndiej vetveten, bashkëbisedoj me vetveten, dhe jam vetvetja: por, përherë ngel pa fjalë kur dikush më pyet se kush jam unë. Do mendohesha gjatë pa dhënë asnjë përgjigje në fund. Nuk e di se çdo mund t’i thosha se më duket se asnjë përgjigje nuk do mund ta përcjellë brendshmërinë e vetvetes. E nëse unë vetë nuk e di se cili jam, atëherë të tjerët, që më njohin edhe më pak se sa unë vetveten, kanë edhe më pak arsye për të menduar se e kanë kuptuar se kush jam. Dikush mund të ligjërojë mbi çfarë është dhe çfarë nuk është në këtë botë dhe mbase do e pranoja me qetësi, por nëse ai do ligjëronte mbi çfarë unë jam dhe nuk jam as që do ta kisha dëgjuar fare sepse e di që ai nuk di për mua asgjë më shumë se disa kujtime dhe gojëdhëna të copëtuara.

Vetvetja, sado që të stërmendohet e shpjegohet, do të ngelë deri diku e pakuptueshme. Dhe arsyeja kryesore e kësaj pamundësie për të kuptuar vetveten është gjuha. Vetvetja është e burgosur në qelinë e gjuhës: prandaj, ne nuk mund ta shprehim asnjëherë lirisht vetveten. Gjuha është gjithmonë e përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse; po u shpreh një gjë me fjalë ajo kthehet menjëherë në diçka që mund t’i drejtohet shumë gjërave, në diçka që mund ta kuptojë gjithkush. Edhe nëse unë flas për vetveten time, unë mund ta bëj atë vetëm me një gjuhë gjithëpërfshirëse. Vetë fjala “vetvetja” i drejtohet edhe miliona vetjeve të tjera, ndërkohë që vetvetja ime vetjake është vetëm një. Gjuha nuk mund ta shprehë asnjëherë veçantinë tërësore të vetëm një gjëje. Si mund të flasim ne për njeriun e vetëm kur gjuha na lejon të flasim vetëm për njeriun në përgjithësi? Vetvetja është diçka e veçantë, ndërsa gjuha është diçka e përbashkët. Kështu që, deri diku ne asnjëherë nuk do mund ta themi dot plotësisht nëpërmjet gjuhës se çfarë është vetvetja,- ajo vetvete që e dallon atë tërësisht nga një vetje tjetër. Ndonjëherë ndodh që zhurmat dhe tingujt arrijnë të shprehin edhe më shumë se sa gjuha: e kjo ndodhë në veçanti në rastin e vetvetes. Nëse e kundron njeriun me kujdes e kupton se lëvizjet e muzikës dhe vallëzimit, klithmat e çastit, ngazëllimet kafshërore, murmuritjet e pakuptimta dhe fjalët boshe e pasqyrojnë më qartësisht vetveten se sa fjalët.

Një pjesë e vetvetes do ngelet gjithmonë e panjohur; por ka edhe një pjesë të vetvetes që mund ta shprehim me fjalë e ta kuptojmë. Megjithëse është e pamundur ta shprehësh me fjalë një vetvete tërësisht të veçantë nga gjithë vetjet e tjera, ne ende mund të themi se çfarë e dallon vetveten në përgjithësi nga gjërat e tjera. Filozofia e Mesjetës bënte zakonisht një dallim që e qartëson në këtë rast se çfarë ne mund të themi për vetveten e çfarë nuk mund të themi: këtu e kam fjalën për dallimin midis haeceittas dhe quidittas. Haeceittas që mund të shqipërohet si kjo-ja është çdo gjë që ne mund ta tregojmë, si të thuash, me gisht si “kjo.” Kjo-ja shpreh veçantinë e një gjëje: e kjo veçanti vetëm mund të përjetohet. Nuk mund të thuhet asgjë për veçanësinë e një gjëje të vetme sepse gjuha dhe dija janë gjithmonë përgjithësuese. Ndërsa quidittas mund të përkthehet në shqip si çështësia dhe shpreh pikërisht se çfarë është një gjë. Përcaktimet që shprehin se çfarë është një gjë janë gjithmonë të përgjithshme dhe asnjëherë nuk shprehin veçanësinë e një gjëje të veçantë. Le të marrim si shembull çështësinë e një topi të kuq. Cilësia e të qenit i rrumbullakët nuk shpreh asgjë të veçantë për këtë top të caktuar sepse ka miliona topa të tjerë të rrumbullakët. Gjithashtu, cilësia e të qenit i kuq nuk shpreh asgjë të veçantë për këtë top të kuq sepse ka edhe shumë gjëra të tjera që e kanë cilësinë e të qenit të kuqe. Prandaj, çështësia shpreh diçka rreth një gjëje që është e përgjithshme e mund të kuptohet nga gjithkush. E vura në dukje këtë dallim midis kjo-së dhe çështësisë për të thënë se ne asnjëherë nuk do e kuptojmë kjo-në e vetvetes, por ne mund të kuptojmë çështësinë e vetvetes. Ne mund ta shprehim me fjalë se çfarë e dallon vetveten në përgjithësi nga një gjë krejtësisht e kundërt nga ajo. Kështu që në vazhdim të sprovës do mundohem të shpjegoj pikërisht atë pjesë të vetvetes që ne mund ta kuptojmë: pra, çështësinë e vetvetes.

Nëse e pyet shumicën e njerëzve se çfarë janë ata në thelb, ata do të përgjigjen gabimisht se ata në fund të fundit nuk janë asgjë më shumë se sa trupi i tyre. Dhe gjithë ngatërrimi është se trupi nuk është i tyre: ne lindim në një trup që na jepet dhe që ndryshon vazhdimisht. Nëse unë, si foshnje e vogël, nuk jam asgjë më shumë se sa trupi im, atëherë si mund të themi tani që trupi im ka ndryshuar krejtësisht dhe ndërkaq është ende unë? Por kur të plakem e trupi im të ketë ndryshuar edhe më shumë? Nëse unë nuk jam asgjë më shumë se sa trupi im, çfarë mund të themi nëse unë humb dorën e majtë? Po nëse i humb të dyja duart? Nëse unë kam humbur një pjesë të trupit tim dhe unë jam trupi im para se t’i humbisja ato, atëherë unë i gjymtuar do isha një njeri tjetër. Por, kjo do ishte e pakuptimtë sepse është e pakundërshtueshme që unë si me dorën e majtë e si pa dorën e majtë jam ende i njëjti njeri. Sipas kësaj pikëpamje që e përkufizon vetveten si asgjë më shumë se sa trupi, unë duhet të isha një njeri krejtësisht ndryshe sa herë që trupi im ndryshon: e kjo gjë është absurde sepse atëherë nuk do të kishte fare një unë. Kjo pikëpamje dështon së përkufizuari se çfarë është vetvetja sepse ajo të çon në përfundimin se nuk ka vetvete: pra, ajo nuk thotë asgjë se çfarë është vetvetja.

Pa u marrë më shumë me çfarë nuk është vetvetja, dua të them se çfarë ajo është: vetvetja është rrjedha e ndërgjegjes. Dhe sigurisht pyetja që duhet t’i përgjigjemi tani është: çfarë është ndërgjegjja? Me fjalën ndërgjegje, nuk nënkuptoj një gjë të padukshme që fshihet diku në trurin njerëzor e që na bën ne të vetëdijshëm: këtë llogore e hapi Rene Dekarti. E për fat të keq, shumica e filozofëve pas Dekartit rrëshqitën në atë llogore dhe ngecën aty, duke luftuar me hijet e tyre dhe armiq të paqenë. Gjithsesi, ndryshe nga Dekarti dhe pasuesit e tij, dua ta përkufizoj ndërgjegjen si një gjendje marrëdhëniesh: marrëdhënien që ne kemi me unin tonë, marrëdhënien që ne kemi me të tjerët, marrëdhënien që ne kemi me atë që na rrethon, marrëdhënien që ne kemi me mosqenien dhe marrëdhënien që ne kemi me të hyjnueshmen. Të jesh i ndërgjegjshëm, shkurtimisht, do të thotë të jesh në marrëdhënie me unin dhe tjetrin,- pavarësisht se kush është uni dhe kush është tjetri. Por, marrëdhëniet që ne kemi me vetveten dhe tjetrin ndryshojnë vazhdimisht: ne nuk kemi të njëjtën marrëdhënie me njerëzit e tjerë apo të njëjtën marrëdhënie me vdekjen kur jemi fëmijë e kur jemi të rritur. Marrëdhëniet ndryshojnë. Marrëdhëniet tona janë një lumë lidhjesh dhe braktisjesh që rrjedhin vazhdimisht brenda një drejtimi të caktuar. Marrëdhëniet që ne kemi me unin dhe tjetrin kanë një trajtë kohore në të cilën rrjedhin që nga fëmijëria e deri në vdekje. Ne nuk mund ta kuptojmë vetveten pa parakuptuar kohën. Koha nuk është asgjë më shumë se sa mënyra se si rrjedh e ndryshon diçka dhe çdo vetvete është një rrjedhë e caktuar e ndërgjegjes. Vetvetja nuk është një lloj marrëdhënie midis unit dhe tjetrit që mbijeton gjatë një periudhe kohore, por trajta kohore e rrjedhës së marrëdhënieve tona me unin dhe tjetrin.

Vetvetja dhe uni nuk janë e njëjta gjë. Uni është kuptimi i përkohshëm që ne kemi mbi veten tonë: kuptimi themelor që ne kemi mbi çfarë jemi ne si një njeri, ose mbi çfarë jemi ne si një “unë” gjatë një periudhe të caktuar të vetvetes. Brenda një vetveteje, uni mund të ndryshojë vazhdimisht: unë si një kafshë e pandërgjegjshme, unë si një qenie politike, unë si një mbledhës ndjesish, unë si një mohues, apo unë si një shprehës i fjalëve të Zotit. Uni është vetëm pjesë e vetvetes sepse vetvetja përfshin edhe marrëdhënie të tjera me atë që është jashtë unit: marrëdhëniet me njerëzit e tjerë, qeniet që më rrethojnë, me natyrën, me vdekjen apo të hyjnueshmen. Vetvetja është përmbledhja e gjithë marrëdhënieve që kemi të përzgjatura në kohë. Pra, vetvetja përfshin kuptimin tonë mbi unin, por jo vetëm.

Koha është mënyra se si rrjedh një gjë. Çdo rrjedhë përmban një kuptim mbi kohën, – duke përfshirë këtu edhe rrjedhën e ndërgjegjes. Prandaj, ka tre lloje të ndryshme kryesore të vetvetes duke u nisur nga tre lloje të ndryshme rrjedhash kohore: vetvetja vijëdrejtë, vetvetja rrethore dhe vetvetja pikëqëndrore. Në një sprovë të mëparshme bëra këto tre dallime të njëjta edhe për tre lloje të ndryshme të muzikës,- dhe jo pa qëllim po i bëj sërish. Se ka një lidhje të ngushtë midis vetvetes dhe muzikës: vetvetja në thelb është një vepër muzikore dhe muzika është shprehësja më e brendshme e vetvetes.

Vetvetja vijëdrejtë është rrjedha e ndërgjegjes brenda trajtës kohore të një vije të caktuar që ka një fillim, zhvillim dhe fund. Vetvetja vijëdrejtë është mishërimi i kohës lineare ose drejtvizore tek njeriu: një kohë ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë të përcaktuara ngurtësisht. Në kohën drejtvizore e kaluara gjithmonë na sjell tek e tashmja dhe e tashmja gjithmonë na çon tek e ardhmja; zhvillimi kohor në të është një udhë që ecën vetëm përpara. Vetvetja vijëdrejtë është ajo vetvete që kërkon përherë përparim dhe një tejkalim të vazhdueshëm të vetvetes. Vetvetja vijëdrejtë është gjithmonë e drejtuar nga e ardhmja: për të, e shkuara dhe e tashmja janë vetëm shkallë që duhen ngjitur për të arritur të ardhmen. Dhe këto arritje të përhershme dhe përshtatje të vazhdueshme, vetvetja vijëdrejtë i shikon si një zhvillim përparimtar. Ky kuptim kohor i vetvetes nuk është shfaqur askund më qartësisht se tek ajo letërsi që quhet Bildungsroman e që u përhap aq shumë gjatë letërsisë europiane të shekullit të 19-të. Në një përkufizim të shkurtër, Bildungsroman janë ato romane që përqendrohen tek rrëfimi i jetës së një protagonisti që nga fëmijëria e deri në vdekjen e tij. Jeta e tërë, e parë nga vetvetja vijëdrejtë, shfaqet si një luftë e vazhdueshme për të kaluar pengesat e radhës, – e kështu na shfaqet edhe në letërsinë e Bildungsroman, në veçanti tek romanet e stërmërzitshëm viktorianë. Gjithçka në Bildungsroman rrotullohet rreth zhvillimit moral të protagonistit: gjithmonë do jetë një protagonist që u rrit jetim në familjen e një halle që e trajtonte keq e ku një kushëri e dhunonte e protagonisti më pas shkon në shkollë ku mësuesja e rrihte, dhe protagonisti më vonë bie në dashuri me dikë në shkollë, por familja nuk do që ata të martohen, prandaj protagonisti e braktis familjen për tu ballafaquar me botën e egër kapitaliste, por papritur protagonisti zbulon se ai vinte nga një familje e pasur, prandaj niset për të marrë trashëgiminë, dhe pasi e merr martohet dhe vdes i qetë pranë gruas. Duhet të ketë me mijëra romane të tilla europiane në shekullin e 19-të. Gjithsesi, i përmenda këto lloj romanësh si shembuj të një kuptimi që vetvetja ka gjatë një periudhe të caktuar: pra, si një tejkalim i vazhdueshëm i vështirësive për tu bërë më të “mirë”.

Megjithëse sot na ngjan se vetvetja vijëdrejtë përbën kuptimin parësor që njeriu duhet të ketë për vetveten, dua të theksoj se kjo qasje zuri fill vetëm disa shekuj më parë në Europë: me rritjen e mosbesimit në fe, përbuzjen e zakoneve dhe gojëdhënave të trashëguara, krijimin e qyteteve të mbipopulluara, dhe zhvillimin e pafre të kapitalizmit, shkencës dhe teknologjisë. E them këtë sepse kuptimi i vetvetes si një tejkalim i pafund i vetvetes është një prodhim tërësisht bashkëkohor. Mjafton të shikosh librat e psikologjisë sot: ato ndryshojnë çdo dy vjet sepse ne ngelëm duke e ripërkufizuar vetveten. Edhe vetë sistemi kapitalist të kërkon që ti të ri përshtatesh përherë me kërkesat e sistemit, përndryshe ngel pa punë dhe pa bukë. Sot, na duket i çmendur dhe i mangët dikush që nuk do të ndryshojë vijueshmërisht e të përshtatet vazhdimisht, – prandaj edhe qeshim kur lexojmë përpjekjet e Don Kishotit.

Vetvetja rrethore është ajo vetvete ku rrjedha e ndërgjegjes ka kthime tek e kaluara ose lakohet në një periudhë të caktuar për të rinisur aty ku filloi. Vetvetja rrethore është mishërimi i kohës ciklike tek një njeri. Koha ciklike është një lloj kohe ku gjërat nuk rrjedhin vazhdimisht përpara, por rikthehen tek e shkuara për të filluar sërish. Pra, tek vetvetja rrethore pikësynimi nuk është e ardhmja, por e shkuara; e tashmja dhe e ardhmja flijohen për tu rikthyer tek e shkuara. Rrjedhën e ndërgjegjes tek vetvetja vijëdrejtë, ashtu si edhe kohën drejtvizore, mund ta vizatosh në hapësirë si një vijë të drejtë; ndërsa, rrjedhën e ndërgjegjes tek vetvetja rrethore, ashtu si edhe kohën ciklike, mund ta vizatosh në hapësirë si një rreth ose spirale.

Kemi dy lloj vetvete rrethore: vetveten rrethore para-moderne që e hasim shpesh ne mitet europiane dhe filozofinë e lashtë greke dhe vetveten rrethore që nis me periudhën bashkëkohore. Në vetveten rrethore para-moderne e gjithë vetvetja mendohet si një rikthim tek vetvetja e njëmendtë: qëllimi i një njeriu është që të kuptojë vetveten dhe shpesh kjo do të thotë asgjë më shumë se sa të kuptosh vendin tënd brenda shoqërisë dhe gjithësisë. Mitet e vjetra europiane janë të mbushura me rrëfime ku tregohet se njeriu duhet të kuptojë vendin e vet e mos të rrejë vetveten se është Perëndi. Jo vetëm në mite, por edhe në filozofinë paramoderne e gjejmë këtë gjë. Platoni e përcakton drejtësinë te Republika si një rend ku gjithçka dhe gjithkush merr atë që i takon: nëse ti ke lindur me frymë prej floriri ti duhet të drejtosh shoqërinë, nëse ti ke lindur me frymë prej argjendi atëherë ti duhet të mbrosh shoqërinë, e nëse ke lindur me frymë prej bronzi, atëherë ti duhet të bëhesh punëtor i thjeshtë. Diçka të ngjashme e gjejmë edhe tek Aristoteli kur ai thotë se disa njerëz kanë lindur skllevër nga natyra. Edhe filozofia stoike thekson dhe përsërit me qindra herë se ne duhet të kuptojmë vendin tonë brenda gjithësisë në mënyrë që të arrijmë paqen shpirtërore. Në botëkuptimin pagan, Fati ka një rëndësi jashtëzakonisht shumë të madhe: ne si vetvete duhet të kuptojmë se çfarë na ka dhuruar Fati dhe të përshtatemi me atë që na është dhuruar. Pra, vetvetja rrethore paramoderne shfaqet si një kërkim për tu rikthyer tek ata që ne jemi menjëmend.

Por kemi edhe një vetvete rrethore bashkëkohore që fillon me periudhën e Rilindjes Europiane. Do të ishte më e saktë të thuhet se ky kuptim i vetvetes lindi nga pakënaqësitë e periudhës bashkëkohore: luftërat fetare, rritja e mosbesimit në fe, largimi nga natyra ku njeriu kishte jetuar gjithherë për tu shpërngulur në qytetet e mbipopulluara moderne, ndërlikimi i jetës me rregulla të panevojshme, ndryshimi i vrullshëm i jetës nga zhvillimi i teknologjisë dhe dalja e udhëheqjeve të reja politike dhe ekonomike. Marrëdhëniet që njeriu kishte me unin, tjetrin, natyrën, vdekjen, dhe të hyjnueshmen ndryshuan tërësisht. Të gjitha këto zhvillime të reja gjatë periudhës moderne si çdo gjë e re: sollën përftime për disa dhe shkatërruan disa të tjerë. Kjo bëri që tashmë shumë njerëz të ballafaqoheshin me një realitet të ri që ua pështiroste. E kur e tashmja ta shpif dhe e ardhmja është një vazhdim i së tashmes, njeriu do të mundohet të rikthehet tek e shkuara. Dhe pikërisht kjo është vetvetja rrethore moderne: ajo e shikon të ardhmen tek e shkuara. Ata mendojnë se përparimi i vetvetes vjen nëse e ardhmja rikthehet tek e shkuara. Askush nuk e përfaqëson më plotësisht këtë vetvete rrethore moderne se sa njeriu i parë modern: sojliu mendjemprehtë, Don Kishoti i Mançes. Don Kishoti nuk i pranon dot marrëdhëniet e reja që vetvetja ka me veten e saj dhe atë që e rrethon: prandaj ai niset në një luftë për të rikthyer marrëdhëniet e kaluara. E shikojmë këtë gjë tek fakti që ai këndon libra që askush nuk do t’i dëgjoj më, e shikojmë këtë tek fjalimi prekës që Don Kishoti i jep barinjve ku thotë se njeriu më parë jetonte një jetë më të qetë e të thjeshtë, e shikojmë këtë kur ai nuk e pranon dot që njerëzit nuk e hyjnizojnë më dashurinë apo kur thotë se zhvillimi i teknologjisë ia ka rrëmbyer nderin njeriut. Me pak fjalë, vetvetja rrethore moderne e shikon të ardhmen e vetvetes si një rikthim të vazhdueshëm tek e shkuara.

Vetvetja pikëqendrore është ajo vetvete që ndalon rrjedhën e kohës nëpërmjet përsëritjes. Përsëritja e ndalon kohën sepse nuk mund të ketë përjetim të kohës pa ndryshim. Koha është mënyra se si rrjedh diçka e, nëse diçka nuk ndryshon vazhdimin, por vetëm përsëritet, atëherë ajo përsëritje e pezullon kohën. Vetvetja pikëqendrore është mishërimi i këtij ndalimi të kohës nëpërmjet përsëritjes. Nëse duam ta paraqesim vetveten pikëqendrore në hapësirë, ajo mund të vizatohej thjesht si një pikë në qendër: ajo as nuk zhvillohet e as nuk përzgjatet. Të përsëritësh një gjë mijëra herë, e parë nga pikëpamja kohore, është e njëjta gjë edhe sikur ta kryesh atë vetëm një herë. Vetvetja pikëqendrore është në thelb e marrë: nëse e shikojmë me vëmendje sjelljen e të çmendurve ata gjithmonë përsërisin të njëjtat gjeste dhe të njëjtat fjalë. Por këtë marrëzi të vetvetes pikëqendrore e gjejmë përkohësisht edhe në art,- në veçanti në vallëzim dhe muzikë. Vallëzimi, shpesh nëpërmjet përsëritjes të së njëjtave lëvizjeve, dhe muzika, nëpërmjet përsëritjeve të të njëjtëve tinguj, na zhysin në një gjendje pranie tërësore ku ne e humbin përjetimin e rrjedhjes kohore.

Ka edhe një anë të katërt të vetvetes, që lidhet me vetveten, por në thelb është asgjësimi i vetvetes. Prandaj, ajo nuk u përcaktua si lloji i katërt i vetvetes. E kam fjalën këtu për vetveten nën përjetimin e së hyjnueshmes. Fryma e hyjnueshme është vetë Koha. Fryma e hyjnueshme është rrjedha e gjithësisë; ndërsa, vetvetja është rrjedha e ndërgjegjes. Dhe kur rrjedha e ndërgjegjes përkon me rrjedhën e gjithësisë, vetvetja zhduket dhe bëhet një me frymën e hyjnueshme.

2 Komente

  1. Vetvetja eshte per myself-me stesso ? Trupi ka karakteristiken e imanences dhe asgje nuk krijohet jashte tij, keshtu qe likujdimi me dy llafe me duket i nxituar. Ndergjegja e konceptuar ketu ka nevoje per Tjetrin meqe marre-dhenie, kurse trupi fale imanences gjate gjithe ekzistences nuk ka nevoje per entitetin e Tjetrit, trupi ekziston dhe ndryshon vete, pa nevojen e Tjetrit, perpos nqs do te gjymtohet. Perparesia absolute qe i jep trupit imanenca e tij, eshte vene ne dyshim vetem nga koncepti i perjetesise se shpirtit, perndryshe vetvetja, ndergjegja, uni etj jane koncepte surrogate qe duke mos pasur karakteristikat e perjetesise e pandryshueshmerise e per me teper duke qene se ekzistojne brenda trupit e zhduken bashke me te, atehere me te drejte jane poshte trupit ne hierarkine e koncepteve qe sherbejne ne perkufizimin e qenies. Njeriu eshte nje trup/materie/energji inteligjente. Nqs pranohet ky pohim atehere inteligjenca e cdo produkt i saj, ndergjegja, uni, vetvetja dalin te jene thjesht karakteristika apo cilesi te trupit/materies/energjise, anipse cilesi te domosdoshme per ekzistencen e pohimit.

    1. Hyllin, më duket se përgjigja jote është edhe më e nxituar se sa shkrimi im.

      E para, përkufizo termat që po përdor sepse nuk po kuptoj se çfarë po thua. Ça do të thuash ti me “trupi ka karakteristikën e immanencës”? Ça është immanenca? Thjesht je duke më dhënë një parullë të zbrazët e të paqartë.

      E dyta, unë nuk kam thënë që vetvetja ekziston sepse ka nevojë për tjetrin. Të lutem lexoje më me kujdes përkufizimin që kam dhënë për vetveten dhe mos u mundo të hedhësh posht diçka që unë nuk e kam thënë.

      E treta, ky shkrim nuk kishte për qëllim të sqaronte nevojat e vetvetes. Ky shkrim tregon se çfarë është vetvetja. Dhe shkrimi im nuk mohon asnjëherë që vetvetja ka nevojë për trupin, por thjeshtë thotë që ajo që e dallon vetveten nga gjërat e tjera nuk është trupi. Më duket se e ke keqkuptuar.

      E katërta, je duke ngatërruar shpirtin me përkufizimin që unë kam dhënë për ndërgjegjen. Për çfarë shpirti je duke folur? Për çfarë përjetësie dhe pandryshueshmërie je duke folur? Unë nuk kam folur askund as për shpirtin, as për përjetësinë e as për pandryshueshmërinë e vetvetes.

      E pesta, shkrimi nuk mohon asnjëherë që ndërgjegja është brënda trupit dhe vdes. Sërish je duke ngatarruar përkufizimin që kam dhënë për ndërgjegjen me një ide që ti ke për shpirtin ose diçka të përjetshme tek njeriu.

      E gjashta, a mund të ma thuash se kur vdes trupi? Dhe çfarë do të thuash ti me “energji inteligjente”?

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: