Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

NUK DO TË KISHA DASHUR

Gati tre vjet më parë, në fund të qershorit 2013, kur qeveria e kryesuar nga Edi Rama sapo ishte instaluar në pushtet, pata nxjerrë një tekst të shkurtër, te faqja ime në Facebook, për administratën e re.

Teksti lexonte kështu:

Urimi im për administratën e re të Ramës:

Qofshi të mërzitshëm deri në gogësimë.

Kryejeni punën tuaj aq mirë, sa të mos dëgjojmë asgjë për ju.

Bëjini tabloidët të falimentojnë; bëjini njerëzit t’i përdorin ndërhyrjet tuaja si ilaç gjumi.

Mos prodhoni lajme, por përditshmëri; respektoni rutinën dhe qëndroni të tejdukshëm deri në të padukshëm.

Shërbejini qytetarit aq mirë, sa ky ta harrojë që po i shërbeni.

Duke iu larguar protagonizmit dhe skenës, do ta bëni Shqipërinë më të lumtur.

Shpresoja atëherë, përnjëmend, se kjo kartolinë do të mbërrinte atje ku duhej dhe do të ndihmonte për të parandaluar shëmtinë në marrëdhëniet publike.

Nuk doja të profetizoja, sikurse nuk dua sot t’i bie gjoksit dhe të mburrem se “më doli fjala”: doja vetëm të shmangia një rezultat të mundshëm, duke ia përsiatur pasojat – dhe t’u uroja vërtet më të mirën të paktën disave nga ekipi qeveritar i Ramës, tek të cilët besoja shumë.

Tre vjet më vonë duket sikur dikush m’i pat lexuar ato paralajmërime dhe pat vendosur që të bëjë pikërisht të kundërtën.

Siç e pata shkruar para disa ditësh dhe pa dashur të përsërit veten, pushteti po synon me këmbëngulje që të prodhojë dhe të përftojë publikun e vet, duke i “dhuruar” përditë nga një shfaqje e duke prodhuar përditë nga një buqetë “lajmesh” të freskëta.

Për lumturinë e pashembullt jo të qytetarëve, por të tabloidëve dhe të altoparlantëve.

4 Komente

  1. Edhe per gezimin dhe orgazmen e vet. Eshte mire te thuhet edhe kjo. Dhe te mendosh qe nuk kemi pare gje akoma. Me siguri mandati tjeter do te jete kryeveper e merzise se mbytur nga altoparlantet.

  2. Une nuk njoh asnje qeveri demokratike (ose siç konsiderohet rendom si e tille) sot ne bote qe te mos punoje per shfaqje dhe ‘buqeta lajmesh’ te fresketa (perkundrazi, ne vendin ku jetoj, qeveria më duket shumefish më ‘mizaskenaxhie’ ).
    Keshtu qe mbetet te pranojme se problemi nuk eshte veçse sistemik.
    Ndryshimi me qeverine e meparshme eshte se ajo vriste (keq dhe shemtuar fare biles).
    Kjo nuk vret.
    I bie te themi: mire dhe kaq.

    1. Unë kam jetuar gjatë edhe në Itali edhe në ShBA (NYC), por këtë nuk e kam parë. Dhe gjithsesi, një gjë është të dalësh në lajme sepse po bën gjëra të rëndësishme, për të cilat publiku duhet të informohet; dhe një gjë tjetër t’i krijosh lajmet ti vetë, në mënyrë që ta mbash emrin dhe fytyrën në vëmendje të publikut (sa kanale televizive që japin 24 orë lajme ka në Francë?). Një pjesë të përgjegjësisë për atë që ndodh në Shqipëri e kanë edhe mediat, por le të mos harrojmë se mediat sillen si zgjatime të zyrave të shtypit të regjimit. Të ftoj t’u hedhësh një sy edhe faqeve të pushtetarëve në FB – duke filluar nga kryeministri dhe ministrat, dhe më poshtë në hierarkitë; janë një kryqëzim midis narcisizmit gjysmë-adoleshent, cheerleading-ut dhe një titullimi grotesk prej royalty-sh të llojit britanik (ose më mirë akoma, afrikan). Dhe nuk do të më bënte kjo shumë përshtypje – gjithsekush ka të drejtë të ndërtojë një imazh që t’i përgjigjet mënyrës si e sheh veten – por pastaj shoh numrin e “followers” dhe e di që numrat në politikë janë gjithnjë legjitimim.

      1. Sigurisht, secili vend me ngjyrat e tij lokale, dhe mbi te gjitha me traditen e tij ne ‘shoqerine e spektaklit’. Une them se, perkundrazi, ne Perendim kjo gje kap maja rafinimi te papara. Sigurisht, tanet jane debutante! Por ku di une, ai tjetri ishte vrases, ndofta kjo mi ul pritshmerite… 🙁

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin