NGA KREVATI I PERANDORIVE

nga Idlir Azizaj

Çdo luftë duhet të ketë njëfarë historie letrare diku të fshehur. Fluksi informativ i medias, që e mbulon luftën, « shërben » veç të piketojë, atje-këtu, fragmente të parcelizuara të asaj historie. Pjesa e dukshme e atij informacioni, shërben sa për transmetuar me takt diskursin e shteteve të mëdha. Edhe në këtë luftë aktuale nuk pati përjashtime të rregullit. Themi « nuk pati » (në të shkuar), sepse ndryshe nga informacioni, turpi humbet, por nuk tretet. Në rastin më të keq, iu shërben disa liderëve te vendeve të vogla (si Shqipëria, p.sh.) për t’i përdorur në mënyrë më të pa-rafinuar gjatë vullnetit për pushtet.

Nuk janë pak liderët politikë që absorbojnë verbatim pompozitetin e deklaratës së Harry Truman-it, pasi ky dha urdhrin e lëshimit të Bombës në Hiroshima : «I didn’t loose a night’s sleep over it » (As m’u prish terezia hiç ! thuhet shqip). Por, thonë kritikët gjeopolitikë, Truman-i nënkuptonte jo aq gjumin vetjak, sesa sigurinë, që, ky akt pa precedent, kanosje planetare, i Bombës nga ShBA, bëri të mbijë një kërpudhë atomike, prapa së cilës shtrihej tashmë fusha në zgjerim e realizimit të lirive në histori.

Nën njëfarë versioni allasoj të kësaj duhie hegeliane e pat zënë gjumi një tjetër personazh: në Lviv (Lumberg) të Ukrainës, që dikur përmblidhej nën emrin Galici. Personazhi në fjalë ëndërronte një grua që e rrihte me kamxhik. Severini, heroi i romanit « Venusi me peliçe » (botuar në 1870) pat rënë në gjumë, me librin e Hegelit në pëqi, duke ëndërritur një tip të ri kënaqësie (lust). Ndërkohë që autori, prej të cilit kemi termin « mazokizëm », i jepte konture një regjimi, apo rendi, që e quante « gjinokraci ». Meshkujt e tregimeve të tij, në gjunjë para kamxhikut të Gruas, figuronin kundruall një Rusie të njohur për imazhe despotike, nga Romodanovski, guvernator i përgjithshëm, xhelat i regjimit të Pjetrit të Madh (i përafërt me guvernatorin britanik në Indi, lord Hastings, mik personal i autores Jane Austin), deri te Putini i sotëm, te i cili, Perëndimi prej vitesh sheh një arketip.

Termi gjinokrat nuk aludon aspak ndaj ndonjë formë të demokracisë së njohur, ose të shpallur:

– As kur Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula van der Layen krijoi precedentin: jashtë çdo ligjshmërie, e duke mos qenë as person i zgjedhur, bleu armë e armatosi një vend, pa qenë palë në luftë.

-As kur ministrja ekologjike e Gjermanisë Annalena Baerbock shpalli me patos « fundin e pozicionit pacifist », ku mbeti pas Luftës II, dhe vendimin për të nxjerrë mbi 100 miliardë euro nga buxheti për rimilitarizimin e Gjermanisë.

-As kur zv.sekretarja e Departamentit të shtetit, Victoria Nuland, u kap mat, duke caktuar me telefon nga sheshi i Maidanit (po në Ukrainë, në 2014) qeverinë e re të një vendi « sovran ». (Pasi doli sekreti, ajo i përgëzoi denoncuesit për « cilësinë e lartë audios në video »; gjë që Ilir Meta nuk e pat bërë në rastin e videos së Dritan Priftit!)

-As kur Biden, dollibash në tryezën e BE-së para ca ditësh, fshikulloi Putinin, duke deklaruar se « ai s’mund të jetë më në pushtet ». (Menjëherë Anthony Blinken « saktësoi » se Shefi « nuk synonte, as planifikonte, ndryshimin e regjimit në Kremlin, porse … ». Sërish, nuancat, jo thelbi vetë, ato e bëjnë demokracinë !)

-As kur ethet e konsensusit të paparë mes vendeve perëndimore, çuan në ekstazën për të « rrënuar ekonominë ruse (1)” .

-As kur, sërish, një fantazmë i erdhi rrotull qiellit të Europës, pak para se të ndërsynte Rusia zyrtare tanket në Ukrainë. Kjo fantomë ishte marrëveshja (e pashkruar) mes liderëve perëndimorë dhe Gorbaçovit në vitin 91. Revista « Der Spiegel » zbuloi ato ditë marrëveshjen jo-publike mes këtyre shtetarëve perëndimorë e atyre sovjetikë, inicuar nga Eduard Shevernaxe (ministër i jashtëm i ish BS): rusët pranonin shembjen e B. Sovjetik; nuk do kundërshtonin ribashkimin e Gjermanisë; si kundërpeshë: NATO nuk do zgjerohej më tej (tashmë që ra Traktati i Varshavës), e veçanërisht jo në vendet e Lindjes! Këtë marrëveshje(2) e konfirmoi në 1 mars 2022 dhe Roland Dumas, ish ministri i jashtëm francez, pjesëmarrës në takim.

-As kur media mainstream shpalli me tituj « pushtimin rus » që shkeli me këmbë krejt Marrëveshjen e Minskut (3) çka e vuri Putinin brenda kornizës hitleriane.

Në fund të këtij zinxhiri sythoi dhe një tipar i ri i historisë së vjetër me luftëra. Duket se një kënaqësi « ndryshe » europiane u përvijua. Ndoshta kalimthi. Por pa precedent edhe ajo. Trupat politikë euro-atlantikë (OKB, asambletë, parlamentet), me njëfarë epshi e lanë veten t’i kamxhikonte V. Zelenski, gjatë kontakteve me videokonferencë. Një emancipim i beftë ky, europian, në krye të luftës: këto organizma, lektore të vlerave, e që kurrkush nga qeveritë e Lindjes s’guxon t’iu vrenjtet, pranuan, me standing ovations, fshikujt e presidentit të Ukrainës (na kujton ca atë « oficerin grek » të Sacher Masoch-ut, si fshikullon burrin e dashnores – që enkas merr pozat e carinës autokrate Katerinë-, ndërsa i lidhur me gjalmë mëndafshi pas një kolone mermeri të stilit grek!) Disa nga këto thupra dukeshin boll metodike, të menduara mirë, e për efekt preciz, strategji e mirëpërgatitur komunikimi masiv:

-ju po ndihmoni makinën ushtarake ruse, nuk po krijoni një no fly zone në Ukrainë (Zelenski para Kongresit amerikan);

-ju nuk po na ndihmoni të heqim qafe Hitlerin (4), mos merrni më gaz rus (para deputetëve gjermanë)

-ti je presidenti i botës, pra i paqes (videokonferencë me Biden)

-nuk do të tërhiqemi, pavarësisht se me çfarë çmimi, ne jemi Churchilli i sotëm (para House of Commons në Londër)

-pse nuk largohen nga Rusia ndërmarrjet tuaja, ju ndihmoni makinën e luftës ruse, po ju çoj këtë video: ja ç’do t’i ndodhë kullës Eiffel (shpërthim masiv, kulla zhduket si në filmat me Bruce Willis, paralel me duartrokitjet e deputetëve francezë).

-sharmi heroik i Zelenskit u hollua pak para deputetëve të Knesetit izraelit. Deklarimet e tij se po përjetonte të njëjtën situatë me Shoah, nuk doli krahasim aq i mirë. Të nesërmen e kanosjes së tij Izraelit, pse nuk e furnizonte me armë, shtypi i Tel Avivit nuk la pa shfaqur dhe ndonjë foto të Zelenskit me komandantët e batalionit Azov, derivat organik i detashmenteve naziste të Stepan Banderas gjatë Luftës II botërore.

Zelenski lexonte në cirilik, por shprehej në alfabet latin. Për herë të parë vendet perëndimore pranuan, nëpërmjet iphone, sensin, përkatësinë europiane të Ukrainës. Teksa Maurice Gourdault-Montagne, ish shef kabineti i Ministrisë së jashtme franceze, sqaronte sesi Uashingtoni kish rrënuar planin francez « për të një proteksion të ndërthurur mes Rusisë dhe NATO-s ndaj Ukrainës» (5), deputetët frëngj ulën kokat në asamble, sepse Zelenski i bëri të ndiheshin të bijt’ e një sentimenti të ri.

Duket sikur ka një tip kontrate mes palëve në këtë fshikullim, do thoshim me Gilles Deleuze (6) në mend. Kjo lojë kontraktuale, në formën e aq e aq sanksioneve, që fshikullojnë një vend, pa precedent në histori, duket një tipar i ri në historinë euro-perëndimore. Kësaj here duke thirrur në ndihmë feeling-un e zonave sllave, gjithë duke e ngritur veten, (Europa), në rangun « humble » të asistentit … të Ukrainës … kundër Rusisë … pro demokracisë.

Një nga nenet e « kontratës » duhet të jetë emri i Zelenskit në Histori. Por kjo nuk shpjegon shumëçka. Sidomos kur mendon sa simultane qenë për Europën: 1)distancimi ekstrem ndaj Rusisë, duke zhdukur çdo përfaqësim (representation) të saj në botë, në çdo domen; dhe, 2) si rrjedhim tektonik, Ukraina u qas në portat e Europës, po aq blu sa dhe qielli nga ku ra!

Ky « suprasensualitet » europian, nuk vonoi të mishërohej. Për shkak të urgjencës së situatës, ai derivoi te pika më e afërt: te armiku i madh i përbashkët. Rusofobia e skajshme, që doli në pah këtë periudhë, është një nga efektet më të para sekondare të luftës aktuale :

 

Cancel Russia

Edhe « cancel culture », aq intensive këto kohë në Perëndim, konvergoi te kjo vatër e re. E gjithë bota « e bardhë koloniale maço luftarake» doli nga fshikulli i auto-revizionizmit, dhe u bashkua në një « flagellation » ndaj tepër të bardhës Rusi. Bashkë me sanksionet ekonomike en bloc kundër saj, arritje të papara pati në planin ndërkombëtar :

-eliminimin edhe të maceve ruse nga konkurset “feline” ndërkombëtare,

-zhdukjen nga repertori i teatrove e operave të autorëve rusë klasikë,

-sopranoja ruse Ana Netrebko u detyrua të largohej nga opera e Nju Jorkut, para presionit për të folur keq ndaj vendit të saj origjinës,

-universiteti Bicocca i Milanos anuloi katër seminaret mbi Dostojevskin, e mandej peticionistët propozuan, me modesti, të rrëzojnë bustin e shkrimtarit, (si atë të Stalinit, apo të Sadamit, që këndelli George Bush-in aq shumë),

-shumë mësues të gjimnazit në Vendée të Francës lëshuan peticion të ndërrojnë menjëherë emrin e shkollës nga “A. Solzhenjicin” e ta zëvendësojnë me një poet ukrainas (iniciativë e turpshme, që fatmirësisht nuk u realizua),

-në Lyon të Francës restorantet ruse « Vollga » dhe « Aleksandri » u gdhinë me shënimin anonim: « Zhdukuni se ju djegim! (nuk ishte dorëshkrim i Gaxhait, as i Zan Çaushit, sipas ekspertizës) … etj. etj.

Ky yrysh në mentalitetin euro-perëndimor, (aq jo barbar, e plot nuanca dikur, para një muaji!) mund të jetë dhe një formë e sforcuar prej panikut. Gjithsesi, nesër, pas luftës, këto bëma do jenë veç një pjesëz e Historisë popullore të Perëndimit. Që historia zyrtare do ta eklipsojë, përderisa « historia e shteteve nuk është aspak ajo e njerëzve », vëren aq drejt Howard Zinn. Por, pikërisht aty fillon letërsia, së cilës, tani, më në fund, i erdhi sërish realiteti mu në turinj.

Kësi ndodhish paralele minoritare ndaj kupolës cariste dikur, e gjeografia e sentimenteve të popullatave që i bartte, ishin thelbi i rëndësisë së librave të Masoch-ut më sipër.

 Shpërdorim i termit « guerile » ose luftës asimetrike

As që mohohet dot qëndresa ukrainase ndaj armatës ruse. Por mediat mainstream po dekorojnë këtë rezistencë me lavde ndaj luftës së pashoqe « guerile » të Ukrainës. Vallë është e tillë, ndërsa shtetet më të fuqishme perëndimore e furnizojnë me miliarda dollarë armë e logjistikë ? Edhe kjo hosanna doli risi tani për mediat e oksidentit. Që kurrë më parë nuk ka pëlqyer të emetojë lavde për guerilet autentikë të « fakirëve » të historisë, për qëndresa autentike, p.sh.:

-revoltës së bukëve « chapaty », me të cilën kryengritësit indianë i patën kallur datën ushtrisë britanike, duke transmetuar një mesazh të pashkruar, vetëm me simite, rast unik në histori

-revoltës kineze Vetullat e Kuqe, të organizuar nga ish latifondistja Nënë Lu, për të hakmarrë vrasjen e të birit, kundër dinastisë Hin, në vitin 25

-luftën guerile filipinase (ose lufta amerikano-filipinase), lufta me disfatën më të rëndë për ShBA, në periudhën 1899-1902, dhe revolta Moro, luftë e harruar krejt nga kujtesa e perandorive të sotme, edhe pse amerikanët patën përdorur për herë të parë të famshmen « water-cure »(7) e masakruan aq civilë, sa t’i kallte krupën dhe vetë gjeneralit Pershing

-gjithë kujtimi i gueriles fantastike vietnameze, u mbulua nga shiritat e një filmi edhe më imperialist se vetë agresioni amerikan atje (« Apocalypse Now »)

-lëvizjet e shkëlqyera të strategut popullor vietnamez Vo Nguyn Giap, (me përvojë kundër ushtrive franceze dhe amerikane) në luftën guerile irakiane, në 2003, çka e shtrëngoi ushtrinë amerikane « që as të tërhiqej dot nga Iraku, e i duhej të luftonte, por duke i vënë vetes kufi në betejë » (8) … etj.

Përveç suspensit se BE mund ta integronte Ukrainën aforfe (këtu precedenti qe i tepërt), procesi i heroizimit të presidentit ukrainas tregon një zell, që është edhe krejt përkundër çdo emulacioni të virilitetit mashkullor militarist në Perëndimin progresist! Por, shoqëria e spektaklit, në epokën e « guerrilla marketing-ut », nuk mungoi edhe këtë luftë. Kamera u fokusua te një shef shteti aktor i « Dance with the stars », rezistent, por me asistencën ushtarake të bllokut më të fuqishëm në planet.

Kosova, gjembi ende në mish

Pavarësia e Kosovës del në sipërfaqe herë pas here gjatë debateve mbi luftën në Ukrainë. Del si parantezë, kalimthi. E kryesisht nga analistët që nuk pajtohen me qëndrimin e NATOs; që evokojnë ndërhyrjet e saj (e të ShBA) flagrante, duke anashkaluar edhe Të drejtën ndërkombëtare (Pra të njëjtën shkelje që sapo bëri Rusia në Ukrainë).

Oponentët, kryesisht të « qarqeve » të djathta, fshikullojnë në radhë të parë politikën « vasale » të qeverive përkatëse. Porse, menjëherë, e sërish, përmendet « precedenti » i bombardimit të NATOs Serbisë deri në « shkëputjen » e Kosovës prej kësaj e shpalljen e pavarësisë. Dy janë pasazhet e këtij refreni: prania e bazës së madhe ushtarake amerikane në Ferizaj; dhe, nënvizimi i sentimentit serb ndaj Kosovës si « bastion shpirtëror » i saj. Kjo ndodh kur debatuesit bëjnë këtë paralele me ndjesinë ruse lidhur me Ukrainën, burimin « russ », nga ku vjen me gjasë dhe emri i vetë Rusisë ! Disa nga debatuesit (të qendrës, e të qendrës së djathtë, anti-BE-së francezë, etj) nxitojnë të risjellin në skenë termat « provincë seçecioniste », « krahinë bukëshkalë », « bastion mafioz i të gjitha ngjyrave » lidhur me Kosovën. Por, pa ndërmendur një herë se si, e pse, Serbia i pat trajtuar si plehra shqiptarët në Kosovën e « shpirtit » të qytetërimit të tyre; e pse vallë Serbia nuk e quajti, as nuk e quan veten, psh Kosovska, sikur Rusia paska marrë rrënjën ukrainase « rus » për të çimentuar etnosin e vet! Ndërkohë, shumë shpesh, mediat (e majta dhe të qendrës së majtë franceze), që sot po trumbetojnë patriotizmin ukrainas, jo rrallë kanë qesëndisur « nacionalizmat e patriotizmat e prapambetur shqiptarë» të pas-konfliktit me Serbinë, dhe « mungesën » e vullnetit për të harruar të shkuarën.

Kësisoj, del evidencë që kunja e pavarësisë kosovare nuk ka humbur njëherë e mirë në mendjet politike të Europës. Lufta e fundit përvijoi dhe këtë detaj: Kosova, për shumë europianë, gjendet tani mes një gjysmë vasaliteti prej ShBA (puçi politik i Grenellit ndaj qeverisë Kurti në vitin 2018 ishte shenjë), dhe kujtim i hidhur gjeopolitik i një Europe tashmë « aspak sovrane ».

Të gjitha këto nuk justifikojnë agresionin rus në Ukrainë. Tragjedinë e hallexhinjve të rrënuar e pastrehë vetëm mund të pretendosh ta marrësh në analizë!

Por u munduam të udhëtojmë në kahun tjetër të mediave qendrore. Të cilat na e projektojnë filmin e realitetit mbi çarçafin e kopulimeve perandorake botërore. Ato nuk ndihmojnë të zbulojmë as:

-sa i sinqertë ishte propozimi që ia bëri Putini Macron-it, për një Europë « solide, nga Lisbona në Vladivostok ? (9

-çfarë formash perandorake do na hedhë para Kina, nëse bëhet vërtet superfuqia nr 1?

-si e pse kjo kambana e « përplasjes së qytetërimeve », vallë ka të njëjtën materie bazë për çdo superfuqi, kur shohim gjendjen katrahurë të punëtorëve aziatikë me mëditje të firmave kineze në Serbi!, pra, me biznes tabiatet e shfrytëzimit ruhen në formalinë!

-tani që dosja e aderimit të Turqisë në BE doli papritur prapë në skenë, kur në Turqi palët në konflikt sikur po arrijnë marrëveshje, si e qysh do modulojnë liderët perëndimorë me Erdoganin e trajtuar si islamist?

-sa e vërtetë është tërheqja « masive » ushtarake ruse nga Ukraina, nëse kjo njeh neutralitetin ? E nëse po, mos mediat vërtet krijuan me nxit një histeri rreth « planit carist perandorak » të Putinit?

-se si shkon fati i pleqve me origjinë ruse në Lituani, që nuk marrin më pension, pas bllokimit të sistemit SWIFT ?

Dhe, me sa « informojnë » ato media, e nëse rezultati final i kësaj lufte do jetë ai mes Qerosit e Katallanit, (pra rrënimi i Ukrainës, ose zhdukja totale e Rusisë nga esprit-i europian, thua se Lindja europiane s’ka ekzistuar kurrë!), ose krijimi i një regjimi vasal të Uashingtonit në Moskë, (që kështu ShBA të përballojë konkurrencën kineze), atëherë nuk do jetë çudi që tezat e filozofit të oborrit, Francis Fukuyama, për « fundin e historisë » dhe lulëzimin e përjetshëm të liberal-demokracisë të na bien sërish mbi kokë. E pikërisht tani, kur realiteti historik sapo ia lëshoi prapë një bombë asaj karikature të lirisë.

(c) 2022 Idlir Azizaj. Të gjitha të drejtat të rezervuara.


Shënime :

1-«Ju premtoj rrënimin e ekonomisë ruse », deklaratë e ministrit francez të Financave, Bruno le Maire, para se të merrte vërejtje të rëndë për zell të tepruar nga E. Macron. Ndërkohë vështrim tjetër nuk ka munguar në Francë, që janë skeptikë ndaj cenimit të ekonomisë ruse nga sanksionet. Sipas analistit Jean-Claude Dasier « kjo luftë është konflikt mes SHBA dhe Rusisë, faturën e të cilit do ta paguajë Europa ».

2-Shumë politologë përmendin këtë marrëveshje të përdhosur nga pala Perëndimore, si një nga burimet e « kunjit » së V.Putinit me Perëndimin. Putini ishte shprehur disa herë se « nuk mund të kundërshtonte anëtarësimin në NATO dhe BE të ish republikave të BS, porse kufiri sipas tij, ishte Ukraina. Integrimi i saj në NATO « përbën rrezik ekzistencial » për Rusinë, sipas Putinit. Kjo shtesë vjen, sipas disa politologëve, pas refuzimit që NATO i bëri kërkesës ruse në 2004 për të aderuar në të.

Për më tej shih : Prof. John Mearsheimer, « New Yorker Interview , Isaac Chotiner, 2022, dhe

Vladimir Pozner, « How the U.S. created Vladimir Putin ».

3-Sipas Jacques Baud, ish këshilltar francez i NATOs, ekzistojnë në fakt dy marrëveshje, Minsk 1 e Minsk 2. Por, pasi « qeveria ukrainase eliminoi fizikisht Denis Kirejev », një nga nënshkruesit të Minsk 1, palët, pra Rusia e Ukraina, në prani të presidentëve bjellorus, francez e gjerman, nënshkruan Minsk 2. «Është gënjeshtër mediatike që Rusia varrosi Minsk 2 në 24 shkurt. Ajo marrëveshje nuk nënkuptonte armëpushim mes Rusisë e Ukrainës, por armëpushim mes ushtrisë ukrainase dhe krengritësve rusofonë atje », përfundon Baud, autor i librit « lufta asimetrike, ose Disfata e fituesit ».

4- Analizë me vend lidhur me akuzat respektive për « hitlerianë » mes dy palëve në konflikt lexojmë në artikullin « e A. Vehbiut, « Dy palë, një armik », Peizazhe të Fjalës, 24 shkurt 22.

5-Diplomati francez evokon këtu iniciativën e J.Chirac, në tetor 2006, për një kooperim mes Perëndimit dhe Rusisë, lidhur me ruajtjen e integritetit të Ukrainës, « plan që do manaxhohej nga Këshilli i sigurimit NATO-Rusi, i krijuar në fillim të viteve 2000. Chirac nisej nga statusi neutral i 6 vendeve europiane (Austri, Finlandë, etj), si shembull edhe për Ukrainën. Kjo iniciativë i përshtatej dhe diplomacisë së Moskës, « sepse kështu na rregullon punë dhe për çështjen e Krimesë ». Por, në debat me ish sekretaren amerikane Condoleeza Rice, diplomati francez përfundon : « Filluat prapë ju francezët ! Fillimisht na e penguat ca valën e parë të anëtarësimit në NATO të vendeve të Europës qendrore; tani mos kujtoni se do pengoni valën e dytë ! ». Pra, synimi i kahershëm amerikan ishte integrimi i Ukrainës në NATO, nënvizon ai.

6-Filozofi G. Deleuze veçon rolin e madh të kontratës në librin e Masoch-ut. Ai vëren se : «Gabim të mendosh se dominuesja (femra me kamxhik) është ajo që drejton lojën. Ajo dominon veç në dukje. E gjitha është pjesë e një pakti ».

7-Kjo formë torture konsistonte kësisoj: robërve u jepej të pinin ujë me zor, me shumicë, për t’i bërë të rrëfenin pozicionet e guerilasve.

8-Për më tej : worldview.stratfor.com.

9-Këtë ide, shkëmbyer mes dy liderëve në rezidencën presidenciale Fort Brégançon në jug të Francës, e raportuan gazetat në gusht 2019.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin