Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë / Revoltë

KURAJOJA PËR TË NDRYSHUAR DHE MENÇURIA PËR TË RUAJTUR

Reflektim mbi kulturën e ndryshimit, kujtesën dhe vazhdimësinë e përparimit

Në maj të vitit 2012, në dy shënime të shkurtra në blogun tim[i], ndalesha te dy mendime që më shqetësonin atëherë dhe që, duke i rilexuar sot, më duken po aq të rëndësishme.

Në të parin, të titulluar “Nevojitet kurajo për të ndryshuar”, duke iu referuar Paolo Borsellinos dhe marrëdhënies midis frikës dhe kurajës, shkruaja:

“Ne duhet të ndryshojmë në substancë, në sjelljen tonë, në mënyrën e funksionimit, duhet të pasurojmë sistemin tonë me vlerat e pasura demokratike. Për këtë nevojitet kurajo.”

Kurse në të dytin, “Të rikuperojmë të kaluarën për të ndërtuar të ardhmen”, theksoja rëndësinë e njohjes së historisë dhe trashëgimisë sonë, veçanërisht nga të rinjtë, që duhet të dinë t’i përkasin kësaj historie për të ndërtuar të ardhmen e tyre dhe të brezave pasardhës.

Katërmbëdhjetë vjet më vonë, këto dy mendime më duken edhe më të lidhura. Sepse ndryshimi dhe vazhdimësia nuk janë dy procese kundërshtare. Përkundrazi, aftësia për të ndryshuar dhe mençuria për të dalluar çfarë duhet ruajtur janë dy kushte të përparimit.

Kur i rikthehem sot këtyre mendimeve, nuk më udhëheq zhgënjimi dhe as nostalgjia për një kohë të shkuar. Më udhëheq preokupimi për atë që kemi ndërtuar, për atë që kemi arritur të ruajmë dhe për atë që ende nuk kemi ditur ta konsolidojmë. Sepse kultura demokratike, funksionimi i institucioneve, besimi te njëri-tjetri, aftësia për të bashkëpunuar dhe vazhdimësia e proceseve nuk janë çështje të shkëputura nga zhvillimi. Ato përbëjnë një pjesë të bazamentit mbi të cilin ndërtohen siguria, paqja shoqërore dhe perspektiva afatgjatë e një territori.

Për mua, zhvillimi nuk është vetëm ndërtimi i infrastrukturës, rritja ekonomike apo tërheqja e investimeve. Është krijimi i kushteve që njerëzit të jetojnë me dinjitet, të ndihen pjesë e vendimmarrjes, të kenë besim te institucionet dhe të mund të ndërtojnë të ardhmen e tyre pa pasigurinë se ajo që është arritur sot mund të zhbëhet nesër[ii]. Prandaj, kur flas për kurajon për të ndryshuar dhe mençurinë për të ruajtur, kam parasysh edhe përgjegjësinë për të mos cenuar themelet mbi të cilat duhet të mbështetet zhvillimi që dëshirojmë për vendin dhe territoret tona.

Shqipërinë e këtyre viteve nuk e kam ndjekur vetëm përmes zhvillimeve të saj publike. E kam njohur edhe nga brenda institucioneve, nga përvoja e vendimmarrjes, nga puna me komunitetet dhe nga përpjekjet për zhvillim vendor e rajonal. Kam parë energji të jashtëzakonshme për të nisur ndryshime, por edhe vështirësi për t’i çuar deri në fund. Kam parë iniciativa që kanë prodhuar rezultate dhe të tjera që kanë humbur vazhdimësinë.

Kjo përvojë më ka shtyrë të reflektoj mbi një çështje që shkon përtej rasteve të veçanta: përparimi nuk varet vetëm nga idetë dhe burimet që kemi, por edhe nga kultura me të cilën i përdorim, nga aftësia për të bashkëpunuar dhe nga mënyra se si i ruajmë, i përmirësojmë dhe i trashëgojmë arritjet tona.

Por çfarë na mëson përvoja jonë gjatë këtyre viteve?

Kemi ndryshuar. Por sa kemi përparuar në substancë?

Shqipëria e vitit 2026 nuk është Shqipëria e vitit 2012.

Infrastruktura, teknologjia, komunikimi, hapja ndaj botës, shërbimet dhe mënyrat e organizimit të veprimtarisë ekonomike kanë pësuar transformime të rëndësishme. Janë zgjeruar mundësitë për të studiuar, punuar, komunikuar dhe bashkëpunuar përtej kufijve.

Këto ndryshime nuk duhen nënvlerësuar. Ato janë pjesë e përparimit të vendit, edhe pse përfitimet e tyre nuk janë shpërndarë njësoj midis njerëzve dhe territoreve. Por zhvillimi nuk mund të vlerësohet vetëm nga ajo që është ndërtuar, nga teknologjia që përdorim apo nga shpejtësia me të cilën ndryshon pamja e qyteteve tona. Ai duhet të vlerësohet edhe nga cilësia e marrëdhënieve shoqërore, funksionimi i institucioneve, mundësitë për pjesëmarrje, besimi te njëri-tjetri, respektimi i rregullave dhe aftësia për të bashkëpunuar.

Këtu qëndron edhe një nga shqetësimet e mia më të hershme: ndryshimi material nuk sjell automatikisht ndryshimin e mentalitetit dhe të kulturës së funksionimit. Mund të ndërtojmë rrugë të reja, por të vazhdojmë të kemi vështirësi në respektimin e rregullave të përbashkëta. Mund të digjitalizojmë shërbime, por të mos arrijmë të ndërtojmë një marrëdhënie të besueshme midis qytetarit dhe administratës. Mund të krijojmë institucione dhe mekanizma konsultimi, por t’i trajtojmë ato më shumë si procedura sesa si mundësi reale për bashkëvendimmarrje.

Këto nuk janë kundërthënie të pashmangshme të zhvillimit. Janë tregues se përparimi në një fushë nuk garanton vetvetiu përparimin në të tjerat.

Këtë dallim mund ta vëzhgojmë edhe përmes treguesve të zhvillimit. Të dhënat e Bankës Botërore dëshmojnë rritje të PBB reale për frymë në Shqipëri gjatë periudhës 2012–2024, megjithëse jo pa ndërprerje[iii]. Por rritja ekonomike, sado e rëndësishme, nuk na tregon e vetme sa janë forcuar institucionet, sa është zgjeruar pjesëmarrja qytetare apo sa është rritur besimi te rregullat e përbashkëta[iv].

Edhe vlerësimet ndërkombëtare të demokracisë na ftojnë të shohim përtej përshtypjeve dhe krahasimeve të thjeshta. Ato evidentojnë dobësi të vazhdueshme në funksionimin demokratik të vendit, por edhe zhvillime që nuk kanë ndjekur domosdoshmërisht të njëjtin drejtim në çdo fushë. Prandaj pyetja nuk është vetëm nëse Shqipëria e sotme është më e zhvilluar se ajo e vitit 2012. Pyetja është se çfarë cilësie ka pasur ky përparim, çfarë kemi arritur të konsolidojmë gjatë rrugës dhe sa të qëndrueshme janë kushtet që duhet ta mbështesin atë në të ardhmen.

Kurajoja për të ndryshuar nuk mjafton pa kulturën e ndryshimit

Kur flisja për kurajon në vitin 2012, nuk kisha parasysh vetëm guximin për të marrë vendime të vështira. Mendoja për kurajon për të ndryshuar sjelljen, për të pranuar mendimin ndryshe, për të dalë nga praktikat e konsumuara dhe për të mos u bërë peng i zakoneve tona.

Sot do t’i shtoja edhe diçka tjetër: kurajon për të pranuar se jo çdo ndryshim që kemi ndërmarrë ka prodhuar rezultatet e dëshiruara.

Në përvojën shqiptare kemi njohur reforma të rëndësishme, iniciativa premtuese dhe përpjekje serioze për modernizim. Por kemi njohur edhe ndërprerje, kthime pas, dobësim të praktikave të mira dhe vështirësi për t’i kthyer arritjet në standarde të qëndrueshme. Shpesh problemi nuk ka qenë mungesa e drejtimit të duhur. Kemi ditur çfarë duhet të ndryshojmë dhe kemi filluar të ecim në atë drejtim. Por nuk kemi arritur gjithmonë t’i japim ndryshimit përmbajtjen, vazhdimësinë dhe mbështetjen shoqërore që i nevojitet.

Një reformë nuk përfundon me miratimin e një ligji. Një institucion nuk konsolidohet vetëm duke përcaktuar strukturën dhe kompetencat e tij. Një praktikë e mirë nuk bëhet kulturë vetëm sepse është zbatuar një herë. Ato kërkojnë kohë, përkushtim, mësim nga përvoja, përgjegjësi dhe, mbi të gjitha, njerëz që besojnë te vlera e tyre dhe i zbatojnë në përditshmëri[v].

Ndryshimi bëhet i qëndrueshëm kur nuk varet më vetëm nga vullneti i një individi apo nga rrethanat e një momenti.

Kostoja e fillimeve të përsëritura

Në vlerësimin e përparimit tonë, nuk mjafton të krahasojmë pikën nga u nisëm me atë ku kemi mbërritur. Duhet të shohim edhe rrugën që kemi përshkuar. Trajektorja e zhvillimit na tregon jo vetëm sa kemi fituar, por edhe sa kemi humbur gjatë rrugës: ritme, hapa, cilësi, përvojë dhe mundësi që jo gjithmonë mund të rikuperohen.

Në përvojën tonë kemi njohur jo pak fillime të vrullshme. Kemi ndërmarrë reforma, kemi krijuar institucione, kemi nisur iniciativa dhe kemi përqafuar modele të reja. Por jo gjithmonë kemi treguar të njëjtën energji dhe këmbëngulje për t’i mbajtur gjallë, për t’i përmirësuar dhe për t’i konsoliduar ato.

Ndonjëherë duket sikur kemi më shumë dëshirë për të filluar sesa durim për të vazhduar.

Pse ndodh kjo? Është mungesë vullneti, dobësi e kulturës institucionale apo prirje për ta lidhur suksesin e një procesi me individin që e drejton? Ndoshta nga pak prej të gjithave. Por një element meriton vëmendje të veçantë: marrëdhënia jonë me figurën e individit të fortë.

Kur i atribuojmë një individi pothuajse të gjithë meritën e një arritjeje, rrezikojmë të nënvlerësojmë institucionet, ekipet, bashkëpunimin dhe proceset që e bëjnë atë arritje të qëndrueshme. Dhe kur procesi identifikohet me individin, largimi i tij mund të shoqërohet me ndërprerjen, dobësimin apo rifillimin e asaj që ishte ndërtuar. Kjo nuk është vetëm çështje e politikës. Mund të ndodhë në administratë, në organizata, në institucione arsimore, në ndërmarrje dhe në jetën komunitare.

Çmimi që paguajmë nuk kufizohet te burimet e shpenzuara për të filluar nga e para. Humbasim kohë, energji, besim dhe, ndonjëherë, mundësi që nuk kthehen më. Pikërisht për këtë arsye, kultura e ndryshimit duhet të shoqërohet me kulturën e vazhdimësisë. Duhet të mësojmë të ndërtojmë procese që nuk varen nga një individ, të ruajmë përvojën e fituar dhe të pranojmë se vijimi dhe përmirësimi i një pune të nisur nga të tjerët mund të jetë po aq i vlefshëm sa nisja e një pune të re.

Një fushë ku kjo çështje merr përmasa konkrete është administrata publike dhe qeverisja vendore. Shqipëria ka ndërmarrë reforma për modernizimin e administratës, profesionalizimin e shërbimit civil dhe riorganizimin territorial. Por përvoja e reformave na mëson se ndryshimi i strukturave nuk garanton vetvetiu rritjen e kapaciteteve dhe të cilësisë së shërbimeve. Këto kërkojnë institucione që mësojnë, personel të kualifikuar, mekanizma përgjegjshmërie dhe aftësi për të ruajtur njohuritë e krijuara.

Raportet e vlerësimit të administratës publike në Shqipëri evidentojnë se, krahas përparimeve, vazhdojnë të ekzistojnë dobësi në menaxhimin e burimeve njerëzore, përgjegjshmërinë institucionale dhe zbatimin e standardeve[vi]. Kjo na kujton se suksesi i një reforme nuk matet vetëm nga akti i miratimit apo nga struktura e re që krijohet, por nga aftësia e saj për të funksionuar, për t’u përmirësuar dhe për t’u shërbyer qytetarëve në kohë.

Në këtë kuptim, reforma territoriale dhe proceset e decentralizimit meritojnë të vlerësohen jo vetëm për atë që synuan në fillim, por edhe për rezultatet që prodhuan, kapacitetet që ndërtuan dhe problemet që mbetën të pazgjidhura. Ndryshimi i radhës duhet të fillojë nga një vlerësim i kësaj përvoje, jo nga supozimi se gjithçka duhet rindërtuar nga e para[vii].

Sepse përparimi nuk kërkon që çdo brez, çdo drejtues apo çdo institucion të fillojë historinë nga e para. Ai kërkon që secili të shtojë diçka mbi atë që është ndërtuar më parë.

Demokracia si kulturë dhe praktikë e përditshme

Një nga fushat ku ky dallim bëhet veçanërisht i dukshëm është demokracia.

Në vitin 2012 kërkoja më shumë demokraci. Sot, ndërsa njoh përparimin e bërë në zhvillimin material të vendit, vlerësoj se kemi humbur terren në disa dimensione të rëndësishme të jetës demokratike.

Nuk e shoh këtë vetëm si çështje të funksionimit të institucioneve. Ajo lidhet edhe me mënyrën se si ndërtojmë përfaqësimin politik, me legjislacionin zgjedhor, me demokracinë e brendshme të partive, me përqendrimin e vendimmarrjes dhe me personalizimin e pushtetit.

Kjo mungesë vazhdimësie bëhet veçanërisht shqetësuese kur prek vetë ndërtimin e demokracisë. Prej më shumë se tri dekadash kemi ndryshuar rregulla, sisteme zgjedhore, struktura dhe mekanizma të përfaqësimit. Kemi ndërtuar institucione, kemi rishikuar mënyrën e funksionimit të tyre dhe, jo rrallë, kemi zhbërë atë që më parë e kishim konsideruar arritje. Kështu, në vend që çdo reformë të mbështetet mbi përvojën e grumbulluar dhe ta çojë demokracinë drejt një konsolidimi më të madh, rrezikojmë të rikthehemi vazhdimisht te pikënisja. Sfida nuk është vetëm të ndërtojmë institucione demokratike, por të krijojmë një kulturë demokratike që u jep atyre qëndrueshmëri, përmbajtje dhe besueshmëri.

Një shembull domethënës është evolucioni i sistemit tonë zgjedhor. Kalimi nga zgjedhja e drejtpërdrejtë e kandidatëve në zona njëemërore te sistemi proporcional me lista partiake ka ndryshuar marrëdhënien midis zgjedhësit dhe deputetit. Edhe pse është krijuar hapësirë për votën preferenciale, renditja e paracaktuar e një pjese të kandidatëve vazhdon të ndikojë drejtpërdrejt në shpërndarjen e mandateve. Ndërkohë, ndarja e mandateve sipas qarqeve dhe madhësia e ndryshme e zonave zgjedhore ngrenë edhe çështjen e peshës efektive të votës dhe të mundësisë së barabartë për përfaqësim. Kështu, përtej formulës zgjedhore, shtrohen dy pyetje thelbësore: sa e drejtpërdrejtë mbetet lidhja e deputetit me qytetarin dhe sa e barabartë është mundësia që vota e çdo qytetari të përkthehet në përfaqësim parlamentar? [viii]

Po aq e rëndësishme është lidhja me kulturën tonë shoqërore: sa e pranojmë mendimin ndryshe, sa e vlerësojmë meritën, sa jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me njerëz që nuk mendojnë si ne dhe sa përgjegjësi marrim për çështjet e përbashkëta.

Demokracia nuk është vetëm një sistem zgjedhjesh periodike. Është edhe një mënyrë e të jetuarit së bashku, e ndarjes së përgjegjësive dhe e respektimit të kufijve të pushtetit. Ajo duhet të jetë e pranishme në institucionet publike, por edhe në partitë politike, në organizatat shoqërore, në shkolla, në universitete dhe në komunitete.

Nëse qytetari ftohet të marrë pjesë, por mendimi i tij nuk ndikon në vendimmarrje, pjesëmarrja rrezikon të mbetet formale. Nëse bashkëpunimi shpallet si parim, por praktika mbështetet te përjashtimi dhe rivaliteti, atëherë kemi ende rrugë për të bërë drejt një kulture bashkëpunuese.

Këtu rikthehet nevoja për ndryshim në substancë.

Të ruajmë atë që kemi ndërtuar, të mos përsërisim atë që na ka penguar

Shënimi i dytë i vitit 2012, për rikuperimin e së kaluarës, sot më fton ta shoh këtë çështje në një kuptim më të gjerë.

E kaluara nuk është vetëm historia e ngjarjeve, monumenteve dhe traditave tona. Ajo është edhe përvoja e përbashkët, kujtesa e institucioneve, njohuritë e fituara, përpjekjet e brezave dhe mësimet që duhet të nxjerrim nga sukseset dhe gabimet.

Të ruash nuk do të thotë të mbash gjithçka të pandryshuar. Do të thotë të kesh aftësinë për të dalluar çfarë ka vlerë, çfarë duhet përmirësuar dhe çfarë duhet lënë pas. Në qytetet tona, për shembull, zhvillimi urban krijon nevoja të reja për banim, infrastrukturë, shërbime dhe hapësira ekonomike. Por një qytet nuk është vetëm një bashkësi ndërtesash. Ai është edhe histori, kujtesë, marrëdhënie shoqërore dhe identitet. Prandaj, një ndërhyrje që sjell vlerë ekonomike ose fizike duhet të vlerësohet edhe për ndikimin e saj në trashëgiminë, jetën komunitare dhe cilësinë e hapësirës publike.

Përvoja e qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës e bën të prekshëm këtë raport midis ruajtjes dhe zhvillimit. Njohja e vlerave të tyre nga UNESCO ka krijuar një përgjegjësi të veçantë për mbrojtjen e trashëgimisë, ndërsa zhvillimi i turizmit dhe transformimet urbane kanë sjellë mundësi të reja ekonomike, por edhe sfida për administrimin e këtyre hapësirave. Pikërisht për këtë arsye, ruajtja e autenticitetit nuk mund të ndahet nga planifikimi, pjesëmarrja e komunitetit dhe menaxhimi afatgjatë.[ix]

Përvoja e këtyre qyteteve na tregon gjithashtu se njohja e një vlere nuk mjafton për ta garantuar mbrojtjen e saj. Duhen institucione që bashkëpunojnë, plane që zbatohen, monitorim dhe përgjegjësi që nuk ndërpriten me ndryshimin e drejtuesve apo të prioriteteve. Trashëgimia nuk duhet parë si pengesë ndaj zhvillimit, por si një kapital territorial që kërkon kujdes, njohuri dhe mençuri për t’u përcjellë tek brezat e ardhshëm.

Në fund të fundit, mençuria për të ruajtur nuk është kundërshtim i ndryshimit. Është aftësia për ta orientuar ndryshimin në mënyrë që vlerat e trashëguara të mos konsumohen nga zhvillimi, por të bëhen pjesë e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së tij.

E njëjta logjikë vlen për institucionet dhe praktikat tona. Një ndryshim organizativ nuk duhet të na bëjë të humbasim përvojën e vlefshme të krijuar më parë. Ndërrimi i drejtuesve nuk duhet të nënkuptojë fillimin nga e para. Dhe një reformë e re nuk duhet të fshijë pa vlerësim arritjet e reformave të mëparshme. Shoqëritë përparojnë jo vetëm kur krijojnë gjëra të reja, por edhe kur dinë të ndërtojnë mbi atë që kanë mësuar.

Nga përkatësia te përgjegjësia për të ardhmen

Në shënimin e vitit 2012 shkruaja, gjithashtu, se të rinjtë duhet të dinë t’i përkasin historisë së tyre. Sot këtë mendim do ta shprehja edhe më gjerë: të rinjtë duhet të kenë mundësinë jo vetëm të njohin dhe të trashëgojnë historinë, por edhe të marrin pjesë në ndërtimin e së ardhmes.

Përkatësia nuk duhet të jetë një lidhje pasive me të kaluarën. Ajo duhet të krijojë ndjenjën e përgjegjësisë për vendin, komunitetin dhe territorin ku jetojmë. Një i ri që njeh historinë e qytetit të tij, por nuk ka hapësirë të shprehë mendimin për zhvillimin e tij, mbetet vetëm një njohës i trashëgimisë, jo domosdoshmërisht një bashkëkrijues i së ardhmes. Prandaj edukimi, pjesëmarrja dhe bashkëpunimi janë të pandashëm.

Mendoj se na nevojitet të kultivojmë aftësinë për të punuar së bashku, për të ndarë njohuritë, për të respektuar kontributin e tjetrit dhe për ta parë suksesin e përbashkët jo si humbje të meritës individuale, por si shumëfishim të saj[x].

Kjo kulturë nuk ndërtohet vetëm me thirrje dhe deklarata. Ajo kërkon praktika të përditshme: shkolla që nxisin mendimin kritik, institucione që dëgjojnë, organizata që bashkëpunojnë, drejtues që pranojnë përgjegjësi dhe komunitete që marrin pjesë në zgjidhjen e problemeve të tyre.

Të mësojmë të ecim përpara pa humbur arritjet

Duke iu rikthyer sot këtyre dy shënimeve, nuk do të thosha se atëherë kishim përgjigjet dhe sot i kemi humbur. As se e kaluara ishte domosdoshmërisht më e mirë se e tashmja. Por përvoja e këtyre viteve më ka forcuar bindjen se zhvillimi nuk është një proces linear dhe as një arritje e pakthyeshme.

Mund të ecim përpara në një drejtim dhe të mbetemi pas në një tjetër. Mund të ndërtojmë më shumë, por të bashkëpunojmë më pak. Mund të kemi më shumë mjete dhe mundësi, por të mos i përdorim ato për të përmirësuar në të njëjtën masë cilësinë e jetës dhe marrëdhëniet tona shoqërore.

Kjo gjë nuk duhet të na çojë në pesimizëm. Përkundrazi, duhet të na nxisë të kuptojmë më mirë se çfarë kërkon përparimi i qëndrueshëm. Na duhet kurajë për të ndryshuar atë që nuk funksionon. Na duhet mençuri për të ruajtur atë që ka vlerë. Na duhet kulturë për të mësuar nga gabimet, përgjegjësi për të mos përsëritur praktikat që na kanë penguar dhe aftësi për të bashkëpunuar përtej interesave të çastit.

Mbi të gjitha, duhet të kuptojmë se përparimi nuk është vetëm rezultat i vendimeve që marrim sot, por edhe i asaj që arrijmë t’u lëmë si mundësi brezave që vijnë. Sepse sfida nuk është vetëm të ndryshojmë. Sfida sot është të mësojmë të ndryshojmë pa humbur vlerat, përvojën dhe arritjet që na bëjnë të aftë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë.

(C) 2026 Luiza Hoxhaj. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Imazhi në kopertinë është realizuar me AI.


[i] Hoxhaj, Luiza (2012). Nevojitet kurajo për të ndryshuar; Të rikuperojmë të kaluarën për të ndërtuar të ardhmen. Shënime në blogun personal, maj 2012. https://detipafund.blogspot.com/

[ii] Sen, Amartya (1999). Development as Freedom. New York: Alfred A. Knopf.

[iii] North, Douglass C. (1993). Economic Performance through Time. Nobel Memorial Prize Lecture, 9 December 1993.

[iv] Freedom House. (2024). Nations in Transit 2024: Albania. https://freedomhouse.org/country/albania/nations-transit/2024

[v]  Ostrom, Elinor (1990). Governing the Commons: The Evolution of Institutions for Collective Action. Cambridge: Cambridge University Press.

[vi] European Commission. (2025). Albania 2025 Report. Brussels, 4 November 2025. https://enlargement.ec.europa.eu/albania-report-2025_en

[vii] UNESCO World Heritage Centre. Historic Centres of Berat and Gjirokastra, World Heritage List, Property 569bis; dokumentacioni i ruajtjes dhe menaxhimit. Dosja e pasurisë.

[viii] OSCE/ODIHR. (2025). Republic of Albania, Parliamentary Elections, 11 May 2025: ODIHR Election Observation Mission Final Report. Warsaw: OSCE Office for Democratic Institutions and Human Rights.

[ix] UNESCO World Heritage Centre. Historic Centres of Berat and Gjirokastra. World Heritage List, Property No. 569bis. https://whc.unesco.org/en/list/569/

[x] World Bank. World Development Indicators: GDP per capita (constant 2015 US$), Albania. Të dhënat.  


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading