Peizazhe të fjalës

ose natyra jo aq të qeta
Politikë

PËRGJIGJE LEA YPIT


Përmes një deklarate publike në rrjetet e saj sociale, Lea Ypi, profesoreshë e shkencave politike dhe filozofisë në London School of Economics dhe një nga intelektualet shqiptare me profil ndërkombëtar, ka shprehur qëndrimin e saj mbi situatën aktuale politike në Shqipëri, duke ofruar, ndër të tjera, një lexim kritik të dinamikës së protestave të nisura në maj të këtij viti. Ypi ndalet veçanërisht te mënyra sesi protestat po artikulohen së fundmi, marrë parasysh përfshirjen e studentëve të universiteteve publike në to dhe përshkallëzimin e situatës në dhunë.

Me të drejtë, ajo ngre shqetësimin se përtej revoltës së çastit nevojitet një strategji dhe plan politik afatgjatë, për të mundësuar tranzicionin nga oligarkia në demokraci sociale dhe se dhuna pa një plan politik të mirëfilltë shndërrohet në atë që ajo e quan “vëllavrasje të kotë”.

Karakteri horizontal dhe heterogjen i lëvizjes, e cila nisi si një protestë lokale në Zvërnec, kundër kompleksit luksoz të parashikuar për zonën e mbrojtur mjedisore të Vjosë-Nartës dhe që eventualisht u shndërrua në të ashtuquajturin Revolucionin e Flamingove, duke marrë përmasa më të gjera dhe bërë bashkë disa kauza shoqërore përpos mbrojtjes së mjedisit, si kërkesa për një shtet të së drejtës dhe refuzimi i një rendi politik të kapur, shpalos një nga kontradiktat themelore të mobilizimeve të tilla grassroots. Ndërsa autonomia organizative dhe pluralizmi ideologjik e kanë mbrojtur lëvizjen nga përvetësimi prej forcave politike të establishmentit, ato njëkohësisht e kanë bërë më të vështirë procesin e vendimmarrjes kolektive dhe artikulimin e një strategjie koherente për transformim shoqëror. Për rrjedhojë, horizontaliteti i lëvizjes ka qenë njëkohësisht pika më e fortë dhe më e dobët e saj. Megjithatë, kjo sfidë e pashmangshme nuk e delegjitimon përpjekjen e protestës për të artikuluar një alternativë politike përtej rotacionit të pushtetit.

Ajo që Revolucioni i Flamingove ka bërë të mundur është, para së gjithash, mprehja e imagjinatës politike për të shquar një mundësi qeverisëse përtej binomit PS-PD dhe hulumtuar rrugët për t’i tejkaluar strukturat ekzistuese të pushtetit pa sakrifikuar autonominë, pluralizmin dhe karakterin gjithëpërfshirës, që e kanë bërë të mundur këtë mobilizim në radhë të parë. Ndaj, pretendimi i Ypit se pas 35 vitesh, “i vetmi projekt i ndryshimit të pushtetit shtrohet si zgjedhje ndryshimi pushtetarësh” është, në mos një lexim i gabuar i aktualitetit politik, atëherë një trajtim tepër determinist i vetëdijes politike që po artikulon kjo lëvizje, pasi ngatërron mungesën e një alternative të konsoliduar me mungesën e një vullneti për alternativë, duke e lexuar refuzimin e njëkohshëm të PS-së dhe PD-së përmes së njëjtës logjikë bipolare që protestuesit po përpiqen të sfidojnë.

Ypi shkruan: “Kjo nuk do të thotë se dhuna për një parim të drejtë është e gabuar në çdo rrethanë. Por dhuna politike justifikohet vetëm kur, së pari, pas saj ka një projekt të bindshëm ndryshimi shoqëror dhe, së dyti, kur dhuna është mënyra e vetme për ta realizuar atë projekt. Kjo ishte Shqipëria në dhjetor 1990.

Tani cili është projekti?

Është fatkeqësi që në shoqërinë shqiptare, 35 vjet pas rënies së komunizmit, i vetmi projekt i ndryshimit të pushtetit shtrohet si zgjedhje ndryshimi pushtetarësh. Zëvendësimi i një individi në pushtet (apo në opozitë) me një individ tjetër nuk është projekt sistemi as kombëtar, është projekt partiak. Janë partitë përkatëse ato që duhet të marrin përgjegjësi.”

Janë dy çështje që shtrohen këtu: 1) projekti politik apo mungesa e një projekti të tillë dhe 2) dhuna si e vetmja mënyrë për ta realizuar këtë projekt. Së pari, problemi aktual nuk është domosdoshmërisht mungesa e një projekti politik por konsolidimi i strategjisë për ta bërë të mundur atë projekt. Që prej majit, qytetarët shqiptarë nuk kërkojnë thjesht dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama apo rotacionin e pushtetit. Kjo lëvizje e paprecedent proteste e ka refuzuar që në fillim logjikën e zgjedhjes së të keqes më të vogël: idenë se ndryshimi politik duhet të kufizohet te zëvendësimi i një elite qeverisëse me një tjetër, pa prekur marrëdhëniet strukturore të pushtetit që e kanë prodhuar dhe vazhdojnë ta riprodhojnë krizën.

Revolta aktuale politike mbështetet qartazi në refuzimin e një rendi politik dhe ekonomik që, për më shumë se tri dekada, e ka reduktuar demokracinë në konkurrencë elektorale mes elitave partiake, duke riprodhuar një pushtet të mbështetur në klientelizëm, përqendrim të kapitalit dhe kapje të institucioneve publike nga një grusht aktorësh politikë të korruptuar dhe të lidhur ngushtë me biznesin e madh dhe grupet e krimit të organizuar.

Kërkesat kolektive të protestës për çlirim nga korrupsioni, shërbime publike cilësore në shëndetësi dhe arsim; paga dhe pensione dinjitoze; mundësi të qëndrueshme punësimi; strehim të përballueshëm, mbrojtje të hapësirave publike, përfshirë ato kulturore dhe mjedisore, si dhe perspektivë për ta ndërtuar jetën brenda Shqipërisë, artikulojnë një vizion politik që përkon me parimet themelore të social-demokracisë. Fakti që ky projekt nuk është artikuluar ende në formën e një programi politik të mirëstrukturuar nuk do të thotë se ai mungon. Ai mund të jetë ende abstrakt në nivelin e organizimit politik por ekziston si horizont normativ dhe si tërësi kërkesash konkrete që vënë në pikëpyetje mënyrën sesi shpërndahen burimet e atë sesi organizohet ekonomia dhe përcaktohen prioritetet e shtetit. Pikërisht këtu qëndron dallimi mes mungesës së një projekti politik dhe mungesës së një projekti të konsoliduar politikisht.

Në dhjetor 1990, çast të cilin Ypi e sjell si pikë reference, situata nuk ishte gjithaq e ndryshme për sa i përket raportit mes vizionit politik dhe strategjisë për realizimin e tij: ekzistonte një kërkesë e qartë për ndryshim por jo një strategji e konsoliduar për të përcaktuar formën institucionale dhe drejtimin shoqëror të këtij ndryshimi. Për më tepër, përvoja e tranzicionit postkomunist mund të lexohet si një paralajmërim kundër supozimit se artikulimi i një strategjie politike, në vetvete, garanton transformim demokratik. Rrëzimi i një rendi politik nuk përcakton automatikisht se çfarë rendi do ta zëvendësojë atë; po aq e rëndësishme është se kush e përvetëson procesin e ndryshimit, cilat interesa materializohen në institucionet e reja dhe nëse mobilizimi shoqëror arrin të ruajë autonominë e tij përballë elitave që synojnë ta drejtojnë.

Në këtë kuptim, mësimi nga lëvizja e dhjetorit 1990 nuk është se një lëvizje duhet të ketë paraprakisht një projekt politik të përfunduar por se pa mekanizma që e mbajnë procesin e transformimit të hapur ndaj pjesëmarrjes dhe kontrollit shoqëror, edhe një mobilizim me potencial emancipues mund të përfundojë duke riprodhuar ato marrëdhënie pushteti, që synonte të kapërcente.

Ypi e përforcon skepticizmin ndaj një skenari të tillë në deklaratën e saj kur thotë se “… standardet demokratike për t’u kërkuar transparencë udhëheqësve në Shqipëri nuk janë vënë kurrë. Nga njëra anë, sepse i gjithë rendi i ashtuquajtur demokratik është pjellë e PPSH-së, nga gjiri i së cilës dolën drejtuesit e të dyja partive që kanë qeverisur që atëherë. Kultura politike e tyre është kultura e kultit të individit.

Nga ana tjetër, sepse kapitalizmi nuk ka nevojë për demokraci për t’u zhvilluar: tregut privat i mjafton të ketë klientë. Korrupsioni nuk është kurrë shkaku i krizës të rendit politik, është pasojë e nënshtrimit ndaj rendit ekonomik. Në kapitalizëm edhe njeriun më të ndershëm e asgjëson sistemi. Ose e përdor duke e blerë, ose e nxjerr jashtë përdorimit kur nuk e ble dot.”

Megjithatë, këtu qëndron edhe një nga kufizimet e leximit të Ypit: diagnostikimi i strukturave që riprodhojnë pushtetin nuk duhet të na çojë në nënvlerësimin e mundësive politike për t’i transformuar ato. Nëse rendi kapitalist dhe kapja e institucioneve e kufizojnë demokracinë, atëherë pyetja nuk është vetëm sesi mund të ndërtohet një strategji për ndryshimin e pushtetit por edhe sesi mund të krijohen forma të reja të organizimit politik, që i sfidojnë këto struktura. Përndryshe, rrezikojmë ta kthejmë kritikën strukturore në një formë determinizmi, ku sistemi shfaqet aq gjithëpërfshirës dhe i pathyeshëm, saqë mundësia e transformimit kolektiv mbetet gjithmonë e shtyrë për një të ardhme të papërcaktuar.

Në Shqipërinë e para Revolucionit të Flamingove, vitet e fundit janë krijuar parti të reja që kanë buruar nga lëvizjet sociale, siç është rasti i Lëvizjes BASHKË, e cila, pavarësisht se e re në rrugëtimin partiak dhe pa përvojë institucionale, ia ka dalë gjithsesi të artikulojë një alternativë politike të majtë. Megjithatë, vështirësitë e saj për t’u shndërruar në një forcë me ndikim të gjerë elektoral dëshmojnë se artikulimi i një alternative programore nuk mjafton, në vetvete, për të çarë monopolin politik të partive tradicionale. Nga ana tjetër, ajo shërben si shembull se alternativat politike mund të marrin formë gradualisht, përmes mobilizimit dhe organizimit shoqëror, dhe se vështirësia për t’u konsoliduar nuk është provë e mungesës së tyre por e pengesave që duhet të kapërcejnë dhe nevojës për më tepër besim e përkrahje që parashtrojnë.

Kjo na çon te çështja e dytë që ngre Ypi: marrëdhënia mes dhunës politike dhe mundësisë së transformimit shoqëror. Nëse mungesa e një projekti politik të konsoliduar nuk mund të merret si provë e mungesës së një horizonti transformues, atëherë as përshkallëzimi i dhunës nuk mund të analizohet i shkëputur nga konteksti politik në të cilin ndodh. Realiteti politik i muajve të fundit në Shqipëri tregon se kur kushtet për protestë paqësorë pamundësohen, dhuna shndërrohet në mundësinë e fundit për ta çuar ndryshimin përpara.

Përgjatë verës, veçanërisht pas tërheqjes së vëmendjes së mediave ndërkombëtare, represioni ndaj protestuesve u intensifikua. Për një periudhë të konsiderueshme, mbulimi mediatik ndërkombëtar shërbeu si pengesë ndaj shtypjes së protestës përmes represionit shtetëror. Në pamundësi për t’i vënë protestat nën kontroll, Rama u përpoq të kontrollonte, së paku, retorikën dhe imazhin publik rreth tyre. Me zbehjen e këtij ekspozimi mediatik, hapësira për ushtrimin e represionit u zgjerua. Qytetarë paqësorë janë dhunuar dhe arrestuar para, gjatë dhe pas protestave, ndërsa liria e tyre e shprehjes është cenuar në mënyrë të përsëritur. Për më tepër, shumë prej tyre janë bërë shënjestër e sulmeve dhe përqeshjes publike të Ramës, sjellja e të cilit ka qenë jo vetëm autoritare por edhe thellësisht arrogante. Në vend që t’i dëgjonte protestuesit apo, së paku, t’u përgjigjej disa prej kërkesave të tyre, ai zgjodhi t’i përbuzte ata publikisht, deri në pikën që t’iu drejtohej me një “fuck you” demonstrativ.

Në të tilla kushte, nuk mjafton t’u kërkohet protestuesve të mos e përshkallëzojnë konfliktin; duhet shtruar edhe pyetja se çfarë mundësish reale u mbeten atyre për ta sfiduar pushtetin dhe për ta detyruar atë të japë llogari. Përndryshe, mbrojtja e paqes rrezikon të ngatërrohet me mbrojtjen e status quo-së.

Megjithatë, nuk mund të mohohet se këtu dhuna është një thikë me dy presa. Nga njëra anë, kur kanalet institucionale për të bërë të mundur ndryshimin bllokohen, përshkallëzimi i konfrontimit mund të duket si e vetmja mënyrë për ta bërë pushtetin të reagojë por njëkohësisht, ky përshkallëzim, mund të përfundojë duke forcuar pikërisht atë rend që synon të përmbysë. Këtu qëndron dilema tragjike me të cilën po përballet lëvizja momentalisht.

Është gjithashtu me rëndësi të theksohet se në një konfrontim të tillë, shteti zotëron të gjithë aparatin e nevojshëm për ta fituar betejën e dhunës. Përballë një lëvizjeje, uniteti i së cilës mbetet i brishtë dhe ku ende nuk është e qartë se cila prej rrymave politike që e përbëjnë atë mund të fitojë epërsi, përshkallëzimi i dhunës përbën një bast të rrezikshëm. Në terren, prania e aktorëve me interesa dhe kapacitete asimetrike si PD-ja dhe të tjera forca të opozitës tradicionale, e vështirëson më tej kontrollin mbi situatën, duke qenë se bëhet fjalë për aktorë me përvojë të gjatë në menaxhimin politik të dhunës, me struktura të konsoliduara dhe burime të konsiderueshme financiare e njerëzore, që u japin mundësi të ndikojnë në mënyrë tejet të sofistikuar mbi dinamikat e protestës. Rreziku është që një revoltë qytetare, e lindur jashtë logjikave tradicionale të pushtetit, të përfundojë e kushtëzuar prej tyre dhe qytetarët të mbajnë koston njerëzore të një përballjeje, përfitimet politike të së cilës mund t’i kapitalizojnë aktorët e vjetër.

Për më tepër, përshkallëzimi i dhunës mund ta izolojë lëvizjen edhe në planin ndërkombëtar, duke e larguar atë nga aleatët politikë që deri dje i kanë qëndruar në krah, përfshirë forca të ndryshme politike në Bashkimin Europian.

Padyshim, situata në terren dhe kontradiktat që e shoqërojnë atë janë më të ndërlikuara se ç’mund ta paraqesë analiza teorike por, ndoshta, pikërisht në çaste të tilla vendimtare, debatet intelektuale të këtij lloji mund të kontribuojnë në zgjerimin e horizontit të mundësive politike, duke ndihmuar në dallimin mes asaj që duket e mundur dhe asaj që mund të bëhet e mundur përmes veprimit kolektiv. Sfida është të ruhet një vështrim kritik që nuk e romantizon revoltën por as nuk e trajton ndryshimin si të paarritshëm; që i merr seriozisht rreziqet dhe raportet e forcës, pa i shndërruar ato në argumente për dorëzim.

Pyetja, pra, nuk është thjesht nëse kjo lëvizje mund ta sfidojë pushtetin por përmes cilave strategji mund ta ruajë ajo autonominë e saj dhe ta shndërrojë mobilizimin qytetar në një alternativë politike të qëndrueshme.

Në këtë kuptim, mund të dallohen dy rrugë kryesore përmes së cilave lëvizja, e nisur në fund të majit, mund të vazhdojë. E para është rikthimi te format paqësore të protestës dhe intensifikimi i përpjekjeve për organizim të brendshëm, përmes një kompromisi mes forcave që aktualisht e përbëjnë lëvizjen, me synimin për ta sfiduar Ramën në zgjedhje. Ky do të ishte një skenar i ngjashëm me atë të Serbisë, ku lëvizja studentore serbe, e nxitur nga tragjedia në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, pas dy vitesh protestash paqësore dhe organizimi me mobilizim nga poshtë, u përball me pushtetin e Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit në atë që rezultoi të ishte një fitore historike.

Në kushtet kur mungojnë sindikatat funksionale dhe paralizimi i qëndrueshëm i punës është më i vështirë, strategjia e bojkotimit të universiteteve mund të jetë një alternativë për konsolidimin e organizimit nga poshtë dhe forcimin e kapaciteteve kolektive të lëvizjes. Përtej ndërprerjes së përkohshme të veprimtarisë akademike, bojkoti mund të krijojë hapësira për forma më të drejtpërdrejta të organizimit kolektiv, duke u dhënë studentëve dhe aktivistëve më shumë autonomi në përcaktimin e ritmit dhe drejtimit të protestës. Asambletë në fakultete, të ndërthurura me forma organizimi në lagje dhe hapësira të tjera të jetës shoqërore, si klubet sportive, ato kulturore etj., mund të ndihmojnë në forcimin e strukturave horizontale të vendimmarrjes dhe në zgjerimin e bazës shoqërore të mobilizimit.

Në këtë drejtim, lëvizja e sotme studentore mund të mbështetet te përvoja e protestave studentore të viteve 2018–2019, të nxitura dhe të organizuara nga Lëvizja Për Universitetin. Kjo përvojë ka lënë pas një repertor veprimi kolektiv dhe njohuri organizative, të cilat mund të riaktivizohen në kushtet e sotme. Lëvizja aktuale mund t’i referohet kësaj trashëgimie, për ta shndërruar atë në një pikënisje për forma më të gjera e më të qëndrueshme organizimi, duke e zhvilluar potencialin e saj përtej hapësirës universitare dhe duke krijuar ura mes protestës studentore dhe shoqërisë në tërësi.

Rruga e dytë është përshkallëzimi i mëtejshëm i dhunës dhe i përplasjes me forcat e rendit, një skenar që rrezikon ta fusë lëvizjen në një spirale konfrontimi, pa një strategji të qartë politike dhe pa një objektiv të arritshëm në terma afatshkurtër. Në këtë rast, dhuna mund ta zhvendosë vëmendjen nga kërkesat politike, që e lindën protestën, të thellojë përçarjet brenda saj dhe t’i japë pushtetit mundësinë ta delegjitimojë atë.

Ekziston, megjithatë, edhe një rrugë e tretë, ku lëvizja nuk detyrohet të zgjedhë mes riorganizmit apo përshkallëzimit të dhunshëm por arrin ta shndërrojë energjinë e protestës në një formë më të qëndrueshme të veprimit politike. Kjo do të nënkuptonte ndërthurjen e protestës me forma të tjera të presionit politik dhe ndërtimin e një alternative të pavarur opozitare, që do të sfidonte fillimisht pretendimin e opozitës tradicionale mbi përfaqësimin e pakënaqësisë qytetare dhe, përmes kësaj, të krijonte kushtet për një sfidë më të drejtpërdrejtë ndaj pushtetit të Ramës.

Një alternativë e tillë nuk do të kërkonte doemos krijimin e një partie politike. Ajo mund të marrë formën e një infrastrukture autonome të organizimit dhe përfaqësimit qytetar, që ndërthur protestat me asamble publike, monitorimin e institucioneve dhe të tjera forma bashkëpunimi kolektiv. Megjithatë, që kjo rrugë të bëhet e mundur, nevojitet një marrëveshje e brendshme për krijimin e hapësirave të përbashkëta të vendimmarrjes, ku dallimet politike dhe strategjike mes forcave që e përbëjnë lëvizjen të mos zhduken por as të mos kthehen në pengesë për ecurinë e saj.

Zgjedhja mes këtyre rrugëve nuk është thjesht një çështje taktike por një pikë kthese për të ardhmen e lëvizjes së protestës dhe përpjekjen për transformim shoqëror në Shqipëri. Se cila prej këtyre drejtimeve do të materializohet eventualisht, mbetet ende për t’u parë.

(c) 2026 Gresa Hasa. Të gjitha të drejtat janë të autores.


Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe to get the latest posts sent to your email.

Bëhuni pjesë e diskutimit

Discover more from Peizazhe të fjalës

Subscribe now to keep reading and get access to the full archive.

Continue reading