STRUKTURIMI I MARRËDHËNIEVE ME DIASPORËN

Në takimin që u zhvillua me diasporën shqiptare në Romë, Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, shpjegoi në vija të përgjithshme dy linjat kryesore në të cilat po punon Ministria e tij në lidhje me qytetarët jashtë shtetit. E para ka të bëjë me krijimin e marrëdhënieve të strukturuara me diasporën, e dyta me përmirësimin e shërbimeve konsullore dhe asistencën e përfaqësive jashtë shtetit.

Në një takim politik si ky, do të ishte e tepërt t’i kërkonim Ministrit të jashtëm detaje të shumta, aq më shumë që, nga mesi i aktivitetit, ai iu përgjigj edhe pyetjeve kryesore që u mblodhën nga të pranishmit gjatë minutave të pushimit. Nismë për t’u përgëzuar pa dyshim, sepse nëpërmjet përgjigjeve anëtari i qeverisë e plotësoi fjalimin qendror, duke prekur çështje të rëndësishme si e drejta e votës së emigrantëve, njohja e kontributeve, promovimi i identitetit, shoqatat shqiptare, mësimi i gjuhës shqipe, etj. Megjithatë një pjesë e ndërhyrjes së tij mbeti e pa artikuluar mirë, aq më tepër që objektivi i deklaruar i takimit ishte “përfshirja e plotë dhe efikase e diasporës shqiptare në jetën politike, shoqërore dhe ekonomike të Shqipërisë”. Është fjala për pikën e parë. Ja si u shpreh literalisht Ministri Bushati:

Dëshirojmë të krijojmë një marrëdhënie të strukturuar me ju, nëpërmjet mekanizmave të përbashkëta për të ndërtuar dhe konsoliduar një partneritet të qëndrueshëm mes jush dhe nesh. Një komunitet gjithnjë e më i suksesshëm shqiptar duhet gjithashtu të mbajë dhe zhvillojë identitetin dhe lidhjen e tij me atdheun dhe për këtë duhet të punojmë së bashku për ta lehtësuar këtë proces. Ruajtja dhe lëvrimi i gjuhës shqipe, përbën në këtë aspekt një ndër proceset më të rëndësishme, që ecën krahas arsimimit dhe integrimi”[1].

Pohimit nuk ke ç’t’i shtosh, në kuptimin që fjalia qëndron nga ana kuptimore, madje tingëllon bukur, veçse mbetet në vija shumë të përgjithshme; aq të përgjithshme saqë tregon më shumë një dëshirë politike, e projektuar në të ardhmen, se sa një program për zbatim konkret, që i takon së tashmes.

Të gjithë do të ishim dakord me deklaratën se marrëdhëniet midis Shqipërisë e diasporës duhet të forcohen, por problemi qëndron në rrugët që duhen ndjekur e në mjetet që duhen përdorur. Përndryshe togfjalëshi “marrëdhënie të strukturuar” do të thotë shumë, ose asgjë. Si ndërtohen marrëdhëniet e strukturuara? Po deri tani si ishin? Sipas fjalorëve, veprimi i strukturimit ka të bëjë me rregullimin e ndërtimin e diçkaje sipas një rendi, ose një plani, duke respektuar një farë modeli ose mënyrë organizimi[2]. Me fjalë të tjera, mund ta vlerësonim dëshirën për strukturim, pra dëshirën për t’i rregulluar marrëdhëniet sipas një modeli ose plani; por cili është ky model e cili është ky plan? Qeveria e ka një ide, një program, apo është ende në pritje për sugjerime nga të tjerët?

E njëjta gjë vlen për “mekanizmat e përbashkëta”, një koncept tejet i përgjithshëm për të treguar diçka më të prekshme. Çfarë mund të shikojmë pas mekanizmave të përbashkët? Pa folur për “partneritetin e qëndrueshëm”, sipas gjasës terminologji e nxjerrë nga raftet e diplomacisë moderne, me nuanca gjeostrategjike, por e huazueshme edhe në fusha të tjera.

Fjalët kyçe tingëllojnë bindëse, sikurse i gjithë fjalimi, por mungojnë aspektet konkrete (me përjashtim të pjesës së shërbimeve konsullore). Ka rëndësi të padiskutueshme shprehja e vullnetit politik nga ana e Ministrit të Jashtëm, por ka rëndësi edhe paraqitja e zgjidhjeve konkrete të problemeve që kanë marrëdhëniet e Shqipërisë me diasporën. Përndryshe mbetemi në retorikën e zakonshme politike: deklarata parimore, fjalë të mira, shtrëngime duarsh, falënderime për falënderimet, fotografi ceremoniale, ndonjë selfie moderne…

Është e vërtetë se në aktivitetin e mësipërm shumë gjëra u thanë nga IOM (Organizata Botërore e Migracionit)[3], por informacioni, edhe pse interesant dhe më i nyjëtuar, nuk e kapërceu karakterin e përgjithshëm të përgatitjes së dokumentit politik. Fundja IOM flet si organizatë ndërqeveritare jo në emër të qeverisë shqiptare, e cila në teori mund edhe ta hedhë në kosh e të mos e miratojë dokumentin e përgatitur nga ekspertët kombëtarë e ndërkombëtarë. Ose ta miratojë, si shumë dokumente, strategji e ligje të importuara mekanikisht nga bota demokratike, por duke e destinuar të mbesë mbi letër.

Deri pak vite më parë mund të thoshim se problemi qëndronte tek pritshmëria  e krijuar. Tani përshtypja është se kjo pritshmëri, me kalimin e kohës, ia ka lënë vendin rasenjimit, që së fundi po jep shenjat e para të mosbesimit e të skepticizmit. Në fakt, nuk është hera e parë që flitet për rëndësinë e lidhjeve midis emigrantëve dhe Shqipërisë. Çka ndryshon, janë kontekstet historike dhe sociopolitike.

Dyshimi se kemi të bëjmë me një operacion në thelb propagandistik – e këtu e kam fjalën për aktivizmin e fundit para Samitit të anunçuar – nuk mund të fshihet me dy fjalë të mëdha më shumë, as me dy takime më tepër në agjendën e Ministrave. Përkundrazi, nëse ndjekin hullinë e deritanishme, ato e rrisin rrezikun e keqkuptimit të nismës për marrëdhëniet me diasporën. Kërkohen akte konkrete e të besueshme, çka nuk përjashton takime të vlefshme si kjo e Ministrit të Jashtëm.

Përse ndodh kjo? Sepse kanë kaluar shumë vite dhe diaspora shqiptare e ka parë që në thelb premtimet mbeten premtime, që vullnetet e nismat pozitive mbeten gjithnjë sporadike dhe/ose individuale, që aktivitet e ndryshme duken shpeshherë si orvatje përdorimi, që programet e projektet nuk kalojnë në planin konkret, ose nuk kanë efektet e dëshiruara.

Nga ana tjetër, nga fillimi i viteve 1990 shumë gjëra kanë ndryshuar, duke filluar nga emigrantët vetë, që nuk janë më ata “gjynahqarë” që u hipën anijeve drejt perëndimit. Vitet ikin për të gjithë dhe breza të rinj vijnë edhe në diasporë, me kërkesa e përgatitje të re, pa llogaritur procesin e rritjes cilësore, si ekonomike ashtu edhe kulturore, të emigrantëve vetë.

Ndërkohë edhe fenomene si mediatizimi dhe eventizmi e shtojnë dyshimin ndaj politikës. Edhe kur nuk është e vërtetë, nismat politike perceptohen si konsum për mediat, ndërkohë që shpeshherë ato ndërtohen thjesht si event, duke respektuar traditën moderne, sipas së cilës më shumë rëndësi ka skena se sa shfaqja në tërësinë e vet, më shumë rëndësi ka dasma se sa martesa mes dy personave të dashuruar, më shumë rëndësi kanë pallatet me ngjyra se sa jeta brenda tyre e në periferi, më shumë rëndësi kanë pjatat, mbulesat e qelqurinat se sa ushqimi, më shumë rëndësi kanë pritja madhështore dhe imazhi i përçuar se sa rezultatet e delegacionit apo të vizitës së personalitetit…

Shumë gjëra kanë mbetur për t’u diskutuar, sepse çështjet e migracionit e të diasporës janë të shumta, praktikisht të panumërta, që shkojnë nga problemet ekonomike deri tek ato identitare, por pa harruar objektivat madhore e të mirat e bashkëpunimit. Madje duhet të analizohen edhe koncepte të diskutueshme, anipse të marra si të mirëqena, si ajo e diasporës, apo vetë ndarja “ne dhe ata/ne dhe ju” në diskursin publik[4]. Sikurse mund të flitet seriozisht për “diplomacinë kulturore” dhe rëndësinë e saj në botën aktuale.

Si për ta koklavitur situatën, ka trokitur së fundi shoqëria e globalizuar e rrjeteve sociale, që i vendos në një dritë tjetër problemet e migracionit, të shtruara prej vitesh mbi tryezë. Në hapësirën virtuale koncepti “ne dhe ju” shkon e zbehet, duke dhënë forma të reja ndërveprimi kulturor përtej kufijve tradicionalë.

Si mund të përballohet kjo sfidë e jashtëzakonshme për Shqipërinë, emigrantët e shqiptarinë? Si mund të strukturohen marrëdhëniet e Shqipërisë me diasporën? Së pari së bashku, së dyti nëpërmjet besimit e njohjes së ndërsjellë, së treti me veprime konkrete. Por se si krijohen këto premisa, të gjithë e dimë.

 


[1] Fjalimin e plotë të Ministrit Ditmir Bushati, mbajtur në takimin në Romë (1 qershor 2016) e gjeni këtu.

[2] Fjalori italian Garzanti shpjegon: “Strutturare – ordinare, disporre, costruire qualcosa secondo un ordine, una struttura“; ndërsa Oxford Dictionaries shkruan: “Structure – construct or arrange according to a plan; give a pattern or organization to“.

[3] Ministri i jashtëm tha: “Projekti që Ministria e Punëve të Jashtme po realizon në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Migracionit, e me të cilin do të keni rastin të njiheni më në detaj pak më vonë, është vetëm një pjesë e strategjisë dhe punës që kemi ndërmarrë për Diasporën shqiptare”.

[4] “Shprehja “ne dhe ata/ne dhe ju”, në forma të ndryshme gramatikore, mund të përkthehet si “ne në Shqipëri dhe ata të ikurit”, ose e kundërta “ne të ikurit dhe ata në Shqipëri”. Por edhe ajo “ne” ka nevojë për sqarime të mëtejshme. Pa përmendur theksin ose tonin me të cilin shqiptohen ndonjëherë, që konotojnë qëndrime aspak asnjanëse.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin