KULLAT E TIRANËS (I)

Njeriut i pajtohet syri me gjithçka; madje edhe në skenarin më të keq, një pamje përndryshe e pakëndshme, në mos e shëmtuar, vjen e bëhet pjesë e rendit të natyrshëm të sendeve, deri në padukshmëri.

Dhe aq më e vërtetë është kjo, me objekte statike, të palëvizshme, praktikisht të përhershme në hapësirë dhe në kohë, si ndërtesat.

Një ndërtese që nuk të pëlqen mund t’i largohesh dhe të bartesh gjetiu, por përndryshe nuk e heq dot sysh, përveçse po të jesh diktator (nuk po them terrorist) me dinamitin gati. E shumta, mund të vendosësh të ngujohesh aty, që të mos të ta fyejë vështrimin; dhe ashtu të shohësh vetëm ata që e shohin nga jashtë.

Por mendja kompenson dhe, me kohë, pranon gjithçka; njëlloj siç pranon relievin, pamjen e një mali në horizont, ose shtrembësinë e pashmangshme një peme të lashtë.

Edhe banori i Tiranës mësohet, dalëngadalë, që të mos i shohë kullat që mbijnë rishtas; qoftë edhe duke i pranuar si defekte fatale të peizazhit dhe duke ua falur fyerjen vështrimit. E bën këtë edhe për të mbrojtur ‘mendtë e kresë’; ose për të mbetur i shëndetshëm, në një qytet që herë-herë po sillet si i dalë mendsh.

Përkundrazi, për një vizitor të tanishëm si unë, të rritur e të zbutur në një Tiranë tjetër, kullat e reja janë të vetmet pamje ku më ngec vështrimi; si xhaketa e re në një gozhdë rebele tek dera.

E kuptoj që nuk duhet gjykuar një ndërtesë, para se të ketë përfunduar; dhe se karabinatë kanë gjithnjë një hije të frikshme, meqë rrinë pezull midis ndërtimit dhe shkatërrimit – ose një ngrehine që lind e ngrihet dhe një tjetre, që është duke u shkatërruar, po të luhet filmi i kohës në rrjedhë të kundërt.

Por një ndërtesë mund të gjykohet, edhe para se të jetë përfunduar, për vendin që lakmon të zërë, në skenografinë e qytetit.

Dhe prandaj më djeg e më shpon sytë, kjo kullë që më del përpara, sa herë që më duhet të kaloj nëpër qendër: kjo kulla që nuk ia di emrin, dhe ndoshta më mirë që nuk ia di (se emri ndonjëherë edhe të rren).

Kur e pashë për herë të parë, më dha përshtypjen e një gjiganti me benevrekë; por pastaj m’u kujtua Goxilla dhe vendosa që ta quaj ashtu: Goxilla, që po kërcënon Qytetin, me Q të madhe.

20160426_133825

Më duket edhe si simptomë e një patologjie urbane, e një shkurreje qimesh të serta, një shatërvani prej pluhuri, një lythi të luspët a një gjëmbi brinor në shpinë të Tiranës, që bie ndesh me gjithçka që ka përreth, në sfond dhe në kontekst – që nga godinat e ministrive te Katedralja Ortodokse, që tani harmonizohet rrjedhshëm me rrugën dhe zonën e qendrës ku ngrihet.

Edhe vinçi përbri ka më hijeshi dhe elegancë, se ky trup barkfryrë dhe ngjyrë kërme i Goxillës.

Ndoshta po të jetoja këtu do të mësohesha edhe unë me pamjen e saj; ose më mirë me gërvishtjen që kjo kullë ia bën qiellit; ndoshta do të arrija ta bindja veten se kulla të tilla duhen admiruar nga brenda, jo nga jashtë; ndoshta do të mësohesha edhe me idenë që ajo duhet gjykuar në ansamblin me disa kulla që do të rrethojnë qendrën – por nuk ma zhvlerëson gjë përshtypjen e tanishme.

Pa folur pastaj për funksionin që ajo do të ketë; njerëzit që do të hyjnë atje dhe që do ta banojnë dhe do ta konsumojnë dhe do të plazmohen prej saj si qenie të ndryshme nga ne; artin modernist të së të banuarit përgjatë një përmase vertikale, ose në konflikt me gravitetin; impaktin që ajo do të ketë në trafikun dhe në parkimin dhe në qarkullimin e këmbësorëve në një zonë aq të kongjestionuar sa udhëkryqi aty pranë.

Me siguri këto do t’i kenë menduar dhe planëzuar ekspertët përkatës; por intuita nuk është se pyet shumë për ekspertët; intuitën e zbut vetëm përsëritja, rutina, fakti i kryer. Kushedi për brezin që rritet tani, në Tiranën qytet (jo kryeqytet), horizonti me kulla kuturu do të shërbejë si ekran për ndjesitë dhe imazhet më të ëmbla të fëmijërisë.

Dhe atëherë Goxilla do të jemi ne.

 

2 Komente

  1. Keto kullat (perfshi dhe ate monstren qe do t’i ngjitet stadiumit dhe Tiranes si çiban) dhe ne pergjithesi betonizimi qe beri tranzitokracia shqiptare do lene pasoja per shume breza. Ne aspektin arkitekturor e infrastrukturor, mafio-tranzitokratet shqiptare i shkaterruan dhe permoren qytetet shqiptare (sidomos Tiranen) shume me shume sesa monstruoziteti i diktatures se monizmit qe zgjati gati dyfishin e kohes te tranzitokracise deri me sot. Nje qytet te pazhvilluar e nderton me vone, politbyrose ia merr vilat. Por, ketyre kullave dhe pallateve pafund ne Tirane praktikisht shqiptaret e disa brezave mundet vetem t’i pijne lengun.

    Teorikisht ato mund te prishen, por praktikisht kostoja dhe vullneti qe kerkon dicka te tille s’ka per tu gjetur ne Shqiperi te pakten per shume vite.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin