SHESHIN E BËN JO-SHESHI

4492149598_c3d1dbd861_bÇfarë më ka tërhequr vëmendjen, në diskutimet e tanishme për sheshin “Skënderbej” dhe veç atyre që i kam shkruar tashmë, është se palët që kanë marrë përsipër të ndërhyjnë e kanë përqendruar vëmendjen te sheshi si i tillë, duke lënë mënjanë kontekstin.

Por sheshi – si i tillë – është vështirë të përkufizohet, përveçse në mënyrë negative a si hapësirë e lirë midis ndërtesave, etj.; sepse përndryshe do të duhej të mjaftoheshim me konstatimin, detyrimisht banal, që sheshi është një hapësirë e sheshtë, çfarë mund të jetë edhe e vërtetë, por nuk ndihmon shumë.

Dhe, në fakt, çfarë e prish sheshin “Skënderbej” sot është se ai nuk arrin të jetë mirëfilli shesh, ose ta bëjë atë kapërcim cilësor nga hapësira e çfarëdoshme në një hapësirë me kuptim ose ndërmjetësuese; dhe nuk arrin sepse nuk ka ndërtesat e duhura, që ta rrethojnë dhe ta përcaktojnë.

Hidhuni një sy shesheve më të bukura, që keni parë anembanë botës; unë mund të përmendja Union Square ose edhe Madison Square në New York; ose Piazza del Popolo dhe Piazza Navona, në Romë; dhe në të gjitha këto raste, por edhe në shumë të tjera që mund të shtoja, natyrën sheshit ia japin sa shatërvanet ose parqet ose zbukurimet e tjera që ka aty, aq edhe ndërtesat që e rrethojnë.

Për sheshin “Skënderbej”, as Pallati i Kulturës as Hotel Tirana as Muzeu Historik Kombëtar nuk arrijnë të sigurojnë dekorin a sfondin e nevojshëm, sepse hoteli është absolutisht banal, ndërsa Pallati i Kulturës i rrëgjuar; ndërsa Muzeu Kombëtar, Xhamia e Ethem Beut dhe Banka duket sikur nuk janë gati për të marrë pjesë në përftimin dhe riprodhimin e sheshit, meqë i qëndrojnë gjysmë të kthyera anash.

Të krahasohet kjo me Union Square në New York – ku gjen një park me stola të shumtë dhe shatërvane dhe një kënd lojërash; dhe pastaj rreth e rrotull sheshit gjithfarë dyqanesh rrobash dhe këpucësh, një librari e madhe Barnes & Noble, dy-tre qendra tregtare disa katëshe, dy supermarkete ushqimore, një dyqan pajisjesh elektronike, një dyqan Apple, dy komplekse kinemash, të paktën një teatër, dhe të tjera atraksione për qytetarin – pa folur për tregun fshatar që hapet aty në fundjavë dhe për një stacion të madh metroje; dhe të gjitha këto në një hapësirë ndoshta më të vogël se sheshi “Skënderbej”!

Për më tepër, me përjashtim të shfaqjeve që jep herë pas here mbrëmjeve Teatri i Operës dhe aktiviteteve që zhvillon Muzeu me anekset e tij, sheshi “Skënderbej” nuk ka ç’t’u ofrojë shumë qytetarëve a vizitorëve, përveç kalimit: i mungojnë restorantet, dyqanet e mëdha, galeritë e artit, baret, pub-et dhe lokalet ku mund të kalohet mbrëmja; sikurse i mungojnë parqet ku njerëzit mund të mblidhen për të ndenjur bashkë dhe për të kaluar kohën; dhe i mungojnë, më në fund, ndërtesat monumentale-historike ose të tilla që t’i japin shkëlqim sheshit edhe pa u përdorur – në kuptimin që nuk ka nevojë të futesh në Shën Pjetër as të jesh katolik, për të shijuar qëndrimin në sheshin përpara. Sheshi “Skënderbej” është dumb.

Në këto rrethana, nuk ka shumë kuptim as vlerë të ndërhyhet në shesh me rrugë kozmetike, në një kohë që ky mund ta marrë veten dhe të rehabilitohet vetëm në qoftë se i jepet konteksti urban i domosdoshëm. Sado paradoksale që të tingëllojë kjo brenda debateve të sotme, sheshi “Skënderbej” ka nevojë për ndërtime të lehta dhe multi-funksionale, përfshi këtu edhe restorante dhe kafe që për një pjesë të madhe të vitit mund t’u shërbejnë klientëve përjashta; me kusht që të ketë hije të mjaftueshme; si dhe për vende të tjera tërheqëse për qytetarët, vizitorët dhe publikun. Ashtu ndoshta do të merrte jetë një shesh sërish i dashur për Tiranën dhe qytetarët e saj dhe një pol kundërpeshues i bllokut, për grumbullime mbrëmjeve.