Titulli: Mbi televizionin
Autori: Pierre Bourdieu
Përktheu: Dilfirus Vrioni
Pika pa sipërfaqe, nëntor 2014
Përgatiti për Peizazhe të Fjalës: Dilfirus Vrioni
1.
Televizioni është një instrument komunikimi me autonomi shumë të vogël, mbi të cilin rëndojnë një sërë shtrëngimesh, që kanë të bëjnë me marrëdhëniet sociale mes gazetarëve, marrëdhëniet e konkurrencës së egër, të pamëshirshme deri në absurd, të cilat janë gjithashtu lidhje të bashkëjetesës, të bashkëfajësisë objektive, të ngritura mbi interesa të përbashkëta që lidhen me pozicionin e secilit në fushën e prodhimit simbolik dhe në faktin se ata (gazetarët) kanë të përbashkëta strukturat njohëse, kategoritë e perceptimit dhe të vlerësimit që lidhen me origjinën e tyre sociale, me përgatitjen (apo me mospërgatitjen) e tyre. Si rrjedhojë ky instrument komunikimi, që është televizioni, i cili në dukje duket si i pakontrolluar, në fakt është i kontrolluar.
2.
Gazetaria është një nga zanatet ku gjejmë më shumë njerëz të shqetësuar, të pakënaqur, të revoltuar apo dhe cinikisht të dorëzuar, ku shprehet në mënyrë shumë të zakonshme (mbi të gjitha nga ana e të nënshtruarve, natyrisht) bezdisja, neveria apo shkurajimi përballë realitetit të një pune e cila vazhdon të përjetohet e të justifikohet si “e veçantë nga të tjerat”. Por është ende larg situata kur këto zhgënjime e këto refuzime do të mund të merrnin formën e një rezistence të mirëfilltë individuale, e mbi të gjitha kolektive.
3.
Gazetat e reflektimit dhe analizës janë shfaqur në fund të shekullit XIX si reagim ndaj gazetave me tirazh të lartë që destinoheshin për publikun e gjerë, gazetave të sensacionit të cilat gjithnjë kanë ndjellë frikë apo pështirosje tek lexuesit e kultivuar. Lindja e masmedias perfekte, që është televizioni, nuk është pra një fenomen pa precedent, po të mos marrësh parasysh efektivitetin që ka në shtrirje gjeografike.
4.
Në jetën e përditshme flasim shumë për shiun dhe për kohën e bukur, sepse jemi të sigurt që kjo temë nuk prek askënd – përveçse në rastin kur flasim me ndonjë fshatar i cili ka nevojë për shiun në kohën e pushimeve verore. Moti është tema soft par excellence. Sa më shumë një gazetë ka qëllim shpërndarjen aq më shumë shkon drejt temave drejt temave omnibus të cilat nuk ngrenë asnjë problem. Sa më shumë që një media synon të zgjerojë publikun, aq më shumë shndërrohet në një subjekt “omnibus”, i cili nuk ngre më probleme. Objekti i lajmit ndërtohet konform kategorive të perceptimit të publikut, pra, të marrësit të informacionit.
5.
Më e vështirë për t’u vënë re është një tjetër rrjedhojë që vjen me rritjen e peshës relative të televizionit në hapësirën e mjeteve të shpërndarjes, dhe po ashtu rritjen e peshës së shtrëngesave komerciale mbi televizionin që tashmë është bërë dominant, është kalimi prej një politike të aksionit kulturor përmes televizionit, tek një lloj demagogjie spontaniste (e cila qartazi ngjet mbi të gjitha në televizion, por që i ka bërë për vete tashmë edhe gazetat e ashtuquajtura serioze: këto i lënë një vend gjithnjë e më të madh atij lloji të lajmëtarit të lexuesit që del tek tribunat e lira, tek opinionet e lira). Televizioni i viteve ’50 lypsej të ishte kulturor, dhe në një farë mënyre e vinte në përdorim monopolin e vet për t’i imponuar të gjithëve produkte me një farë pretendimi kulturor (dokumentarë, përshtatje të veprave klasike, debate kulturore, etj.) dhe kësisoj formonte shijet e publikut të gjerë; ndërsa televizioni i viteve ’90 u fokusua tek shfrytëzimi dhe te përkëdhelja e shijeve të publikut, në mënyrë që të kapet një audiencë sa më e gjerë, duke i ofruar spektatorëve produkte bruto që si paradigmë kanë talk-shoë-in, copëza jete, shfaqje pa vello e eksperiencave të jetuara, shpesh ekstreme e të atilla që ngopin një formë vojerizëmi dhe ekzibicionizmi (gjë që e bëjnë p.sh. dhe lojërat televizive, në të cilat njerëzit mezi ç’presin të marrin pjesë, qoftë dhe si spektatorë të thjeshtë, mjaft të përfitojnë ndonjë sekondë shikueshmëri televizive). Por, pasi them këtë më duhet të sqaroj, unë nuk jam nostalgjik si disa, për televizionin pedagogjiko-paternalist të të shkuarës, dhe mendoj se ai është po aq kundërshtar i një përdorimi realisht demokratik të mjeteve të emetimit në shkallë të madhe, sa dhe spontanizmi populist dhe nënshtrimi demagogjik ndaj shijeve popullore.
6.
Kronika e zezë, siç e thashë, ka për qëllim të krijojë zbrazëtinë politike, të depolitizojë dhe ta reduktojë jetën në anekdotë dhe në thashetheme (që mund të jenë kombëtare apo globale, me jetën e star-ëve apo jetën e familjeve mbretërore). E gjithë kjo duke e fiksuar apo duke e mbajtur vëmendjen te ngjarjet pa rrjedhoja politike të cilat i dramatizojnë për të “nxjerrë mësime” apo për t’i shndërruar në “probleme të shoqërisë”, dhe është pikërisht në këtë pikë që filozofët televizivë thirren në lojë, për t’i dhënë kuptim të pakuptimshmes, qesharakes, aksidentales që ushqejnë në mënyrë artificiale dhe e sjellin në ballë të skenës dhe e kthejnë në një eveniment.
7.
Si rrjedhojë sot gazetarët e shtypit të shkruar kanë përpara tyre një zgjedhje: a duhet të shkojnë nga drejtimi i modelit dominant, që do të thotë të bëjnë gazeta që janë pothuajse-lajme televizive, apo duhet që të theksojnë diferencën dhe të krijojnë një strategji të diferencimit të produktit? A duhet hyrë në konkurrencë, me gjithë rrezikun se mund të humbasësh në të dyja garat, pra edhe të humbasësh publikun që përgjithësisht asociohet me përkufizimin strikt të mesazhit kulturor, pra që kërkon theksimin e dallimit në fjalë?
8.
Pra unë mendoj që aktualisht të gjitha fushat e prodhimit kulturor janë nën ndikimin e fushës së gazetarisë, dhe jo të këtij apo atij gazetari, të këtij apo atij drejtori kanali televiziv, sepse edhe këta vetë i tejkalon forca e fushës. Ky shtrëngim ka efekte sistematike, ekuivalente në të gjitha fushat. Fusha gazetareske reagon, si e tillë, në fushat e tjera. Thënë ndryshe, një fushë e cila vetë dominohet gjithnjë e më shumë nga logjika komerciale, imponon gjithnjë e më shumë shtrëngime në universet e tjera. Përmes presionit të audimatit pesha e ekonomisë ushtrohet mbi televizionin, dhe, përmes peshës së televizionit mbi botën e gazetarisë, kjo peshë bie mbi gjithë gazetat, qoftë edhe tek ato më “të kulluarat”, si dhe te gazetarët që pak nga pak e lënë veten që t’u imponohen problemet e ngritura nga televizioni. Dhe në të njëjtën logjikë, përmes peshës së gjithë bashkësisë së fushës gazetareske, kjo rëndon mbi gjithë fushat e prodhimit kulturor.
9.
Ndonjëherë habitemi tek shohim në televizion historianët që nuk janë dakord midis tyre. Ajo që ne nuk kuptojmë në këtë rast është se shpesh në këto debate vihen përballë njerëz që s’kanë asgjë të përbashkët me njëri-tjetrin, e që në fakt nuk duhet të kishin biseduar fare bashkë (është pak a shumë sikur të vini përballë – dhe gazetarët e adhurojnë këtë – një astronom dhe një astrolog, një kimist dhe një alkimist, një sociolog të fesë dhe kreun e një sekti fetar, etj.).
10.
Është e mundur dhe është e domosdoshme të luftohet kundër audimatit në emër të demokracisë. Kjo duket shumë paradoksale, sepse njerëzit që mbrojnë sundimin e audimatit pretendojnë se s’ka gjë më demokratike se kjo (ky është argumenti i preferuar i cinikëve që e përdorin televizionin për shpallje e për publicitet, të mbështetur prej disa sociologëve, për të mos folur pastaj për eseistët dritëshkurtër që e barazojnë kritikën e sondazheve – dhe të audimatit – me kritikën e të drejtës së përgjithshme të votës), se njerëzve u duhet lënë e drejta për të gjykuar, për të zgjedhur (“janë paragjykimet tuaja prej intelektualësh elitistë që ju bëjnë ta përçmoni gjithë këtë gjë”). Audimati nënkupton imponimin e tregut, të ekonomisë, pra të një ligjshmërie të jashtme dhe tërësisht komerciale, e nënshtrimi ndaj ekzigjencave të këtij instrumenti të marketingut në rrafshin kulturor është saktësisht i barabartë me atë që në rrafshin e politikës është demagogjia e orientuar prej sondazheve të opinionit.
1×10 është një seri e re që i prezantohet lexuesit të Peizazhe të Fjalës. Ideja është e thjeshtë: një libër në dhjetë copëza. Ky “cungim” i librit nuk vjen gjë nga parimi se mjafton një gotë për të marë vesh ç’verë ka fuçia, por nga shpresa se oreksi për dijen dhe leximin vjen duke “pirë”.