JU PUNONI, ATA JU PAGUAJNË

punaSi reagon pushteti ndaj kritikës? Me shumë mënyra, por vetëm rrallëherë duke e pranuar dhe duke dhënë llogari – edhe pse të pra
nosh kritikën tregon përgjegjshmëri, dhe përgjegjshmëria është virtyti i parë i pushtetit.

Por shpesh dëgjon dhe sheh që kritikën ta delegjitimojnë, duke diskredituar burimin (me sulme ad hominem të tipit “pse nuk të njohim ne ty?”); ose ta shpërfillin duke i thënë kritikuesit “nuk je informuar”, edhe pse përgjegjshmëria, për mosinformimin e palëve, zakonisht i mbetet pushtetit; ose, më në fund, ta likuidojnë duke ia atribuuar gjithnjë opozitës, ose asaj pale që kritikon sepse “atë punë ka.”

Një lloj i ri kundërshtimi i kritikës që ka marrë hov tani së voni, dhe që unë do ta quaja anti-politik ose protofashist, ia kundërvë diskursin kritik punës, me pak a shumë këtë formë: “Kollaj të kritikoni siç bëni ju; provoni të përvishni mëngët dhe të punoni si ne, pastaj flasim.”
Brenda këtij argumentimi, pushteti paraqitet si entiteti që “punon”, ndërsa kritikët e tij, të quajtur rregullisht “kritizerë”, pikturohen praktikisht si parazitë, që sulmojnë pushtetarët nga rehatia e laptopit (edhe pse mjafton një vështrim në rrjetet sociale, për t’u bindur se pushtetarët kalojnë shumë më tepër kohë duke u mburrur për “arritjet” e tyre në Facebook se kritikët e tyre).

Vëreni strukturën e këtij delegjitimimi: ne punojmë, ndërsa ju flisni. Gjithçka në këtë strukturë është e gabuar, e gënjeshtërt, hipokrite, populiste dhe, në analizë të fundit, proto-fashiste.

Dhe ja pse: e para, ngaqë edhe kritika është po aq punë sa administrimi i gjërave; e dyta, ngaqë puna nuk ka ndonjë vlerë në vetvete, meqë mund të bësh punë të mirë, sikurse mund të bësh edhe punë të keqe ose të shkaktosh dëme ndonjëherë të pariparueshme (po ashtu: mund të bësh kritikë të mirë, sikurse mund të bësh kritikë të keqe); e treta, këta pushtetarë, që po u robëtokan në punë, në fakt paguhen mirë për punën që bëjnë, dhe, si rregull, nuk e kalojnë dekadën pa u shndërruar në milionerë – ndërsa kritika u bëhet zakonisht falas.

Dhe më në fund: të reflektosh dhe të sqarohesh me mirëkuptim dhe përulësi për kritikat që të bëhen, është edhe ajo punë. [A.V.]

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin