EDHE NJË VIT PA NJERËZ

Një traditë tashmë e pabukur: në fund të dhjetorit, mediat zgjedhin “njeriun e vitit” – këtë herë për 2015-ën.

U hodha një sy dy anketave, të gazetës “TemA” dhe të “Top Channel”, për të parë se cilët fatlumë kishin merituar dafinat e publikut.

Tek “TemA” gjej Albin Kurtin, Donald Lu-në, Erion Velinë, Gjergj Bojaxhiun, Shenasi Ramën, Ben Blushin, Astrit Patozin, Arlind Qorrin – çfarë më bëri sakaq të dyshoj se mos është fjala jo për njeriun, por për politikanin e vitit: dallim kritik.

Pastaj shoh në listë edhe poeten Rita Petro dhe trajnerin e kombëtares së futbollit Gianni De Biasi.

Çfarë për mua lexohet si katastrofë.

Personazhet në fjalë janë të “nominuar” nga gazeta; çka do të thotë se një punëtor i medias (sa po më pëlqen kjo fjalë) ka vrarë mendjen për të gjetur një numër shqiptarësh të meritueshëm, për 2015-ën, dhe ka ngecur në emra politikanësh.

Duke i ftuar lexuesit që të zgjedhin nga grup njerëzish që u kanë ardhur në vëmendje ngaqë kanë dashur; dhe ngaqë i kanë pompuar partitë politike dhe mediat.

Pa paragjykuar asnjë prej këtyre individualisht, sepse nuk është vendi, do të shtoj vetëm se, nëse ka një kategori nga ku nuk mund të zgjidhet njeriu i vitit, për 2015-ën, në Shqipëri, kjo kategori është politika.

E cila në vija të trasha ka dështuar në mënyrë spektakulare – duke prodhuar veç fjalë, dukje, skenografi, propagandë, bullshit dhe televizion.

Por këtu më kujtohet se, vetëm pak ditë më parë, një OJQ nderoi me çmim suksesi një ministër që kish veç 3 muaj në detyrë; ndërsa dhoma e biznesit i dha çmim numrit dy të qeverisë pse “ka mbështetur biznesin” (Lexoni këtë shkrim nga Afrim Krasniqi).

Tek lista e “TemA-s” del edhe poetja Rita Petro, për shkak të polemikave që shoqëruan librin e saj “Vrima”, të nderuar me çmimin “Lumo Skëndo” – edhe pse çmimi nuk iu dha veprës letrare, por tipografisë dhe dizajnit të një libri që përndryshe kish kohë që qarkullonte.

Njëfarësoj, ky “nomination” i Petros më kujton fitimtarin e vjetshëm të “Top Channel-it”: Ballist Morinën.

Këtë vit anketën e këtij televizioni e ka fituar De Biasi dhe kombëtarja e Shqipërisë.

Të paktën Top Channel ka meritën që përfshin, në sugjerimet për njeriun e vitit, edhe njerëz që janë shquar për gjeste heroike, bamirësi dhe sakrifica – emra që për fat të keq nuk kanë marrë kurrë ekspozimin e duhur në mediat.

Politikani kosovar Albin Kurti ka marrë mjaft vota në të dy listat. Sërish te Top Channel-i, Ismail Morina këtë herë nuk ka mundur dot të shkojë më lart se vendi i gjashtë (mbase është momenti që të japë dorëheqjen).

Mungojnë në listat intelektualët publikë, akademikët, shkrimtarët e njohur, publicistët me peshë, artistët e mirënjohur, përfshi këtu ata të arteve vizuale dhe kompozitorët dhe dirigjentët, veprimtarët civilë, arkitektët (në një vend ku veç ndërtohet), regjisorët e filmit dhe të teatrit dhe të programeve televizive, instrumentistët e shquar.

Sikurse mungojnë emrat e suksesshëm në fushën e biznesit dhe të financës, sipërmarrësit e guximshëm, ata që kanë krijuar vende pune dhe që kanë rritur eksportet, organizatorët e mirë të eventeve kulturore, sipërmarrësit dhe kuratorët në lëmin e artit, mjekët që u janë gjendur pacientëve pranë, veprimtarët e shquar në fushën e arsimit…

Top Channel-i pat nominuar, në një kategori të veçantë, emra si Ilir Hoxholli, Ismail dhe Gjetan Keta, Etleva Nallbani, Idriz Mulkurti, Edor Kabashi, Parid Teferiçi: por njohja e këtyre nga publiku duhet përfshirë tashmë në ato kategori që mbrohen nga shteti.

Çfarë shansesh kanë sot një arkeologe, një gjykatës që bën punën e vet përballë kërcënimit, një biolog dhe një poet, përballë Ballist Morinës dhe ngazëllimit të turmës, që e ngre këtë në piedestal?

Dhe është i mjerë ai vend, ku publiku – i pyetur për njerëzit që i janë dukur më të shquarit gjatë vitit – emëron kryesisht politikanët, të cilët janë bërë të tillë, të shquar, duke ua imponuar fytyrat e tyre mediave.

Për mua ky është efekt i masakrimit që i bëhet realitetit social nga mediat; bombardimit të shikuesve dhe të lexuesve nga fytyrat, fjalët, gjestet dhe bëmat e një grushti njerëzish që kanë kapur pushtetin dhe që duan me çdo kusht të kompensojnë për dështimet e tyre nëpërmjet protagonizmit: politikanët.

Të anketuarit nuk mendojnë dot për emra të tjerë, sepse mediat ua kanë populluar hapësirën publike me politikanë. Nuk shqetëson thjesht protagonizmi qesharak i politikës, por bindja tashmë e konsoliduar, se politikës i takoka natyrshëm ky rol.

Edhe prania në listat e nominimeve e emrave të tillë spektakularë si Ballist Morina dhe Rita Petro veç më konfirmon shkallën e manipulimit të mendjeve – meqë këta kanë qenë njerëz të vitit për mediat vetë, të cilat kanë rendur pas shitjeve, klikimeve dhe “share”-it.

Bën përjashtim këtu – për fat të mirë – kombëtarja e futbollit, nën drejtimin e trajnerit Gianni De Biasi, e cila u kualifikua për finalet e Europianit; pa çka se e përdorur dhe abuzuar edhe ajo për qëllime dhe manipulime nacionaliste nga politika.

Politika, nacionalizmi, skandalet: ja një vit për t’u harruar sakaq; ja një vit për t’u hedhur në vrimë, teksa lexuesit dhe shikuesit gatiten për një vit tjetër të hareshëm, nën shenjën e panem et circenses.

1 Koment

  1. Edhe nje vit pa liber mendova kur i hodha nje sy listes “2015, ne 15 libra shqip” pergatitur nga nje punetor anonim i medias per gazeten MAPO. Supozohet te jete “një pasqyrë [e] 12 muajve që janë shënuar nga emra të njohur dhe çështje të zhurmshme” ose thene ndryshe librave qe meritojne te permenden per kete vit, per te mos thene librat me te mire te vitit sipas nje autoriteti anonim.

    Cka me ra ne sy menjehere eshte se shumica e librave jane botuar ne nentor, gjate Panairit te Librit; kohe e mjaftueshme per te bere buje e zhurme por aspak per te lene nje shenje aq me teper kur per nje pjese te ketyre librave nuk kane patur mjaftueshem vemendje. Nga renditja qe u ish bere kuptohej se punetori i medias thjesht u ka kerkuar botuesve te paraqesin disa tituj qe sipas tyre meritojne te perfshihen, ne vend qe te bente vete nje permbledhje te titujve sipas nje kriteri te caktuar, cka flet per shumellojshmerine e titujve qe s’i lidh asgje mes tyre, vec kalendarit. Ka qene nje vit me libra por perseri nje vit pa vleresim per librin, barre qe jo detyrimisht u takon vetem gazetareve te kultures.

    TOENA
    Fatos Kongoli, “Gjemia e mbytur” – shkurt
    Bashkim Shehu, “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve” – janar
    “Të gjallë e të vdekur”, Ilirian Zhupa – nentor
    “Vajzat e mjegullës”, Namik Dokle – nentor

    ONUFRI
    “Arti si mëkat” dhe “Kukulla”, nga Kadare – shtator dhe maj
    “Heronjtë janë të uritur”, nga Gëzim Qëndro – tetor
    Agron Tufa, “Gurit të varrit ia tregoj” – nentor

    UET PRESS
    “Kandidati” i Ben Blushit – tetor
    “Tre divorcet e Viktor N.”, Rudolf Marku – nentor

    SARAS
    Kim Mehmeti, “Shpërngulja e të vdekurve” – nentor
    “Ambasadori i Melkizedekut”, nga Veton Surroi – nentor

    POETEKA
    Luan Starova, “Kartagjena nuk mposhtet” – dhjetor
    “Në gjuhën e zgjimit”, Lindita Komani

    PEGI
    Darien Levani “Dopio gjashta” – tetor
    “Tokëmjalta” e Enit Karafilit – nentor

Komentet janë mbyllur.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: