MEDIA PRIVATE, PUBLIK I PRIVATIZUAR

Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Florian Raunig, i është kthyer sërish plagës së mass mediave në Shqipëri, në një diskutim pas gjase të përqendruar në çështjen e mëkëmbjes së Radio-Televizionit Shqiptar.

Ai paska thënë me atë rast se media shqiptare – në përgjithësi – nuk po sjell përmbajtje të tillë që t’u shërbejë interesave të publikut dhe njohjes më së gjerë të asaj çfarë ndodh në rajon.

[K]y numër i madh subjektesh mediatike ofron, në fakt, përmbajtje shumë të kufizuar dhe është shpesh i bujshëm e me besueshmëri të kufizuar. Gjithashtu, media përqendrohet shumë në çështjet e brendshme […]

Ka vërejtur Raunig.

Mediat e Tiranës si vetë-shërbyese, indiferente ndaj interesave të publikut dhe misionit të tyre për të informuar; dhe me besueshmëri të kufizuar.

Kjo ka qenë edhe përshtypja jonë, që tashmë gjen konfirmimin e duhur nga një zë i mirinformuar.

Në fakt, dhe me gjithë praninë e spikatur të individëve që e kuptojnë dhe përpiqen ta vënë në jetë misionin e tyre qytetar, mass mediat e Tiranës u shërbejnë padronëve të tyre dhe vetvetes.

Qëllimi i tyre kryesor nuk duket të jetë informimi, por kapja (uzurpimi) i publikut, me qëllim fitimi dhe manipulimi, komercial dhe politik.

Në këto rrethana, mediat nuk kanë arsye pse të alarmohen për rënien e besueshmërisë; sepse tashmë pakti i tyre i supozuar me publikun, për t’iu përkushtuar së vërtetës, nuk ekziston më.

Mediat kryesisht kërkojnë të monopolizojnë vëmendjen e publikut – lexuesve, shikuesve, dëgjuesve, klikuesve – duke ofruar dëfrim, argëtim dhe spektakël.

Për këtë arsye edhe vëmendja e tyre, sa i përket pjesës informative dhe asaj info-tainment, mbetet e përqendruar në protagonistët e politikës në Tiranë – bëmat, fjalët dhe gjestet e tyre përcillen dhe rimerren hap pas hapi, a thua se ngrenë ndonjë farë peshe në jetën e qytetarëve.

Dhe kështu, politika si sistem marrëdhëniesh ndër-institucionale dhe mes vetë protagonistëve, shndërrohet në një skenë argëtimi 24/7, ku politikanët luajnë rolet kryesore dhe ashtu fitojnë dhe riprodhojnë popullaritetin.

Çka do të thotë edhe se më shumë qytetarë do të presin prej politikanëve të tyre, kur këta shfaqen në mediat, që këta t’i argëtojnë; meqë problemet dhe shqetësimet individuale askush nuk shpreson më që t’i zgjidhë me rrugë publike.

Degradimi deri në irrelevancë i radio-televizionit publik e simbolizon më së miri këtë përçudnim të funksionit dhe të misionit të mass mediave, në një sistem tashmë oligarkik ku hapësira publike është uzurpuar nga interesat private.

Ky zhvillim qartazi pasqyron dhe paralelizon degradimin e shëndetit publik përballë shëndetit privat; arsimit të lartë publik përballë arsimit të lartë privat; sektorit ekonomik publik përballë sektorit ekonomik privat, e kështu me radhë.

Sikurse qartazi pasqyron dhe paralelizon kapjen e hapësirës politike nga partitë, të cilat dallohen mes tyre më shumë nga interesat e kujt shërbejnë, se nga programet dhe idealet.

Mass mediat, ndonjëherë kundër dëshirës së profesionistëve që punojnë aty, po luajnë rolin e instrumenteve amorale të këtyre shndërrimeve, duke u kujdesur ndërkohë që t’i mbajnë të gjithë të kënaqur: padronët e tyre privatë, politikanët si yje të skenës mediatike dhe publikun vetë.

Vetë krerët e politikës në Shqipëri, ose uzurpuesit e mëdhenj të ekraneve dhe të kryetitujve, tashmë duket sikur po kujdesen më tepër të krijojnë përshtypjen a psikozën se alternativa ndaj tyre mungon, sa të luftojnë për të zbatuar programet dhe mbajtur premtimet, të arrijnë kompromise dhe konsensus me oponentët dhe të respektojnë përgjegjshmërisë ndaj zgjedhësve.

Në të vërtetë, edhe argalisjet e tyre publike tashmë bajate, edhe batutat që shkëmbejnë mes tyre e që pastaj përcillen dora-dorës nga një media në tjetrën mund t’ua kenë komprometuar vërtet autoritetin përballë qytetarëve; por nuk ua ka cenuar protagonizmin.

Siglat muzikore solemne, herë dramatike dhe herë funebre por gjithnjë simfonike, që shoqërojnë në sfond leximin teatral të titujve në edicionet e lajmeve – tituj për ngjarje të krijuara artificialisht ose për përgjigje të shpëlara në intervista me pyetje edhe më të shpëlara – nuk mund të fshehin dot faktin se mass mediave në Tiranë po u mungon gazetaria si pasion dhe përkushtim; sikurse u mungon autoriteti ndaj publikut.

Mirëpo as mass mediave, as elitës politike, nuk ka ç’u duhet më besueshmëria në raport me publikun, kur mund të shtien në punë, lirshëm dhe pa pengesë, arrogancën.

Vetë pluralizmi formal i mass mediave, ose “larmia” e kanaleve televizive, radiove, faqeve ueb dhe gazetave, tashmë shpreh veç pluralizmin ose më mirë mospërputhjen e interesave partikulare të pronarëve të tyre dhe të grupimeve të pushtetit – dhe vështirë se mund të llogaritet si vlerë e sistemit kushtetues.

Sa për informacionin e nevojshëm, publiku në Shqipëri kujton se po e siguron me kanale të tjera, “private”; i bindur se hapësira publike tashmë i përket manipulimit, dhe me shpresë se kushdo që e lë veten të manipulohet, ka ndonjë shans që, herë pas here, edhe të manipulojë.

I njëjti publik tashmë është mësuar me idenë – e mbrapshtë – se angazhimi aktiv në politikë, përfshi këtu edhe anëtarësimin në partitë politike, vlen vetëm për të rregulluar interesa private, si punësimi, shkollimi dhe raportet e konfliktet me ligjin.

Ky sistem komunikimi që zgjerohet e forcohet dita-ditës me bekimin institucional, synon në thelb rishpërndarjen e kapitalit – financiar, ekonomik, social dhe kulturor – në të mirë të një elite, e cila megjithatë nuk arrin të vështrojë përtej hundës së vet; dhe refuzon ta kuptojë se nuk do të arrijë t’i shpëtojë degradimit të shpejtë i Shqipërisë në vend me parametra jo vetëm ekonomikë dhe infrastrukturorë, por edhe politikë dhe kulturorë të botës së tretë.

(c) Peizazhe të fjalës. Mos e riprodhoni këtë shkrim, pa i marrë leje eksplicite autorit.

3 Komente

  1. nderkohe ne Panorama nje artikulli i nje deputeti qe me pare ishte i pranishem ne media si gazetar. Alfred Peza eshte lodhur te shkruaj dy fjale boshe sikur te ishte ende i se njejtes sere. Harron qe eshte deputet, dhe ka dy here pergjegjesi per cfare ndodh ne hapesiren publike e mediatike, si i zgjedhur per ate pune, dhe si i interesuar direkt nga profesioni i tij. E ne vend te flase se cfare ka bere ai per te rritur besimin e popullit ne median publike (TVSH), keput brockulla e fillozofon sikur te ishte nga jashte sistemit.

    1. Në shkrimin që përmend ti, Alfred Peza rënien e autoritetit të mediave në Tiranë, dhe veçanërisht shtypit, ia faturon (1) lirisë së fjalës dhe pluralizmit në përgjithësi, ose demokratizimit të informacionit dhe (2) Internetit dhe rrjeteve sociale. Kam frikë se këta dy faktorë kanë ndikuar në rënien e leximtarisë (readership) por jo të autoritetit; sepse autoritetin një media e ruan edhe sikur t’i ulet numri i lexuesve; sikurse mund të ndodhë që një media të ketë shumë lexues, por të mos ketë autoritet. Unë mendoj se autoriteti mediave u ka rënë, së paku në sytë e publikut në Shqipëri, ngaqë është cenuar raporti i tyre me të vërtetën dhe burimin e lajmeve, ngaqë është cenuar raporti i tyre me virtytin dhe me etikën në përgjithësi dhe ngaqë është cenuar raporti i tyre me pushtetin. Ajo që italianët e quajnë “maggioranza silenziosa”, e që ne mund ta quajmë “ata që nuk dëgjohen”, do ta humbin respektin për një media që boton lajme si ky që kam sjellë në imazh më poshtë. Mund ta lexojnë, mund të dëfrehen dhe të argalisen me të – por respekt nuk do të kenë më.

      https://xhaxhai.files.wordpress.com/2015/11/shokuese.jpg

  2. Xhaxha, ti thua:

    I njëjti publik tashmë është mësuar me idenë – e mbrapshtë – se angazhimi aktiv në politikë, përfshi këtu edhe anëtarësimin në partitë politike, vlen vetëm për të rregulluar interesa private, si punësimi, shkollimi dhe raportet e konfliktet me ligjin.

    Unë kam frikë se kjo bën pjesë tashmë në kulturën politike të shqiptarëve (shpresoj gjithnjë të një pjese të vogël). Madje hapësirat publike shpeshherë konsiderohen si çifligje, jo vetëm nga politikanët/pronarë, por edhe nga qytetarët e thjeshtë. Si mund të shpjegohet ndryshe batuta “Bravo i qoftë!” kur u referohet allishverisheve të politikanëve? Si mund të shpjegohen argumentimet e qeta, normale dhe pranuese, që tregojnë se kush qëndron pas kësaj apo asaj medie?

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin