T’I JAPËSH KUPTIM

Shfletoja tani një listë të pjesshme me të vrarët e mbrëmshëm në Paris: këtu një studente, atje një violinist, këtu një kameriere, atje një gazetar i muzikës rock, këtu kushërira e një futbollisti të kombëtares franceze, atje një fotograf…

duke u përpjekur t’i bëj ballë tundimit – sa të arsyeshëm aq edhe absurd – për të gjetur një pse: jo të atentateve terroriste në vetvete, sesa të faktit që vdekja zgjodhi pikërisht këta njerëz, krejt të panjohur për mua dhe megjithatë tani kaq të njohur; në kuptimin që m’i solli pranë tamam atëherë kur m’i hoqi nga bota.

Mendoja pastaj që, para një tmerri të tillë, para një dhjetimi të tillë brutal që iu bë njerëzimit, gjithsekush do të detyrohet – qoftë edhe vetëm për të gjetur pak ngushëllim – që të luajë rolin e vet formal; ose të harrojë, sado pak, vrimën që ia ka përshkuar edhe trupit të tij plumbi ose shrapneli i bombës tej për tej. Ta lërë veten mënjanë dhe të gjejë strehë të përkohshme tek roli, siç e gjen ndonjëherë emri te mbiemri: kryeministri do të premtojë përgjigje të rreptë dhe të menjëhershme, prokurori do të premtojë arrestim të viktimave, gjenerali do të rafinojë planet për të goditur disi dhe diku patjetër, prifti do të thotë një lutje për viktimat dhe një tjetër për agresorët, varrëmihësi do të rrëmojë dheun atje ku duhet.

Mendova pastaj edhe se shumë shpejt do të dalin edhe ata të tjerët, shushunjat që ushqehen e mufaten me tmerrin anonim, sekserët e mortit, për të përfituar: e djathta do të kërkojë mbyllje të dyerve dhe shpërndarje të çizmeve, e majta do të shkojë të rrëfehet, gazetarët do të zhbirojnë birat, konspiracistët do të na thonë “I told you so”, terroristët do të rivendikojnë, gjeopolitikanët do të zihen për hartat, të mëdhenjtë e kësaj bote do të takohen dhe do të marrin vendimin se kur do të takohen sërish.

Që nga e përtejmja, edhe Baudrillard-i do të shkruajë se atentatet e Parisit n’ont pas eu lieu.

Dhe nëse ka një gjë, që historia e terrorit më ka mësuar gjatë këtyre disa dekadave, së paku që nga deliri palestinez në vitet 1970 dhe pastaj zgjimi i Brigate Rosse dhe i grupeve të zeza në Itali dhe i Rote Armee Fraktion në Gjermani; për të mbërritur te terrorizmi me frymëzim dhe flamur islamik në vitet 1990 dhe te paroksizmi i 11 shtatorit 2001 në ShBA, pastaj metrotë në Madrid dhe në Londër, të hotelet në Mumbai, maratona në Boston dhe të tjera çarje në logjikën e së përditshmes, aq të ngjashme mes tyre; nëse ka një gjë, pra, që them se më ka vlejtur nga pasiviteti im prej barngrënësi, përballë mundësisë së vdekjes iminente, shtypjes nën karkasën e zgërlaqur të një pallati njëqind-katësh, groposjes nën një merimangë hekurash, shpërbërjes termike-mekanike të indit epitelial dhe karbonizimin e neuroneve, është se terroristët ose nuk janë gjetur kurrë, ose janë identifikuar dhe ndonjëherë dënuar, por ngjarjet vetë kanë mbetur të veshura me mjegull: paqartësi, kontradikta, depistime, futje hundësh nga shërbimet e fshehta, asgjësime provash dhe dëshmitarësh dhe vonesa inerciale institucionale, derisa edhe vetë viktimat të kenë përfunduar në statistika.

Nevoja urgjente për të identifikuar, pastaj kapur mundësisht asgjësuar me çdo kusht fajtorët buron kushedi nga shpresa se vrasjet e të pafajshme do të shërbejnë për diçka, madje edhe në absurditetin e tyre.

Asnjë aparat policor dhe hetimor, asnjë sistem dhe institucion gjyqësor, nuk mund të pajtojnë e të bëjnë të bashkëmatshëm banalitetin e aktit vetë: personit që tërheq këmbëzën ose shtyp telekomandën detonuese dhe hekatombën e vdekjes masive të dhunshme.

Mu këto ditë kisha qenë duke lexuar një libër të Pascal Quignard, Les Ombres Errantes, dhe ende më kish mbetur në baltërat e mendjes gjurma e një thënieje e hidhur – vdekja është gjahtari, ne s’jemi veçse preja (“Il faut penser ceci: le chasseur est la mort. L’homme n’est qu’une proie.”). Prandaj, me të dëgjuar për masakrën në Paris, m’u përhi në mendje imazhi i këtij Orioni mitologjik, gjigant të padukshëm, mendërisht të pakapshëm, që sillej rrugëve të Parisit, duke shkumuar nga goja, duke kërkuar prenë.

A e kupton dot vallë kopeja e gnuve që rendin diagonalisht tutje, arsyen pse disa syresh befas shemben përdhé, të përshkuara tejendanë prej shigjetave? Çfarë teorish përsiaten mes tyre pastaj gjatë ripërtypjes, çfarë premtojnë përçorët kryesorë dhe të urtët, çfarë kërkesash solemne u dorëzohen perëndive të Savanës?

Me bindjen se kushdo prej të vrarëve të Parisit mund të kisha qenë edhe unë; siç mund të kisha qenë mes të vrarëve të Bostonit, ose të Madridit, ose të Londrës, ose të Beirutit e më në fund të 11 shtatorit këtu në NYC; i vetmi mendim që më ngushëllon, në rolin tim të tanishëm si shkrues i këtyre radhëve, është se këto pré të një gjahu të pashkoqitshëm zotash, që na shfaqet herë si terror, herë si provokim, herë si politikë, herë si domosdoshmëri; këto pré kanë shërbyer, po shërbejnë – në një mënyrë për ne sërish të pakapshme – si viktima sakrifikale në altarin e historisë.

Sepse vetëm kështu mund t’i jap njëfarë shpjegimi edhe faktit tjetër, njëlloj të pashpjegueshëm, se të dashurit e mi, por edhe unë, jemi akoma gjallë: kësaj pseje edhe më enigmatike.

6 Comments

  1. Po e prisja kete shkrim nga ju e faleminderit, gjeta nje shkrim qe e lexova deri ne fund. Qe pas 11 shtatorit amerikan me eshte krijuar ideja qe cdo akt terrorist ne fund te fundit con ne favor te atyre qe ushqejne lufterat. Popujt humbin e industria e luftes fiton. Te gjithe shenojne me gisht armikun e rradhes per tu sulmuar por askush nuk shtron e te pergjigjet – Perse me urrejne deri ne vdekje, deri ne vetevdekje keta terrorist ?

  2. Aktet e terrorit ne Paris ne nje moment te pare mendja kerkon te mos t’i pranoje, nuk gjen shpjegim, ngjajne pa sens.

    Imagjino modelin francez, ku termi laïcité mendohet se jo vetem i jep kuptim ekzistences te cdo francezi, por eshte model ekzistence per vende si Shqiperia, qe e ka adaptuar me sukses qe ne periudhen e mbreterise.

    Kur gjenerata e afrikano verioreve te viteve 60-70, pas shthurjes koloniale vershoi dyerve te hapura te Frances nuk i shkonte mendja per mullahet qe linin mbrapa dhe nuk shikonin t’i gjenin ata ne France. Perqafonin me deshire sekularizmin e shtetit francez.

    Jane ata vete qe shokohen se si gjenerata e trete e lindur ne France, i degjon predikimeve te mullaheve terroriste dhe ne vend qe te pershendetin njeri tjetrin ne frengjisht, i kthehen njeri tjetrit me me nje “selam aleikjum”, ku paqja e Allahut, nenkupton, nje zemerim qe mund t’i pershendese bashkeqytaret e tyre me bresheri plumbash pabesije.

    Sekularizmi francez dhe mbare evropian po silurohet nga brenda nga militantizmi dhe kerkimi i nje identiteti absurd tek islami radikal dhe shamite e femrave; kjo prej njezetvjecareve mendje shterpe qe kane humbur identitetin.

  3. Shpesh ndodh që viktimat e një akti terrori të mos vuajnë – vdekja u mbërrin e menjëhershme, si flash-i i një aparati fotografik, i ndjekur sakaq nga errësira; e megjithatë, ka një abominacion te vrasja që i bëhet jo individit, si të tillë, me emër dhe mbiemër dhe jetë të vetën me chiaroscuro-t si e të gjithëve ne, por vrasja për të dërguar një mesazh, që e merr njeriun – viktimën – dhe e përdor si shenjë, si hieroglif të gatshëm për mediat. Kjo fshirje e tjetrit nga ekzistenca, si mënyrë ekstreme jashtëzakonisht cinike për të komunikuar, sikur vë në pikëpyetje krejt logjikën e jetës individuale, sidomos bindjen (iluzionin?) se kemi një farë kontrolli mbi çfarë bëjmë dhe çfarë na bëjnë të tjerët, që shpesh edhe përkon me mënyrën si e perceptojmë “lirinë.” Madje, në këtë kontekst, edhe vetë zhdukja e tjetrit, asgjësimi pa i dhënë kohë as të provojë dhimbjen, që do të ishte formë e dëshpëruar e respektit për një jetë të dhembshur; edhe vetë kjo zhdukje kështu brutale, a thua se është fjala për figura mbi një ekran që zhduken sapo ikin dritat në sallën e kinemasë, kjo zhdukje na lëndon thelbin, ose na heq të drejtën për ta mbajtur jetën të shenjtë, tonën ose të së tjerëve. Ka një tregim të Borges-it, El jardín de senderos que se bifurcan, ku rrëfehet për një vrasje të tillë, që nuk bëhet për terror, por në pamundësi për të dërguar një mesazh agjenturor me ndonjë mënyrë tjetër; vrasje që bëhet me lehtësinë me të cilën shkrimtari – i papërgjegjshëm, do të shtoja – largon një personazh nga narrativa, sepse nuk ka ç’të thotë më për të; ose kur regjisori i një seriali televiziv njëlloj e nxjerr një personazh nga skena, sepse këtij i ka mbaruar kontrata, ose kushedi për ç’arsye tjetër banale. Dhe kjo na turbullon thellë, sepse na lajmëron që dikush, që mund të jetë edhe personi i ulur ngjitur me ty në vagon të metrosë, ka mbi ty fuqinë që ka romancieri ndaj personazheve të veta; mund të të heqë nga ekzistenca me një të rënë të lapsit. Një fuqi që deri më sot ca prej nesh kanë këmbëngulur t’ia njohin vetëm Perëndisë, ose çfarëdo fuqie tjetër të përtejme, që ia thur kësaj bote narrativën dhe ia mban koherente. Një përkujtesë se edhe ti nuk je asgjë më tepër se shenjë (nuk ka asgjë të shenjtë te një shenjë), ose më keq akoma, shenjues, në narrativat e përbuzshme të Tjetrit.

  4. Xhaxha kur po lexoja shkrimin tend me sillej nder mend nje fjale ne frengjisht, fatalité Eshte nje fjale qe e degjon shpesh ne nje medium francez, ne nje bisede ulur ne nje nga lokalet pariziene, e degjon te permendet pothuajse ne cdo film francez, liber, etj.

    Shkrimi me krijoi kete ndjesi dhe me kujtoi nje poeme te Baudelaire Le Voyage qe permblidhet ne kapitullin e fundit (ne mos gaboj) te Les Fleurs du Mal nen titullin La Mort. Ne strofen e peste(pjeses se pare) Baudelaire shkruan:
    ……
    Mais les vrais voyageurs sont ceux-là seuls qui partent
    Pour partir ; cœurs légers, semblables aux ballons,
    De leur fatalité jamais ils ne s’écartent,
    Et sans savoir pourquoi, disent toujours : Allons !
    ……..
    Francezet i degjon shpesh te asociojne dy terma qe i kane per zemer: Fatalité dhe Liberté. Ne se nje akt i tille do te ndodhe ne Amerike, nje amerikan pritej qe te reagonte me zemerim(anger) se sa do te vazhdonte te ishte i shokuar dhe ne frike(frikesuar). Dhe ne pjesen e peste ai vazhdon:
    ………
    Amer savoir, celui qu’on tire du voyage !
    Le monde, monotone et petit, aujourd’hui,
    Hier, demain, toujours, nous fait voir notre image
    Une oasis d’horreur dans un désert d’ennui !

    Faut-il partir ? rester ? Si tu peux rester, reste ;
    Pars, s’il le faut. L’un court, et l’autre se tapit
    Pour tromper l’ennemi vigilant et funeste,
    Le Temps ! Il est, hélas ! des coureurs sans répit,
    …………
    Nje oaz tmerri ne nje shkretetire merzije(merzitije).

    Vrasesit ne menyre kriminale, kerkojne t’i largohen “d’ennui” me akte terrori; por fataliteti i momentit, vdekja, per shpirtin njerezor eshte nje disfate e perkoheshme. Njekohesisht shenon nje fillim te ri.

    Po Baudelaire, “fatalish”t ankohet, qahet se “la fatalité jouit d’une certaine élasticité qui s’appelle liberté humaine” – fat(alitet)i gezon nje lloj vetie elasticiteti qe i apelon(eshte terheqese per) lirise njerezore. Duke dale te thelbi i shkrimit, kur dikush per nje moment, ndoshta te vetem, ka ne dore te vendose fatin e nje qenie tjeter njerzore, duke zgjedhur “randomly” fatalitetin e momentit, per jeten dhe vdekjen e Tjetrit. Kjo ne frengjisht tingellon me mire se shqip: la condition humaine; ashtu edhe fjala fatalité.

    Keshtu pra “c’est le concept de fatalité, attaché à la condition humaine”.

  5. Dakort me c’shkruan me siper Xha Xha, por mua me shume se vdekja (kur ajo vjen une nuk jam me, sic thosh greku i vjeter, kuptimi i komentit tuaj me siper) me tremb jeta, pikerisht cmimi i ulet i jetes. Jeta e varfer, plot mundime, e mosperfillur, pa gezime, nje jete qe u ve ne mendje dyshimin per te jetuar, pa vlera, eshte kjo jete qe rrezikon qetesine. Duhet ti jepet me kuptim jetes per keta njerez qe jetojne ne mes te europes e ushqejne kaq shume urrejtje ne shpirtrat e tyre.

  6. Brenda nje sistemi kompleks ekziston gjithmone mundesia e nje aberracioni kanceroz. Shteti Islamik eshte i tille. Fenomene te ketij lloji kane ekzistuar gjithmone ne histori: komuniteti i Kumranit ne Detin e Vdekur (ai i Dead Sea Scrolls), havarixhet islamike, Antonio Conseilheiro ne Brazil. Keto fenomene zakonisht lindin kur sistemi eshte ne krize, dhe zgjidhja nuk eshte ende e prekshme. Keto ‘pre’ vertet sakrifikohen ne altarin e historise per te na treguar ne se historia nuk ka marre fund. Kemi 25 vjet qe kemi marre nje pushim nga historia. Ajo kerkon shpagim.

Comments are closed.