NJERIU MINIMUM

Kam pasur një koleg dikur, këtu në New York; punonte si PM në një agjenci me mua.

Njeri i ndjeshëm dhe nervoz, i rafinuar dhe ironik, siç i ndesh rëndom mes hebrenjve laikë të këtushëm.

Gjithnjë i sintonizuar me jetën kulturore në metropol – koncerte, movies, Broadway shows, muzikë, letërsi – vibronte natyrshëm me qytetin.

Pastaj erdhi një kohë kur erdhi e u zymtua dhe kalonte një kohë të gjatë duke vështruar ekranin e kompjuterit (waiting for something to happen, thoshte një koleg tjetër). Nuk bënte më shaka, nuk lexonte më, nuk futej më në biseda si dikur.

I deprimuar, më thoshte ndonjëherë edhe se, disa plane që kish për të shkruar e rishkruar një skenar filmi, nuk po i çonte më përpara.

Muajt kalonin dhe ai sa vinte e bëhej zhgualli a zgavra e çfarë kishte qenë dikur. Muhabetet i kish shkurtuar në ndërhyrje njërrokëshe, madje edhe telefonatat e punës po më dukej sikur nuk i zgjaste më.

(I kishim zyrat ngjitur.)

As të mërkurave, kur e kishim 1 orë pushimin e drekës, nuk e shihja më të kapërcente me hap të shpejtë ato dy blloqe nga avenuja e 7-të tek e 5-ta dhe të vinte e të sorollatej, sikurse unë, në korridoret mes rafteve të Mid-Manhattan Library.

Me siguri krejt energjinë shpirtërore e digjte në kacafytje me çfarë e gërryente përbrenda – ndoshta një neurozë depresive ose ankthi; ose kushedi ç’problem a hall tjetër, i jashtëm: një diagnozë e mbrapshtë, një ndarje me njeriun e dashur…; ose edhe të gjitha së bashku (kur të vijnë hapu derën).

Nuk kisha nga ta dija. Por ai vetë ma pranoi njëherë, ashtu si rastësisht, se ndihej shpirtërisht i rënduar, ose i errësuar; dhe se i kish ikur shija e gjërave.

E pyeta nëse kish folur për këtë me ndonjë mjek; e pyeta edhe nëse kish menduar kurrë të provonte ndonjë prej antidepresivëve më të rinj, që thuhej se kishin pak efekte anësore.

Ah, më tha, e di: nëna ime, që jeton në Florida, ka disa vjet që merr Celexa. Epo mirë, pra, i thashë. Pse nuk e provon edhe ti?

Nuk e di, plako, më tha. It messes with my head.

Me siguri kish provuar gjithfarë drogash të lehta në jetë – që nga hashashi. Kish pirë benzodiazepina dhe mbase edhe barbiturate, kur këto ishin të modës; mbase kish eksperimentuar edhe me kokainë ose LSD; e di me siguri që nuk e refuzonte një gotë verë ose edhe një shishe sipas rastit.

Por neurozën nuk donte që t’ia preknin, si fëmija që i konsideron fecet pronën e vet. Nuk ishte fetar, që ta konsideronte vuajtjen shpirtërore si ndëshkim ose mesazh nga Ai lart; por ishte baby boomer dhe e refuzonte çdo lloj manipulimi të mendjes, pse kushedi e përjetonte si ndonjë formë kontrolli ose nëpërkëmbje lirie (të drejtës për të qenë i sëmurë).

I ndarë nga gruaja, jetonte vetëm.

Dhe ashtu do të kalonte muajt e më pas vitet; i mësuar tashmë me neurozën si pjesë të unit të vet – xheloz për individualitetin, por në fakt skllav i një aksidenti.

E shtynte jetën si njeri minimal, i kapur me thonj e me dhëmbë pas një kamerdareje imagjinare, në mes të një deti imagjinar. Do të kish qenë e dhimbshme, për të dhe për mua që e shija përditë, sikur edhe ky refuzim për të dalë nga errësira të ishte gjithashtu një nga simptomat e neurozës.

Një fabul për ditën botërore të anti-psikiatrisë, kur të festohet.

2 Komente

  1. Me pelqen goxha percaktimi si “minimum” ne te funksionuarit e nje njeriu ne te tilla rrethana. Si dhe veshtrimi dashamires e me pas pershkrimi per kete njeri.

    Ironikisht per te, ben vaki qe ckado e bente te funksiononte vetem minimalisht gjithashtu e pengonte ta shikonte se rreth tij kishte njerez qe kishin dashamiresi per te dhe merak per gjendjen e tij depresive, qofte dhe njerez jo ne rrethin e tij te ngushte, si p.sh. koleget e punes. Gje e cila ndryshe mund ta kishte ndihmuar disi per ta kaluar gjendjen dhe per tu ri-orientuar ‘normalisht’.

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin