DITA E TUHAFËVE

Nuk arrij të gjej një barasvlerë të përshtatshme në shqipe, për anglishten CRACKPOT, si emër dhe si mbiemër, ashtu siç del në togfjalëshat crackpot science, crackpot theory, etj. Përkthime të sugjeruara nga fjalorët, si “tuhaf, i marrë, sharlatan, taravel” etj. janë fyese dhe mund të krijojnë keqkuptime; dhe për më tepër, nuk kanë të bëjnë me kuptimin “pseudo-shkencor” që ka mbiemri; dhe që u referohet teorive, hipotezave dhe parashtresave që paraqiten si shkencore, ose vijnë të veshura me petkat e shkencës a të dijes, por që në fakt nuk i plotësojnë as kriteret minimale për t’u konsideruar të tilla.

Në kulturën anglo-saksone, teoritë crackpot nxjerrin herë pas here krye në fizikë, zakonisht nga autorë që përpiqen të hedhin poshtë teorinë e relativitetit të Einstein-it; ose në mjekësi, nga autorë që dalin me hipoteza të papritura për shkaqe sëmundjesh të njohura, ose kura të mrekullishme sëmundjesh fatale, si kanceri; gjetiu nuk mungojnë teoritë për origjinën jashtëtokësore të qytetërimit të sotëm, për piramidat në Mars ose për kontinentet të humbura, etj. Në kulturën tonë, CRACKPOTS e kanë përqendruar vëmendjen dhe energjitë e admirueshme tek origjina (ndonjëherë “mistike”) e gjuhës shqipe dhe prejardhja e shqiptarëve; duke i lidhur të dyja këto çështje me enigma të mirënjohura të paleolinguistikës. Këtu duhen futur edhe zbulimet e deritanishme të shkrimeve shqipe të lashta, ose shumë të lashta dhe dëshira për ta paraqitur shqipen si kërthizë të gjuhëve të planetit.

Vetë mungesa e fjalës dhe e konceptit në shqipe tradhton një paaftësi për të dalluar, në nivelin jo-akademik, shkencën nga pseudo-shkenca, dijen nga miti dhe nga ideologjia; dhe kjo vjen e bëhet edhe më e vërtetë në fusha të tilla si humanitetet, ku kufijtë midis racionalitetit dhe besimit (dëshirës) nuk mund t’i presësh me thikë. Veçanërisht pas shpërbërjes së sistemit hierarkik të dijes të ndërtuar gjatë totalitarizmit, ku autoriteti e kishte selinë në Akademinë e Shkencave dhe në UT, vëmendjen e publikut sidomos sa i përket albanologjisë e kanë pushtuar CRACKPOTS, sepse – ndryshe nga dijetarët e mirëfilltë ose jo-pseudo – teoritë dhe hipotezat dhe spekulimet e tyre janë më të kapshme për publikun, më sensacionale, më të bujshme; dhe njëfarësoj u përgjigjen pritjeve të këtij publiku për lajme dhe zbulime të jashtëzakonshme.

Për t’i njohur këta CRACKPOTS mjafton të vizitosh seksionin e historisë së gjuhës ose të arkeologjisë në një librari çfarëdo në Tiranë dhe t’u hedhësh një sy titujve të botimeve për pellazgët, etruskët dhe të tjera enigma intriguese të lashtësisë dhe të parahistorisë.

Çdo kulturë që kultivon dijen, do të përftojë herët a vonë edhe pseudo-dijen; shkaqet për këtë janë kryesisht psikologjike dhe duhen parë, besoj unë, si një patologji e mendimit. Edhe pse disa CRACKPOTS janë vërtet njerëz me probleme mendore, një pjesë tjetër e madhe prej tyre thjesht nuk janë në gjendje të arsyetojnë në mënyrë kritike, ose priren drejt misticizmit. Çfarë i dallon prej të tjerëve është edhe vendosmëria për ta rithemeluar dijen në fushën që u intereson, duke shpërfillur ose hedhur poshtë ose përmbysur me rrënjë gjithçka që është arritur deri atëherë; dhe një eklektizëm i paparë në shfrytëzimin e burimeve (handpicking), i kombinuar, çuditërisht, me mospërfillje ndaj njëri-tjetrit. Këtu mund të shtosh edhe paranojat ksenofobike, teoritë e komplotit dhe etnocentrizmin – për të plotësuar, si të thuash, një tablo klinike.

Karakteristikë e kërkimit shkencor – ose më mirë “shkencor” – sot në Shqipëri është se këta CRACKPOTS kanë arritur të depërtojnë thellë në tempujt e dijes; duke i zhvlerësuar dhe zhbërë hierarkitë e djeshme, kinse në emër të luftës kundër autoritarizmit, ose kushedi edhe hiper-ideologjizimit të djeshëm. Kam të dhëna se një numër doktoratash dhe masterësh të mbrojtura në institucionet më prestigjioze të albanologjisë në Shqipëri i përkasin, në fakt, pseudo-shkencës. Ato autoritete akademike, që kanë lejuar një degradim të tillë të trashëgimisë së shkëlqyer të studimeve albanologjike tek ne mbajnë përgjegjësi të rëndë, para qytetarëve dhe brezave të ardhshëm.

Por le të kthehemi te çfarë na mundonte në hyrje të këtij shkrimi: si ta përkthejmë CRACKPOT, pa i fyer këta Don Kishotë të dijes, që kushedi janë të sinqertë në patologjitë e tyre akademike? Si të gjejmë një fjalë shqipe të tillë, që të mos na sjellë ndërmend spitalin psikiatrik, as mjekimin e detyruar; por më tepër lajthitjen e padëmshme të njerëzve me probleme të holla në mënyrën e të menduarit, ose të paaftë për të mbajtur në balancë entuziazmin dhe frymën kritike?

Do të sugjeroja t’i quanim EKSCENTRIKË – sepse kjo fjalë së paku sugjeron pozicionimin e tyre anash ose në periferi të dijes; atje ku racionaliteti shpesh fle në një krevat me mitin; dhe domosdoshmëria e argumentimit me dëshirën që buron nga ideologjia. Për fat të keq, ekscentrik parakupton ekzistencën e një qendre; çfarë nuk i përgjigjet situatës sot në albanologjinë në Shqipëri, ku ekscentrikët po përpiqen të zënë vend në qendër, sepse qendra ka mbetur në duar të inkompetentëve dhe është duke i humbur me të shpejtë atributet e saj të dikurshme, si pikë referimi e racionalitetit të dijes dhe si urë që na bashkonte me dijen europiane dhe botërore. Në fakt, kur ekscentriku arrin të pushtojë qendrën, është vetë dega përkatëse e dijes që zhvendoset në periferi, duke u pozicionuar si ekscentrike në raport me simotrat e saj gjetiu në Europë ose në botë. Le të shpresojmë se të tjerët do të mjaftohen të na quajnë vetëm TUHAFË dhe nuk do të na dërgojnë te dera ambulancën simbolike.

Shënim: botuar më parë në blogun Shqipologji. (c) Shqipologji dhe Peizazhe të fjalës. Ndalohet riprodhimi pa lejen e autorit.

Nuk ka komente

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin