NJË DITË NË EXPO (I)

Plani është ky. Meqë kam mundësinë ta vizitoj Expo-në në Milano, po bëj një xhiro edhe nga pavijoni i Shqipërisë. Arsyetim sa i natyrshëm aq edhe i parashikueshëm për çdo shqiptar.

Expo-1Mirëpo jo të gjithë e organizojnë ditën e vizitës në Expo me përpikërinë time. Para se të nisem për Milano, them t’i hedh një sy faqes zyrtare ueb të Expo-së, tek zëri “Shqipëria”. Mësoj, midis të tjerash, se pavijoni shqiptar bën pjesë tek Cluster Bio-Mediterraneo. Kërkoj me ngulm, por nuk gjej gjë për programin ditor. Për fat të mirë, një kolegia ime më njofton për një aktivitet që do të zhvillohet në pavijonin shqiptar pikërisht ditën e pranisë sime në Expo. Ndonjëherë tam-tami njerëzor funksionon më mirë se djallëzitë teknologjike supermoderne. Por ndoshta duhet të kërkoj gjetiu. Interneti është si kashta, informacioni im si gjilpëra.

Ditën në Milano e filloj pothuajse në agim. Kam rastin të futem pak më herët në Expo. Dielli sapo filon të ngrohë, midis resh të larta e pak të Expo-2dyshimta. Radha e madhe është në fillesat e veta. Ka më shumë udhërrëfyes se vizitorë. Kontrolle sigurie, shkallë të lëvizshme, ngrehina metalike, mbikalime rrugësh. Njerëzit që vijnë nga hyrja e jugut janë ende të pakët. Kjo më jep mundësinë ta shijoj Expo-në pothuajse bosh, me pak njerëz, kryesisht vullnetarë e punonjës të ndryshëm; ca përgatiten ethshëm, ca qetësisht, të gjithë për të përballuar një ditë të lodhshme pune. Ndjenjë e këndshme për ata që nuk vuajnë nga agorafobia.

E kam studiuar hartën, por udhëzimet nuk mungojnë aspak, ndaj nuk e kam të vështirë ta lokalizoj cluster-in e Bio Mesdheut, ku gjendet edhe pavijoni shqiptar. Nisem me hap të shpejtë duke ndjekur shigjetën, por sytë më shkojnë sa majtas djathtas. Por edhe lart, për të parë tendat madhështore mbi kokat e njerëzve si vela anijesh të tendosura si çati pëlhure. Shumë gjëra për të parë, shumë informacione për të thithur, por destinacionin e kam të qartë.

Expo-3Më duket sikur jam në një cinecittà postmoderne, në një set kinematografik gjigant, ku xhirimet do të fillojnë pas disa orësh. Atmosfera është si e një lunaparku paradite, ku qarkullojnë vetëm punonjësit e mirëmbajtjes. Flamurin kuqezi ma kap syri nga larg. “Ja ku është”, them me vete i lehtësuar. Pavijoni shqiptar gjendet mes dy strukturash, njëra prej të cilave është pavijoni i San Marinos. Futem në korridorin mes dy pavijoneve për të parë hyrjen kryesore. Është ende e mbyllur. Sipër mbizotëron emri Albania – Shqipëri, në të majtë një stendë fizarmonikë me fotografi të natyrës dhe ushqimeve shqiptare.

Koha për të parë pak rrotull dhe dera e pavijonit hapet. Ora është 9.58, praktikisht hapet dy minuta para kohe. Më jepet mundësia, mendoj e rrallë, që ta shoh pavijonin herët në mëngjes. Një vajzë e re, shumë e sjellshme dhe profesionalisht e përgatitur, më jep informacionet e para në shqip. Expo-4Ndërsa pavijoni fillon të zgjohet, marr vesh se aktiviteti për verën shqiptare, me titull “Kallmet, një vresht, një verë, një vend”, promovohet në orën 12.00 në hapësirën e përbashkët të Cluster Bio-Mediterraneo.

I hedh një sy pavijonit shqiptar. Bie në sy një instalacion prej druri mu në qendër të hapësirës. Më thonë se tregon mullirin. Mbrapa, mbi një shkallare të lartë, gjendet një enë po prej druri. Nëse është kështu jemi brenda temës, sepse Expo-ja flet për ushqimin, energjinë për jetën. “Mulliri” është i rrethuar nga ekrane që fillojnë me logon e Microsoft-it – sepse po i shoh të ndizen – por më pas vijojnë me materiale të ndryshme për natyrën, Expo-5kuzhinën, turizmin shqiptar, etj. Punojnë me qark të mbyllur, gjithë ditën e ditës japin të njëjtat pamje. “Mulliri” në mes, më duket ca si i thatë si instalacion. Për shijet e mia të diskutueshme, më shfaqet si tepër i stilizuar dhe i konceptualizuar. Simbolikën e harmonisë fetare nuk e gjej, ose më mirë nuk më vjen natyrshëm, përveçse me një sforcim mbinterpretativ. Por arti kështu e ka, merr formë në sytë e spektatorit, dhe ky i fundit ka caqet e veta.

Punonjësja shqiptare më shpjegon me dëshirë e pasion, por unë nuk po e teproj me durimin e saj, e kuptoj që ka shumë për të bërë, më dërgon mesazhe gjestuale të pavetëdijshme. “Do të kthehem më vonë, kur të ketë për të pirë” i them me shaka. Drejtohem nga pavijoni serb. Edhe atje sapo e kanë hapur. E megjithatë kam përshtypjen sikur, përveç hapësirës më të madhe, ka më shumë jetë. Pyes veten përse. Në tavan një gur mulliri madhështor. Domethënës. Të paktën kështu më duket. Edhe këtu jemi në temë, e ndoshta më tepër, meqë shoh dy-tre tryeza plot me produkte tipike të Serbisë. Më afrohet një vajzë e re, sipas gjasës serbe, që tenton të më shpjegojë kuptimin e pavijonit të saj. Të tjerët janë duke sistemuar vendin, është mëngjes edhe për Serbinë fqinje.Expo-6

Më duhet të shkoj për të ndjekur një veprimtari tjetër, lidhur me vlerën e punës në fushën agro-ushqimore. Nuk shkoj me përtesë, përkundrazi, sidomos pas ndjesisë fillestare se e tërë Expo-ja ngjan me një vitrinë gjigante produktesh të ndryshme, një lloj supermarketi ekzotik i përzierë me park lojërash, ose anasjelltas, ku nuk del në pah ideja e punës, ose më mirë e njerëzve që punojnë për të prodhuar, çka edhe na mban frymën gjallë. Si të thuash, pemët kanë nevojë për ujë, por edhe për djersë. Pas një konserve çfarëdo, me qelq të përpunuar dhe etiketë shumëngjyrëshe, ka lodhje njerëzore, nga ara në fabrikë e nga fabrika në shitore. Por puna është krejt e padukshme. Deri tani më duket sikur produkti ka fituar mbi njeriun. Të shohim më tutje.

Rrugët e Expo-së fillojnë të marrin jetë. Strukturë e thjeshtë, në formë kryqi, e huazuar nga fushimi i lashtë romak (castrum). Pjesa më e madhe e vendeve gjendet përgjatë rrugës decumanus, kurse pavijoni shqiptar në cardo, afër “Pemës së Jetës”, e famshme për vallet mahnitëse të dritave, tingujve e shatërvanëve. Por në mëngjes nuk ka shumë për të parë, përveç disa akrobacive të këndshme ujore.

[vijon – fotografitë janë të autorit]

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin