UDHA E NDRYSHKUT

Rrugës së makinës nga Struga në Elbasan udhëtarit i tërheqin vëmendjen rrënojat antike të hekurudhës së Pogradecit: trase që po i mbulon bari, tunele taktike dhe strategjike, ura hekurbetoni, që hidhen nga një shpat kodre në tjetrin.

Mbi peizazhin e kuqërremtë, mbretëron shalëgjatë ura e Bushtricës, një vepër arti të cilën deri dje ua tregonim me krenari turistëve dhe fëmijëve, si provë të epërsisë së sistemit socialist, por që tani, gërdallë e entuziazmit autarkik, veç i kullon gjak hekuri nga kyçet e shpuara.

bushtricaNëse është sado pak i bredhur, udhëtarit këto pamje melankolike urash të larta do t’i kujtojnë ujësjellësit romakë, që prej mijëra vjetësh zbukurojnë peizazhe të tjera – me të vetmin dallim që kultin kromatik të harqeve dikur ne e zëvendësuam me gërvimën paleo-industriale të këndeve të drejta.

Në fakt, një nga tiparet e paharruara të dizajnit made in Albania të periudhës totalitare ka qenë paaftësia për të përftuar harqe, kalime të rrjedhshme, kalime të buta, lakore të hijshme për syrin. Autobusët e Shkodrës të vijnë në mend, divanet e “Misto Mames”, sobat dhe këpucët e Gjirokastrës, televizorët e Durrësit: kudo kënde dhe cepa, kubizëm i aplikuar, disiplinë e imponuar nga vizorja e një inxhinieri të trembur.

E njëjta vizore që i ka projektuar edhe këto ura, të cilave gjarpërimet e rrugës së makinës përbri u shërbejnë si kontrapunkt; edhe pse unë tani xhadenë ku lodron furgoni (me shoferin në celular non-stop) dua ta përfytyroj si elektrokardiogramën e të gjallit, përbri trasesë, ose elektrokardiogramës së të vdekurit.

Sipas sajtit të Hekurudhave të Shtetit (edhe ky vetë një mrekulli e dizajnit retro), trenat e pasagjerëve tani shkojnë deri në Librazhd; ndërsa Pogradecin e kanë hequr nga harta.

Kjo do të thotë që shqiptarëve të sotëm u është mohuar deri edhe thrill-i i kapërcimit të tunelit të Qafë-Thanës, mundësisht në vagonin pa drita dhe me dorën mbi ndonjë kofshë të bëshme, por të ndaluar.

Që nga dritarja e furgonit, pashë një varg të gjatë vocërrakësh që ktheheshin nga shkolla, duke e kapërcyer luginën mbi njërën prej këtyre urave. Ndryshe nga ata të Migjenit, këta ishin të veshur si me pupla papagajsh, gjithë velkro dhe akrilik, me ngjyrat që u rrezëllinin nën diellin përtac të pasdites.

Se ç’do të bëhet me këtë hekurudhë kaq të amortizuar, askush nuk ta shpjegon tamam. Disa të thonë se së shpejti do të realizohet lidhja me Maqedoninë dhe më tej me vise të tjera të Ballkanit; por sa e përdorshme qoftë edhe ekonomikisht, mund të jetë akoma kjo vjetërsi e amortizuar?

Banorët e zonës ia kanë ruajtur urat kuadratike hekurudhës si sytë e ballit; ndryshe nga ç’u kanë bërë veprave të ngjashme gjetiu, kur ua kanë hedhur këmbët në erë me dinamit, në kërkim të thesarit mesjetar të radhës.

Kush e ka bërë rrugën nga Pogradeci dhe ka kaluar përbri strukturave të hatashme të përpunimit dhe të pasurimit të hekur-nikelit, kapanonëve që duken si të goditur nga meteoritët dhe mbretërisë së ndryshkut, që atje konkurron ironikisht me mbeturinat e përgjithshme të mineralit ferrik, do ta vërë re menjëherë harmoninë estetike – sado në rrëgjim – midis këtyre gërmadhave në të dy anët e malit, të cilat nuk ka liqen të Pogradecit (dhe të Ohrit) që t’i lajë.

Më shkon mendja që peizazhi industrial i autarkisë shqiptare, me pak mund dhe vullnet të mirë, mund të përfshihet sakaq në hartat turistike të Ballkanit; madje Urën e Bushtricës unë do ta kisha vendosur, pa ngurrim, në kopertinën e katalogut përkatës.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin