DAJTI PALIMPSEST

Miku Roland Sejko më dërgon një dokument që ndihmon të kuptohet edhe më mirë historia dhe funksionimi i gjeoglifeve propagandistike në Shqipëri.

Dokumenti në fjalë, një memorandum pas gjase i vitit 1945, është lëshuar nga Seksioni i Shkodrës i Rrethit Demokratik Popullor Italian “Giuseppe Garibaldi” – një organizatë antifashiste e italianëve me banim në Shqipëri, e krijuar menjëherë pas çlirimit, për të ndihmuar këtë komunitet.

scritta dux

Klikoni për ta zmadhuar dokumentin.

Autori i kësaj letre i tërheq vëmendjen Presidentit të Përgjithshëm të organizatës, Dr. Arnolfo Nizzola-s, për faktin mbishkrimi DUX, i cili i referohet Mussolini-t, ende shquhet në një faqe të malit të Dajtit, mbi Tiranë dhe i ofron shërbimet e veta, për të ndihmuar që ky mbishkrim – përkujtesë e turpshme e pushtimit italian të Shqipërisë – të hiqet nga faqja e malit dhe nga sytë e banorëve të kryeqytetit.

Nuk del e qartë, në letër, se në cilin shpat të Dajtit gjendet mbishkrimi; por nëse është fjala për atë majtas, nuk është për t’u përjashtuar që X-ja e DUX-it të jetë ri-përdorur më pas për mbishkrimet e përvjetorëve të Çlirimit, si XX ose XXV.

Ka qenë praktikë e zakonshme, për propagandistët fashistë, që ta shkruanin kudo fjalën DUX – në pllakate, mure ndërtesash dhe në peizazh, përfshi edhe shpatet e maleve (ja një shembull, në monte Giano). Në rastin e fundit, gjigantizmi i mbishkrimit vetë shënjonte edhe ambicjen dhe fuqinë e teknikave të modifikimit të territorit, sa kohë që deri edhe gjeografia do të përdorej për të përçuar mesazhe kremtuese dhe politike.

Mali i Dajtit, mbi Tiranë, do t’u jetë dukur këtyre pëlhurë ideale për mbishkrimin, si sanksionim të sundimit fashist në Shqipëri.

Fakti që më vonë e njëjta kanavacë u përdor për të mbishkruar mesazhe kremtuese të festave komuniste, dëshmon që tranzicioni nga fashizmi në komunizëm – të paktën sa i përket ushtrimit dhe manifestimit të pushtetit politik – do të ketë ndodhur më lehtë se ç’mund të duket në vështrim të parë.

Sikurse ndodhi në arkitekturë dhe urbanistikë – me Bulevardin e Madh të Tiranës, ndërtuar prej italianëve dhe që iu përshtat më pas për bukuri paradave të mëdha ushtarake dhe civile të regjimit të Hoxhës dhe vetë funksionit për të shërbyer si vend i përftimit dhe i riprodhimit të kolektivitetit politik të padiferencuar – edhe teknikat e propagandës ndërruan duar lehtësisht, meqë mbështeteshin në të njëjtin synim të manipulimit të masave; dhe në të njëjtin vizion hiperbolik të shkronjës.

Nuk ka komente

  1. Nje zbulim interesant dhe qe i jep nje dimension tjeter vepres artistike te Armando Lulaj “NEVER” ku po ashtu mbishkrimi Enver ne malin Shpirag u rishkrua si NEVER.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin