PËRTEJ GJENERATORIT

Flitet se pas vjedhjes së transformatorit në Fier nuk fshihet një vjedhje e rëndomtë, por një filozofi e tërë. Prapaskenistët e lidhin gjithashtu me masat qeveritare kundër vjedhjes së rrymës elektrike.

Nuk është rastësi që mediat e thanë me gjysmë zëri lajmin për vjedhjen e transformatorit, që la pa drita banorët e tri fshatrave, pa shpjeguar mirë si ndodhi dhe pa përmendur hetimet përkatëse. Sepse të vjedhësh transformator nuk është si të vjedhësh një kokërr mollë në treg, janë akte pak të ndryshme, e nuk është puna se transformatori nuk hahet e nuk lidhet me mëkatin.

Burime të pakonfirmuara aspak mirë mendojnë se vjedhja e transformatorit rrezikon të hedhë në erë një sistem të konsoliduar, sepse zbulon strategjinë e zhvilluar në këto vite nga ana e individëve dhe organizatave të shumta.

Ideja është e thjeshtë, e ndoshta në filigran mund të shikohet ai proverbi i lashtë kinez, sipas të cilit nuk duhet t’i dhurojmë dikujt peshk, por t’i mësojmë si të peshkojë. Krahasimi çalon, si çdo krahasim, por varet nga këndvështrimi, ose si shikohet kontrasti natë/ditë: hajdutët e transformatorit janë shkatërrimtarë për tri fshatrat e Fierit, por shpëtimtarë për fshatra ose shtëpi të tjera. Në fakt, këto vjedhje shoqërohen me fjali të përkundërta: “I marrtë dreqi të paudhët! Na fikën! U prish dynjaja”, ose “Ia boftë Zoti hallall! Na nxorrën në dritë. Janë të shkathët njerëzit”.

Me pak fjalë, hartuesit e kësaj strategjie arsyetojnë kështu: në rast se nuk të lënë të marrësh diçka, ti duhet të marrësh atë që e realizon atë diçka. Pra të synosh shkallën epërore. Duket ca e ngatërruar, si lojë fjalësh, por gjeneratori i zhdukur na ndihmon si shembull. Nuk të lënë më të vjedhësh korrent? Atëherë vidh gjeneratorin, pra atë që gjeneron korrent.

Thonë, gjithnjë prapaskenistët e paidentifikuar, se këtë sistem e kanë përdorur në kohë disa politikanë të panjohur. Nuk të lënë të fitosh pa të drejtë një prokurim publik? Shumë mirë, shko e bëji vetë prokurimet, pra zgjidhu deputet e bëhu ministër. Ka fonde edhe për kushërinjtë, shokët e miqtë. Nuk të japin një certifikatë familjare në bashki? Hidh kandidaturën për Kryetar dhe merre të gjithë gjendjen civile. Pastaj lësho sa certifikata të duash, edhe martese. Dëshiron të marrësh diplomë false? Bëhu pronar i një universiteti. Të kapin në treg me dy pako biskota të papaguara? Shumë mirë, bli punishte ose supermarkete ku bëhen ose shiten biskota. Jepi edhe zogjve rrugës po deshe.

Ka nga ata që kujtojnë se kjo metodë është huazuar nga një tip flokëlëpirë, që kujtonte se ishte Kazanovë në kohërat moderne. Për t’i hedhur kthetrat mbi vajzën e re, shkonte e i vërdallosej nënës së ndarë nga i shoqi, me komplimente të pacipa për moshën e re dhe sytë e shkruar. Pastaj i kthehej vajzës me fjali superlative të mësuara përmendësh nga librat rozë. Çuditërisht efikase në të dyja rastet.

Të tjerë janë të bindur se kjo teknikë tregon vizion, sepse ai që merr njëherësh korrentin e transformatorin, fondet e qeverinë, mollën e tregun, vajzën e mamanë, diplomën e universitetin, praktikisht mendon me të madhe, është largpamës, ka aftësi t’i shohë gjërat në ekran të madh. Vision, në gjuhë moderne.

Meqë ra fjala, kur do të vijë ky korrenti, që të shohim pak televizor?  Se mbetëm duke bërë muhabete koti, llafe errësire, sa për të vrarë kohën.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: