PRAG!

Të martën në sallën e Teatrit Kombëtar u vu në skenë një shfaqje që trajtonte një temë krejt të veçantë, të paktën në dukje.

Titullohej “Prag” dhe nënkuptonte një performance nga gra të burgosura. Ftesa në fakt jepte shumë pak informacion për idenë, për projektin e mundshëm prej të cilit kishte lindur performanca, sa kohë ishte dashur për të ngritur një punë të tillë. Janë detaje që kanë rëndësi kur bëhet fjalë për nisma artistike të këtij tipi. Emrat e personazheve ishin identifikuar me kohëzgjatjen e dënimit (17 muaj + 4 javë + 0 sekonda) dhe pjesën më të madhe e zinte fotografia e kraharorit të një femre.

prag

E ndoqa me një lloj kërshërie pikësëpari sepse bëhej fjalë për një format arti të angazhuar,  për të cilin besoj se kemi shumë nevojë. Shfaqja zgjati rreth 40 minuta dhe ishte e ndërtuar me monologë që tetë personazhet i recitonin, herë duke lëvizur në skenë, herë duke qëndruar përballë publikut e herë duke u marrë me punë të improvizuara (larje rrobash , larje dyshemeje):

“Unë jam lulja e harruar e pranverës.”
“Unë jam zemra e braktisur nga dashuria.”
“Unë jam një zog i lumtur në shtegtim.”

Dhe më tej:

Pse o Zot më dënove kaq shumë? Më ka marrë malli për shtëpinë time, t’u gatuaj dhe njëherë fëmijëve të mi. Kam mall për natyrën, gjelbërimin, lulet, delet, por më shumë kam mall për fëmijët … O Zot të lutem ma kthe lumturinë! …

Fjalët e tyre alternoheshin herë pas herë nga tingulli i një violine solo që luhej nga një mashkull gjysëm lakuriq në skenë, me kurriz nga publiku.

Dola nga shfaqja me një ndjenjë keqardhjeje për ato zonja që ishin në skenë dhe nuk më erdhi fare mirë për këtë. Do të doja që shfaqja të më transmetonte gjithçka tjetër –  urrejtje, dhimbje, inat, zemëratë, shpresë – vetëm keqardhje jo. Ato nuk duhet të ishin aty për keqardhje, apo për t’u vetëmëshiruar në mallin, dhimbjen, fatkeqësinë e tyre. Përkundër, këto zonja do të duhej të ishin në skenë për të na komunikuar dhe për të na përfshirë në atë realitet që nuk e njohim dhe madje në shumicën e rasteve e injorojmë: burgun. Te ky realitet gjejmë jetë njerëzore plot me kontradikta dhe gabime, plot me pritje dhe shpresë. E megjithatë, të qenit i burgosur nuk është edhe aq larg sa mund të na duket.

Për këtë arsye, skena do të duhej të ishte një mënyrë për t’i bërë, për të na bërë bashkë-protagonistë të një  përvoje ku ato të rrëzonin pragjet, muret ndarëse, sikur edhe për 40 minuta. Nuk duhet të ishin aty për t’u përballur me një prag tjetër, ndonëse të padukshëm. Ato qëndronin prapa tij, në pamundësi për ta kapërcyer, të “burgosura” përballë një publiku që reagonte me duartrokitje në momentet kur ndonjëra përlotej dhe nuk arrinte ta çonte fjalën deri në fund.

Së fundi, do doja të largohesha duke menduar se një performance e tillë artistike lind nga një akt njohjeje, nga një mënyrë komunkimi me këtë realitet social krejt të veçantë. Mirëpo, gjërat nuk bëhen me ‘do doja’.

 

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

Nuk ka komente

  1. Shume prekese…pa duartrokitje…zemerate e trishtuar, trishtim i hakerryer, klithme e pafuqishme, lak kaperthyes…

  2. Në kesi rastesh, fajin në pergjithesi nuk qendron tek dispozitivi i propozuar, por tek regjia, dmth tek qasja regjizoriale. Por qe eshte peshe e rende nje dispozitiv i tille, eshte! Vellezerit Taviani, qe kishin dekada qe nuk benin kinematografi të mirë, ja kishin dale jo fort keq më filmin e tyre të fundit (2012) : Cesare deve morire http://it.m.wikipedia.org/wiki/Cesare_deve_morire (e qe mbeshtetej mbi të njejtin dispozitiv)

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin