DY GJËRA QË DI PËR ENRI CANAJN

Enri Canaj ishte rreth dhjetë vjeç kur u largua nga Shqipëria, ndërsa sot punon si fotograf për gazetën Ta Nea të Athinës, mëson nga një artikull i M. Krousten-it, botuar në I efimerida dhe rimarrë nga Le Courrier des Balkans. Me realizimet e tij më të mira çelen ekspozita në Greqi dhe shumë syresh gjejnë vend në revista të njohura ndërkombëtare, por megjithatë shumë rrallë ndesh në përpjekje për të interpretuar sadopak profilin e punimeve së tij.

Duke hedhur një vështrim në sitin e tij kupton së pari se ai i ka kaluar anash tundimit për të kërkuar imazhin ideal të një kartoline postare, që shoqëron emrin e Greqisë në imagjinatën e përgjithëshme dhe ka zbritur në zonat gri e madje të errëta të shoqërisë greke, për të na sjellë prej andej dokumente të një dhune të papërballueshme. Veçse kur i qëllon të vizitojë Shqipërinë, nuk duhet pritur që ai të hedhë mbi të vështrimin e përmalluar të një emigranti të ndjeshëm që vihet në kërkim të kujtimeve të bukura të fëmijërisë. Ai ka një mendim tjetër për realitetin shqiptar; ajo që sheh aty të vë në siklet të madh.

Canaj i paraqet shpesh në bardhë e zi punët e tij, por duke u përpjekur të lexosh nëpër nuancat e kontrasteve të tyre, vëren se ka një lloj angështie që mbetet pezull midis teje dhe ekranit. Në ndonjë rast mbase e tepron pak me tonet aq dramatikë, por edhe kjo duket se bën pjesë te sharmi i tij krijues.

Fotografia e fikson botën në një çast të caktuar të historisë së saj dhe dihet se sa e rëndësishme është të kapësh çastin më shprehës. E megjithatë, në fotografitë e Canajt nuk më duket se rend fort pas tij. Edhe kur fotografon një pallat banimi, që mbase ka gjysmë shekulli që qëndron në këmbë aty ku është, sa kalimtarët nuk e shohin më, ai arrin ta tërheqë shikuesin në një atmosferë tjetër, në brendësinë e një habitati të tendosur social. Ndjen më fort ankth se ekzibicion të ndonjë impulsi biologjik, ndërsa sheh dy trupa lakuriq, të sapo shtendosur, pas një seksi të shpejtë e të mjerë (si edhe të faturuar, sigurisht), percepton trysninë fizike të toksikomanisë kur sheh agen e një shiringe në damarin e dikujt që drogohet, ke dëshirë të kuptosh buzëqeshjen enigmatike të një prostitutë përballë kamerës dhe së fundi pyet veten për vlerën e dhunës së një grupi protestuesish që mbrojnë si mundin e me dëshpërim kauzën e tyre të humbur… Për të pasur një ide të përafërt, të asaj pjese të shoqërisë greke që ka zbritur nëpër një zgafellë të tillë sociale (dhe që shumë vetë e zbulojnë me rastin e krizës), duhet t’i mbledhësh copat e këtyre individëve dhe t’i ngjitesh bashkë. Dhe pastaj të presësh rezultatin.

V. Benjamini (te Një histori e shkurtër e fotografisë) është i pari që ka folur për rëndësinë e atij tekstit të vogël që shoqëron fotografinë. Kështu, ndërsa sheh punimet e Canajt që tregojnë fytyrat e disa djemve me tipare aziatike që po zbresin nga avioni, befas do të dish arsyen pse ajo ka zënë vend në koleksionin e autorit. Veç kur diçitura shpjegon se janë një grup emigrantësh të përzënë drejt vendlindjes (në Pakistan, ku duket se fotografi edhe i ka ndjekur) pas tentativës për të rifilluar jetën gjetiu, kupton më mirë frustracionin mbytës të dështimit që kanë pësuar. Kjo shpjegon edhe faktin që ata nuk i pret askush në aeroport. Një grua siriane me beben në dorë, pas një rreshti emigrantësh që për t’i ikur luftës kanë zbarkuar në një ishull të Greqisë, vërtet të ngjall shqetësim, por kur mëson se nga padituria e atij që drejton skafin emigrantët kanë mbërritur në një ishull të pabanuar e pa ujë, atëherë nis e mendon se në këtë botë ka vërtet njerëz që fati i qëllon me gurë në çdo çast të jetës së tyre. Është një fotografi e veçantë kjo, me një ekuilibër i admirueshëm të elementëve psikologjikë, raporteve vizualë dhe me një diell në horizont, që vonon dhe e ka të vështirë të ngrihet. Canaj, refugjate siriane

Para një skene ku të tjerët vetëm sa bëjnë një gjest bezdie a padurimi dhe ikin tutje, ai zbulon mizerjen e thellë të ekzistencës njerëzore, shtrirja e së cilës i kalon së tepërmi edhe kufijtë e vendit ku janë realizuar punët e tij. Dhe një gjë të tillë e gjen edhe te një gjest i zakonshëm që gjithkush e përsërit me dhjetëra herë në ditë. Të ngrënit, p.sh.. Çfarë ka gjë më të rëndomtë se sa të afrosh një tas supe te goja për të shuar sadopak urinë e ditës?

E, pra, është tamam një fotografi me një subjekt të tillë (Cikli Shadows in Greece), nëpërmjet së cilës ai na njeh me thellësinë e paimagjinueshme të vragës morale që lë te njerëzit anonimë kriza me të cilën Greqia po përballet prej disa vjetësh. Nga një minimum informacioni që jepet për një pamje të tillë, para së cilës rrezikon të kalosh duke bërë (për edukatë), sikur nuk e sheh, pra nga ato pak fjalë merr vesh se përpara teje është dikush që po shuan urinë me supën që shpërndan kisha. Kjo është e mjaftueshme për të ndryshuar vështrimin tënd, madje për të filluar të reflektosh për lëvizshmërinë e fatit njerëzor, për brishtësinë e ekuilibrave të botës ku jetojmë. Ajo të fton të jesh kryeulët. Në një kohë të tillë, nuk është çudi që gjithkujt mund t’i vijë radha të gjendet në vendin ku qëndron personazhi i kësaj fotografie.
Shadow in greeceKompozimi është atipik (nuk qëllon shpesh të shohim personazhe që i kanë kthyer kurrizin aksit të fotografisë), por mjaft i thjeshtë dhe pothuaj i “zhveshur”. Në pamje të parë kupton se fotoreporterët e shumtë që kanë zgjedhur të fotografojnë njerëz të zhytur me kokën në kazanin e plehrave (imazh që së fundi e kam parë shpesh në shtypin perëndimor për të treguar plagët e hapura nga kriza greke), kanë fiksuar çastin “historik”, fatin e atyre që kanë prekur fundin, në një kuptim edhe të vetë Greqisë. E megjithatë, ato pamje vërtet janë ngashëruese, por në një kuptim epistemologjik duken si të “kërkuara”, ndërsa në një vështrim emocional mbeten “një planësh”. Gjithçka është thënë. Po deshe mund të ulesh e të qash, por nuk ke se çfarë mendon tjetër. Kuadri është dramatik por i mbyllur. Ndërkaq, kjo foto që na ofron Canaj flet për disa nivele interpretimi, merr trajtën e një kronike epigrafike që shpalos akt pas akti shkërmoqjen e dinjitetit njerëzor, të cilën protagonistët duan t’ia fshehin edhe vetes. Duke qëndruar më këmbë, apo duke ngrënë shpejt e shpejt, personazhi ynë duket sikur kërkon të tregojë se ky vakt të ngrëni është vetëm një detaj i asaj dite, se ai, fjala vjen, po shkonte në punë te tij dhe befas i ofruan të hante diçka, gjë që e pranoi për mirësjellje, jo se është lypsar. Dhe në të vërtetë nuk duket të jetë i tillë. Me rregullsinë prekëse të paraqitjes dhe me aktin e pazakontë që bën, ai duket sikur largohet prej nesh dhe nis e zbret në ferr sa herë që mbi të bie vështrimi i kalimtarit të rastit. Pastaj ai përpiqet të harrojë gjithçka dhe jepet pas kënaqësisë gati orgazmike që i jep shuarja e urisë…

Buka që shtrëngon në dorën tjetër, gjë që e bën me një gjest fëmijënor dhe krejt pa vetëdije, ndërkohë që rrufit supën, përforcon idenë e një kënaqësi të pashoqe, që ai nuk dëshiron t’ia trazojë kërkush. Edhe sikur të nisin të bien kambanat e kishës, ai nuk ka ndërmend ta largojë nga goja tasin e tij. Kam dëshirë të them se kur “tabani” i tasit të tij plastik së fundi nis e shfaqet, ky person (nuk e di pse kam përshtypjen se duhet të quhet Aristidh) do të shkojë të qëllojë me gurë kalldrëmi e dërrasa të shkulura , pas ndonjë barrikade, dhe me grushtin lart do të shprehë zemërimin e tij për “kapitalizmin e egër” a “politikanët e korruptuar”, por nuk më duket se është tamam kështu. Nga mënyra se si është veshur ai nuk ka ndërmend të shkojë e të militojë në ndonjë barrikadë, as të protestojë. Të paktën jo atë ditë. Ai ka dalë në rrugë i veshur me kostum. Sikundër i ka kthyer kurrizin kazanit të supës, që i përtëriu sadopak shijen e jetës, ai mbase edhe do të nxjerrë nga xhepi kollaren e tij, që e ka hequr nga frika se mos i refuzojnë vaktin dhe do të humbasë midis turmës së qytetarëve në rrugë, duke gëlltitur ngadalë e dhimbshëm peshkun e prishur të poshtërimit që ka pësuar. Por edhe këtë do t’i duhet ta harrojë sa më shpejt. Do të vijë darka dhe ai në mendjen e tij duhet të krijojë urgjentisht një ide se ku do të hajë vaktin tjetër, do të vihet në kërkim të një vendi tjetër ku ofrojnë të hash falas. Ku natyrisht, duhet të lësh dinjitetin te dera, para se të futesh brenda. Në këtë kuptim, kishte mjaft të drejtë R. Bathes kur thoshte se fotografia nuk është një riprodhim i realitetit, por një gjurmë e tij. Dhe kjo gjurmë ne na jep mundësi të ndjekim fatin e personazheve tonë…

Enri Canaj ruan një drejtpeshim të mirë midis kërkimit në artin e fotografisë dhe punës së tij si kronist i jetës së përditshme, si dëshmitar i besueshëm i përditshmërisë sonë. Ai di t’i tresë personazhet në vorbullën e dramës së tyre dhe kjo është arsyeja që subjektet e tij shqiptare ruajnë, më duket, një veçori të pashoqe: ato tregojnë se kudo në botë njerëzit bëjnë jetën që kanë zgjedhur vetë, për të mirë a për të keq, ndërkohë që personazhet shqiptarë të Enrit detyrohen të bëjnë jetën që kanë vendosur të tjerët për ta.

Të tërheq vëmendjen fotografia e disa të rinjve të ngujuar që ngrohin duart mbi një lloj rezistence të improvizuar prej nikel-kromi. Simbolika e saj del tej mureve dhe merr përmasat e një vendit të tërë, i cili duke ushqyer aspektet jashtëkohore të një zakoni jo qytetërues e barbar, na shfaqet si një fëmijë i palarë në oborrin e shkollës, me të cilin nuk do të luajë askush. E shumta e paraqesin si një specie në zhdukje nëpërmjet ndonjë dokumentari të rrallë, të ndonjë kineasti që ka vështirësi të dalë mbi ujë.

Fotografia e dikujt që midis dimrit shet buzë detit topa plazhi dhe balona shumëngjyrëshe, apo tjetra ku në mënyrë jo fort të zakonshme shohim kurrizin e një fëmijë që vështron nga muri i nxirë i shtëpisë që duket se shërben si altar (diçka që të kujton katakombet e Romës ku bënin shërbesat e tyre të krishterët e parë), të gjitha këto ngjajnë më fort si shprehje habie dhe moskuptimi të vetë autorit ndaj një realiteti dëshpërues, ku dhjetëvjeçarët kalojnë si ujët në kurriz të rosës, pa sjellë asnjë lloj ndryshimi. Duket se atij nuk i dhimbset më shumë që nuk gjeti atë që shpresonte në vendlindje, por se kurrë nuk mendonte se do të gjente atë që gjeti.

Diku (te cikli Albania- A Homecoming) ai sjell edhe një pamje tjetër, që me të vërtetë askujt nuk do t’i shkonte mendja ta fiksonte për të shënuar me aq saktësi imazhin onirik e pothuaj gotik të realitetit shqiptar; fotografinë e dy fëmijëve që po vështrojnë dikë të hapë një gropë varri.Enri Canaj8

Duket se për ta një gjë e tillë është e vetmja zbavitje e asaj dite, por më fort se ke të bësh me një vuajërizëm morbid, e vërteta e trishtuar është se një spektakël i tillë është e vetmja gjë që mund t’i afrojë shoqëria shqiptare fëmijëve të vet. Janë fëmijët e harresës. Ajo që ata do të shohin ata  edhe kur të hyjnë në shtëpi dhe ndezin televizorin, universi i tejngopur me dhunë i seancave të banorëve parlamentarë, sikundër edhe ai i periferive të afërta urbane, nuk është se në thelb u ofron perspektivë tjetër të ndryshme nga ajo që shohim në këtë fotografi.

Misteri i vërtetë i fotografisë janë mendimet e autorit të tyre për të. Në rastin tonë, ai më duket sikur është dëshmitari i sinqertë i një problematike, ndaj së cilës të tjerët ose nuk kanë sensibilitetin social që ta shquajnë ose bëjnë sikur nuk e shohin fare. Për ne, sido që të jetë, kjo fotografi merr përmasat e një skene krimi social, ku të gjithë kanë përgjegjësinë e tyre për të ardhmen që u kanë rezervuar këtyre fëmijëve.

Për artistë të tillë që kanë lënë vendin fare të vegjël dhe janë formuar në shtete të huaja gjithnjë ngrihet problemi se çfarë kombësie ka arti i tyre. Padyshim arti i Canajt është mbrujtur me estetikën, filozofinë dhe lirinë krijuese të vendit që e formoi (vështirë të gjendet në Tiranë një galeri shtetërore që të hapë një ekspozitë me fotografi të tij, ku ai të ketë për Shqipërinë po atë vështrim që ka për Greqinë), por padyshim që origjina e tij i jep distancimin e duhur për të kuptuar më mirë realitetin grek, sikundër mjedisi ku jeton sot e ndihmon të perceptojë mjaft më mirë problematikën shqiptare.

Nuk ka komente

  1. @Lyss

    E lexova dy here shkrimin apo me sakte mu desh ta lexoja dy here, qe te kuptoja apo te moskuptoja ku ndodhet ne kete rast e mira e dhe “e keqja” tek arti i Canaj(t). Mu krijua pershtypja e mungeses se nje koherence ne radhet e mesiperme dhe nje lloj vetekundershtie. E kuptoj qe nje kritike artistike synon ne paraqitjen dhe analizen e vepres se nje autori ne gjithe teresine e nuancave te saj bardh e zi, por ne perceptimin tim te pakten, kjo lloj kritike kishte frymen e “kritikes per kritiken” dhe minimalizimin “pozitiv” e bujes qe ka bere emri i tij.

    “Fotografia e fikson botën në një çast të caktuar të historisë së saj dhe dihet se sa e rëndësishme është të kapësh çastin më shprehës. E megjithatë, në fotografitë e Canajt nuk më duket se rend fort pas tij”.
    Nuk ndihet ne fotografine e tij casti me shprehes? Gjithe atomosfera, cdo detaj ne fotografine e tij flet, shprehet

    “të gjitha këto ngjajnë më fort si shprehje habie dhe moskuptimi të vetë autorit ndaj një realiteti dëshpërues, ku dhjetëvjeçarët kalojnë si ujët në kurriz të rosës, pa sjellë asnjë lloj ndryshimi. Duket se atij nuk i dhimbset më shumë që nuk gjeti atë që shpresonte në vendlindje, por se kurrë nuk mendonte se do të gjente atë që gjeti”.
    Ku shfaqet habia dhe moskuptimi tek seria e tij qe i perket vendlindjes?

    “Ai di t’i tresë personazhet në vorbullën e dramës së tyre dhe kjo është arsyeja që subjektet e tij shqiptare ruajnë, më duket, një veçori të pashoqe: ato tregojnë se kudo në botë njerëzit bëjnë jetën që kanë zgjedhur vetë, për të mirë a për të keq, ndërkohë që personazhet shqiptarë të Enrit detyrohen të bëjnë jetën që kanë vendosur të tjerët për ta”.
    Jo vetem personazhet shqiptare, gjithe personazhet e fotove te Enrit flasin te kunderten – mjerimin e imponuar qofte si drame personale, qofte si drame sociale

    “Padyshim arti i Canajt është mbrujtur me estetikën, filozofinë dhe lirinë krijuese të vendit që e formoi (vështirë të gjendet në Tiranë një galeri shtetërore që të hapë një ekspozitë me fotografi të tij, ku ai të ketë për Shqipërinë po atë vështrim që ka për Greqinë), por padyshim që origjina e tij i jep distancimin e duhur për të kuptuar më mirë realitetin grek, sikundër mjedisi ku jeton sot e ndihmon të perceptojë mjaft më mirë problematikën shqiptare”.
    Duket sikur autori i ketij shkrimi eshte ne kerkim te pyetjes “Canaj duhet te konsiderohet si fotograf grek me origjine shqiptare apo si shqiptar i ngjizur ne Greqi, i cili s’ka nje perceptim teresor apo te barazpeshuar ne raport me vendlindjen e tij”?

    Nuk besoj se fotot e Enrit mbartin dramacitet artificial ne disa raste (sikurse shprehet ne shkrim), perkundrazi dramacitetiti i tij me eshte me se real, aq real sa realiteti yne perditesor ngjan iluziv ndaj negativit qe shtjellohet ne jeten e njerezve qe s’jane si shumica. .

    1. “Fotografia e fikson botën në një çast të caktuar të historisë së saj dhe dihet se sa e rëndësishme është të kapësh çastin më shprehës. E megjithatë, në fotografitë e Canajt nuk më duket se rend fort pas tij”.
      Nuk ndihet ne fotografine e tij casti me shprehes? Gjithe atomosfera, cdo detaj ne fotografine e tij flet, shprehet…

      Me duhet te them se nuk ke kuptim te drejte te fjaleve te mia. Ideja eshte se Canaj nuk e mbeshtet suksesin ne efektin e çastit te fotografimit. Dhe me duket se pastaj flas gjate dhe shpjegoj ndryshimin midis fotove qe shihen sot te grekve te varfer me koken ne kazan te plehrave (që formalisht është çasti më shprehës) dhe fotos se Canaj qe na jep dike ne kembe duke ngene supen e kishes (pra ne nje pozicion te rendomte) dhe pastaj gjysmen e shenimeve ia kushtoj pse rasti i dyte eshte me trondites se i pari etj.Shkurt, kam thene se midis kronistit te shkathet dhe artistit reflektiv, une parapelqej kete te dytin. Nuk me duket e veshtire per t’u kuptuar, gjithsesi!

      E njejta gje eshte edhe per te gjitha vrejtjet qe sillni, pa permendur qe vini ne llogarine time fjale qe nuk i kam thene si “dramacitet artificial”, apo i interpretoni shenimet e mia si “kritike per kritiken e mire a minimalizimin e bujes ndaj tij. Po jua a le juve te ma shpjegoni nje gje te tille fyese. Une kurre nuk kam gjetur ndonje analize per punet e Enrit, ato qe gjen ne web (artikulli qe citoj ne fillim) vetem sa jep te dhena biografike per te, ku ka lindur, si ka jetuar, problemet me gjuhen dhe margjinalizimi qe ndjeu ne fillim per shkak te origjines. Nisur nga kjo, pra nga fakti se e paraqisnin me fort si dikush qe ia ka dale mbane ne emigracion, pra si nje “emigrant i mire”, u ula e shkrova shenimet e mia per te thene diçka per natyren e puneve te tij, me qellim qe ta njohe dhe kuptoje edhe publiku shqiptar. Nuk di te jete folur gjesendi per te ne shtypin shqiptar, e aq me pak te jete analizuar profili i tij artistik.
      Keqkuptimi me ju ndodh per faktin se ka kritere krejt te tjera ne vleresimin dhe analizen e nje vepra arti figurativ, te cilat ndryshojne thellesisht nga ato te nje artikulli per çeshtje te tjera.
      Kjo eshte arsyeja qe ato që kam vleresimet me te mira per kete fotograf te ri e te talentuar, ju i merrni, i mblidhni shuk dhe m’i perplasni mua duke i interpretuar ne te kunderten e tyre.

  2. Lyss kerkoj te falur nese komenti im tingelloi fyes, pasi nuk ishte ai synimi im dhe per me teper i kam lexuar shumicen e shkrimeve tuaja qe jane publikuar ne kete blog, duke i bere share ne rrjetet sociale dhe me nje lloj admirimi per informacionin dhe analizat e sjella aty. E drejte, nuk eshte perdorur konkretisht “dramacitet aritificial” por ishte nje menyre tjeter per te komentuar ate qe shkruhej “qe mbase e tepron pak me tonet aq dramatike”. Kete ndjesi kishin dhe disa te njohur dhe miq te tjere te mi kur lexuan shkrimin, ne lidhje me ambinguetin pozitiv dhe “negativ” qe te le analiza mbi fotografine e Canajt. Ndoshta denduria e analizes suaj dhe kundervenia e planeve te ndyshme komentuese kerkon nje kendveshtrim tjeter nga komentuesi, paksa me te distancuar nga realiteti greko – shqiptar, dicka qe eshte paksa e veshtire ne rastin tim dhe personave si une qe ndajme kete eksperience dhe jetojme tani ne vende te treta

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin