KUR NGATËRRESAT PËRSËRITEN

Para se të shfaqeshin në horizont anijet e eksodit, Shqipëria nuk para përmendej në perëndim. Një tis heshtjeje dhe injorance e rrethonte prej dhjetëvjeçarësh vendin e vogël ballkanik. Kush ka dalë jashtë shtetit para rënies së regjimit totalitar e ka prekur me dorë mosnjohjen e Shqipërisë e të shqiptarëve nga të huajt.

Një lajm i tanishëm në mediat italiane më solli ndër mend një kujtim të vjetër. Andej nga fundi i viteve 1980, kur vajta për herë të parë në Itali, hasa në një mosnjohje flagrante të Shqipërisë e të shqiptarëve.

Pas disa kohësh, në universitet, para derës së provimit, takova një student italian me të cilin shkëmbeva disa informacione administrative. Me sa duket, diçka nuhati për origjinën time të huaj e më pyeti pa e zgjatur shumë: “Nga je?”. Edhe unë iu përgjigja menjëherë: “Jam shqiptar (albanese)”, duke pritur shprehjen e zakonshme plot kuriozitet miqësor që shfaqej në kësi rastesh.

Mirëpo, asnjë reagim nuk erdhi nga goja e tij, kurse sytë e picërruar, rrudhat në ballë dhe goja e mbledhur tregonin qartë se po pyeste veten për diçka. Po prisja. Më në fund, foli me një pyetje të dytë, të përzierë me mëdyshje: “Libanez? (Libanese?)”.

Këtu më duhet të kujtoj se në vitet 1980 Libani gjendej vazhdimisht në faqet e para të mediave, sepse ishte periudha e luftës civile, e atentateve dhe e konfliktit në rajon. Si rrjedhim, kishte me siguri edhe libanezë që kishin ardhur në vendet perëndimore si refugjatë. Prej kësaj edhe familjariteti me atë vend relativisht të largët, ndërkohë që nga Shqipëria përballë vinin vetëm dallgë memece.

“Jo libanez, shqiptar”, ia ktheva duke ngritur zërin në fjalën e fundit. “Albanese”, përsërita me forcë. Porse nga fytyra e kolegut italian nuk vinte asnjë sinjal kuptimi. Diçka mërmëriti, por prapë më duket se përsëriti fjalën libanez, ose diçka të ngjashme. Dukej qartë se nuk e dinte se ç’ishin shqiptarët. I vajta në ndihmë duke i thënë: “Jam nga Shqipëria”, me mendimin se shqiptimi i Albania nuk kishte kurrfarë asonance me Libanin.

Më kot kujtova se dialogu ynë kishte marrë fund. As emri i vendit nuk gjeti ndonjë përkim në fjalorthin e atij tipi. Zëri Albania ishte bosh… Nga fytyra dukej sikur po rrëmonte në kujtesë për këtë emër të rrallë e të çuditshëm. Por ishte skenë, si ai studenti që thotë: “Prit se e dija, por tani nuk po më vjen mend”. Si për ta rënduar situatën unë insistova: “Albania”, me natyrshmëri çarmatosëse. Prapë heshtje. Më së fundi u dorëzua: “Albania? E dove sta? (Shqipëria? E ku gjendet?)”. Atëherë, me durim i shpjegova se ishte ai vend poshtë Jugosllavisë e sipër Greqisë, anës detit, përballë Puljas.

Siç e thashë, ky episod – që shumëkujt sot, me të drejtë, i duket krejt i pabesueshëm – më erdhi ndër mend nga një lajm në mediat italiane. Ja titulli: “Torino: 5 albanesi riciclavano denaro per finanziare Hezbollah” (Torino: 5 shqiptarë riciklonin parà për të financuar Hezbollah), [Imolaoggi.it, 17 shkurt 2015]. Në brendësi të shkrimit thuhet se pesë vëllezër me origjinë libaneze po hetohen nga prokuroria e Torinos për financim të terrorizmit e për riciklim ndërkombëtar. Vëllezërit kishin një aktivitet që merrej me shitblerje makinerish bujqësore, të cilin e shfrytëzonin për financime ilegale.

albanesi-libanesiPra në titull thuhet se janë pesë shqiptarë, kurse në shkrim thuhet se janë pesë vëllezër libanezë. Artikulli nuk jep hollësi të tjera që lexuesi të kuptojë nëse të akuzuarit janë me origjinë nga Shqipëria apo nga Libani. Dyshimi se nuk janë shqiptarë të vjen kryesisht nga ai “financimi për Hezbollah”, që për shqiptarët tingëllon disi i pazakontë, por në këtë botë çfarë nuk po dëgjojmë, kështu që nuk mund të përjashtohet. Për kureshtje kërkova në ueb dhe mora vesh se në të vërtetë bëhej fjalë për libanezë. Këtë e shpjegon qartë Tgcom24.

Përshoqërimi që u bë në trurin tim, midis dy ndodhive, nuk ka të bëjë me arsyet e gabimit, por me gabimin vetë. Në rastin e parë kemi një person të vetëm, në një periudhë ku Shqipëria ishte zhdukur për dhjetëvjeçarë në mjegullnajën e përtej Adriatikut gjatë (vetë)izolimit të perdes së hekurt. Në rastin e dytë, përkundrazi, sipas gjasës kemi një lapsus që vjen nga rrëmuja që ka krijuar situata globale e konfuzioni që mbretëron në temat e imigracionit dhe terrorizmit. Në këtë çast historik, ku rreziku terrorist është sa real aq edhe i amplifikuar nga ankthi shoqëror e mediatik, gabimet vijnë vetvetiu.

Ky gabim i gazetës së vogël italiane më shkaktoi një buzëqeshje, ngaqë m’u duk argëtuese. Kësaj radhe as u lodha të arsyetoj për pasojat e keqkuptimit tek lexuesi italian. Këtë të fundit, nga një anë e parafytyrova tek qëndronte mëdyshas përballë lajmit, nga tjetra e shikoja të bindur se bëhej fjalë për të njëjtin koncept. Tek e fundit ç’rëndësi ka nëse është libanez apo albanez? A nuk janë të huaj gjithsesi?

Situatën komike ma shtoi edhe kujtimi se vite më parë, kur më morën për libanez, ishim duke pritur para derës së gjeografisë. Lëndë e rëndësishme sot e kësaj dite.

Nuk ka komente

  1. Kur arrita unë në vjeshtën e 89 në Gjermani u miqësova shpejt më një vendase në konvikt. Flisnim mirë të dy italisht – ajo kish jetuar tre vjet në Milano dhe kështu bëmë shumë miq. Unë i thashë se jam nga Shqipëria, fakt që e mori në konsideratë me një farë kurioziteti të dukshëm por jo të artikuluar. Kur vinte puna “bota ime” – “bota yte”, si gjermanoperëndimore që ishte, kishte një orientim të mirë për lindjen dhe i kuptonte relativisht shpejt ato tre gjëra që i thoja nëpër dhëmbë, se edhe shumë nuk guxoja të flisja. Pas shumë kohësh dhe shumë bisedash doli, se ajo kujtonte, që Shqipëria ishte një republikë sovjetike diku në Kaukaz.

    1. Shumë e bukur! Fillimisht kujtova se i njihte mirë Shqipërinë e shqiptarët… Megjithatë, në të kundërt, kam takuar edhe tipa të veçantë si ata që dëgjonin Radio Tiranën në gjuhë të huaj (me valë të shkurtra). Ca tipa të së majtës ekstreme, ose alternative, por edhe kureshtarë të të gjitha ngjyrave. Nuk është se e njihnin gjendjen reale, por të paktën e dinin ku binte Shqipëria. Kushedi, ndoshta edhe mes tyre kishte ndonjë që kujtonte se ato valë vinin nga stepat e largëta…

  2. Kam pasur edhe une nje histori te ngjashme ne Itali. Pertej humorit, si e shpjegon mosdijen (injorancen do te qe fjala me e sakte) e italianeve per nje vend fqinj. Se fundja-fundit gjermaneve edhe mund t’u falet mosnjeohja e nje vendi te vogel ne jug te Europes por italianeve nuk u falet mosnjohja gjeografike e nje vendi fqinj.

    1. Kjo pyetje ndoshta meriton trajtim të veçantë, sepse përgjigjja është komplekse. Arsyet mund të jenë të shumta. Shkurtimisht: së pari duhet të pranojmë se (vetë)izolimi i Shqipërisë kishte rolin e vet në padijen e italianëve. E vura në kllapa atë (vetë) ngaqë izolimi i Shqipërisë ishte edhe produkt i politikës së dy kampeve të asaj periudhe. Heshtja që rrethonte vendin tonë ishte edhe e llogaritur nga jashtë, nga gjeopolitika e konjukturat përkatëse, jo vetëm nga dëshira autarkike e Hoxhës dhe e politikës së tij. Së dyti, në kujtesën kolektive italiane, veçanërisht lidhur me pjesën e luftës së dytë botërore, ndodhi një proces removimi ndaj Shqipërisë e pushtimit fashist. Mbijetuan rrëfimet e mjegullta të babait e të gjyshit që kishte qenë ushtar përtej Adriatikut, por kjo vetëm në rrafsh personal jo publik. Së treti, Italia nuk është shquar kurrë nga vëmendja ndaj vendeve të huaja. Kjo ndoshta sepse nuk ka pasur ndonjë të kaluar kolonialiste si Britania apo Franca. Këtu duhet të shtojmë sindromën e kërthizës, që ka arritur kulmin tani, ndonëse bota po shndërrohet në fshat global. Së fundi, mund të shtojmë rolin e mediave, të cilat pothuajse nuk flisnin fare për Shqipërinë e shqiptarët.
      Ka edhe arsye të tjera, por sa për ta koklavitur problemin, mund të shtojmë se mosdija vijon edhe sot e kësaj dite, ngaqë Shqipëria në Itali është më shumë e (për)folur se sa e njohur, edhe pse nuk mund ta krahasojmë situatën e tanishme me atë të viteve 1970-1980. Megjithatë, Shqipëria në thelb mbetet sa e afërt gjeografikisht, aq e largët nga pikëpamja e njohjes së vërtetë, përtej klisheve pozitive e negative.

  3. Faleminderit Pishak! Ne fakt, Shqiperia vertet ishte e izoluar por nuk e fshiu kush nga harta. Njohja e nje vendi behet kryesisht ne harte ne sistemin arsimor. Ne fakt ka popuj qe jane injorante nga aspekti gjeografik. Por te jesh injorant per ate qe e ke te dera, veshtire se me vjen ndonje popull ndermend. Sot Italia mund te rrethohet nga shume fqinj dhe nxenesi italian edhe mund ta kete te veshtire t’i mbaj mend te gjithe. Por ne vitet 80-te, kur te ka ndodhur edhe ky episodi simpatik ty, Italia e kishte me te lehte se fundja fundit shume shtete njihesh thjesht si Jugosllavi. Pastaj me poshte vinte Shqiperia. Ta kene pasur te veshtire te mesojne edhe kete? Nuk e di. Per mua ngelet nje fenomen i pashpjeguar ndaj te pyeta.

  4. Interneti sot eshte mbushur me lajmin e pasakte qe Mike Tyson do te luaje ne nje film “action” dhe ku personazhi do te jete nje Shqiptar (Albanian) qe i ngjan shume Mike Tyson-it. 🙂
    Ne fakt boskieri i famshem do te luaje nje Algjerian qe perpiqet te imitoje Mike Tyson-in.

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin