NJOFTIM ME NDJESË BRENDA

Ka një përpjekje absurde për ta vazhduar polemikën – që unë tashmë e konsideroj të mbyllur – në lidhje me esenë time të përkthyer nga Lettera Internazionale (lexoni këtu).

Duke ju kërkuar ndjesë lexuesve të këtij blogu, të cilët me siguri janë sqaruar tashmë për çështjen, po më duhet të shpjegoj edhe një herë, se falja që kërkoi publikisht revista Lettera Internazionale dhe njoftimi i saj për gabimin e bërë me esenë time, në fazën editoriale është botuar në faqen zyrtare të revistës:

http://www.letterainternazionale.it/in_libreria.htm

Dhe jo në blogun Peizazhe të fjalës, sikurse insinuohet në shkrimin e sotëm të botuar – edhe një herë – nga Panorama. Në blog njoftimi vetëm sa është përcjellë.

Natyrisht, personi që futi duart në përkthimin italisht të esesë sime ka emër dhe mbiemër, por i takon revistës të vendosë se ç’të bëjë me të; nuk ua nxjerr dot atyre emrin e fajtorit me forcë, madje edhe sikur ta merrja vesh atë emër, me siguri do të më rezultonte ndonjë nulitet, person i panjohur për mua, këmbësor qyqar i një lufte nevojtoresh.

Sa kohë që revista e pranoi haptazi gabimin, praktikisht unë e konsideroj tani të mbyllur këtë çështje; nuk kam kohë as nge që ta ndjek më tutje. Ndërkohë, kushdo që ka dëshirë, mund t’i drejtohet revistës vetë – në bazë të informacionit të kontaktit që ata kanë në faqe – dhe të kërkojë të dhëna të tjera.

Këtë sqarim sapo e kam bërë edhe në faqen përkatëse të gazetës Panorama; por meqë moderuesve atje shpesh u shpëtojnë komentet pa i parë, sidomos kur janë në kundërshtim me vijën editoriale, po e përcjell një imazh të komentit më poshtë:

Panorama

Nuk ka komente

  1. Panorama sapo e kaloi komentin tim (http://www.panorama.com.al/2014/12/23/shpifja-pa-autor-e-firmosur-nga-a-vehbiu/#comment-364968), por linkun e ka lënë jashtë (ndoshta këtë e bën automatikisht softueri i komentimit, për t’u mbrojtur nga spam-i). Megjithatë, sa kohë që qëllimi specifik i komentit tim ishte të lajmëronte për ekzistencën e kësaj faqeje tek e cila të shpinte linku, nuk mund ta konsideroj këtë “editim” veçse si një formë censure të pavullnetshme.

    1. Nëse ka ndodhur apo jo “krimi”, besoj se për këtë kanë një ide të qartë palët e dëmtuara.

      Megjithatë, kjo që thua ti nuk qëndron ngado që ta kapësh. Fajin – sepse unë do të flisja për faj më shumë sesa për krim – e ka pranuar hapur revista Lettera Internazionale, e cila është përgjegjësja e vetme për materialet e botuara në faqet e saj.

      Se çfarë ka ndodhur në redaksinë e revistës, kjo është çështja e tyre e brendshme.

      Thua se ke përvojë në këto punë, por edhe unë kam. Kam punuar shtatë vjet si redaktor dhe më pas si shef përkthimesh në një agjenci në New York City.

      Gjatë këtyre vjetëve, ka ndodhur që klientët të kenë protestuar për përkthime gabim dhe të kenë kërkuar zhdëmtim. Agjencia jonë ishte specializuar në përkthime teknike (farmaceutike, etj.) dhe një gabim përkthimi do të çonte në rishtypjen e një materiali me cilësi të lartë tipografike, me ngjyra etj.; pra do t’i kushtonte mjaft palës së dëmtuar.

      Dhe në të gjitha këto raste, pronar i gabimit (fajit) është konsideruar agjencia: edhe nga klientët (dhe avokatët e tyre) edhe nga ne vetë. Në asnjë rast agjencia nuk ka bërë publik emrin e redaktorit që ka bërë gabimin faktik në përkthim, ose edhe të përkthyesit – nëse gabimin e ka bërë përkthyesi.

      Tani, le të supozojmë se firma farmaceutike A porositi një përkthim shqip të një broshure te agjencia B; dhe kjo agjenci ia besoi përkthimin përkthyesit C; dhe ky i fundit ka një kunjë personale me firmën farmaceutike A, prandaj e ndryshon qëllimisht përkthimin, duke futur atje gjëra të paqena, ose duke e ndryshuar tekstin. Agjencia B nuk arrin ta kapë gabimin e përkthyesit C, sepse atje askush nuk lexon shqip; dhe ngaqë, për të kursyer, nuk ia dërgon materialin redaktorit të shqipes. Kështu, materiali botohet në mënyrë të tillë, që të dëmtojë rëndë interesat e firmës farmaceutike A.

      Tani firma A, nëse vendos ta ndjekë këtë punë ligjërisht, nuk ka si të vijë deri tek përkthyesi C; sepse firma përkthimin ia ka porositur agjencisë B. Prandaj ajo i kërkon zhdëmtim agjencisë. Agjencia, me mjete të ndryshme, mund ta identifikojë autorin e gabimit tek përkthyesi i saj C. Dhe nëse ndodh kjo, atëherë është veç agjencia B që mund ta “ndjekë” përkthyesin penalisht, pse ai ka dëmtuar agjencinë B, dhe vetëm tërthorazi firmën A. Por gjithsesi, firma A nuk ka as punë, as lidhje me përkthyesin C, i cili madje mund të mos e dijë se kush e ka porositur përkthimin (si rregull, nuk e di; meqë zakonisht përkthimi i një materiali farmaceutik, si i një reviste ose i një broshure, porositet nga një firmë dizajni që e ka përgatitur materialin origjinal në anglishte, me porosi të firmës A).

      Për ta transpozuar tani këtë në rastin tonë: unë si palë e dëmtuar i kërkova revistës që ta pranonte fajin dhe të kërkonte falje publikisht, çka revista e bëri (edhe pse kushedi mund ta kish bërë pak më mirë, por sikurse e thotë edhe filozofi arab Qusta ibn al-Razi you can’t always get what you want). Nëse revista tani do t’i kërkojë apo jo zhdëmtim, qoftë edhe moral, personit që e ndryshoi vërtet tekstin, kjo varet prej tyre jo prej meje – meqë ai person ka bërë faj, ose kryer krim, kundër revistës që i besoi punën e redaktimit; jo kundër meje; pse unë asnjëherë nuk kam pasur marrëdhënie me të, as formale as miqësore, dhe as ia kam kërkuar që ta bëjë pikërisht ai redaktimin e tekstit tim, as atij as revistës; madje as kam ditur se ç’procedurë do të ndiqte revista për të kaluar nga teksti im origjinal në shqip në tekstin përfundimtar në italisht.

      Unë nuk e di pra, as mund ta di, se si funksionon revista së brendshmi; kam punë vetëm me revistën “së jashtmi”, ose me mënyrën si ajo paraqitet, në marrëdhëniet me mua, si person juridik.

      E përsërit: sa kohë që revista më kërkoi të falur mua publikisht, ajo e ka pranuar rolin publik të fajtorit moral në këtë mes. Unë nuk kam ndërmend ta ndjek tani këtë punë edhe ligjërisht, për arsye të ndryshme – por kryesisht ngaqë kam gjëra më interesante për të bërë. Ndokush tjetër mund të mos ndalet me kaq: le të mos harrojmë se nuk jam vetëm unë palë e dëmtuar në këtë mes; është edhe Ismail Kadareja, vetë revista Lettera Internazionale kundrejt redaktorit të saj anonim, dhe përkthyesi Aldo Doda, sa kohë që përkthimi ka dalë me emrin e tij.

      1. Më dukesh hipokrit. Para disa muajsh u përpoqe të ngrije një stuhi në një gotë ujë sepse të refuzuan një “studim” tëndim që demaksonte kombëtarizmin e Kadaresë, apo modifikimin që ai u ka bërë veprave të veta, ku doje të dije mes të tjerash edhe emrin e atij/atyre që ta kishin refuzuar.
        Ndërsa tani?!
        Tani, që, sipas teje redaktorë, korrektorë, të paskan tjetërsuar një shkrim të tërin dhe paskëshin vendosur emrin tënd, tani… pikërisht tani nuk të intereson – kur, sipas meje, e madje do të guxoja, sipas një mendje të shëndoshë, do të ishe pikërisht ti i pari i i nteresuar për të zbuluar këtë “makinacion”.

        Dhe realiteti kokëfortë thotë se në të dyja rastet shenjestra ishte Kadareja, apo më mirë të themi vlerat që ai përcjell ndër veprat e tija. Në të dyja rastet, edhe pse në kontrast të fortë, veprimi yt dhe (pseudo)argumentet që përdor më duken dredharake, dhe hipokrite.

        Jam kurioz, në mendjen tënde, si i paqëton këto dy mënyra veprimi dhe argumentimi të kundërta për ngjarje pothuaj identike?

        1. Nuk shoh ndonjë lidhje mes këtyre dy incidenteve – sidomos ngaqë botimi është i kundërt me mosbotimin.

          Me sa mbaj mend, problemi që pata unë atëherë ishte me “Hyllin e Dritës” dhe me deklaratat publike të disa eksponentëve të asaj reviste – dhe asnjëherë nuk kërkova emra të atyre që e kishin hedhur poshtë artikullin.

          Dhe gjithsesi, nuk jam unë këtu që duhet të merrem në pyetje as të vihem para përgjegjësisë.

          Sa për incidentin e atëhershëm, ishe pikërisht ti që insinuove se unë po kërkoja emra; dhe ta sqaruan, edhe atëherë, se nuk po kërkonte kush emra.

          Dhe më tej akoma, artikulli im për romanin “Kështjella” nuk demaskon gjë kombëtarizmin e Kadaresë; sepse është artikull shkencor dhe nuk demaskon asgjë, por përshkruan ideologjinë e një ripunimi letrar.

          Nëse ti e ke lexuar atë artikull dhe ke nxjerrë përfundimin që thua, atëherë ti ke probleme me të kuptuarin e teksteve.

  2. Po bëj edhe një sqarim tjetër kushedi të nevojshëm, sepse shkalla e akuzave tani te komentet e “Panoramës” i ka kaluar caqet e logjikës.

    https://xhaxhai.files.wordpress.com/2014/12/panorama-2.png

    Asnjëherë nuk i kam dërguar ndonjë material specifik timin revistës Lettera Internazionale – por vetëm sa i kam rekomanduar të zgjedhin, që prej librit tim “Sende që nxirrte deti”, një nga tre kapituj që mua më dukeshin më të përshtatshëm për lexuesin italian.

    Se çfarë ka ndodhur më pas; madje edhe si u është dhënë atyre teksti origjinal i artikullit, unë nuk e di. Besoj do ta kenë marrë drejtpërdrejt nga libri.

    Ky është sqarimi i fundit që jap për këtë punë. Nuk më pëlqen roli i dikujt që e marrin në pyetje dhe detyrohet të japë xhevap, në një kohë që është dhe mbetet palë e dëmtuar.

    Kushdo që ka ende dyshime për këtë çështje, është i lutur t’i drejtohet revistës vetë, në kontaktet që gjenden në faqen e saj në ueb.

    1. Xha Xha,

      ja ku i doli koka muhabetit me ne fund. E verteta vonon, por nuk harron! Re vete brenda me kembet e tua. Ti vete e ke thene se e paske mik kete Leogranden. Po pse nuk e paske ditur ti se kush eshte Leogrande? Nuk e ke ditur ti se ç’mendon ai per Kadarene? Aq me teper qe ai, jo vetem se ka folur lart e poshte duke bere aluzione se gjoja Kadareja nuk paskesh qene disident, se paskesh qene anetar i Lidhjes se shkrimtareve etj., por ka shkuar deri atje sa t’i botoje ato aluzione!

      Xha Xha, veri gishtin kokes dhe bej autokritike! Nuk thote kot populli, me thuaj me ke rri, te te them se cili je! Dhe mos harro se syrit vigjilent te kllases nuk i shpeton asgje.

  3. “The amount of energy necessary to refute bullshit is an order of magnitude bigger than to produce it” (aforizëm që i atribuohet Alberto Brandolini-t; por që përshkruan në përsosmëri ditën time sot).

    1. Eshte qarte, ka nje shtremberim ne perkthim te nje teksti, revista ne fjale kerkon falje, duke vertetuar argumentat e Vehbiut. Te vazhdohet te tiret ky muhabet ka vlere vetem per sherxhinjte dhe teoricienet e konspiracionit

  4. Të konkludosh që në “Restaurimin e Kështjellës” bëhet fjalë për kombëtarizëm, do të thotë të tradhëtosh që fle nën jorganin (të paktën) hermeneutik të Minellës. Është qesharake, por për emrin Risus, në karakter — fair enough.
    Xha Xha, mua më kënaqi sa s’di të them ai artikull. Nëse nuk e ke botuar ende, i duhet drejtuar i përkthyer ndonjë reviste komparatiste, tip “Comparative Literature Studies”, sepse për thellësinë e artikullit, kombinimin e teknikave narratololgjike e leksikografike, dhe interesin që po tregohet këto vitet e fundit ndaj teksteve të shkruar gjatë luftës së ftohtë, është në targetin e tyre. Plus, po të isha ti, do ta hiqja nga blogu, sepse mirë që s’e botuan, por do ta kopjonë copa-copa, shtrëmbërojnë, e do ta publikojnë si të tyrin.

  5. Xhelil Gjoni sot në “Panorama”:

    https://xhaxhai.files.wordpress.com/2015/01/xhelili.jpg

    Edhe pak dhe unë do të përfundoj i quajtur si autori (natyrisht apokrif) i kësaj “shpifjeje” kundër Kadaresë.

    Siç e do vendi (“Panorama”) dhe kuvendi (“tema Kadare”), edhe Gjoni rezulton i painformuar, meqë unë nuk kam risjellë asnjë fakt; përkundrazi, kam çliruar veten nga përgjegjësia, në lidhje me diçka që për disa mund të jetë fakt, por që për mua nuk ka qenë, as është.

    Dhe meqë jemi këtu, vëreni te ky paragraf edhe si kërkonte ta përdorte Ramiz Alia Kadarenë – si vjershëtar të oborrit, kur i sugjeron, nëpërmjet Xh. Gjonit, që të shkruajë një poezi për refugjatët e ambasadave…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin