PUCCINI NË TIRANË

Të pakta janë veprat operistike ku t’i qëndrojnë njëri tjetrit elemente të kundërt dhe të skajshëm. I gjejmë te Triptiku i Giaccomo Puccini-t, një vepër e përbërë nga tri opera me një akt, që rrëfejnë me muzikë tre pamje histori të ndryshme.

Këto ditë në Tiranë do të vihen dy prej tyre: Suor Angelica dhe Gianni Schicchi, me pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë dhe italianë. Ndër ta spikasin emrat e Ermonela Jahos dhe Gëzim Myshketës.

E ndoqa shfaqjen në provë gjenerale ose para-premiera, sic cilësohet tani, dhe që bëhet e hapur për publikun. Ishte një sallë e mbushur plot, me çmimin “simbolik” të një bilete 2 mijë lekë të vjetra.

Suor Angelica ëshë një opera femërore. Personazhet e saj janë murgeshat e kuvendit. Një vajze me prejardhje aristokrate i duhet të paguajë mëkatin e mishit; të braktisë djalin e lindur nga një marrëdhënie e jashtëligjshme dhe të mbyllet në një kuvend. Ky është fati tragjik i Suor Angelica-s. E vendosur në një skenografi tepër të kursyer, me një zgjidhje regjisoriale që nuk merrej vesh nëse anonte te sakralja, apo te laikja, Ermonela Jaho zotëroi skenën plotësisht dhe largoi çdo lloj paqartësie. Vokali i zhdërvjellët, por mbi të gjitha inteligjenca për të nxjerrë në pah anën njerëzore, “trupin” e këtij këtij zëri, bënë që ky personazh të vinte shumë real dhe i vërtetë në dramën e vet. Angelica të kujton Cio-Cio-San-in e Madama Butterfly, vetëm se këtu “dozat” e verizmit e distancojnë vokalin nga i lirizmi i belcanto-s dhe fokusohen më shumë te përmasa dramatike e zërit (diçka që fjala vjen, do ta gjejmë në një përmasë akoma edhe më të thellë te opera Wozzek e Anton Webern-it). Ky model vokaliteti ishte punuar deri në detaj nga Ermonela Jaho dhe u mbështet mjeshtërisht nga orkestra e TKOB e drejtuar nga Sebastiano Rolli.

Një gjendje të kundërt në ekstrem solli Gianni Schicchi i Gëzim Myshketës, që ishte gjithashtu edhe regjisori i veprës. Tragjikes, fatalitetit të Suor Angelica-s iu përgjigj një Gianni Schicchi tërësisht komik, hokatar, buzagaz. Opera të kujton elementët e commedia dell’arte dhe rosinianin berber të famshëm të Seviljes. Eshtë një opera që nuk ka detajin e thellë muzikor të Così fan tutte të Mozartit apo Falstaff-it të Verdit, por ama nuk ka të krahasuar për përmasën komike, për shakanë që përshkon të gjithën. Është një realizim mjeshtëror nga ana e libretit – futja e së folurës së përditshme – i kombinuar plot lezet me muzikën.

Më duhet të bëj një vlerësim të dyfishtë për Myshketën si personazh në rolin e Schicchi-t dhe si regjisor. Dukej qartë kujdesi për të zbërthyer karakterin deri në detaj, jo vetëm nga ana muzikore, vokali i qartë, por edhe nga gjithë elementët e tjerë shoqërues: lëvizja skenike, diksioni, loja e aktorit. Të njëjtën punë si me veten, Myshketa e kishte bërë edhe me personazhet e tjerë. Ndaj vlen të përmendet Lauretta e Besa Llugiqit, Rinuccio i Gabriele Mangione, “plaka” e Ivana Hoxhës, Nella e Eriona Gjyzelit, Simone i Armando Likaj, etj.

Suor Angelica dhe Gianni Schicchi nuk e kanë ndarjen standarde mes korit dhe solistëve. Çdo këngëtar në skenë është personazh dhe sado sporadik qoftë, lë shenjë si zë më vete. Të tillë ishin edhe personazhet e Gianni Schicchi-it, më shumë sesa ata të Suor Angelica. Ndërkohë dua të vlerësoj orkestrën dhe dirigjentin e operas për kalimin delikat nga dramaticiteti i të parës te shakatë e të dytës.

Suksesi i kësaj vepre përveç duartrokitjeve dhe ngritjeve disa herë në këmbë të publikut tregon se po të duash ta bësh punën me kujdes e dashuri, gjërat e bukura dalin vetë, por tregon gjithashtu se gjërat nuk mund të shkojnë më me ardhjet bamirëse të artistëve nga jashtë (Këtu një intervistë e Jahos për këtë ceshtje:).

Duhet t’u jemi mirënjohës artistëve si Ermonela Jaho apo Gëzim Myshketa, por duhet të pranojmë ama se institucione të tilla publike, kanë nevojë për një mbështetje financiare të konsoliduar, jo sa të qëndrojnë në këmbë. Gjithashtu është i nevojshëm krijimi i një rrjeti bashkëpunimi mes operës shqiptare dhe trupave të tjera të ngjashme jashtë saj; një bashkëpunim konstant përvojash pune. Nuk është fjala të bëjmë një krahasim se ku jemi ne dhe ku janë ata, por të kuptojmë realisht se cilat janë mangësitë dhe se si mund të përmirësohen, duke filluar, fjala vjen, nga diksioni, që pavarësisht talentit të deklaruar italisht-folës të ne shqiptarëve, kur vjen puna te opera, ka gjithmonë nevojë për t’u përmirësuar.

Arti nuk ta fal përsosmërinë, por besoj se në këto ditë të ftohta shkurti, Puccini i TKOB do t’ju kënaqë me triptikun e tij. Vishuni mirë, se nuk bën gjithmonë ngrohtë në sallën e operas dhe uroj të merrni të njëjtën kënaqësi që mori publiku i para-premierës.

 [Shënim: ky material është pronë e autorit dhe e blogut Peizazhe të fjalës. Ndalohet huazimi dhe përdorimi i tij nga media të tjera pa i kërkuar leje shprehimisht autorit.]

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin