BUNKERI ME GJETHE

Është e vështirë ta gjykosh strategjinë kulturore duke u bazuar në dy nisma të veçanta. E kjo vlen edhe për kultivimin e kujtesës kolektive shqiptare në raport me muzeun “Bunk’art” e “Shtëpinë e Gjetheve”, e quajtur ndryshe “Muzeu i përgjimeve”. Mirëpo, disa prirje mund të vihen re që tani e ndonjë paralajmërim mund të bëhet për kurthet eventuale që i ngrihen kujtesës sonë kolektive.

shtepia me gjetheMuzeu i parë, me emrin Bunk’art, u hap në mjediset e një bunkeri antibërthamor në periferi të Tiranës. Sipas njoftimeve të ndryshme bëhej fjalë për tunelin e ndërtuar për strehimin e udhëheqjes së regjimit totalitar në rast lufte. Muzeu i dytë, është ai i “Shtëpisë së Gjetheve”, zyra qendrore në kryeqytet ku zhvilloheshin përgjimet e Sigurimit të Shtetit gjatë periudhës totalitare. Ky muze është emërtuar si “Muzeu i Përgjimeve”.

Operacione të tilla kulturore kanë vlerat por edhe rreziqet e tyre. Siç vihet re kollaj, të dyja janë quajtur muze, çka na autorizon t’i fusim në të njëjtën kategori, sikundër periudha historike të cilës i referohen dhe objektet e përdorura. Mirëpo, ky muzeifikim i historisë dhe i kujtesës kolektive, nëse do të konsolidohej si prirje, duhet të na bëjë të reflektojmë.

Një nga efektet e muzeifikimit është pikërisht distancimi hapësinor e kohor. Vendosja në muze e një pjese të historisë së vonë e largon atë në perceptimin e qytetarëve, duke e nxjerrë jashtë nga koha aktuale. Nga ana tjetër, vetë vendosja në muze i shndërron qytetarët në publik, në mos në spektatorë, përderisa vetë muzeu me raftet e vitrinat e veta i ndan objektet nga vëzhguesit e jashtëm. Gjithashtu, ato objekte largohen në hapësirë, vjetrohen në një farë mënyre, duke na u ardhur si jehonë e kohëve të largëta, ndërkohë që si bunkerët, ashtu edhe përgjimet, kanë ekzistuar rreth dy dhjetëvjeçarë më parë, aq sa dëshmitarët janë ende gjallë, madje aktivë në jetën publike shqiptare.

Këtu nuk duhet të harrojmë procesin e projektimit. Muzetë që flasin për epoka e për dukuri problematike, pikërisht se evokojnë ngjarje traumatike, rrezikojnë të funksionojnë si mjete për t’i larguar nga vetja, në një orvatje kolektive dramatike për t’i ekzorcizuar. Porse, nuk është e tepërt ta kujtojmë, se ajo çka tregojnë në thelb muzetë është se dukuritë që ato mëtojnë t’i kenë burgosur përfundimisht, në realitet vijojnë edhe sot. Sa për përgjimet, është e thjeshtë ta pranojmë se ekzistojnë edhe sot, por edhe dyfytyrësinë e pushtetit që del nga bunkeri në periferi të Tiranës nuk kemi vështirësi ta pohojmë. Ajo çka duhet shmangur është pikërisht veleitarizmi i kapërcimit të dukurive negative thjesht me paraqitjen e tyre figurative. Sepse përgjimet në vetvete nuk tregojnë shumë, kurse përdorimi i tyre dhe mënyra se si funksiononte ai sistem totalitar është diçka më serioze; po kështu duhet thënë se tuneli strehues tregonte se si funksiononte ai regjim,bunkere si produkti i përkryer i frikës dhe i frikërave, për frikën që mbillte por edhe që pësonte, si edhe për dallimet në trajtim, për sa kohë strehimi në lagjen time ishte shumë më “modest”, gjithnjë në raport me kohën. Kështu, metafora e mbylljes së fantazmave të së kaluarës në bunker, duke e fetishizuar këtë të fundit, mund të përkojë me harresën e së kaluarës.

Muzeu i vjetërson gjërat, por edhe përmban gjëra të vjetra brenda. Kush nga ne nuk ka buzëqeshur me mjetet që përdornin në të kaluarën të parët tanë, nga bujqësia, mjekësia tek komunikimi, ndërsa sot jemi të rrethuar nga traktorë të kompjuterizuar, rezonanca magnetike e telefona superinteligjentë që punojnë nëpërmjet uebit? Vetë ekrani bardhë e zi i televizorit na jep idenë e vjetërsisë shekullore. Por bashkë me të vjen pashmangshmërisht edhe ideja e naivitetit e ndonjëherë e qesharakes. Ata që i përdornin dje ato mjete, duke filluar nga parmenda, mjeti primitiv kirurgjikal, telefoni me tre shifra, shiriti i pafund i magnetofonit, na duken si të pazhvilluar, të një epoke të largët e naive. E megjithatë, pavarësisht nga mjetet obsolete, por në përputhje me kohën, sistemi totalitar ishte më i zhvilluari i të gjitha kohëve përsa i përket funksionimit të tij. Rreziku i banalizimit të objekteve dhe të asaj që ato dëshmojnë e tregojnë njëherësh qëndron prapa çdo vitrine nga ku shikojnë të zbavitur turma nxënësish e njerëz kureshtarë.

Që dy nismat e lartpërmendura, Shtëpia e Gjetheve dhe Bunk’art, kanë diçka prej lunaparku, prej parku modern lojërash, nuk mund të mohohet lehtë, po të kemi parasysh se e para me atë misterin e saj na kujton shtëpinë klasike të horrorit, kur e dyta na sjell ndër mend instalacionet me aventura e kuriozitete. Por më shumë se objektet në parkun e lojërave, nismat na evokojnë lunaparkun me klimën që përshoqërohen zakonisht. Ka diçka zbavitëse, kureshtare, dëfryese, ndoshta diçka prej pikniku a ekskursioni, në procesionin e atyre që shkojnë tek muzetë moderne. E megjithatë, të dyja flasin për një epokë tragjike e i përkasin një bote plot me dhimbje.

Nuk është e lehtë të kuptohet nëse ka qenë spektakolarizimi i dy nismave që ka çuar tek paraqitja e tyre në trajtë zbavitëse, apo ka ndodhur e kundërta. Fakt është se si Bunk’Art ashtu edhe Shtëpia e Gjetheve kanë të bëjnë më shumë me një skenë spektakli se sa me dy muze ku mund të kultivohet kujtesa kolektive. Nëse tek i pari ideja e spektaklit deklarohet që në përkufizim, tek i dyti mjafton pamja misterioze e fasadës së ndërtesës. Fusha magnetike e spektaklit të dy nismave ishte aq e fortë saqë në Bunk’Art janë zhvilluar edhe spektakle televizive. Një spektakël brenda spektaklit. Ja ku doli edhe labirinti me pasqyra i parkut, ku gjetja e kuptimit fillestar të nismës bëhet pothuajse e pamundur, porse dëfrimi është i siguruar. Në bazë të kësaj përvoje mund të supozohet se së shpejti Shtëpia me gjethe do të kthehet në set kinematografik për ndonjë film të llojit “Jetët e të tjerëve”.

Shumëkush e vuri re se dy nismat u kthyen edhe në platforma skenike për politikanët e për autoritet publike, që deri diku janë të kuptueshme. Shumëkush mund të ketë parë pas muzeve dorën e gjatë të politikës, madje të partive. Janë pjesë e lojës: si akuzat për instrumentalizim i nismave kulturore për të treguar shkëputjen përfundimtare nga e kaluara komuniste, ashtu edhe akuza se nisma të ngjashme përdoresh si çomange për të vërtetuar lidhjen e kundërshtarëve me të kaluarën totalitare. Sidoqoftë, në rast se është e vërtetë, instrumentalizimi i veprimtarive të tilla tregon cilësi të dobët të politikës, ashtu edhe dështimin e nismave, meqë objektivi i tyre është t’u flasë brezave jo elektoratit.

E këtu duhet përmendur edhe mediatizimi i nismave, pa të cilin vetë nismat nuk do të kishin pasur dukshmërinë publike që patën. Përjashto aspektin pozitiv të jehonës, sensacionalizmi i lajmeve për turmat kureshtare të tunelit, reliket e bllokmenëve, ngjyrat mbi bunker, vizitat e diplomatëve, pozat fotografike, e kështu me radhë, e zhvendosën vëmendjen nga objektivi i vërtetë tek kuriozitetet prej revistash verore e tek problemet dytësore.

Porse ka tituj e shkrime që kërkojnë analiza të thella. Ja disa prej tyre: Koha Jone: “Bunk’Art” i diktaturës, Hoffmann: Surprizë; Arvizu: Mos të fshihet e kaluara; Ora News: Speciale/ Bunk-art, sekretet e nëndheut komunist në Objektin 0774, Balkanweb: Rama hap bunkerin antiatomik: S’e fshehim më të shkuarën, do hapim dosjet, Vizion+: Rama zbulon Bunk`art-in e diktaturës komuniste , Shqiptarja.com: Bunk’Art, Rama: 4 mijë vizitorë në dy ditë, të interesuar dhe në Vjenë, Ora News: “Expo Milano 2015”, workshop me gatime shqiptare në Bunk’Art, Telegrafi: Rrëfen banakierja e Enver Hoxhës në bunker, Dielli: Expo Milano 2015, Shqipëria shkon me Bunk Art, Albanian Tourism: Me hapjen e kesaj ekspozite ia kemi ngjesh malit me grushtin e artit, Shqiptarja.com: Krerët e besimeve fetare në Bunk’Art: Harmonia, vlera jonë.

Ka një fill të dyfishtë që i përshkon dy muzetë për regjimin totalitar: është vështrimi i të huajit. Herë shfaqet direkt me shikimet kurioze të diplomatëve, herë indirekt nëpërmjet vështrimeve tona ndaj së kaluarës. Vetë lidhja me turizmin, pra në thelb me vështrimin e të huajit, tregon se nismat që kanë të bëjnë me kultivimin e kujtesës e të historisë kushtëzohen fuqimisht. Fundja nuk është rastësi që objektet shpjegohen edhe në gjuhë të huaj. Por vështrimi i turistit është shumë i ndërlikuar (gjithsesi ndryshe nga i huaji në përgjithësi), sepse nga një anë shikon atë që dëshiron, për argëtim ose kureshtje, nga tjetra homologon paraqitjen tënde ndaj tjetrit, që fillimisht ka një qëllim të caktuar por kujdes-koken-bunkartnë fund mund të përfundojë në përputhje me të. Tek sytë e turistit, në një farë mënyre, pasqyrohemi ne vetë, me rrezikun që ta shohim veten me sytë e tij.

Nismat kulturore që kanë të bëjnë me historinë dhe me qasjen tonë ndaj saj kanë rëndësi të madhe, e duhen përgëzuar pa dyshim, por duhet të trajtohen me kujdes, siç e kërkon vetë tema madhore. Sepse kurthet nuk gjenden as brenda bunkerit të udhëheqjes, as brenda shtëpisë me gjedhe, por në mendjen tonë.

P.S. Lajmërimi “Kujdes kokën” i fotografisë (marrë nga faqja zyrtare e Bunk’Artit), me pak imagjinatë, mund të lexohet edhe në mënyrë metaforike.

P.S.S. Titull alternativ i shkrimit “Gjethet e bunkerit”.

[Shënim: ky material është pronë e autorit dhe e blogut Peizazhe të fjalës. Ndalohet huazimi dhe përdorimi i tij nga media të tjera pa i kërkuar leje shprehimisht autorit.]

Nuk ka komente

  1. “Nga ana tjetër, vetë vendosja në muze i shndërron qytetarët në publik, në mos në spektatorë, përderisa vetë muzeu me raftet e vitrinat e veta i ndan objektet nga vëzhguesit e jashtëm.”– PZh

    Kjo fjali, Pishak, më kujtoi një ekperiencë të rrallë në Jüdisches Museum në Berlin, disenjuar nga Daniel Libeskind, në kujtim të viktimave të holokaustit. Aty ka një hapësirë që e fshin kufirin mes vizitorit dhe materialit të ekspozuar, një si tip korridori i ngushtë i shtruar me fytyra te hekurta si të dala nga “Klithma” e Munch-it (e quajtur ‘Gjethet e Rëna’, o rastësi!), dhe diku në mes të tyre qëndron një nga të punësuarit e muzeut.

    Qëlloi që isha me një të njohurin tim pak impulsiv dhe ky sulet të eci mbi fytyrat e hekurta. ‘Mos’ – i thashë, ‘se na u hap barku’. ‘Po ja ku ka shkelur vetë roja e muzeut’, – ma kthen dhe ecën drejt rojes. Boll gërrvishtjet e pllakave që kumbonin në zbrazëti sikur po ecje mbi kocka të pështjellonin. Ndërkaq roja i afrohet dhe i thotë: ‘Kaq kollaj mund të bëhesh bashkëfajtor. I dyti e ka më të lehtë të justifiohet, apo jo?’ (‘So einfach wird man zum Mittäter, die Rechfertigung fällt dem Zweiten leichter, oder nicht?’)

    Mund të shihet këtu ecja e të dëgjohet edhe kërcitja (shih rubrikën Installation Shalechet): http://de.wikipedia.org/wiki/J%C3%BCdisches_Museum_Berlin

  2. Pishak, pak jashtë teme, por kur pashë foton që kishe sjellë si ilustrim, dhe ku “Shtëpia e gjetheve” rezulton e përkthyer si “House of Leaves”, më shkoi mendja menjëherë tek titulli i një romani jashtëzakonisht të pëlqyer të letërsisë amerikane bashkëkohore, “House of Leaves”, të Mark Danielewski; të konsideruar si kryevepër të letërsisë post-moderne. Romani rrëfen, mes të tjerash, për një shtëpi të përbindshme diku në Virginia, e cila është shumë e madhe, së brendshmi, sesa nga jashtë; dhe ku një personazh i romanit ndërmerr një ekspeditë për t’ia zbuluar sekretet, mes të tjerash edhe që shtëpia vetë është një prani pothuajse borges-iane, labirintike dhe njëkohësisht e gjallë dhe pa pushim e rikonfigurueshme. Do të ishte vërtet ironike, se nuk po gjej term tjetër, që përkthyesi i posterit të ketë pasur parasysh romanin e Danielewski-t, kur ka ndërmarrë përkthimin më lart; dhe ka dashur ta prezantojë shtëpinë me gjethe, një objekt në thelb banal dhe të shpëlarë si nga jashtë ashtu edhe (supozoj) nga brenda, si një objekt të llojit të shtëpisë që përfytyron Danielewski, ose ku brendësia nuk i përgjigjet më jashtësisë, sepse është shumë më komplekse dhe e vëllimshme se ç’mund të kuptohet nga pamja. Puna është se, edhe sikur të mos e ketë menduar përkthyesi këtë punë, vizitorët e huaj do ta bëjnë lidhjen menjëherë siç e bëra unë, duke pasur parasysh popullaritetin e romanit në fjalë.

    1. Xhaxha, nuk je aspak jashtë teme. Referimi për të cilin flet është i detyrueshëm edhe për misterin që rrethon Shtëpinë me gjethe, pra karakterin prej fiction-i që përmban e me të cilin paraqitet. E përfytyroj vizitorin e huaj që i qaset shtëpisë me bagazhin letrar që ka në tru. Kureshtje, mëdyshje, referime psikedelike. Historia që narrativizohet, apo letërsia që trupëzohet? Për t’iu larguar tamam temës mund të kujtojmë se si u prezantua në publik kjo shtëpi. U tha se do të zbulohet edhe nëndheu i saj. Kjo e rriti misterin edhe më shumë. Pastaj ndalimi për t’u futur brenda ndërtesës (për arsye sigurie besoj, prapë “kujdes kokën!”) e shtoi kureshtjen e të pranishmëve. Në një media lexova se fillimisht nuk u lejua asnjë person të futej. Ambasadorja e BE-së u la jashtë. Donte të futej Ambasadori gjerman, por edhe ky u bllokua. Por pastaj me ndërhyrjen e këshilltarit të Kryeministrit (sic!) u lejua që Ambasadori gjerman t’i hidhte një sy shtëpisë së mistershme. Kur doli u shpreh: “Kur hyn në një ndërtesë të tillë është me të vërtetë tronditëse”. Tani, pres që të shkruhet ose një roman, ose të bëhet një film. Me të njëjtin titull.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin