ZËRI, STILI DHE MAJMUNI

Në një bisedë, në emisionin WakeUp në TopChannel për rifillimin e spektaklit The Voice më tërhoqi vëmendjen një cilësim i çuditshëm.  Ishin ftuar producentja dhe njëri prej anëtarëve të jurisë, këngëtari Genc Salihu. Duke shprehur entuziazmin për edicionin e sivjetshëm, ata vunë në dukje edhe risinë e tij.

Kjo kish të bënte me praninë e “zërave-stil”, përkufizimi i tyre ky. Përtej vokalit të bukur dhe të madh, shpjeguan ata, kësaj here realizuesit e The Voice mbështetnin “vokalin e stilit”, që sipas Salihut shprehte edhe trendin e fundit global për zëra që shkojnë tej vokalit të bukur dhe të madh duke privilegjuar më shumë ata që nuk ulërasin dhe masin forcën, me pak fjalë, sipas tyre, “zërat-stil”  (emisionin mund ta konsultoni këtu: https://www.youtube.com/watch?v=5lBh1_4oij8;  diku te 14’55’).

Pa marrë përsipër këtu të analizoj një talent-show, që ka gjetur një përhapje të gjerë si format i suksesshëm spektakli mediatik, e pashë të arsyeshme të komentoj pak për këtë përkufizim të çuditshëm dhe krejt bosh: “zë-stil”. Kjo sepse në shumë raste ndodh që të thëna të këtij tipi, aq më tepër kur duket sikur vijnë nga “karrige kompetenti”, hyjnë si pa teklif, fillojnë të përdoren dhe fitojnë pavarësi kuptimore.

Ka cilësi shumë të veçanta zëri njerëzor, për të cilat mund të flasësh gjatë.  Nga çfarëdo ane që ta marrësh ama, nuk mund të ekzistojë një “zë-stil”. Është një përkufizim qesharak dhe i pasaktë. Mund të ekzistojë një stil të kënduari, por  jo një “zë-stil”. Zëri mund të jetë i impostuar (tipi i belcanto-s italiane, që për aq kohë ka mbizotëruar edhe jashtë formatit operistik), zë i ashpër, gërvishtës, zë i ngjirur, melodioz, i stonuar, i trupëzuar, e kështu me radhë. Stili i të kënduarit i vendos këta brenda një estetike të caktuar. Ky stil të  kënduari mund të jetë i lindur, por në shumicën e rasteve përvetësohet, modifikohet, ndryshon nga rrethana të caktuara muzikore dhe kulturore. Ka artistë që pikërisht falë punës me zërin kanë arritur të shfaqin përmasat shumëdimensionale të vokalitetit njerëzor. E kanë treguar interpretimet e jashtëzakonshme të Cathy Berberian-it (më vjen në mend Stripsody) apo ato të Demetrio Stratos-it. Dhe nëse këta mund të ngjajnë shumë të sofistikuar për shijet e përgjithshme, le të vijmë te ata pak më “modestët” siç mund të ishin fjala vjen: Ella Fitzgerald, Mina, Toshe Proeski, Um-Kulthum, apo Bik Ndoja, që diti të puthë në mënyrë krejt originale, stilin bel canto me nuancat melizmatike të melodive orientale dhe jareve.

Ka pastaj artistë si Bob Dylan, Janis Joplin, Lucio Battisti, Jacques Brel, që kanë shkuar përtej një vokaliteti të stilizuar, të standartizuar. Zëri i tyre  nuk i qëndron krejt atyre cilësive model që do të gjenim te një këngëtar, megjithatë edhe në këtë rast, ata nuk mund të cilësohen si “zëra-stil”. Nuk besoj se një artist si Luigi Tenco krijoi dhe interpretoi për të treguar ndonjë stil të kënduari sesa për të përcjellë artin e tij jo konformist. Të kesh zë të veçantë (të madh si të Elhaida Danit, apo të vogël si të Arisa-s) nuk do të thotë që di të këndosh. Po kështu, të mos pasurit e një zëri “të mirë”, nuk do të thotë që nuk mund t’i japësh frymë një melodie dhe një teksti.

Gjëja më shqetësuese në cilësimin “zë-stil” nuk është thjesht pasaktësia në formulimin e tij, sesa mënyra krejt sipërfaqësore dhe e reduktuar për ta njohur dhe kuptuar zërin që këndon. Zëri nuk është thjesht një tingull i emetuar në hapësirë me një stil të caktuar. Nuk është vetëm diçka e pëlqyeshme ose jo në nivelin estetik. Zëri që këndon është tingull që komunikon, që shpreh një emocion të caktuar, një mendim, një kulturë të caktuar dhe më tej akoma është një nga gjërat që na vë në kontakt të drejtpërdrejtë me  atë çka është njerëzore te ne. Më kujtohet këtu një intervistë e Vincenzo Mollica-s me Federico Fellini-in. E pyeti pse kishte zgjedhur Adriano Celentanon, atëherë një artist thuajse i panjohur, për një nga skenat e filmit La dolce vita. Përgjigjja e tij ishte pak a shumë kështu: “Sepse askush tjetër veç tij, nuk ngjan me një majmun që këndon.” Puna është se ky “majmun” që këndonte mbetet një nga figurat më dominuese të muzikës së lehtë italiane të këtyre 70 viteve të fundit dhe ka qenë i tillë para së gjithash, sepse i dha zë muzikës së vet, fjalëve, jetës, realitetit, asaj çka shkonte dhe asaj që nuk shkonte, gjithnjë duke u përpjekur të ishte sa më i sinqertë.

Për sa kohë do të ekzistojnë artistë që dinë ta bëjnë një gjë të tillë (qofshin në mënyrë intuitive; ose falë një mrekullie të natyrës apo edhe në sajë të punës së vazhdueshme e sistematike me vokalin e tyre) do të ekzistojnë dhe zëra këngëtarësh individualë, protagonistë të përveçëm të skenës që sa herë i dëgjon të bëjnë të kuptosh se çdo të thotë vokal.  Në të kundërt, do të kemi zëra që enden, duke u çjerrë, duke stonuar, zëra që ulërijnë apo që vazhdojnë të imitojnë pa mundur të gjejnë vetveten dhe mbase duke tentuar të përligjen me cilësime të tilla boshe, si ky që përmendëm.

(*) Muzikologe

Rreth Autorit

Mikaela Minga është etno/muzikologe pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Arteve. Merret me praktika të ndryshme muzikore të arealit ballkanik e mesdhetar, me muzikën në shek. XX dhe lidhjet e tyre të shumanshme në rrafsh artistik dhe social-kulturor. Është autore librash, esesh dhe artikujsh të ndryshëm.

Author Archive Page

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin