DIJA NË INTEGRITET

Sot çmojmë fort njerëzit me integritet (që kanë integritet). Njeriun me integritet duan të gjithë ta kenë në familje, ta kenë komshi, ta punësojnë (së paku në kërkesën formale), ta kenë mik e bashkëqytetar. Por integriteti ka nevojë për dy shtylla të forta e jo të lehta për t’u pasur.

E para është ajo që na shkon në mendje sapo përmendet shprehja “me integritet”: karakteri dhe ndershmëria që të japin aftësinë dhe forcën që të mbrosh bindjet që ke, dhe të jesh vetja jote, pavarësisht nga presionet shoqërore dhe interesat e momentit. Shpesh e mbyllim këtu arsyetimin e të qenit me integritet. Por a janë me integritet njerëz që kryejnë akte në përputhje me besimin e vet, por ama besimet u shprehin padije shoqërore dhe primitivitet? A ishte me integritet burri nga Lundra që në mes të restorantit i ra me shpullë së shoqes sepse ajo nuk e vendosi si duhet të birin në karrige, dhe ky ra? A janë me integritet klientët shumë-tipash në po atë restorant që s’pipëtinë pas shpullës së dhënë, por vazhduan të hanë mish e të mbllaçiten? Burri “lundërtar” është njëcopësh. Ai nuk e ka vënë kurrë në dyshim dhe as e ka fshehur që gruaja është mendje-boshe nga natyra dhe merr vesh veç me dajak. Gratë e burrat mbllaçitës e kanë mësuar nga më të mençurit që të mos fusin hundët në punën e të tjerëve, sidomos në punë private mes burrit dhe gruas. Këtyre njerëzve nuk u dëmton të qenët njerëz me integritet hipokrizia apo ndryshimi i ideve sipas interesave, sepse këto nuk para u lëvizin edhe aq (u kanë ngecur diku). Këtyre u mungon një mekanizëm themelor, ai i njohjes, i dijes për veten dhe tjetrin në raport me të mirën dhe të keqen, u mungon aftësia që të analizojnë e të krahasojnë në mënyrë kritike botën që do evitonte edhe lëndimin e tjetrit – u mungon dija në përgjithësi aq sa edhe dija etike. Në fakt të qenët njeri me integritet kërkon t’i kryesh veprimet me ndërgjegje dhe me zgjedhjen tënde. Është pikërisht dija që ne shpesh e lemë jashtë formulës së integritetit të një individi.

Vë buzën në gaz kur njerëz të famshëm befasojnë publikun me sjellje që interpretohen si mungesë integriteti. “Një njeri i famshëm si ai (ajo), qenka kaq i neveritshëm në jetën private? S’ma kishte marrë kurrë mendja!” Përse është skandaloze dhe kaq e papritur psh që një futbollist amerikan rreh të birin me thupër? Komshiu im të cilin nuk e njeh kush se s’ka talente të veçanta, s’do konsiderohej aq pa integritet, ose së paku nuk do befasonte njeri për të njëjtin akt; por ama ai që del në televizor, është hipokrit dhe i pamoralshëm! Si është e mundur (?!)- pyesin njerëzit të nxitur e eksituar edhe nga mediat që e gatuajnë me qejf këtë lloj gjahu. Por futbollisti i pasur dhe i famshëm, në fakt, aq dinte, aq bëri. Reagimi publik bazohet në iluzionin se i famshmi është edhe i ditur. Çështja është që fama e tij s’ka të bëjë hiç as me dijen dhe as me ndershmërinë, por me cilësi që zakonisht nuk kanë lidhje me këto të dyja. Ai mund të mos ketë as njërën dhe as tjetërën. Kujtoni psh rastin e një tjetër futbollisti, O. J. Simpson me karrierë të gjatë e të fuqishme sportive dhe televizive, me imazh të këndshëm, por në thelb kriminel i pështirë dhe njeri pa principe të admirueshme në ndonjë shoqëri të lirë. Edhe ai i ka çuditur fort njerëzit një herë e një kohë. Kam dëgjuar anekdota të pakëndshme për natyrën e vërtetë të Pavarottit psh, që s’di sa qëndrojnë; por edhe në qëndrofshin, nuk duhet të shastisin njeri!

Është disi më ndryshe rasti i Maks Velos në Shqipëri para pak kohësh. Unë nuk e di historinë e të bërit intelektual publik të Velos në Shqipëri, por një njeri që shpreh përçmim (ndoshta urrejtje) për “veriorët” e “myslimanët”, vetëm intelektual nuk mund të jetë. Edhe në faljen e tij publike nuk heq dorë nga po ato ide diskriminuese kur thotë se falje u kërkon (ATYRE -presja) myslimanëve dhe veriorëve që janë “qytetarë të denjë të Shqipërisë” duke nënkuptuar ekzistencën e problemit të grupit. Velo mund të jetë njeri i ëmbël, i ndershëm, origjinal dhe që flet hapur e direkt, siç kam dëgjuar, dhe unë e admiroj për këto. Por ai është i paditur, dhe kjo nuk ka lidhje me sa libra ka lexuar. Këtu rasti nuk është për një të famshëm në shah që s’kupton vlerën dhe rolin e përgjithësimeve denigruese sociale; është fjala për një njeri që famën e ndërton mbi të kuptuarit e thellë dhe të përgjegjshëm të këtyre çështjeve. Integriteti i tij si njeri nuk mund të ndahet kurrë prej integritetit si dijetar.

Problemi është pak më i ndryshëm me politikanët: ata zgjidhen (ndryshe nga atletët, fjala vjen) prej njerëzve (në teori) me idenë se zotërojnë një aftësi së paku mesatare për të bërë zgjedhje të drejta morale, një bazë të mirë njohurish të përgjithshme të mesme fituar nga shkolla, si edhe për ndonjë meritë tjetër. Por shumë politikanë nëpër botë (edhe më shumë tek ne) nuk plotësojnë asnjë nga këto kushte. Për ta, edhe kur janë ngjitur me mënyra të korruptuara, pritshmëritë publike mbeten relativisht të larta, sido që hipokrizia e politikanëve është temë dite kudo. Këtu ka dy grupe të mëdha: ata që s’kanë vlera reale por njohin mirë vlerat që duhet të kenë; dhe këta publikisht shtiren sikur kanë vlerat që duhen, që në fakt nuk i kanë. Janë edhe ata që notojnë në detin e padijes dhe s’e kanë haberin e vlerave kulturore e shoqërore moderne, sepse janë të paditur gjenuinë. Këta nuk kanë çfarë imazhi hipokrit të ndërtojnë, sepse nuk dinë që një i tillë ekziston ose vlen për gjësend. Ata mbështetjen e fitojnë pa nevojën e imazhit. Në mbijetesën e këtij grupi problem është edhe ai i vlerave dominante në një shoqëri ose i kulturës apo i “dijes” shoqërore.

Politikani i kategorisë së parë gjendet i përhapur kudo nëpër botë. Pa dyshim gjen plot edhe tek ne. Ndaj kur publiku ndjek në media shpenzimet e pahijshme të bëra nga Ilir Meta për ditëlindje, numrin e vilave që ka, apo talljet me pështirë për varfërinë e protestuesve të bulevardit, ka të drejtë të revoltohet për mungesën e integritetit të tij. Veçse ky politikan “socialist për integrim” (pa integritet) nuk e tradhton kollaj maskën e vet kur flet, por bëmat ama flasin vetë. Ky është politikani modern, manipulues që s’i tregon këmbët e veta, dhe në sisteme të korruptuara si i yni, edhe kur këmbët i dalin sheshit, në vend t’i pakësohet fuqia, ajo i rritet. Ndërsa politikani i kategorisë së dytë jeton në gjendje ekstreme injorance kulturore dhe etike dhe gjendet me shumicë tek ne. Jo rastësisht, por sepse pritshmëritë publike ndaj politikanit janë të ulëta, sistemi është i korruptuar dhe konkurrenca për t’u zgjedhur është e ulët. Ky lloj politikani është vulgar, shan e rrihet me grushta (dhe jo për çështje ideologjike, por çështje rrugaçërie), ose thotë para kameras se do e vriste me duart e veta të birin, nëse ai do ishte gay. Këta nuk e çudisin fort publikun tonë të mësuar me kategorinë, por, edhe kur deklamojnë me krenari ide raciste apo homophobe të ndjera sinqerisht, publiku nuk i quan dot njerëz me integritet se këta nuk ia plotësojnë dot kushtin e dijes. Unë besoj se kategoria 2 e politikanit do zhduket vetiu në kohë teksa shoqëria kulturohet dhe pranon veç mungesën e integritetit nga politikani kopil (i kategorisë 1), dhe jo nga ai torollak (i kategorisë 2).

Problemi është edhe më kompleks me profesionistët me integritete të thyera. Në integritetin profesional  është dija e thyer që luan rol kryesor, por etika mbetet gjithnjë përbërës i lidhur me të.  Tek ne ngjitja e shkallës kulturore dhe profesionale, shpesh nuk përkon me njohuritë kulturore e profesionale të personit. Shkollimi i tranzicionit ka qenë problematik, dhe punësimi kaotik dhe shpesh i pamerituar. Këtu nuk flasim as për sportistin njëanshëm të sukseshëm, dhe as për politikanin e pangopur me pushtet, por për njerëz që kanë arritur një nivel relativisht të dukshëm publik nëpërmjet një tjetër profesioni më “të zakonshëm” e të ndërtuar nëpërmjet dijes, dhe njohuritë apo integriteti i shfaqur i të cilëve ndihet më organikisht si ai i shoqërisë. “Ne jemi popull dembel, dhe ky është thelbi i problemit tonë si shoqëri” u thoshte një profesoreshë universitare me tituj në sociologji, studentëve të vet që prisnin përgjigje. Këtë, në një vend tjetër të botës, ndoshta mund ta thotë pronari i kafenesë tek qoshja mes dy thithjeve të cigares kur ti po pije çaj kundruall, por jo një mësimdhënës universitar. Një mësuese shkolle 8-vjeçare që kish lënë për dy javë mësimin për një udhëtim jashtë shtetit me lejën e drejtorit, thotë: “pa dyshim që drejtori më la; ka mësuese më të reja që duhet ta bëjnë punën time veç punës së vet (pa pagesë shtesë), se për këtë janë më të reja”. Në një konferencë në Tiranë them se europianizimi i vërtetë i një shoqërie është çështje ndryshimi vlerash kulturore dhe jo hyrjeje në BE me manovra politike nga lart, dhe si i tillë mund të vijë vetëm me lëvizje e ndërgjegjësim nga poshtë dhe në një shoqëri që nuk flak tutje por përfshin. Një gazetar nga salla më thotë se ideja ime është moniste dhe enveriste. Më takonte mua t’i thoja gazetarit që ky është thelbi i demokracisë dhe jo i diktaturës?! Një grua aktive e së majtës në një bisedë të sinqertë qan hallin që e bija ka shoqëri me vajzën e gruas që i pastron shtëpinë, dhe se ajo si mama po bën gjithçka t’i japë një mësim jetik vajzës për vlerat e rangut dhe sërës. Një shkrimtare e konsideruar si emancipuese e grave tona në një histori ‘fiction’ që shkruan, lë të kuptohet se një vajzë fare e re që u ngacmua e ndoshta u përdhunua në det nga një tufë çunash, e pësoi sepse shprehu frikë ndaj afrimit të tyre, në vend që të bënte sikur u besonte plotësisht. Në atë rast ata nuk do ta kishin ngacmuar. Një vajzë e re që kish mbaruar mjekësinë, një master në gazetari dhe punonte tashmë në një instancë qendrore të formimit të opinionit publik, justifikonte një profesor të saj “shumë të zgjuar të mjekësisë që shkonte vazhdimisht me studentet e veta, sepse ai shkonte vetëm me ato që ia kërkonin vetë, ndërsa gocat serioze i respektonte”. Një profesionist në shkenca shoqërore kthyer në politikan i thotë një tufe pleqsh se arsyeja pse ata nuk ishin paguar më parë ishte se punonjësit e atij institucioni e kishin vonuar procesin nga që ishin burokratë!!! Thua ta përdorë “sharjen” nga që mendon se pleqtë rritur në socializëm, njohin veç kuptimin negativ të ‘burokratit’, apo se vërtet s’e kupton sa shumë i mungojnë burokratët e vërtetë këtij vendi?!

Nuk besoj se duhet të jap shembuj të tjerë; këta mjaftojnë për të dëshmuar se, si integriteti profesional, si ai etik kanë probleme serioze tek ne. Raste si këto për kategorinë e profesionistëve, janë gjë shumë e rrallë në botën e zhvilluar ku themi se bëjmë pjesë. Në fakt, peshku qelbet nga koka… “Peshku qelbet nga koqet” thoshte një mik i imi para pak ditësh. Si koka si koqet na duhen shumë për të qenë njërëz me integritet dhe për të bërë një shoqëri më të mirë. Ndoshta ia vlen të “bëhet sherr” me njerëz që s’tolerojnë t’u diskutohen idetë e veta gjysmake ose të thartuara e të pamenduara, se kështu bëhemi të gjithë më mendimtarë e kritikë ndaj vetes. Ndoshta idesë që s’shkon, i duhet “rënë kokës” (ose koqeve), pa pritur deri sa reformat qeveritare të sjellin njerëz të aftë në vend të të paaftëve (nëse kjo funksionon). Pavarësisht nga idioma agresive, nuk ka arsye pse simboli i rënies kokës të jetë urrejtës apo asgjësues. Është edhe një akt përkujdesjeje dhe përgjegjësimi. Unë besoj se njerëzit janë qenie vetëndreqëse, dhe ne mund t’i përmirësojmë që të dy makineritë tona lëvizëse, kokën dhe koqet. Për këtë duhet edhe që sinqerisht t’i shohim vetes mëkatet e të pranojmë se kemi nevojë për ndryshim, dhe se ndershmëria dhe karakteri janë virtyte vetëm kur i fusin krahun dijes.

No Comments

  1. Presja ke kapur një temë aktuale deri në dhimbje. A të them një dialog nga eksperienca ime? Njëherë isha angazhuar si vullnetar me organizatën bamirëse HEKS, në një aktivitet në Zvicër ku çdo vend i Europës lindore, në të cilin HEKSI ishte aktiv, prezantohej me letërsi, punë artizanale, prodhime kulinare, etj. Duke qenë se ishte kontribut vullnetar, kisha angazhuar familjarë të mi që rastësisht ishin për pushime. Ditën e aktivitetit na jepet rasti të takohemi edhe me shqiptarë të ardhur nga Shqipëria,TË PUNËSUAR, nga HEKS. Sapo prezantimi mbaroi dhe mbetëm vetëm shqiptarë, kryetarja e delegacionit pyet familjarët e mi dhe mua: “A po bëni biznes të mirë me këta?” Mjafton të them, që më neveriten gishtat tek shkruaj këtë.

    Me sa kuptoj unë, ti me këtë shkrim po vijon mendimin e hedhur në atë paraardhës që reforma duhet të vijë nga poshtë. E kuptoj drejtë? Në këtë reformë për dije dhe integritet të masës, cili mendon është roli që duhet të luaj arti, sidomos letërsia artistike? Duhet të ketë mision apo ta konsideroj veten të dedikuar veç artit, imagjinatës dhe kënaqësisë estetike? Jemi kthyer tek dilema e artit të angazhuar shoqërisht e kulturoririsht.

    1. Ne fakt gjithe shkrimet e fundit qe prej “Konformistit dhe idealistit” e deri tek ky, jam perpjekur te mendoj se cfare nuk shkon tamam me ne si shoqeri, dhe ku jane rrenjet e problemeve… edhe pak per cfare shoh une si pjese te ndryshueshme ose te permiresueshme. Me pak diskutoj per zgjidhje reale, se as nuk i di, dhe as besoj se jane te thjeshta e te shpejta. Nga gjithe kategorite me siper qe diskutoj, ajo qe me shqeteson me shume eshte ajo e profesionisteve. Me shume sesa ajo e njeriut me pese klase shkolle. Per kete te fundit nuk ka dyshim qe me shume edukim dhe levizje sjell progres. Por profesionisti i rreme, gjynahqar apo hileqar, e mban me egersi vendin e vet dhe nuk le dike tjeter qe e ben me mire ate pune t’ia marre kurrsesi. Gjithashtu ai gjysme-pergatit te tjere njerez si vetja, pa diskutuar qe perben edhe nje model shoqeror per t’u imituar. Kam takuar plot njerez te mencur e te ndershem mes profesionistesh, por ka aq shume te kategorise tjeter, sa me beri te shkruaj. Nuk eshte normale kjo tjeterkund.

      Nuk e di se si mund te reformohet nje shoqeri nga letersia artistike e angazhuar! I am all for it, por kurrsesi si nje domosdoshmeri. E kemi diskutuar kete temen e angazhimit nga maji, edhe ne nje konference ne Tirane. Une besoj qe nje shkrimtar i mire realist qe pershkruan Shqiperine psh, nuk mund te mos jete i angazhuar. Por une personalisht do isha kunder cdo fushate “per te angazhuar” shkrimtaret, artistet, arkitektet qe t’i sherbenin shoqerise me artin dhe krijimin e tyre. Ky do ishte fundi i artit. Ne kete shkrimin siper me shume i ve rendesi vete-reflektimit. Por ajo qe besoj me shume eshte se shkolla eshte faktori me themelor per ndryshim. Tani, shkolla do mesues, dhe si do ndryshohet mentaliteti dhe puna e mesuesve???
      Pa dyshim qe do duhet kohe, dhe shume faktore bashke. Ndoshta ai kategorizimi qe diskutoja tek “vlera te ngaterruara” per njerezit e vendeve ish-socialiste si qenie ku vlerat themelore udhehiqen nga “mbijetesa” eshte per t’u konsideruar. Ndoshta permiresimi ekonomik, mundesia e punesimit luajne rol edhe me te madh sesa kulturimi ne vecanti. Besoj qe ndryshimi eshte sh me kompleks se te arrihet me nje faktor te vetem. Mendo psh kur arrihet ne aeroportin e Tiranes. Njerezit (sidomos te nje moshe te caktuar dhe nga fshatrat apo qytezat) zbresin me vrap nga avioni dhe te shtyjne qe te zene vend ne autobusin e pare. Pastaj te shtyjne edhe me fort e te dalin perpara e te mashtrojne ne radhen e pasaportave. Si do ndryshohet kjo? Do marre kohe dhe do vije nga shume drejtime njekohesisht, ndoshta ne brezat e tjere. Eshte nje edukate e ngulitur nga nje pervoje sh e keqe ne te shkuaren. Problemi jane profesionistet e rinj, pa integritet. Per mua keta jane problemi themelor qe bllokojne ndryshimin disi te shpejte… jane me problem sesa politikanet, qe do doja t’i shihja si grup te mbyllur te cilit per ca gjera i eshte hequr viza shoqerisht. Psh politikani jeton ne kompromis. kjo eshte natyra e qenies. Kuptohet, kjo s’do te thote qe gjithe politikanet MUND te jene kriminele; sa per integritetin, kam dyshimet e mia.

  2. Me duket se tema shpie edhe te pyetja e përjetshme : Përse disa njerëz zgjedhin rrugën e politikës ?
    Ka të ngjarë që në origjinë shtysa të jetë njëlloj për të gjithë : të dallohen duke dalë në krye të turmave, të bëhen shefa, të kenë në dorë fate njerëzish (shkurt, te mos e kene te tjeret ne dore fatin e tij). Politika mbetet gjithandej rrugë ruajale për të mbushur qilarin tënd me drith si edhe për të pasur nje deshurn (e) te perhershem ne harem, gjë që shton sigurinë për të lënë pas gjurmët gjenetike dhe mjetet ekonomike që këto gjurmë të zgjasin në kohë.
    Por nëse te vende të tjera kjo bëhet në mënyrë të sofistikuar, në Shqipëri sikundër në një numër vendesh afrikane, këta individë janë më të « sinqertë ». Në këto vende filozofët e politikës mund te gjejnë kushtet ideale te periudhes presokratike për të kuptuar thelbin e gjërave, sikundër dy shekuj më parë antropologët më të mëdhenj u turrën pyjeve të amazonisë për të kuptuar origjinën e marrëdhënieve njerëzore të shoqërive moderne.
    Kafshe politike e guajti ca kohe me pare nje gazetar anglez kryeministrin shqiptar.
    Në Shqipëri politikanët nuk mendojnë se ka një kohë për çdo gjë, por ka një kohë për të bërë çdo gjë. Kjo është arsyeja që Ilir Meta (meqë u përmend këtu) po në të njëjtën bisedë që trajton ca « çështje » partie, pyet shumë sinqerisht se ç’u bë pjesa e tij dhe në mos gaboj nja tre minuta më vonë del në skenë edhe një grua (në versionin e paçensuruar të videos).
    Pra dyshoj shumë se politika do të bëhet të themi « fair » kur dimensioni i dijes te politikanët të jetë më i pranishëm. Ajo nuk do te ndihmoje ne integritetin e tyre moral, politika vetem do te vetëm se do të marrë pamje të tillë te jashteme atëherë kur politikanët do të mësojnë të matarojnë babëzinë tyre. Kultura do të zbusë disi arrogancën e egërsirave. Ata do të ulin kokën të hanë, por nuk do të lënë gjakun t’u rrjedhë buzëve, sepse do të kenë mësuar tashmë të mbajnë një shami në xhep, të cilën do ta kalojnë në mënyrë diskrete para gojës, disa çaste para se të kthejnë kokën e t’u buzëqeshin turmave që po duartroket. Të themi si puna e Bill Klintonit me brekët te këmbët e me Monikën në gjunjë para vetes, ndërsa ai me telefonin në dore po i përgjigjet shumë seriozisht pyetjeve të nje deputeti demokrat.
    Duket se më shumë se gjithkush tjetër, zviceranët nuk kanë asnjë iluzion se evolucioni vepron edhe te politikanët.
    I ranë shkurt dhe nëpërmjet demokracisë direkte shpresojnë të thonë fjalën e tyre në disa çështje thelbësore, te pakten.

    1. tamam kete qe thua ti, Lyss, po mendoja kur thoja me lart “Unë besoj se kategoria 2 e politikanit do zhduket vetiu në kohë teksa shoqëria kulturohet dhe pranon veç mungesën e integritetit nga politikani kopil (i kategorisë 1), dhe jo nga ai torollak (i kategorisë 2)”. Politikani kopil i kategorise 1 behet edhe me i rafinuar dhe kompleks me kohe. Te dytit ia ben dermanin vete koha dhe zhvillimi i shoqerise. I pari ndryshon vec po ndryshoi politikeberja. Perndryshe, Zoti na ruajtte! Kam shkruar ne blog dicka per “politikanin” ne pergjithesi dhe nese eshte e mundur te ekzistoje nje politikan idealist, dhe deri ku mund te dale nga vetja njeriu i shnderruar ne politikan. Ishte menjehere pas ardhjes se kesaj qeverie te fundit, dhe e shkrova se i beja pyetje vetes per njerez qe me interesonin dhe qe papritur i pashe politikane. Nuk e di nese e ke lexuar.

  3. Peshku mbase edhe fillon të qelbet nga koqet, ama pasi të qelbet koka, që për mua përfaqëson shpirtin në këtë proverbë, ndreqja nis vetëm nga ky i fundit, duke pastruar qiellin e Zotit nga qiejt alternativë, qofshin Evropa, Azia, shqiptaria, arti, sporti, intelektualizma, kulturalizma, bursa, gastronomia, BBC-ja, smogu, demokracia, etj. Por meqë shkrimi i Presjes nuk ngre pretendime të tilla, por kërkon të kapë koqet, që edhe unë do t’i vija në radhë të dytë, kam një sugjerim thelbësor për to: arsimin publik. Jo që të ndreqet, se nuk besoj se mund t’i ndreqet ndonjë gjë, por që të eliminohet krejt.

    Që arsimi publik është një kangrenë dhe mekanizëm i tredhjes masive, i depersonalizimit, i shpërfytyrimit moral, i gjymtimit epistemologjik, në nivel individual e shoqëror, është një e vërtetë sipërfaqësore, e kapshme që në nivel shqisor-estetik në muret që rrethojnë shkollat, në shëmtinë arkitektonike të këtyre, në çantat e mbrehura mbi shpina fëmijësh, në sytë e tyre të hutuar e gjumëprishur, në ngjeshjen dhe lëshimin e tyre me zile, në sanduiçët, patatinat e kruasanët që blejnë si racion i përditshëm me monedhat që u japin prindërit e mjerë e vulëhumbur të cilët vetë i kanë harruar prej kohësh, në i paçin rrokur ndonjëherë, ato çka tashmë duhet t’i nxënë mundimshëm të vegjlit e tyre të cilët shpejt nisin t’i perceptojnë e t’i trajtojnë si qenie që në fakt i përkasin shkollës e që kjo ua ka dhënë për t’u kujdesur biologjikisht e për t’u mbajtur përgjegjësinë juridike e shoqërore.

    Mund të zgjatem pafundësisht, por nuk besoj se ia vlen të them më shumë për ta vënë në dukje këtë realitet. Kush ka sy në ballë, e dallon e kush e dallon le ta vrasë mendjen siç i takon personalisht. Meqë vetë nuk kam fëmijë dhe rrjedhimisht as përvojën konkrete të përballjes me këtë problem, por vetëm atë të viktimës (së ndërgjegjësuar) deri tani, ndihem i detyruar të mjaftohem duke thënë se zgjidhja, dhe zgjidhjet në përgjithësi janë thelbësisht individuale e shumë më të thjeshta se ç’priren t’i shfaqen njeriut modern të varur nga shiu alternativ i qiejve alternativë.

    1. Nuk di nëse e ke lexuar – nëse jo, kushedi e gjen me interes:

      Ivan Illich: Deschooling Society

      Por alternativa për Shqipëri janë shkollat e kontrolluara nga institucionet fetare: nga shiu në breshër (edhe pse unë, këtu në ShBA, e kam çuar vajzën në një shkollë katolike: ndoshta nga vendimet më të mençura që kam marrë ndonjëherë, si prind).

      Shkolla publike në New York: inferno. Kombinimi më djallëzor i idiotizmit didaktik me dhunën mendore ndaj fëmijës. Edhe në Shqipëri, një kalvar bullizmi – që e kam provuar edhe vetë ndonjëherë (edhe pse jo në mënyrë tipike). Por në Itali – jo keq.

  4. Oksigjen: me le pa fryme! ti thua qe te hiqet shkollimi publik?! Po pse shkollimi publik eshte alternativa qe njerezit kane zgjedhur nga qejfi, thjesht si nje nder mundesite e shumta qe kishin? Njerezit s’kane alternative tjeter, i dashur! Ajo eshte: laj, thaj! (“Ata ankohen se s’kane buke? Po le te hane brioche!”) Dhe duke qene shkolla qe (shpesh) eshte pa pagese, eshte ajo per te cilen duhet te kujdesemi ta ndreqim e ta forcojme.
    Por edhe une mendoj se shkolla eshte sh qendrore per koken. Por sic them, eshte proces i gjate e i komplikuar se nuk i nderron dot as mesuesit dhe as administraten sot per neser.

    Sa per shkollat private dhe ato katolike, ka qe jane te mira, ka qe jane me sh probleme.