LUTJE MEDIAVE

Shkrimi im i fundit, Karnavalet e Parisit, sot përfundoi në faqet e disa mediave elektronike të Tiranës, duke shkaktuar pastaj një mori komentesh nga më të ndyrat.

Të gjitha ato media që e morën shkrimin e bënë këtë pa leje. Nëse më parë e kam toleruar këtë praktikë, tash e tutje po detyrohem t’u kërkoj të gjithë personave përgjegjës që të mos marrin më shkrime nga “Peizazhe të fjalës.”

Arsyet për këtë kërkesë nuk kanë lidhje vetëm me komentet ad hominem dhe sharjet me libër shtëpie, por edhe me vetë përzgjedhjen që u bëhet shkrimeve për t’u marrë: parapëlqehen vetëm shënime të vogla, polemike dhe shpërfillen krejt shkrimet e mia serioze; çka bën pastaj që, për një publik i cili nuk e njeh “Peizazhe të fjalës” unë si autor të paraqitem si një pisqollë ose provokator i rëndomtë.

Më vjen keq që këtë kërkesë ua bëj, në fakt, miqve të mi gazetarë të cilët vërtet mund t’i gjejnë interesante ato që unë shkruaj. Mirëpo, në përpjekje për të komunikuar sa më mirë dhe më shpejt me publikun, këta miq harrojnë se prapa fjalëve qëndrojnë njerëz dhe njerëzit kanë edhe imazh dhe dinjitet për të mbrojtur.

Prandaj, jo më shkrime të marra pa leje. Nëse dikush e gjen me interes një mendim ose polemikë timen, mund të lidhet me mua, të më intervistojë ose të më kërkojë që t’i përgatit një shkrim – do t’i përgjigjem me shumë njerëzi dhe do të përpiqem që t’ia kënaq dëshirën me aq sa të mundem. Jam gjithnjë në dispozicion të mediave, por blogu nuk është; sikurse jam i vetëdijshëm për dallimin midis interesit gjenuin për fjalën time dhe preokupimin e një pale të tretë me klikimet në faqen e vet.

Kohët e fundit, ResPublica ka ndjekur një praktikë tjetër, më profesionale: kur e kanë gjetur të dobishëm një shkrim, e kanë përmendur në faqe, e kanë përmbledhur dhe i kanë drejtuar lexuesit në faqen përkatëse në blog. Shpresoj që tash e tutje të ndodhë kështu edhe me faqe të tjera online.

Blogu im është publik dhe i hapur për këdo; vëmendjen gjithnjë e mirëpres – por, siç e tregon edhe shembulli i mbrëmshëm i “trapit që do të vriste qafe fëlliqsirën”, disa gjëra nuk mund t’i nënvlerësoj më, as t’ia lë rastësisë.