NJË HOTEL PËR BANKËN

nga Gjilpëra

Në Maj të vitit 2010, ministri i atëhershëm i Financave, Ridvan Bode,dhe ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u gjendën para një situate kritike për financat e vendit.

Tregjet monetare dhe financiare ndërkombëtare, dhe bashkë me to edhe tregu i brendshëm shqiptar, u përfshin nga paniku i shkaktuar nga kriza greke dhe nga mundësia e përhapjes së saj edhe në vende të tjera, në rajon dhe më tej. Plani pothuajse i përfunduar i emetimit më 28 Maj 2010 të Eurbondit të parë shqiptar prej 400 milion Euro në tregun ndërkombëtar, pezullohet në momentin e fundit.

Kriza jo vetëm që kapi në befasi krerët e Financave shqiptare, por ajo nxorri papritur në dritë dhe gabimet – gafat, mund të thonë disa – e bëra në planifikimin dhe financimin e “Rrugës së Kombit”, tre vite më parë. Nxitimi në bërjen e projekt-planit dhe në përzgjedhjen e kompanisë fituese, ngutja për të përfunduar me çdo çmim tunelet e rrugës para zgjedhjeve parlamentare të 2009 dhe sidomos përllogaritja optimiste e kostove, shoqëruar me besimin naiv, se financimi i këtij investimi, kaq voluminoz dhe me amortizim afatgjatë, mund të behej nga fondet e buxhetit dhe me kredi afatshkurtëra, i tendosën financat e shtetit shqiptar në maksimum.

Në momentin e krizës në Maj 2010, kur bankat shkurtuan linjat e kreditit për ekonomitë dhe ulën riskun e investimevë në obligacione te shteteve periferike të Eurozonës dhe atyre jashtë Eurozonës, zëvendësimi i 400 milionëve të Eurobondit me një burim tjetër financimi të favorshëm në treg bëhet i pamundur. 250 milionë Euro, që ishin parashikuar për të shlyer kredinë sindikale, të marrë një vit më parë nga një grup bankash për të financuar “Rrugën e Kombit”, me maturim në Maj-Qershor 2010, plus kuponit mbi 25 milionë Euro të interesit njëvjeçar, mungojnë papritur në arkën e ministrit të Financave. Përveç këtyre janë edhe pothuaj 150 milionë Euro të tjera që mungojnë, para të parashikuara për shpenzime buxhetore dhe për investime në ekonomi, mungesa e të cilave hap një gropë të thellë në financat shqiptare. Në kushtet e panikut, tregu financiar ndërkombëtar është i mbyllur për Shqipërinë. Të paktën përkohësisht[1].

Në mungesë të një alternative tjetër të huamarrjes në tregun e jashtëm, Bode detyrohet që të zgjasë kredinë sindikale për 6 muaj të tjerë dhe të vazhdojë të paguaj interesat e saj tejet të larta (11.3% p.a.), përveç interesit mbi 25 milionësh për vitin e parë të kredisë, interes ky që duhej t’ju paguhej bankave menjëherë, në maturim të kredisë së vjetër. Për të financuar diferencën e ngelur, qeveria i drejtohet tregut të brendshëm, ku me ndihmën e një numri rekord ankandesh bonosh të thesarit, në Lek dhe në Euro, të organizuara nga Banka e Shqipërisë, ajo siguron mbi 100 milionë Euro brenda dy muajve të ardhshëm.

Pothuajse njëkohësisht, më 12 Maj 2010, Ministri i Financave dhe guvernatori i Bankës bien dakord, që qeveria t’i shesë Bankës së Shqipërisë Hotel Dajtin për 30 milion Euro, jo me tender publik, por me prokurim të drejtpërdrejtë. Arsyeja që jipet nga BSH për blerjen e hotelit, është strehimi – pas renovimit – në ambientet e tij të një pjese të personelit të Bankës, i cili më parë punonte në ambiente të marra me qera. Transaksioni i shitblerjes Dajtipërmbyllet në kohë rekord dhe brenda pak ditësh, Hotel Dajti kalon në pronësi të Bankës. Edhe pse, si Këshilli i Ministrave, ashtu dhe BSH, deklarojnë që shitblerja u bë në përputhje të plotë të rregullave dhe të ligjeve në fuqi, transaksioni ngjalli menjëherë dyshime mbi motivet dhe ligjshmërinë e tij, si te opozita socialiste ashtu dhe në mediat dhe te publiku i interesuar. Dyshime këto, që për një vëshgues të jashtëm (pa qënë i fushës juridike dhe pa patur në dorë dokumentet e shitblerjes), mund të përmblidhen në tre përfundime:

Edhe nëse 1. formalisht shitblerja e Hotel Dajtit nuk përbënte një shkelje të ligjeve në fuqi (prokurimi i drejtpërdrejtë, edhe pse i pazakonshëm dhe jo-transparent si proces, nuk është i paligjshëm) dhe 2. nuk shkaktoi një dëm financiar për shtetin (paratë kaluan nga një xhep i shtetit, në një xhep tjetër dhe godina ngeli në pronësi të një institucioni të Shtetit; po ashtu pagesa nuk u bë duke shtypur para të reja, por u bë nga fitimet e BSH, fitim i cili me ligj i kalon çdo vit Ministrisë së Financave), momenti dhe mënyra se si u krye kjo blerje, të bëjnë të mendosh që 3. ky transaksion u përdor si një mënyrë për të mbuluar (pjesërisht) nevojat financiare të qeverisë në një moment krize dhe vështirësish financiare.

Në këtë përfundim të çojnë, përveç përdorimit të prokurimit të drejtpërdrejtë në vend të tenderit, edhe mospublikimi i kritereve të përdorura për përcaktimin e çmimit të shitjes së Hotelit (përse 30 milionë dhe jo, bie fjala, 50 milionë apo 5 milionë Euro, aq sa ishte shitur Hotel Tirana pak vite më parë?) si dhe lënia e hotelit me vite të tëra i parinovuar, pas ngutit fillestar për ta blerë atë. Nisur prej këtej, shitblerja e hotelit duket si një akrobaci financiare, kurse çmimi i tij duket si një çmim arbitrar, i përcaktuar nga nevojat afatshkurtra të qeverisë për fonde, në kushtet e panikut financiar në tregje.

Fjalën e fundit mbi ligjshmërinë apo jo të këtij procesi do ta ketë prokuroria dhe gjykata shqiptare, por, cilido që të jetë rezultati përfundimtar juridik mbi këtë transaksion, mënyra intransparente e vendimmarrjes – me një shtrëngim duarsh mes ministrit dhe guvernatorit, pas dyerve të mbyllura – jo vetëm që dëmtuan besimin e publikut ndaj BSH dhe në rolin që ajo duhet të luaj në kohë krizash, por, për më tepër, ato penguan dhe një debat të rëndësishëm mbi gjendjen e financave të shtetit shqiptar në vitin 2010 dhe mbi rrugëdaljet më të favorshme për vendin prej këtyre vështirësive. (A nuk do të ishte më mirë, që qeveria të kishte thërritur FMN-në, për të analizuar financat e vendit dhe për të ndihmuar në daljen nga situata? Si përfundim, FMN-ja u thirr për ndihmë vetëm pas ikjes së PD-së nga pushteti, tre vite më vonë, kur borxhet e hapura dhe ato të fshehura kishin “marrë malet” dhe kur arka e shtetit ishte “shkundur”[2]).

Ngjarjet e muajve të krizës në 2010-ën paracaktuan fatin e guvernatorit dhe të Bankës së Shqipërisë, pasi ishte e pamendueshme, që socialistët do t’ia falnin Fullanit dhe Këshillit Mbikqyrës këtë ”pazar” me Boden, pasi të vinin në pushtet. Me firmën e tij në atë dokument guvernatori Fullani kishte hedhur hapin e parë në një të tatëpjetë 4-vjeçare, në fund të së cilës do të qëndronte humbja de-facto e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe ai vet do të gjendej në bankën e të akuzuarve.

Shenim: Ky shkrim është menduar në vazhdimësi të temës së trajtuar te “Si të shkatërrosh një institucion”, i publikuar në PTF para disa javësh, por u përfundua, për arsye kohe, vetëm në ditët e fundit të dhjetorit.

[1] Eurobondi i pare dhe – deri tani – i vetem shqiptar u emitua 6 muaj më vonë, në Tetor 2010; me një volum prej 300 milion Euro, afat maturimi 5-vjecar dhe me interes 7.625%

[2] Borxhi publik u rrit nga 55.5% të PBB në 2006, viti para fillimit të punimeve për Rrugën e Kombit, në 60% në 2011 dhe në mbi 65% te PBB në 2013, kur Demokratët u larguan nga pushteti. Dhe këtu nuk përfshihen borxhet e fshehura – fatura dhe detyrime të papaguara të shtetit ndaj kompanive private,të cilat e çonin borxhin publik real në mbi 67% të PBB.

Nuk ka komente

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin