PRAPA "DUALITETIT PATRIOTIK"

Vështirë të mohohet se, të paktën në tonet e retorikën e saj, politika shqiptare po i shkel gjithnjë e më shumë syrin ndjenjave kombëtariste. Që nga historia e stadiumit me dron, duke kaluar nga vizita e Kryeministrit shqiptar në Beograd, e deri më sot, edhe pse në fillesat e saj, po zhvillohet një lloj gare e heshtur për t’u akredituar nga pikëpamja kombëtariste pranë opinionit publik mbarëshqiptar.

E tepërt të kujtojmë se deri dje flamurin e këtyre qëndrimeve e mbante Berisha dhe partia e tij, e cila arriti të mposhtë edhe lëvizje që rrekeshin ta parakalonin në të djathtë, kur flitej për çështjen kombëtare. Rasti i Aleancës Kuqezi docet. Ishte retorika dhe kthesa djathtas e Partisë Demokratike – le të kujtojmë edhe festimet pompoze për njëqind vjetorin e pavarësisë -, por edhe arsye të tjera politike, që i shfrynë tullumbacet e lëvizjes politike të Kreshnik Spahiut.

Në një shkrim të vetin me titull “Dualiteti patriotik Rama-Meta“, Leonard Mitro vëren se në vazhdën e tureve që politikanët shqiptarë zhvillojnë në hapësirën shqiptare duhet veçuar ai i Ilir Metës. Ja çfarë shkruan Mitro:

Mediatikisht vizita e kryeministrit Rama në Beograd dhe Preshevë ja arriti qëllimit për të rritur popullaritetin e tij, përmes një profili që krijoi entuziazëm në Kosovë, por që u prit mirë edhe në Shqipëri.  Do ishte me interes një sondazh për të kuptuar efektet që pati në politikën e brendshme vizita e kryeministrit Rama në Beograd, ndonëse në radhët e mazhorancës socialiste nuk mungoi triumfalizmi jo vetëm për epërsinë ndaj opozitës së djathtë, por edhe ndaj partnerëve të LSI-së në qeveri.

Pavarësisht se titulli anon ta paraqesë si dualitet përplasjen në fushën e kombëtarizmit, pra midis PS dhe LSI, fakt është që elementi i tretë, pra opozita e PD-së, është mëse i pranishëm në lojën politike. Edhe pse tangencialisht, autori na kujton se në radhët e mazhorancës socialiste ka pasur triumfalizëm për epërsinë ndaj së djathës dhe LSI-së. Me fjalë të tjera, Partia socialiste, në lëmin e çështjes kombëtare, ia ka kaluar partive që gjenden në të djathtë të saj si LSI-ja, por edhe të djathtës që mban pikërisht këtë përkufizim të mirëfilltë.

Në shkrimin e mësipërm, thuhet se Ilir Meta, i mbetur në hije nga vizita e Ramës në Beograd, arrin së fundi të “marrë hak” e të kurorëzohet si politikan me influencë.

Në këtë “sukses” të politikës së jashtme nëse mund ta quajmë kështu, LSI nuk pati asnjë rol dhe as nuk tentoi të marrë dafina nga lavdia e kryeministrit Rama, por me vizitën e projektuar në Gjilan Ilir Meta nuk e la veten pa kurorën e politikanit me influencë dhe popullaritet në hapësirën shqiptare.

Autori bën mirë që e vë në thonjëza fjalën “sukses” si cilësim i vizitës së Ramës në Beograd, sepse ende duhet kuptuar nëse nga pikëpamja diplomatike ajo vizitë ishte e suksesshme. Dyshimet, nga shumë anë, nuk mungojnë. Mirëpo, thonjëzat do të ishin krejt të tepërta nëse do të flisnim për politikën e brendshme. Në fakt, Kryeministrit shqiptar i njihet popullariteti dhe triumfalizmi pas vizitës së Beogradit, por natyrisht duke iu referuar opinionit publik shqiptar në përgjithësi.

Dyshimi se gjatë vizitës në Beograd, Kryeministri shqiptar me deklaratat e tij nuk u drejtohej aq autoriteteve serbe, se sa opinionit shqiptar, nuk mund të fshihet lehtë. Polemikat për besën e dhënë e provokimet e supozuara janë dytësore, po të kemi parasysh target-in e diskursit të tij politik. Në mikrofonat e kryeqytetit serb, Rama iu drejtua kryesisht hapësirave shqiptare, duke fituar pikë atje ku deri dje nuk merrte shumë duartrokitje. Të njëjtën gjë po bën tani Ilir Meta. Sipas të njëjtit shkrim “edhe fjalimi i Ilir Metës në Gjilan ishte me tone të larta patriotike”, ndërkohë që qyteti ishte zbukuruar me flamuj të shumtë.

Mbresëlënëse figura retorike përmbyllëse e shkrimit. Ja si e përfundon Mitro artikullin duke iu referuar dy vizitave: “Edi Rama e Ilir Meta kanë shkuar në Kosovë si një shqiponjë me dy kokë, duke rikonfirmuar dualitetin e mazhorancës qysh nga koha kur të dy hodhën firmat për të dalë bashkë në koalicionin e zgjedhjeve të 23 Qershorit”.

Nuk mund të mos na e tërheqë vëmendjen mungesa e opozitës së djathtë. Metafora e kokave të shqiponjës gjithashtu e përjashton përfundimisht. Ç’po ndodh me politikën shqiptare? Mos vallë dy forcat e së majtës janë zhvendosur aq shumë në të djathtë sa i kanë hedhur poshtë forcat tradicionalisht tejet të ndjeshme për temat kombëtariste? Pra i kanë nxjerrë jashtë loje? Pyetja bëhet më e mprehtë, po të mendojmë se vetë opozita, prej vitesh e profilizuar si “agresive” ndaj çështjes mbarëshqiptare, nuk u karakterizua me ndonjë qëndrim të prerë lidhur me çështjen e Kosovës, aq sa u duk sikur u kap gafil nga performanca e Kryeministrit në Beograd.

Ndërkohë, manifestimi i fundit publik i PD-së kishte kryesisht kërkesa ekonomike. Politika, sidomos ajo rajonale, mbeti në plan të dytë. Në qoftë se është kështu, harta politike shqiptare duhet të ndryshohet, të paktën në ngjyra.

Nuk ka komente

  1. Ilir Meta historikisht ka kerkuar afrimin me Beogradin (qe ne 2002) dhe i ka pasur punet mire me ta. Kjo thjeshte per interesa biznesi, por se fundmi edhe ne kuadrin e fqnjesise se mire. PS -ja nuk ka qene aq eksplicite ne perfaqesimin e interesave kombetare, por lufta e Kosoves ndodhi gjate regjimit te Nanos, edhe pse Nano ne Lisbone kishte deklaruar per mos-ndryshim kufijsh.

    Te djathtet kane qene ne retorike nacionaliste, Berisha p.sh. ka synuar gjithmone integrimin e elementeve nacionaliste ne partine e tij (edhe te personave), ka bere shume per shqiptaret jashte-kufijve dhe ka qene konfrontues ne marredhenie me etnite brenda Shqiperise. Por edhe ai ka qene ambivalent ne qendrimin e tij (duke lejuar p.sh. thyerjen e embargove te naftes me Jugosllavine, eshte shprehur kunder UCK-es etj.) dhe se fundmi (sic u verejt edhe ne Wikileaks ne ankesen e Thacit ne departamentin e shtetit) ai ka dashur me shume ti kontrolloje aspiratat politike te komuniteteve shqiptare sesa ti ndihmoje shqiptaret etnike ne kuadrin e nje strategjie mbarekombetare.

    Gjithsesi, nuk besoj se vizita u perdor per te ndikuar elektoratin e ketushem. Ishte nje mesazh drejtuar serbeve, qe u percoll me gojen e Rames por ishte zeri i komunitetit nderkombetar.

    Por besoj se ne nje analize te “suksesit” te vizites se Rames ne Beograd duhen perfshire variabla nga politika e jashtme shqiptare vis-a-vis asaj serbe (a ka ndryshime thelbesore sa i perket marredhenieve dy-paleshe? nen cilin trysni nderkombetare vepron politika jone e jashtme?), lidhjet e perbashketa ne saj te interesave ekonomike (Fazllic me nje kapital te larte social ne Beograd) dhe ndryshime ne politiken e jashtme dhe te brendshme serbe.

    Serbet kane kohe qe duan te dalin nga izolimi i shkaktuar gjate luftes se Kosoves. Nga takimi perfituan te dy shtetet, ne qe si struci fshihemi nga varesia ekonomike qe kemi krijuar me ekonomite e rajonit, dhe serbet qe tashme dalin publikisht se nuk kane probleme me fqinjet (duke dashur ende ta izolojne kosoven si ceshtje te brendshme). Gjithekohes Albin Kurti ka bere thirrje qe shqiptaret duhet ta perdorin kete doktrine te politikes se jashtme te serbise ne favor te tyre. Serbet nuk mund te dalin nga izolimi per sa kohe nuk ndryshojne kushtetuten dhe politiken e brendshme

  2. Komenti yt është interesant. Megjithatë ka një problem në pohimin se Rama përcolli zërin e komunitetit ndërkombëtar dhe se nuk iu drejtua elektoratit të brendshëm. Së pari, mund të qëllojë, madje qëllon gjithnjë kështu në politikën e jashtme, që pozicioni i Shqipërisë të përkojë me atë të ndërkombëtarëve. Kjo nuk do të thotë se kryeministri shqiptar mund të marrë rolin e zëdhënësit të komunitetit ndërkombëtar. Ky i fundit ka institucionet e përfaqësuesit e vet. Rastet nuk i mungojnë t’ia shpjegojnë Serbisë qëndrimet e veta e ndoshta më qartë se sa Rama. As besoj që komuniteti ndërkombëtar t’i jetë lutur Ramës, pra ta ketë deleguar, që t’ia përcjellë kryeministrit serb dhe opinionit të atij vendi qëndrimin e vet.

    Së dyti, unë nuk do ta rizhvendosja vëmendjen tek vizita e Ramës në Beograd, e superkomentuar në media e në kafene, edhe në teatralitetin e vet me përplasje në fytyrë, me kufje të hequra rrëmbyeshëm e me përbetime të munguara. Në këtë rast më interesojnë dinamikat e polikës shqiptare me kombëtarizmin. Sepse të gjithë e nuhasin se diçka ka filluar të lëvizë, edhe brenda elektoratit, përderisa deri dje Rama akuzohej si “i shitur” tek serbogrekët, ndërsa tani shikohet me adhurim nga e njëjta palë që e shikonte me dyshim; çka tregon se mikrofonat e takimit në Beograd nuk kanë funksionuar vetëm për serbët.

    1. Rama eshte hera e pare qe eshte kryetar shteti. Tani i takon te shprehet per qendrimin e tij karshi politikave kombetare. Nuk besoj se eshte gjykuar anti-kombetar kur ka qene kryetar bashkie, se paku kozmopolit sa i perket konfliktit te tij me disa insitucione kombetare te kulures (teatri kombetar). Por urretjen qe ka mbi mediokritetin, nuk besoj se jane gjykuar si anti-kombetar. Nano po qe eshte cilesuar anti-kombetar, edhe Berisha, por nga nje pjese e vogel.

      Dmth. une vendos ne diskutim ate idene se Rama ka qene i vleresuar si filo-grek apo serb.

      Por edhe ndoshta, ndonje vetaran i sistemit te kaluar (keta jane nje pjese e madhe qe votojne, perkunder rinise) ka pasur dyshime, e tani me daljen e Rames i jane fashitur. Ose kjo levizje ishte per te perfituar audience tek rinia, meqe nacionalizimi eshte “cool” ne kete kohe, e Rama i ka kushtuar gjithmone vemendje “trendeve” ne qendrimet e rinise.

  3. Pishak,

    kur flasim per partite tona politike dhe “spektrin” politik shqiptar nuk duhet te biem ne kurthin e emertimeve dhe klasifikimeve ideologjike te dikurshme si “parti e djathte” dhe “parti e majte”. Keta parametra nuk vlejne per klasen tone politike. Po te nisemi nga programet, politikat qe kane zbatuar dhe qendrimet qe mbajne kryesisht ne çeshtje ekonomike dhe sociale e te leme menjane per nje çast demagogjine, pra te shohim se ç’bejne dhe jo ç’thone, do te veme re se PD-ja nuk eshte parti e djathte, ajo nuk ka absolutisht asgje te djathte ne programin e saj, perkundrazi eshte nje parti tipikisht e majte. Ndersa PS-ja qe duhej te ishte parti e majte, nuk ka asgje te majte ne programin e saj, madje ndonjehere tregohet me e djathte sesa PD-ja. Nderkohe LSI-ja eshte krejt e paklasifikueshme, sepse ndryshon qendrimet nga majtas djathtas dhe anasjelltas brenda dites.

    E verteta eshte se partite tona politike nuk perfaqesojne vertet interesa shtresash te caktuara social-ekonomike, por tifozeri dhe interesa klienteliste.

    1. Jam shumë dakord me ty. Gjithnjë e kam menduar dhe interpretuar kështu spektrin politik shqiptar. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se, ndërsa në politkat ekonomike raportet paraqiten të përmbysura, sepse nuk kuptohet kush ndjek politika të majta e kush të djathta, në retorikën kombëtariste dukej sikur gjërat ishin më të qarta, pra sipas skemës së vjetër. Që edhe ky çelës leximi na u prish në duar, tregon shumë për politikën shqiptare. Ky ishte edhe një nga qëllimet e shkrimit…

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin