KRITIKË S/M

nga Paskal Stafa

Dy shkrime diametralisht të kundërta këto ditë në shtyp për romanin historik të sapohedhur në qarkullim të Mira Meksit „Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë“, njëri shkatërrimtar i E. Ypit tek MaPo dhe tjetri panegjirik i Sh. Dodës tek Panorama,

më ndërmendën një copë humoristike të Mark Twain-it, lexuar dikur në rininë e hershme, që titullohet „Gazetaria në Tennessee“, në mos gabohem i përfshirë në vëllimin „Tregime amerikane të shekullit të XIX“, botuar në vitet 80-të në Tiranë.

Ndërsa për Dodën romani në fjalë është

…një rrëfim i gjarpërushtë, fryt dhe shpërfaqje e natyrës së qashtër labirintike që karakterizon thelbësisht poetikën rrëfimtare të Mira Meksit, jo vetëm në rrafshin e strukturësimit rrëfimor, në ndërthukjen labirintike të skenave me njëra-tjetrën, apo të ndërlidhjes së skenave të sunduara nga aksioni fizik me syresh të sunduara nga përjetimi psikik, por edhe në rrafshin e gjuhës dhe stilit, e ndërthukjes së fjalive sipas një sintakse labirintike, ku njëra fjali shtratëzohet nga brenda një fjalie tjetër sipas një logjike rrëfimtare digresive, apo progresive, për të na përcjellë një vështrim në retrospektivë apo në perspektivë

për Ypin është:

Asnjë stil, asnjë sugjestion, asnjë energji, mediokritet i gjallë, boll me parathënien e shkruar vetë dhe faqen e parë… S’kam pse e pi të tërë Adriatikun për të mësuar se uji i detit është i kripur. Mjafton të prek një pikë me majën e gjuhës… Para llaftarive letrareske të Mira Meksit gërrhitjet verbale dhe grafologjike të analfabetëve funksionalë janë Mozart e shkuar Mozartit… Intuita pra s’më ka tradhëtuar. Sa mirë paskam bërë që gjatë viteve s’kam lexuar asgjë nga Mira Meksi, kjo grafomane

e në Facebook shton (e pabotuar në gazetë):

… shpresova se fjala ishte për të kundërtën e asaj që thonë për martesën, pra se libri që kisha përpara do ishte një qyp me dy gisht mut në krye dhe brenda plot me mjaltë. Por u gabova. Mender romani i Mira Meksit është një qyp plot me mut (sic!)

Autori i këtyre rreshtave nuk e ka lexuar librin e Meksit, por mëton të mos e lexojë e kjo nuk të bëjë me cilësinë dhe vlerat që mund të ketë ai libër në të vërtetë, por me atë që shkruhet për të e që supozohet të bënte efektin e kundërt.

Besoj se kështu u ndodh edhe shumë të tjerëve e nuk do shumë mend të kuptosh se ky lloj kriticizmi, në mund të quhet i tillë  dërdëllisja e shërbetshme e Dodës dhe masakrimi kanibalesk i autores nga Ypi, është një nga arsyet që shpien në të lexuarit gjith’ e më pak të autorëve shqiptarë, në të lëvruarit gjith’ e më keq të shqipes, në përballjet e përditshme absurde pozitë – opozitë ku e zeza bëhet e bardhë dhe anasjelltas e kështu me radhë, deri në mosbesim, lodhje cinike dhe neverinë që bashkëshoqëron ndjesinë e humbjes deri edhe të identitetit.

Ka të ngjarë të të ndodhë edhe e kundërta: që ta marrësh e ta lexosh librin e Meksit, nisur nga therja e Ypit e të mos e zësh me dorë pasi ke lexuar Dodën.

Por më së shumti ndodh ajo që nuk duhej të ndodhte e që ndodh vërtet çdo ditë: pakkush u beson përrallave të medias, e cila e ka humbur ndoshta pa kthim sensin e masës. Në rastin në fjalë, viktima është autorja dhe lexuesi dhe i gjithë procesi kundërprodhues.

E habitshme është, duke u nisur nga premisa se aktorët sado-mazo të promovimeve / kasaphanave kësisoj nuk janë të leshtë, por e bëjnë këtë me dëshirën e dukshme për të reklamuar / denoncuar mallin, nuk reflektojnë mbi faktin se lexuesi i mundshëm me një grimë kulturë a priori nuk ka gjasa të ndikohet as nga njëra e as nga tjetra palë dhe nuk e ha aq lehtë sapunin për djathë. Atij i mbetet veçse të largohet e kjo është ajo që ndodh dita-ditës.

Mund të gjesh subjekte të panumërta për humor të zi kur të shfaqen për të satën herë në ekran botuesit kronikë të Toena-s, Diturisë, Pegit, Dudajt etj. e reklamojnë idealet e tyre libreske, ndërsa për autorët shqiptarë, letërsinë vendase, e për pasojë logos-in e kombit, nuk merakoset kush dhe ligjërimi, për fat të keq jo vetëm ai letrar – kjo do të qe gjysma e së keqes -, i ka kaluar me kohë përmasat e qesharakes, për t’u zhvendosur me ngulm e hapa të madha drejt zonave të errëta të groteskut dhe makabritetit.

Javën tjetër nis Panairi vjetor i Librit. Dashamirësve të këtij të fundit mund t’iu urohet në Ypiançe, mallkueshëm në pamje të parë, por jo pa kuptim në të dytën: Mos u shittë asnjë kopje, mos shkeltë këmbë lexuesi aty, u djegshin treçereku i librave! – ndoshta veç kështu do të bëhej tabula rasa e do të mund të rilindte nga hiri Feniksi ynë prej letre.

Nuk ka komente

  1. Kjo që ndodhi me romanin e Mira Meksit më konfirmon se letërsia nuk mund të ketë shëndet, pa kritikën letrare.

    Kritikët i shajnë shumë, dhe një pjesë e mirë e shkrimtarëve i qesëndisin ose nuk i durojnë dot; por funksioni i tyre brenda sistemit letrar nuk mund të shpërfillet.

    Shqipërisë i mungojnë edhe kritikët profesionistë (do të bëja një përjashtim me Behar Gjokën) edhe institucionet kritike (ku të recensionohen veprat që dalin). Librat që dalin ose shoqërohen me heshtje, ose me ndonjë intervistë të autorit nga një gazetar që, si rregull, nuk e ka lexuar veprën në fjalë, ose me ndonjë shkrim lavdërues të një miku të autorit.

    Natyrisht, atë që ka bërë Ypi unë as do ta konsideroja kritikë letrare – por thjesht gëlbazë tuberkulare që u ofrohet atyre lexuesve që ia lëpijnë me dëshirë dhe eksperimentalisht gëlbazën tjetrit. Gazeta si MAPO-ja bëjnë mirë që ia botojnë këtij shfryrjet – sepse tashmë ka ikur koha kur gazetat përdoreshin si letra higjienike; dhe njeriu ndonjëherë e ka të vështirë të orientohet.

    Paskal Stafa e ka kapur mirë, që shkrimi i Dodës te Panorama është po aq obscen sa ai i Ypit; pavarësisht se në këtë rast blozën e ka zëvendësuar pudra.

    Dhe kritiku letrar nuk bëhet duke shkruar recensione për miqtë e vet, as duke pështyrë – që t’i dëgjohet fjala, duhet të ketë autoritet ndaj lexuesit, dhe këtë autoritet mund ta fitojë vetëm me profesionalitet dhe, sidomos, duke i botuar shkrimet në media dinjitoze dhe të specializuara për kritikën letrare.

    E kam fjalën që kritika, për të funksionuar, ka nevojë edhe për institucionet përkatëse: mjaft të kujtoj një London Review of Books ose The New York Review of Books, për ata që i njohin këto revista. Brenda institucioneve të tilla, edhe një emër relativisht i panjohur në kritikë përfiton nga prestigji i faqes ku boton; kështu krijohen kushtet edhe për t’u formuar kritikët e rinj.

  2. Meqe u hap kjo teme, shpresoj se dikush ta kete lexuar librin e Meksit. A mund te na jepte ndokush nje sinopsis rreth librit(pra pa qene nevoja te marre persiper kritikun/en letrar(e))?

    Teuta, nje personazh historik, eshte levruar pak ose aspak, qofte edhe si personazh letrar. Nje veper si e Meksit ngjall patjeter interes tek kureshtaret e literatures.

    Nuk me eshte dhene rasti te kem lexuar ndonje kontribut serioz te autores, me perjashtim te ndonje interviste apo shkrimi te shkurter.

    1. Read Me, kjo temë nuk është për librin e Meksit, por për kritikën letrare. Më vjen keq, por për librin e Meksit duhet të hapim një temë tjetër – do të dëshiroja që ta bëje ti këtë, pasi ta lexoje romanin.

      1. Me deshire, bile eshte nje nga arsyet qe kerkova info, sepse po mendoja se do te me ndihmonte ne nje perpjekjen time per te shkruar dicka rreth Teutes.

        Nga nje kerkim i shpejte vura re se libri kushton 19.00 USD(Shtepia e Librit) per ta blere online dhe si review ishte “panagjerizmi”(po perdor karakterizmin e PS siper) i Dodes.

        Ndonje lexues anonim me nje sinopsis te zhveshur nga kritika, do te me ndihmonte per te vendosur per ta blere ose jo librin, me kete cmim kaq… te kripur. 🙂

  3. Ketu jane kapur dy ekstremet, dhe me shyqyr qe shkruhet per kete zgaver ne prodhimtarine kulturore shqiptare. Por lavdet labirintike de Dodes jane me te pranueshme, sepse ekzaltimi vlen me shume se denigrimi, sidomos ai i nje perkthyese aq me dhunti gjuhesore e kontribut ne pasurimin e eksperiences se leximit. Ndersa ai i Ypit me folklorizmat e zberdhylura e qypat e jashteqitjes meriton vec nje trajtim jashteqites. Duket i gjori qe ka ngelur ne fazen anale.

  4. Une mendoj se shkrimet si ai i Dodes kane qene ku e ku me te demshme per letersine shqipe sesa shkrimet ala Ypi. Sepaku nje artikull si i Ypit ka brenda potencialin e nxitjes se kersherise tek lexuesi ose, fundja-fundit, te shtyn te besh te kunderten. Pak a shume si ato tabelat “Mos e shkel Barin!”.

    Pervec njeqind e nje faktoreve te tjere, kritika ne Shqiperi, per mendimin tim, eshte e deshtuar qe ne djep. Kjo per arsyen e thjeshte se eshte nje vend i vogel e me kulture tradicionale ku njerezit njihen me njeri-tjetrin. Ne keto kushte ndoshta ilaci me i mire do te ish anonimiteti i kritikeve. Zhvillimet e kohes e favorizojne kete duke mundesuar mbajtjen e blogjeve online psh. Eshte koha qe pseudonimet te kthehen serish ne mode. Madje une do te shkoja deri aty sa jo vetem kritiket te shkruanin nen pseudonim por edhe shkrimtaret. Keshtu sepaku edhe ata do te ishin me te qarte nese komplimentet qe marin jane mendime te sinqerta apo thjesht kortezi sociale. Gjithmone nese atyre vete iu intereson te dine…

  5. Trekendesh,
    I ka permendur Xha Xhai pengesat qe nxjerr rrethi i ngushte i elites shqiptare, por edhe ne vende me te medha e me pervoje, po te duash qe nje x veper a studim tendi te gjykohet nga specialiste te fushes, ndeshesh me shpesh se rralle me po te njejtit njerez, aq me teper sot ne kohen e networku-t, i cili ne rangje intelektuale behet me emer-mbiemer dhe titull para. Te jap te drejte po te thuash qe faktori mik e para luajne role me te dukshme tek ne. Po aty brenda jane ne vende te tjera, p.sh. ne Gjermani duan te marrin masa me te rrepta kundrejt profesorave qe kane drejtuar doktoratura te plagiatuara. Ndeshin me shume rezistence. Pse? Sepse eshte lufte kunder kolegut, atij qe e sheh ne korridor perdite o ne konference disa here ne vit, atij qe eshte miku i filan fistekut, nepermjet te cilit i sjell fonde universitetit, etj.

    Sa per recensionin e Ypit, me vjen keq, po imagjinoj ka kaq gjase qe lexuesi i librave jo-kioskore ta bleje librin i shtyre prej Ypit-Garypit, sa mund te jete per nje kalimtar kureshtja per ta futur koken ne nje nevojtore publike kuterbuese.

  6. E vertete, Mira Meksi nuk e meritonte kete. Meritonte te mos permendej fare. Po keshtu eshte kur gazetat nuk perdoren me si letra higjenike, por si lakmues i higjenes intelektuale dhe morale te elites. A nuk duhen pershendetur per kete rol?

    1. Qerosi, ndryshe nga gjithë mendimet e shprehura këtu përfshi qYp e Doda, joti është vërtetë i rrezikshëm. Heshtja në kulturë është binjakja e vdekjes.

      Pyet drejt ç’është kultura, Read Me. Në fakt ç’nuk është kulturë: bileta e autobusit si ajo e teatrit, fatura e dritave, letra higjenike, fletorja e Kuvendit, të gjitha copëza kulture. Futu në një muze arkeologjik të shohësh emanacionet e kulturës.

      Këtu flitet për recensuesit, jo shkrimtarët. Një recensues i aftë di të thotë gjëra me vlerë edhe po t’ë marrë të analizojë një faturë apo fletoren e Kuvendit (në shekullin e XX është interpretuar si artifakt kulturor e gjuhësor American Declaration of Independence). Për këtë arsye i duhet mëshuar kulturës së recensuesve: e ku e di lexuesi mesatar se sa kulturë ka në Harry Potter apo në “Komën” e Maks Gjerazit? As ka pse ta dijë, por një recensues mund t’i hap dritaret e dijes, duke e parë veprën nga pikëpamja e stilit, e punës kulturore që bën, e ndikimeve që shpalos teksti. Sigurisht recensioni është i predestinuar të jetë i cunguar, por po t’i thuhet lexuesit që një Harry Potter mund të lexohet me syzet Frojdjane, apo si degëzim modern i supernaturales, dhe “Koma” me ato të realizmit magjik, të cilin një pjesë e mirë e publikut shqiptar e njeh prej përkthimeve të Plasarit dhe Meksit, recensioni ka thënë diçka që e nxit lexuesin e interesuar të shkojë më tutje, kështu kultura qarkullon dhe pasurohet. Por e keqja është se recensionet shpesh përdoren si platforma për auto-profilim, ndonëse ky s’është vetëm fenomen shqiptar.

      P.S. Më doli rasti të shtoj këtu, meqë tek faqja e “Komës” komentet janë mbyllur, që, për mua, tregimi është një kryevepër në miniaturë, i barabartë me një nga miniaturat e Borges.

      1. Nëse do të kishte ndonjë vlerë reçensa e Ypit, që veç reçensë nuk është, do të qe të notuarit kundër rrymës,
        pasi kjo ndodh shumë rrallë, për të mos thënë asfare, e nëse ndodh, bëhet për shkaqe më së shumti jashtëletrare.
        Rregulli është që mediat zakonisht përmbyten nga shkrime si ai i Dodës, që nuk thonë asgjë, ndërsa imitojnë një ideal elitar, të cilin nuk e mbërrijnë dot; me gjasë për mungesë talenti, kulture e, jo së fundmi, për arsyet po aq jashtëletrare tarafllëku dhe nepotizmi.
        E gjitha kjo degjeneron në “zhurmë” në kulturë, e cila është po aq e dëmshme sa edhe heshtja për këtë të fundit, po a nuk u bën gati 25 vjet që shoqëria shqiptare dhe vetëdija e saj kulturore lëviz e shfaqet veç në trajta të skajshme?

          1. Po flisja për të kundërtën e heshtjes, zhurmuesin, i cili mbulon njëlloj vlerat e më pak të tillat.
            Nëse përdorim të njëjtat epitete të kudondodhura, atëherë ajo çka vërtet vlerë trajtohet njëlloj si diç më me pak, apo aspak fare, e kjo është njëlloj sikur të mos jetë thënë asgjë.
            Për nëse heshtja përmban, sidoqoftë, potencialin e mundësisë të të thënit diçka, zhurma e përjashton atë a priori. Kot nuk thuhet që ajo qenkësh flori e fjala argjend.
            Unë do t’i kisha uruar Meksit në këtë rast më mirë heshtje të fisme, se sa përfoljen kësisoj, sidomos atë të llojit të Dodës, pasi, sa i përket lexueshmërisë, është më kundërprodhuese se ajo e Ypit.

          2. Dhe po, është heshtur Qeros: rasti i parë që më bie ndërmend është p.sh. A. Ch. Kyçyku, të cilit pas shumë e shumë vitesh e veprash me vlerë jo më të pakët se Blushi e co. memzi iu dha vjet një çmim letrar e qysh atëherë vijon të mospërfillet sërish.
            Ka edhe emra të tjerë sa të duash, por një gjë është e sigurt: hierarkia e vlerave nuk është kjo që po na duket a po duan të na bindin se është.

            1. Të shtoj edhe unë ca emra përpos Kyçykut: Bashkim Shehu dhe Elvira Dones. Në non-fiction, E pafilozofuara e Hysamedin Ferajt duhej përmendur të paktën po aq edhe Mosmarrëveshja.

          3. Ka diçka të përbashkët në emrat më sipër (nuk e di a vlen për Feraj kjo): të gjithë autorët e lartpërmendur janë të diasporës: larg syve, larg zemrës është një shprehje, nënkupto: larg miqve, qokatarëve, shokëve të tavolinave, Dodave…

          4. Do te me dukej me interes, qe dikush(qe eshte i familiarizuar mire me letersine post-komuniste) te shkruante rreth te perbashketave dhe ndryshimeve qe ekzistojne ne levrimin e artit te tyre midis autoreve qe jetojne dhe shkruajne jashte Shqiperise dhe atyre brenda saj.

            Do te na ndihmonte te gjitheve ne te tjereve qe nuk i njohim zhvillimet letrare te autoreve shqiptare pergjate ketij njecerek shekulli te fundit.

  7. Nuk e kam lexuar romanin e Meksit dhe per kete arsye nuk mund te them gje per te. Sa per dy shkrimet e cituara me siper, i pari eshte thjesht qoke e rastit, ndersa i dyti… duhet talenti dhe arsenali stilistikor i Ypit per ta percaktuar siç e meriton.

    Sa per kritiken, jam me Xha Xhain ne ate qe nje sistem letrar pa nje kritike profesionale dhe serioze eshte i manget. Sot ne Shqiperi nuk ka kritike.

    Keto vitet e fundit kam lexuar disa romane te suksesshme nga autore shqiptare dhe kam dale ne nje perfundim: Nje autori qe te shkruaje nje roman te mire nuk i mjafton talenti. Duhet edhe kultura. Pikerisht kultura u mungon autoreve tane.

    1. Mendoj te njejten gje. Edhe reagimet e autoreve rreth vepres se Meksit, qe sillen ne shkrimin siper te PS, jane shprehje te kultures qe reflektohet ne shkrimet e tyre. A do te ishte mjaft te thuhet: duhet edhe kultura, qe i mungon shkrimtareve tane?

      Eshte e rendesishme te shtellohet se cfare kuptohet me kulture dhe perse duhet kultura.

      1. Duke filluar nga kultura e gjuhes, drejtshkrimi, kuptimi i sakte i fjaleve. P.sh. ne nje nga romanet e fundit qe kam lexuar autori fliste per “bustin” e Enver Hoxhes qe rrezuan protestuesit ne Tirane. Ishte “shtatore” ose “statuje” jo bust, se busti eshte nga gjoksi e lart. Nje autor qe e quan shtatoren bust tregon injorance te madhe. Ne ate roman kishte me dhjetera gabime te tilla.
        Ne nje roman tjeter flitej per vezullimin e çelikut (te shpatave) te luftetareve ilire nen driten e henes. Ne kohen e ilireve çeliku nuk ekzistonte. E dine edhe femijet e tetevjeçares.
        Ne nje roman tjeter personazhja hapte dritaren e avionit per te hedhur letren e ish-te dashurit.
        Solla vetem disa shembuj banale sepse do te duhej shume kohe dhe hapesire per te analizuar gabimet kulturore ne letersine e autoreve te sotem.

        1. Mjaft mire Relapso. Por ka edhe me…

          Megjithate eshte mjaft te ndalosh te kultura e te shkruarit. Llallate….. e Ypit, (ne dukje) jane banale dhe brutale, por ne thelb ai po ve ne dukje “mungesen e kultures”, mangesite ne te shkruarin e Meksit, mangesi te verejtura nga ty Relapso, ne vepra te tjera, per te cilat po flet ne komentin tend.

          Nuk e di se cfare zhanri i perkasin skecet e tij(ku mund t’i fusim?) te mbushura me fjale te regjistrit bisedor te komenteve(te punosh per ndermarrjen Rruga-Ura do te te mbeten disa nga reflekset e gjuhes se perditeshme te perdorur) 🙂 qe i bejme ne te gjithe dhe shpesh here jetes kulturore te shqiptareve; sigurisht, ka dicka brutalisht koniciane, te ndersjellurit besnikerisht ne dukje brutal te toskerishtes(ku me kenaqesi/deshire bej pjese, por qe ne ndryshim perpiqem ta mbuloj me pilula molier-eske te “le bourgeois gentilhomme” ), talljen e qe vjen nga mprehtesia dhe zhdervjelltesia e klimes, ne te cilen kultivohen tosket.

          Ne te gjithe ekspozene e tij, ku nuk kursen fjalorin e Rruges(…dhe te Ures), ve ne dukje antihistorizmin e qasjes “historike” te Meksit(te kujtojme aleancen iliro-greke, per te qeshur apo jo, mjaft te kujtojme Polibin grek) dhe dashurine e supozuar te saj per nje grek(Demetrion e Farit), i cili mund te mos kete qene fare grek etnik.

          Pastaj me rradhe te gjitha, totenizmi ilirian i gjarperinje binjake, dhe te tjera te tjera, perafrime letrareske pa baze historike dhe etimologjike, qe Ypi, i quan “llallate” e Meksit. Sigurisht qe Llallate brutale te Ypit, nuk jane recense e mirefillte, parasegjithash sepse i mungon kultura e te qenurit i miresjellur, por nuk i mungon kultura e te njohurit dhe te dalluarit midis letersise te mire dhe asaj qe ai e quan “llallate” letrare.

          Ne nje interviste te Meksit qe po e sjell me poshte sillet sinopsisi i vepres nga vete autorja. Mund te vihet re lehtesisht konfliktualiteti i brendeshem i vete autores qe lufton te vendose romanin e saj midis historikes dhe letrares. midis historizmit dhe fantazise.

          http://www.oranews.tv/videogaleri/mira-meksi-rrefen-mallkimin-e-priftereshave-ilire/

          1. Read Me,

            e degjova biseden me Meksin.

            Nese romani eshte ne nivelin e asaj bisede, i bie qe Ypi, pavaresisht gjuhes se tij, te kete te drejte.

            Artikulli i Ypit me kishte ngjallur njefare kersherie per ta lexuar romanin, por biseda e autores ma fshiu krejt interesin.

            Nga sa degjova, krijova pershtypjen se do te jete fjala per nje roman te tipit chicklit me garniture historike dhe ca ereza nacionaliste iliro-shqiptare.

            Megjithate pershtypja mund te jete edhe e gabuar se nuk eshte e thene qe niveli i bisedes te perkoje me ate te romanit, por une tash per tash nuk kam ndermend ta verifikoj.

  8. Per P. Stafa:
    Kur pyeta se per ke eshte heshtur, u nisa nga konstatimi juaj se “u bën gati 25 vjet që shoqëria shqiptare dhe vetëdija e saj kulturore lëviz e shfaqet veç në trajta të skajshme?”. Pra perpos zhurmes qe behet dhe vetebehet per qellime promovimi apo marketingu(si rasti i nje botueseje ta zeme qe deklaroi se e kishin kercenuar pse po botnonte nje liber qe njiohet boterisht si “problematik”), mendova se skaji tjeter eshte heshtja. Por ndoshta une nuk e kam lexuar mire ate qe ju keni dashur te thoni. Permendni Kycykun. Me sa di zoteria eshte shume i suksesshem aty ku jeton, mos gaboj ne Rumani. Ka nje trajtim le te themi periferik ne Shqiperi, por jo heshtje te vertete. Kurse per emrat qe permenden: Elvira Dones, apo Bashkim Shehu, une nuk jam fare dakord. Une nuk mendoj se meqe nuk kane marre cmim, ndaj tyre eshte heshtur. Aspak. Ata jane shume te pranishem ne media dhe ne publikun shqiptar, sidomos Dones, qe para disa muajsh, nuk guxoje te hapje televizorin se ishte kudo. Por gjithesesi per te mbetur te tema me Ypin: ndonese dihet se si shkruan, kesaj radhe ka cilesuar se me shume sesa kritike, shkrimi i tij eshte redaktim ne bazen e nje formimi elementar qe i mungon zonjes ne fjale. Te pakten ne ato qe percjell Ypi per parathenien qe zonja e ka shkruar vete. Nese pranojme se ato marrezira jane shkruar ne parathenie, atehere Ypi ka te drejte. Edhe pse nuk ka bere recense, por ka tallur laren brutalisht. Ndaj edhe kaq ka bere shume. Nuk e meritonte te permendej fare, edhe sepse i ka te gjitha instrumentet mediatike per te qene ne krye te listes se vemendjes sic ka qene keto 23 vjet.

    1. Është fakt që Kyçyku, ndonëse ka një vepër masive në shqip, nuk është marrë parasysh në Shqipëri (në Kosovë nuk ka ndodhur kjo); a është pastaj ai i suksesshëm në Rumani a jo, kjo është tjetër gjë.
      Ne po flasim këtu për heshtjen e kritikës për autorët e jo për heshtjen e autorëve vetë e kjo është edhe tema e shkrimit: si bëhet kritika në mëmëdhe. Meqënëse, siç e përmenda edhe më sipër, miqtë shkruajnë për miqtë, gazetarët e kulturës (ata palo shkrues që as shqipen nuk e dinë) për njerëzit që vijnë vërdallë, botuesit promovojnë njerëzit e librat e tyre, është afërmendsh që shkruesit e diasporës t’i kenë shanset për t’u përfshirë në panoramë më të vogla: pavarësia materiale e intelektuale nuk i ndihmojnë aspak këta të fundit për këtë, përkundrazi.
      Ndërsa për Ypin: forma e të shprehurit e eklipson këtu edhe të paturit të drejtë, ndaj nuk ia vlen fare të merresh me argumentat e tij, për sa kohë linçohet ashtu tjetri, autorja në këtë rast.

  9. Ka nje moral te dyfishte ne kete diskutim ku u perfshiva edhe une fillimisht, por qe fillon me autorin. Recensohen recensat e nje libri qe s’e ka lexuar. Ne e ka lexuar do ishte shume me efektive t’i kishte humbur ca fjali mbi romanin per t’i dhene disa koordinata lexuesit, te cilit i drejtohet recensa e recenses. Ne del si i treti i verteti, duhet te japesh me shume per te kontrastruar ate qe sheh si te gabuar tek te tjeret. Binde lexuesin me prova jo me tirada teatrale (te taposur me mallkime). Eshte bere i modes ne Shqiperi ky stil deklamues qe veç tregon me gisht te shtrembren, ne vend qe ta drejtoj. Po drejtimi do kohe e perkushtim, ama ky eshte profesionalizmi metikuloz.

    Flet po prape autori per tavolina, qoka, karshilleqe, duke e nxjerre indirekt veten te shkeputur prej tyre. Dhe une lexuesi duhet te besoj si pisllikun e skenes letrare shqiptare ashtu edhe imakulitetin e autorit. Me vjen keq, kerkon shume.

    1. Ka nje moral te dyfishte ne kete diskutim ku u perfshiva edhe une fillimisht, por qe fillon me autorin. Recensohen recensat e nje libri qe s’e ka lexuar… – shkruan.

      Me këtë logjikë i bie që edhe komenti yt të jetë reçensa e reçensës së reçensës së librit, që as ti nuk e paske lexuar. Më thua të bind me prova: e ç’prova do të na qenkëshin këto?
      Nejse, ka një ton ky komenti yt i fundit që më ngjan me atë të Ypit, ndaj edhe po e le këtu.

      1. Them se nuk ka kuptim që të flasim për romanin, sepse nuk e kemi lexuar.

        Ato çfarë thotë autorja nuk ngrenë peshë: shkrimtari nuk duhet të flasë vetë për veprën, por ta lërë veprën të flasë.

        Por, duke pasur parasysh edhe një roman të mëparshëm të Meksit, i cili u bë shkas për një sulm të A. Klosit në Shekulli po aq total sa ky i tanishmi i Ypit (edhe pse pa vulgaritetet e këtij të fundit), kam krijuar pështypjen se letërsia e Meksit është letërsi zhanri dhe si e tillë duhet gjykuar.

        Në Amerikë, zhanri që praktikon Meksi do të quhej “historical romance”: ka rreth 58,000 tituj në Amazon.

        Nuk ka të keqe të shkruash në zhanër, me kusht që të jesh e vetëdijshme.

        Disa vepra zhanri e tejkalojnë vetveten dhe futen në letërsinë mainstream: p.sh. 1984 e Orwell-it është fantashkencë, por nuk trajtohet si zhanër; po ashtu edhe Brave New World e Huxley-t ose We e Zamjatinit. Kështu edhe vepra të Calvino-s (fantasy fiction), Borges-it (fantasy fiction), Coelho-s, Saramago-s, e të tjera. Edhe Stephen King (horror) tani konsiderohet prej shumëve si mainstream. Il Pendolo di Foucault, e Eco-s, në duart e një shkrimtari zhanri, do të kish dalë si mystery thriller; Il nome della rosa si “historical mystery fiction”; ndërsa Pallati i ëndrrave i Kadaresë, si “fantahistorical fiction.”

        Por mund të jesh i madh brenda një zhanri, pa dalë që andej, p.sh. Stanislaw Lem (fantashkencë) ose Conan Doyle (mystery) ose Agatha Christie (whodunits), etj.

        Kultura jonë nuk e njeh letërsinë e zhanrit, edhe pse kjo arrin të kapë një lloj publiku që përndryshe mbetet pa lexuar.

        Kur kam shkuar për herë të parë në Spanjë, në fund të viteve 1990, më ka bërë përshtypje, në librari të madhe në Barcelonë, numri i madh i romaneve me temë nga Egjipti i lashtë. Pyeta dhe më shpjeguan se Egjipti, i treguar si aventurë, ishte shumë popullor për publikun.

        Disa nga këto romane për Egjiptin ishin “historical romance”, të tjera “fantasy romance”, të tjera akoma “adventure”.

        Meksi, në mos gabohem, e njeh mirë kulturën spanjolle; nëse është kështu, mbase ka zhvilluar me kohë edhe një sensibilitet për këtë lloj letërsie.

        E konsideroj guxim, prej saj, vendimin për të lëvruar zhanrin përkatës në shqip; dhe do t’i shprehja solidaritet të plotë, natyrisht, ndaj sulmeve që i vijnë nga rruga.

        Për më shumë, më duhet ta lexoj librin.

        1. Nuk besoj se sumet qe i adresohen Meksit i vijne per shkak te zhanrit qe levron. Mesa e kam lexuar une Meksin, ajo vetem keto vitet e fundit ka filluar te provoje kete zhaner. Mendoj se sulmet ndaj saj kane te bejne me shume me stilin sesa me zhanrin. Ose behen per arsye personale. Meksi shkruan me nje stil barok dhe me nje ngarkese te larte emocionale. Sado i prirur mund te kete qene lexuesi klasik shqiptar ndaj ketij stili, eshte fakt qe dekadat e fundit shijet e leximit kane ndryshuar. Si rrjedhoje edhe goditjet ndaj autores.

          1. Stili barok dhe ngarkesa emocionale mund të jenë edhe karakteristikë e zhanrit. Them “mund të jenë” sepse nuk e njoh mirë zhanrin.

      2. Une nuk shkruajta “as mor Pascal, more djale”, as te ofendova duke ta quajtur artikullin “budallallek”, si Ypi vepren e Meksit. Kam shume respekt per kete blog t’i ve edhe pikat sipas menyres Ypçe, lere me stilin (ne fakt ti e mbyll me vetrilokuizem te Ypit shkrimin tend). E perseris si koment dhe jo recense, se s’behet recense me 100 fjale: libri meritonte po aq vemendje sa Ypi dhe Doda, mund te vije nje standard tjeter recense duke i kontrastuar dhe pasuruar me kritiken tende te librit. Po te besh kete s’ka nevoje te hidhesh tek tavolinat. Thellohu ne materien tende qe jane libri dhe recensat. Kaq. Te tjerat jane zhurme.

        1. Nëse e ke përftuar shkrimin tim si recensë, atëherë e ke keqkuptuar atë.
          Ja dhe një herë, ndonëse duhej të qe e vetëkuptueshme: shkrimi nuk bëhet nga pozitat e një kritiku, por të një lexuesi, i cili rekomandimet për librat i gjen në media (e ku tjetër?) e që ndoshta jeton edhe jashtë e që në vend të tërhiqet prej kësaj të fundit, largohet i neveritur prej autorit, e kjo as për faj të tij e as të autorit.
          Mallkimi në fund të shkrimit, ndonëse sarkastik, është njëkohësisht edhe fundi i qorrsokakut të amullisë, në të cilën gjendet libri e tregu i tij në Shqipëri. Mjafton të lexosh statistikat e ç’thonë vetë botuesit për këtë e do të kuptosh se, nëse nuk ndërmerret diçka krejt tjetër nga kjo që ka ndodhur derimë tani, gjasat janë që kjo punë të shkojë keq e më keq. Edhe shkaqet nuk është se nuk dihen: për arsye vendi nuk po përmend të tëra, por “tavolinat”, siç i quan ti, luajnë mes tyre një rol jo të vogël e nuk e kuptoj pse të habit kjo: ky është një realitet i i gjithëkudondodhshëm në Shqipëri e kultura nuk ka pse të bëjë këtu përjashtim.
          Nuk kam prova për këtë, por jam pothuajse i sigurt që shkrimi i Dodës p.sh. është thjesht i porositur dhe në kornizën e “promovimit”, siç bëhen këto rëndom në mëmëdhe.
          Ndërsa librin në fjalë as nuk kam ndërmend ta lexoj; tani edhe më pak se para se të dëgjoja për të.
          Më shkruan të thellohem e thellimi yt i vetëm është të komentosh moralin e dyfishtë të autorit; kësaj i thonë të kërkosh ashklën në syrin e tjetrit. Kërkon kontribut më të thelluar nga shkruesi, por cili qenkësh i yti o zotëri: pse nuk ulesh ta lexosh vetë atë libër e të të komentojmë ne ty pastaj?

          1. Tani kuptoj qellimin pas shkrimit, deri tani per mua s’qe i qarte. Une librat artistike ne pergjithesi i blej pasi lexoi recensa, gjithmone me shume se nje, ato jane filtri im ne kete luzem botimesh.
            Kontributi im eshte te komentoj ketu, xha xhai nese s’e quan kontribut komentin le ta fshije. E shoh investim ne fakt qe shkruaj, sepse edhe kaq kohe nuk kam. E fundit, s’ka nevoje per tirada, as per te me quajtur zoteri, ben vaki jam drag queen e s’me shkon ai interpelim.

  10. Pavarësisht se këtu janë gjykuar reçensat veç nga pikëpamja e stilit, në stadin paraprak të paraleximit të vetë librit, dua të shtoj diçka rreth përmbajtjes së reçensës së Ypit. S’e kuptoj as ndaj indinjatën e përsëritur të tij me parathënien e shkruar nga Meksi. S’është e para, bile, ka alamet tradite të parathënieve (preface) të autorit: Ca shembuj:

    Rousseau në “La Nouvelle Heloïse” dhe “Emile, Ou de L’Education”;
    Samuel Johnson të shumë antologjizuarat “Preface to Shakespeare” ose “Preface to the English Dictionary”
    William Wordsworth në “Lyrical Ballads”; Hugo në “Cromwell”; Chateaubriand, “Atala”; Walpole, “Castle of Otranto”; Walt Whitman në “Leaves of Grass”; Mary Shelley në “Frankestein” botimi i 1831 (konsiderohet po aq i vlefshëm sa parathënia i të shoqit Percy Shelley në 1818)
    etj., etj.

    Po shtoj edhe dy vepra të viteve të fundit me pasthënie (afterword, Nachwort), të Veronica Roth në trilogjinë “Divergent” dhe Chimamanda Ngozi Adichie në “Half of a Yellow Sun”, ky “historical novel”

    S’di pse Ypi e shtyn lexuesin të mendojë se parathënia e shkruar nga vetë autori është anomali e turpshme? Kjo më duket tamam zhurmë keqinformuese që kërkon korrigjim.

    1. Edhe pse po flasim te gjithe ne tym, sepse nuk e kemi lexuar as librin as parathenien, mua me duket se Ypi e kishte me permbajtjen e parathenies, pra me faktin se autorja ne parathenie levdon veten dhe librin qe ka shkruar. Ne ate biseden qe na solli Read Me autorja bente pikerisht kete: levdonte me superlativa librin e saj.

  11. Relapso, i referohem kësaj pjese të reçensës së Ypit:

    “Fill pas këtij ofendimi, vjen i dyti ofendim, pakrahasimisht më i rëndë se i pari. Parathënie e shkruar nga, luaj venit, vetë Mira Meksi. Autoreferencialiteti që arrin deri tek shkruajtja e parathënies spjeguese, dhe rrjedhimisht ofenduese, nga vetë autorja është një krrupje aq e neveritëshme sa tanpërtani refuzoj ta interpretoj, ndoshta do ta bëj në një shkrim tjetër.”
    ose
    “Pak më poshtë Mira e llallallave letrareske thotë se; ‘jam përpjekur të ndërtoj për së brendëshmi atë botë (Ilirët dhe Teutën e Ilirisë) që arkeologët e ndërtojnë për së jashtëmi’. Arkeologët nuk ndërtojnë, ata veçse gërmojnë dhe zbulojnë, por në një parathënie të shkruar vetë budallallëku s’ka fund, dhe le të kalojmë në faqen e parë të romani.”

  12. Nje paranteze: desha ndihmen e sinqerte nepermjet nje shpjegimi te drejtperdrejte, nese eshte e mundur. Une lexova paragrafin e shkeputur nga shkrimi i Dodes dhe u mundova te lexoj edhe shkrimin tek Panorama. Qe libri i Meksit, eshte ne rangun e zbulimit te vaksines per ebolen, kete e mora vesh. E krijova dhe pershtypjen se ky liber do fluturoje nga raftet e librarive dhe per nja dy tre dite zor se mund te gjesh ndonje kopje vec se ne tregun e zi me cmim 4-5 fish. Gjeja qe nuk kuptoj eshte gjuha qe zgjedh dhe perdor Doda. M’u duk sikur po lexoja ne nje gjuhe te huaj qe nuk jam familarizuar ende. Gjysmat e fjaleve dhe te figurave u mundova t’i marr me mend. Ca fjale une as nuk ia di kuptimin fare. Per shembull, mbiemri “i qashter” me te cilin me duket Doda ka rene dashuri kohet e fundit, here perdoret dhe “i qashtert” ne po kete shkrim. Po ashtu nje e dashur tjeter e Dodes eshte “i gjarperushte”. Keto dhe te tjera me duken te nxjerra nga xhepi pjellor i autorit. Mos e kam gabim, apo me duket mua pak “pa frena” gjuha qe e perdorur? I ben dikujt tjeter pershtypje kjo gjuhe apo vetem mua?

  13. Kush ka akoma kuriozitet per qendrimin e autores per librin, te cilin ajo e cileson si “roman historik”, mund te ndjeke nje interviste te saj dhene Adi Krastes keto dite. Arrita ta kuptoj me ne fund mllefin e Ypit kur Krasta e pyet per “marredheniet e komplikuara me Kadarene”. That’s all folks!

    1. Parrulla ndoshta eshte ajo qe thua ti. Por mendoj se nese Kadareja do ta kete ndjekur kete bisede, do te ket qeshur, por shume ama. Per me shume se 35 minuta u deshmua dicka tjeter…

      Eshte nje poet, dramaturg, komik anglez Ben Jonson(shek. 16-17), ne nje prej veprave te tij Every Man in His Humor, nje nga personazhet thote: “A parodie ! A parodie ! With a kind of miraculous gift, to make it absurder than it was.”

      Mu duket se Krasta e deshmoi dhe realizoi parodine ne programin e tij; shpotites, talles deri ne perlotje nga te qeshurit. Cfare mund te thuhet me? 🙂

    2. Me fal Xha Xha per banalitetin, dhe po te duash mos e publiko, por me sinqeritet maksimal po them se kete duet pordhamanesh nuk munda ta duroj me shume se 6 minuta e 27 sekonda.

      Do te vazhdoj ta kem vrime ne kulturen time jeten e Teutes se Madhe, sepse jam i sigurte qe kjo vrime nuk mund te mbushet me perfytyrimet e Mira Meksit.

  14. Ky eshte versioni i banerit “Autochthonous” ne nje “roman historik”. Albanologjia e Tiranes e letrarizuar. Pa lene menjane shfaqjen vanitoze ne interviste. Po suksese gjithsesi!

  15. Eh, kjo intervistë — welcome to vanity fair. Ndoshta “Mallkimin” edhe e lexoj, pasi kam përtypur 1500 faqe “Divergent” këtë verë për t’i bërë qejfin një adoleshtenti, gjithçka mund të ndodhë, plus që jam rezistent ndaj shkrirjes shkrimtar-vepër. Do ta ruaj edhe dashurinë për përkthimin e “Dashurisë në Kohë të Kolerës”, libër që në një periudhë thatësie, m’u bë si ata librat mini-univers që përmend Xha Xhai në një nga shkrimet e tij (mbi një ekzemplar të Reader’s Digest të stërlexuar prej të gjyshit, në s’gaboj). Por intervista nuk dëgjoj më, sepse kjo e fundit qe vërtetim i radhës për mungesën e thjeshtësisë si virtyt. Zbeh shumë gjëra…

  16. Une vendosa te mos e blej librin, kjo interviste vlejti sa per 3 recensa. Ka shume fryrje, publicitet per interpretimin vetjak, fikcional te nje segmenti deri tash te padepertueshem te historise. Dhe kur degjoj se s’ka asnje turqizem ne kete liber, per hir te historicitetit te Teutes, me krijohet idea e nje vepre artificiale dhe te nje gjuhe te sforcuar. Mund te jem gabim, po bleresi nga pershypjet e blen ose jo nje liber.

  17. Te gjykosh nje liber pa e lexuar eshte po aq joproduktive sa te shesesh lekuren e ariut pa e vrare ate. Pastaj, qekur shijet estetike te Ypit qenkerkan bere udherrefyese ne labirinthet e botes kaotike te botimeve shqiptare? Dhe akoma me e habitshme eshte denimi apriori dhe refuzimi leximit te romanit sepse…Mira Meksi vishet me stil kukullash , levdon pak veten dhe i ben ca reklame …mallit/librit te saj.! Druaj se shkrimi plot mllef e thanatos i Ypit per romanin, mezi arrin te fshehi erosin e shtypur per autoren 😀

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin