SHQIPJA GJUHË E MOSHUAR?

Qarkulloi këto ditë në mediat, e shpluhurosur nga një faqe e The New York Times e vitit 2012, grafiku i një peme të gjuhëve indo-europiane shoqëruar me komentin se gazeta amerikane prestigjioze e paskësh renditur shqipen “ndër gjuhët më të vjetra të botës.”

Si edhe herë të tjera, kur vjen puna për tema të tilla si kjo e lashtësisë së shqipes, entuziazmi është në përpjesëtim të zhdrejtë me IQ-në e të interesuarve.

Në rastin tonë, artikulli i cituar ishte i dy vjetëve më parë, nuk merrej me “lashtësinë” e gjuhëve por i referohej një studimi për vatrën ku u ngjiz indo-europianishtja dhe aty nuk sillej ndonjë e dhënë specifike për shqipen. Për më tepër, gazeta amerikane nuk ka ndonjë autoritet specifik, për çështje të tilla të historisë së gjuhës; dhe nëse sjell lajme të tilla, e bën këtë për të zbavitur lexuesit e vet, jo për të shtyrë dijen përpara.

Pa folur pastaj që vetë diskutimi për shqipen “gjuhë e lashtë” është i pambrojtshëm.

Çfarë do të thotë gjuhë e lashtë pikërisht?

Termi mund të ketë disa kuptime. Ka autorë që e përdorin me kuptimin e gjuhëve të vdekura – p.sh. hetitishtja, trakishtja ose etruskishtja; të cilat fliteshin dikur, por tani nuk fliten më.

Natyrisht, nuk kemi këtë parasysh, kur e quajmë shqipen gjuhë e lashtë.

Një kuptim tjetër, ka lidhje me “vendin” ku flitet dhe është folur gjuha. Për shembull, turqishtja është gjuhë relativisht e re në Europë, sepse dihet pak a shumë se kur u shfaqën osmanët në kufijtë e kontinentit. Por kjo nuk e bën gjë vetë turqishten gjuhë të re; sepse ajo flitej për bukuri, edhe para se t’i afroheshin Europës bartësit e saj.

Në këtë kuptim, shqipja është “më e lashtë” në Ballkan se gjuhët sllave; meqë, sipas të dhënave historike dhe gjuhësore, kur fiset sllave zbritën në Ballkan, shqipen e gjetën në gadishull, së bashku me folësit e saj.

Ky koncept i lashtësisë ka, megjithatë, karakter gjeografik dhe nuk lidhet me “moshën” specifike të gjuhës.

Ka edhe një kuptim të tretë të termit, që i referohet periudhës se kur është dokumentuar gjuha për herë të parë. Kështu, greqishtja e vjetër rezulton më “e lashtë” se çdo gjuhë gjermanike, meqë dokumentohet me shkrim më herët se ato.

Në këtë kuptim të tretë, shqipja i bie të jetë nga gjuhët më “të reja” të Europës, meqë është shkruar për herë të parë, në bazë të dokumenteve që kemi sot, dikur në shekullin XIV.

Sipas një kuptimi të katërt të termit “gjuhë e lashtë”, do të quhet kështu një gjuhë që i ka ruajtur më mirë tiparet e origjinës; ose që ka evoluar më pak. Për shembull, gjuhët indo-europiane që nuk e kanë përftuar nyjen shquese, janë më “të lashta” se ato që e kanë përftuar; meqë nyja është risi gramatikore. Për të njëjtën arsye, gjuhët që e kanë ruajtur sistemin rasor janë më “të lashta” se ato që i kanë humbur rasat. Nga kjo pikëpamje, historianët e shqipes përgjithësisht pajtohen me mendimin se shqipja ka evoluar mjaft, në krahasim me “mëmën” indo-europiane; ndryshe nga gjuhë të tjera, si p.sh. lituanishtja, që i kanë ruajtur më mirë tiparet arkaike.

Një kuptim i pestë i termit, jo shumë i saktë shkencërisht, quan “të lashta” ato gjuhë indo-europiane që përfaqësojnë degë të pavarura të trungut: për shembull shqipja, greqishtja, armenishtja ose tokarishtja; ndryshe nga gjuhët sllave, gjermanike, italike, kelte dhe romane, të cilat organizohen në nëngrupe specifike. Sipas këtij kuptimi, shqipja i bie të jetë më “e lashtë” se gjermanishtja, meqë kjo e fundit i referohet një nëngrupi gjuhësh gjermanike brenda familjes indo-europiane, ndërsa shqipja nuk ka simotra, por vetëm kushërira.

Thashë që ky kuptim i pestë çalon; nuk ka arsye pse një degë jo-produktive, si ajo e shqipes, të konsiderohet si më “e lashtë” si një degë tjetër, e cila ka përftuar një numër nën-degësh të reja – p.sh. ajo e gjuhëve gjermanike ose e gjuhëve kelte.

Po të bëjmë pak fanta-histori dhe të përfytyrojmë, për një çast, sikur ilirët të ishin zhvilluar politikisht më shpejt se latinët, atëherë mund të kish ndodhur që Roma të ishte nënshtruar prej tyre; dhe gjuha e pushtuesve – një dialekt i ilirishtes – të përhapej në mbarë Europën, siç u përhap në realitet latinishtja. Gjithnjë duke pranuar se shqipja e sotme është vazhdim i një dialekti të ilirishtes jugore, do të nxjerrim përfundimin se, në këtë Europë alternative të sunduar prej ilirëve, shqipja do të kish simotra që do të ishin edhe ato vazhduese të dialekteve ilire; njëlloj siç ka italishtja sot simotrat e frëngjishtes, spanjishtes, portugalishtes, rumanishtes e kështu me radhë.

Pra, fakti që shqipja është degë më vete brenda familjes indo-europiane, kjo nuk e bën gjë të lashtë, por vetëm tregon se folësit e saj nuk kanë pasur shumë fat në histori, të paktën nga pikëpamja ushtarake, politike dhe demografike.

A mund të flasim, pra, për “lashtësi” të shqipes? Meqë vetë lashtësia është koncept relativ, dhe diçka mund të jetë e lashtë në raport me një diçka tjetër, besoj se është praktikisht e pamundur që ta quajmë shqipen “të lashtë” – meqë ajo nuk përmbush asnjë prej kushteve të cilësuara më lart. E shumta, mund të themi se ajo është më e vjetër në Ballkan se gjuhët sllave (dhe rumanishtja); dhe se ka ruajtur disa tipare arkaike në strukturën e saj gramatikore. Përndryshe, shqipja është gjuhë e gjallë sot e kësaj dite, flitet dhe shkruhet nga një numër relativisht i madh njerëzish dhe, çfarë është më e rëndësishme për temën tonë, nuk ka datëlindje.

Në analizë të fundit, nderimi automatik që ndien një takëm njerëzish, përballë cilësimit “gjuhë e lashtë”, i ka rrënjët në atë botëkuptim romantik që e sheh modernizimin dhe inovacionin si forma të rrëgjimit; dhe që e kërkon autenticitetin te format e vjetra, primordiale të çdo dukurie me natyrë historike – përfshi këtu edhe gjuhën.

Nga kjo pikëpamje, shqipja jo vetëm që nuk është gjë gjuhë “e lashtë”, por edhe vetë gjuhët e lashta nuk kanë pasur ndonjë përparësi funksionale ose konceptuale, në raport me të sotmet.

Madje edhe koncepti i indo-europianishtes, si gjuha “mëmë” e të gjitha gjuhëve indo-europiane moderne, sot përdoret më shumë në kuptimin algjebrik; ose si një tërësi bashkëpërkimesh dhe izoglosash, të shprehura në trajta formulash (rrënjësh).

E kotë të shtoj këtu se edhe metafora e pemës gjuhësore, si një mjet didaktik për ilustrimin e historisë së gjuhëve indo-europiane në shekuj, nuk është veçse një shestim me prejardhje bimore (botanike), i përftuar brenda vizionit biologjik për gjuhën, karakteristikë më shumë e shekullit XIX (Schleicher, etj.).

Studiues të historisë së gjuhësisë historike, veçanërisht Roger Lass (Historical Linguistics and Language Change), kanë vënë në dukje se kjo metaforë, e adoptuar si model heuristik, e nxjerr gjenealogjinë e gjuhëve rezultat të një procesi në thelb partenogjenetik (formë riprodhimi aseksual, pa fertilizim).

Kjo do të thotë edhe, të paktën për mua, së është praktikisht e pamundur që entuziazmin për “lashtësinë e shqipes” ta çlirosh nga implikimet haptazi raciste.

12 Komente

  1. “nuk ka arsye pse një degë jo-produktive, si ajo e shqipes, të konsiderohet si më “e lashtë” si një degë tjetër, e cila ka përftuar një numër nën-degësh të reja – p.sh. ajo e gjuhëve gjermanike ose e gjuhëve kelte.”

    E lexova me kenaqesi kete postim Xhaxha, megjithate mu duk emocional ky vezhgim qe citova me lart. Nderkohe qe edhe une pajtohem qe eshte krenari boshe ne rastin konkret e supozuara apo faktikja lashtesi e gjuhes shqipe, po ashtu mendoj se cdo lloj krenarie qe mbeshtetet ne elemente bashkesish imagjinare eshte boshe. Megjithate nuk do shkoja aq larg sa te mendoja se shqipja eshte jo produktive. Ne lidhje me “produktivitetin” latin apo gjerman, nje element kyc i ketij produktiviteti kane qene dhe pushtimet, masakrat, migrimet per mbijetese etj. Veshja me epitete te ketilla si produktive apo jo e tille nenkupton se realisht ka gjuhe me te lashta/ produktive/ inferiore/ te varfra etj per subjekte (gjuha ne rastin konkret) qe nuk kane autor/artist/ kriminel. Mbase ketu po shtoj se ajo qe mund te kete luajtur nje rol ne “mos produktivitetin”( pare negativisht) apo konservimin e shqipes( pare pozitivisht) ka qene vete relievi gjeografik i trojeve shqiptare. Shkurt, malet. Personalisht mendoj se asnjeri nuk ka te drejte te jete krenar per detin apo malin, por nuk kam as turp te them qe jam malsore 🙂 .

    Edhe njehere per krenarite… kam vene re se ne ballkanasit e duam shume historine apo me sakte historite pasi s secili ka te veten. Ne shume raste te vetmit qe flasin per lashtesi e krenari mbi historine apo gjuhen jane ose greke ose shqiptare. Me miqte e tjere nga Evropa perendimore apo SHBA bisedat lekunden me shume ne te tanishmen dhe te prekshmen.

    1. Në fakt, po ta shohësh kontekstin se ku kam folur për produktivitet, duket qartë se për çfarë e kam fjalën.

      Latinishtja e lashtësisë ishte pjesë e një familjeje gjuhësore të quajtur italike, ku futet edhe oskishtja, umbrishtja, samnishtja dhe ndonjë gjuhë tjetër më e vogël. Këtë gjendje gjuhësore, në gadishullin e Apenineve, mund ta krahasojmë me atë në Ballkanin e së njëjtës periudhë; me të vetmin përjashtim të rëndësishëm, se gjuhët e atjeshme u shkruan, ndërsa në Ballkan u shkrua vetëm greqishtja, që nuk i përkiste “familjes” së gjuhëve ilirike. Prandaj mund të themi me siguri të madhe që umbrishtja dhe latinishtja kanë qenë si-motra, por këtë s’e themi dot për disa nga dialektet ilire, sepse këto nuk i njohim.

      Tani, latinishtja u bë gjuhë e pushtetit të Romës dhe dalëngadalë u shtri jo vetëm në gadishullin italik, por edhe në krejt Europën. Kjo nuk erdhi si pasojë e ndonjë epërsie të latinishtes vetë, por të rendit politik të latinëve dhe rrethanave të tjera historike, ekonomike dhe gjeografike. Më pas, pak kohë pas lindjes së Krishtit, në latinishte u përkthyen shkrimet e shenjta (Vulgata e Shën Hieronimit, të cilin disa e mbajnë për ilir); dhe kështu latinishtja u bë edhe gjuhë madhore e Krishterimit.

      Për pasojë, latinishtja erdhi dhe u përhap në një pjesë të madhe të Europës – si gjuhë jo vetëm e pushtetit, por edhe e popujve të ndryshëm.

      Pak shekuj më vonë, do të shfaqen gjuhët “bija” të latinishtes: frëngjishtja, italishtja, spanjishtja, portugalishtja, rumanishtja, etj. – të cilat njihen edhe si gjuhë romane dhe që janë vazhdim i latinishtes vulgare që flitej në trojet përkatëse. Në këtë kuptim, latinishtja e Romës u bë mjaft “produktive”, sepse u nda më pas në disa degë të rëndësishme.

      Kjo nuk ndodhi me shqipen (ose me ilirishten, nëse pranojmë që kjo ka qenë “mëma” e shqipes); sepse ilirët as u njësuan dot politikisht, as u përhapën, as e shkruan gjuhën e tyre, megjithëse Romën dhe Greqinë e kishin te pragu i derës. Prandaj sot shqipja nuk ka afëri të veçanta me ndonjë gjuhë tjetër i.e. (siç kanë italishtja me frëngjishten, rusishtja me bullgarishten ose anglishtja me hollandishten; pa folur pastaj për gjuhët skandinave).

  2. Ne fakt, Alida, sapo e lexova shkrimin e XhaXhait mendova se diku fjala “produktive” do lexohej ne menyre konotative. Mund te te them me siguri (XhaXhai te me kundershtoje ne qofsha gabim) se fjala “produktive”, “konservative” etj. ketu jane perdorur si terma neutrale, thjesht per te pershkruar gjendje gjuhesore. Ne kete rast “joproduktive” eshte perdorur (sic e ke kuptuar edhe ti) per te thene se mes “proto-shqipes” dhe asaj se sotmes nuk jane njohur gjuhe te tjera ne mes. ne fakt edhe ky percaktim te cilin ne jemi mesuar ta marrim si fakt te paradhene e te paluajtshem, eshte padyshim subjektiv dhe lidhet edhe me mungese dokumentimi shqipesh te tjera, dhe jo aq me faktin qe sistemi i shqipes ka ngelur i pandryshuar aq sa te mos mund te flasim per shqipe te tjera ne kohera. Jam e sigurte qe shqipet e ndermjetme kane qene dhe mund edhe te specifikoheshin si te tilla. Me kete s’dua aspak te them se, po te na rezultonte si me “produktive”, shqipja do te ishte me “e mire” se sa eshte. Por lexues qe do ta lexojne “produktive” ose si me te mire ose si me te keqe sesa “jo-produktive” do kete ende plot. Vete fakti qe, qe te dyja interpretimet u vijne pas shtatit ne menyre perfekte paragjykimeve gjuhesore te caktuara, tregon edhe nje here subjektivitetin dhe natyren joanalitike te qendrimeve.

  3. Kam përshtypjen se ata që flasin për « shqipen gjuhë e lashtë » nuk e kanë fjalën më fort për të vlerësuar gjuhën se sa për të vënë në pah veten si folës të një “gjuhe të lashtë”, që qëlloi të jetë shqipja. Eshtë fjala për një element që për shumë arsye duhet rivlerësuar e ngritur pazari për ta paraqitur pastaj si vlerë të shtuar të atyre që e flasin, sikundër bëhet për të njëjtat motive (në kërkim të vlerave imagjinare) edhe me ndonjë histori pellazgësh a me ndonjë supervirtyt (fort të besës)…

  4. Ja edhe pamja e mjerimit të mediave shqiptare, që ejakulojnë në kor, para një artikulli dy vjet të vjetër:

    Tema

    AlbPress

    Standard

    BalkanWeb

    AMA-News

    Telegrafi

    Gazeta Express

    Lapsi

    Shekulli

    Panorama

    MAPO

    ResPublica

    Shqiptarja.com

    Idea

    Kosova sot

    Dielli

    Dita

    Zeri.info

    Bota sot

    Gazeta Ora

    KosovaPress

    Rrokum TV (që e ka përkthyer lajmin në gegnishte)

    Kosova Info

    Nga të gjitha këto fotokopjatriçe, KosovaPress ka guximin ta shoqërojë lajmin me shënimin e mëposhtëm:

    Ndalohet rreptësisht marrja dhe shpërndarja ne media, portale. .. pa autorizim paraprak me shkrim nga A.P.L. KosovaPress.

    1. Eshte per te vene ne dukje histerine me te cilin u perhap dhe u pasqyrua ky lajm ne te gjitha kanalet mediatike dhe ta krahasosh kete me indiferencen dhe heshtjen mediatike ndaj shqipes dhe albanologjise keto ditet e Seminarit Nderkombetar per Gjuhen, Letersine dhe Kulturen Shqiptare per te kuptuar se sa boshe eshte jo vetem krenaria populiste qe ndjellin lajmet bombastike per lashtesine por edhe hapsira akademike e cila akoma nuk eshte ne gjendje te jap kontribute te qendrueshme per te luftuar injorancen e pergjithshme. Nuk arrij ta kuptoj si eshte e mundur qe kemi nje popull kaq te entuziasmuar per lashtesine e shqipes dhe njekohesisht indiferent ndaj zhvillimeve te saj ne kohe reale. Nese me thote dicka lista me lart eshte se ka nje oreks per t’i konsumuar keto tema (lashtesia, Skenderbeu, iliret, Kadare) por jo nje deshire per te investuar ne zgjerimin e dijeve mbi to. Mjafton shkelja e syrit per te rritur numrin e klikimeve. Kur marr parasysh rikoshetin e hartes se NYT filloj dhe imagjinoj sallat e mbushura perplot te Seminarit me gazetare qe konkurojne se kush do te afishojne me besnikeri cdo fjale e cicerime dale nga goja e referueseve.

      Gjithashtu, nuk me duket koincidence qe ky “lajm” u rishfaq pikerisht ca dite pas shkrimit te A. Canit per kontributin e Petro Zhejit dhe librin metafizik “Shqipja dhe sanskritishtja”.

    2. Mire gazetat shqiptare, po edhe “Dielli”? Te ishte gjalle Noli, do te kishte vene kujen: “anes detit i palare, anes drites i papare”. Budallalleqet shqiptare nuk i ndalka dot as oqeani!

      1. Sa më shumë media, aq më pak lajme.

        Gjej një paralelizëm me universitetet, ku po ata profesorë, me po ata tituj, shëtisin nga një katedër tek tjetra, nga një zonë operative tek tjetra (me benzinë të paguar), nga një konferencë shkencore tek tjetra, marrin rroga të vogla, honorare, dieta dhe peshqeshe jo dhe aq të vogla, dhe fryhen si kaposhët në gjithfarë bordesh me ujë të ftohtë mineral përpara. Mjerim i plotë.

  5. Artikulli ne fjale eshte fryt i injorances se gazetarit qe nuk kuptoi dot as artikullin e NYT.

    Sa per moshen e shqipes, varet se per cilen shqipe e kemi fjalen:

    Shqipja qe perdorim ne ketu ne blog eshte fare e re, ka vetem disa dekada jete. Dialektet jane me te vjetra, ato kane disa qindra vjet. Shqipja qe flitej para ndarjes dialektore ishte me e vjeter dhe nga ana e saj rridhte prej nje protoshqipeje qe ishte akoma me e vjeter. Kesaj te fundit nuk mund t’ia percaktojme moshen me saktesi, sepse nuk e dime se cila ishte. Mund te themi gjithsesi se ishte shume e vjeter, bashkemoshatare me latinishten dhe greqishten e vjeter.

    Edhe nje sqarim: greqishtja e sotme nuk eshte gjuhe e vjeter. Eshte relativisht e re. Stergjyshja e saj, d.m.th., greqishtja e vjeter, ishte vertet e vjeter, veçse ishte tjeter gjuhe. Po te takohej Homeri me nje grek te sotem nuk do te merrej dot vesh. Sikurse nuk jane e njejta gjuhe frengjishtja e sotme me stergjyshen e saj, latinishten.

  6. Vetem nja dy gjera te vogla: Se pari mjerimi i medias eshte shume i dukshem, edhe pse, ky lloj mjerimi, eshte kafshate qe kaperdihet. Kjo pasi per mediat, publiku shqiptar, qytetaret, nuk kane asnje kosto. D.m.th nuk paguajne gje. Plus mjerimi eshte nje fytyre perhere e me identifikuese per mediat, por qe te jemi objektive, le te nisim ta konsiderojme kete lloj mjerimi nje lloj pasqyre. Pasi, pa dashur te bej avokatin e te pambrojtshmes, ne cdo rast, keto gafa, gjejne rruge, ose kane zene vend si nje lloj bestytnie, ose nje lloj kulture, madje kerkohen me ngulm, jo nga sensacionalizmi i mediave, me teper sesa nga ushqimi ambig, por i vazhdueshem, qe qarqe me pushtet, institucional, por edhe mediatik, i bejne idese se shqipes se mocme, madje duke e trajtuar kete si virtyt kombetar. Ne kete pikepamje media eshte bashkepergjegjese. Sesa e vertete eshte kjo, mund te shihet edhe neper komente ketu, here me alibine se pse shqipja nuk “u ekzaltua” historikisht, apo edhe me relativizimin e argumentit te vjetersise me moshen e re te ndonje gjuhe tjeter. Pra, qe te flasim drejt, kur thuhet qe shqipja nuk eshte aq e vjeter, kjo nuk pritet mire. Dhe ndodh nje gje e tille, mendoj une te pakten, kuptohet pa pike entuziazmi, sepse Autoktonia absolute e shqiptareve, si premise historiografike, por edhe si ontologji e te gjithe rrefimit te Rilindjes e ketej, eshte paradigma themelore e konstruksionit identitar tonit. Dhe sa kohe kjo autoktoni do te sherbehet si kunderbalancuese e trajtimit si zone informale qe jo rralle te Tjeret u kane bere shqiptareve, keto 100 vjet te pakten, aq me shume do te kapet ligjerimi politik te kjo, dhe aq me shume aktore te ndryshem, do te kene leverdi nga inercia e saj. Me kete rast perseritja e te njejtave gjera, ne 100 vjet rresht, te pakten ne kete drejtim, e ben shqipen publike, ose edhe “shqipen akademike”, me te lashten nder te lashtat. As ka levizur hic nga vendi.

  7. Do isha shume kurioz te dija: po vende si India (djepi i nje gjuhe si ajo sanskrite), ose vende si ato te Kaukazit (no comment : http://en.wikipedia.org/wiki/Languages_of_the_Caucasus#mediaviewer/File:Caucasus-ethnic_en.svg) , ose qofte edhe nje vend i vetem si Dagestani (ku numerohen rreth 40 gjuhe ne nje siperfaqe prej 50 mije km2), a kane njohur dalldira te tilla mediatiko-rraciste dy-lekeshe si kjo jona?? A eshte ky nje specialitet shqiptar i ketyre 20 viteve te fundit, apo eshte i perhapur edhe gjetiu?
    Faleminderit paraprakisht.

  8. Xha Xhai shkruan:

    “Tani, latinishtja u bë gjuhë e pushtetit të Romës dhe dalëngadalë u shtri jo vetëm në gadishullin italik, por edhe në krejt Europën. Kjo nuk erdhi si pasojë e ndonjë epërsie të latinishtes vetë, por të rendit politik të latinëve dhe rrethanave të tjera historike, ekonomike dhe gjeografike.”

    Thjesht për të “ngacmuar” diskutimin duket sikur Xhaxhai ka arritur në përfundimin që nuk ka asnjë lidhje të paktën të dukshme apo të rëndësishme midis suksesit të Romës dhe gjuhës Latine. A është e mundur të provohet kjo “shkencërisht”? Nga ana tjetër a ka mundësi që gjuha Latine të ketë pasur “cilësi” apo veçanti që ndihmuan suksesin e Romës? (Fakti që “vdiq” vetë ndoshta nuk e mbështet këtë hipotezë!)
    Fatkeqësisht përsiatje të tilla mund marrin shumë shpejt ngjyra nacionaliste apo raciste askpak të këndshme apo të dobishme. Megjithatë do të ishte me interes në se Xha Xhai si “zanatçi” i gjuhës do të na drejtonte në burime cilësore që merren me këto tema.

    Faleminderit për blogun,

    im

Lini një përgjigje

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin