FJALË POR JO VETËM

Po përfitoj nga disa shembuj që u sollën, gjatë diskutimit për temën e mëparshme, për të arsyetuar më tej se pse pastrimi dhe pasurimi i një gjuhe, dhe pikërisht i shqipes në rastin tonë, janë dy veprimtari në thelb të kundërta; dhe pse nevoja artificiale për pastrim na pengon të fokusohemi te nevoja tjetër, reale, për pasurim.

delegacion / dërgatë kjo e dyta është krijim i shkrimtarëve, siç e thotë edhe Fatma; ka zënë një farë vendi në gjuhë, por kurrsesi nuk ka konkurruar me delegacion. Për mua fjala dërgatë e ka ruajtur një konotacion të fortë historik, ndryshe nga delegacion që mbetet fjala e parazgjedhur (default) për këtë kuptim. Dërgatë është edhe historike, edhe librore; sepse vetëm ashtu ka arritur të bëjë vend në shqipe, krahas delegacion, që përdoret në instanca zyrtare dhe vështirë të bjerë nga përdorimi (kështu na duket normale të flitet për një dërgatë të Romës në oborrin e Teutës; por për një delegacion sovjetik në Tiranën e Enver Hoxhës; është një dallim që e pasuron shqipen). Përkundrazi, i dërguar ka zënë vend në gjuhë, për inviato; njëlloj si i ngarkuar(i) me punë dhe i deleguar(i) dhe i pandehur(i) dhe i arrestuar(i).

zjarrllëk / zjarrmi më duken si të dyja fjalë librash; zjarrllëk po më kujtohet tani t’ia kem parë vetë I.K.-së, edhe në një poemë të viteve 1970; por nuk më është se përdoret shumë, aq sa të lindë nevoja për ta “zëvendësuar”.

tejkundroj / bëj sehir – këtë tejkundroj nuk e kisha ndeshur më parë; vras mendjen të gjej se ç’fjalë neolatine ka kalkuar, sa kohë që tejshkruaj vjen si kalk i transkriptoj, dhe tejbart i transportoj. Por këtu shoh edhe një problem tjetër: shqipja ka një numër foljesh pak a shumë me këtë kuptim: kundroj, sodit, vështroj, vëzhgoj; por asnjë prej tyre nuk e zëvendëson bëj sehir, e cila sjell me vete edhe kuptimin e të vrarit të kohës, por sidomos shënjon regjistrin bisedor të shqipes, në një kohë që tejkundroj si neologjizëm dhe kalk mbetet e kufizuar në regjistrin libror. Pa folur pastaj që sehir në shqipe lidhet edhe me sehirxhi, fjalë e nevojshme, që shënjon dikë që parapëlqen të mos veprojë dhe të mos ndërhyjë. Shembulli që pata sjellë, nga Kronikë në gur, me kasaphanën, e ilustron këtë që them tani më së miri; sepse ata që bënin sehir therjen e bagëtive metaforizonin të gjithë ata që preferonin të rrinin duarkryq, gjatë Luftës II Botërore.

dythundrak / dyrrotak Fatma vëren se e para ka zënë vend, ndërsa e dyta jo. E megjithatë, unë do të pyesja se kur ka qenë hera e fundit që ndonjëri prej nesh ka përdorur natyrshëm fjalën dythundrak: unë s’mbaj mend ta kem përdorur ndonjëherë, pse është fjalë librash, madje term shkencor që shënjon një kategori të caktuar kafshësh – vendbanimi i kësaj fjale janë tekstet me natyrë zoologjike dhe veterinarike, dhe ligjërimi përkatës. Përkundrazi, dyrrotak është një fjalë fantazmë (kam shkruar për të), që nuk do të zinte vend edhe sikur të propozohej, pse tepër ambicioze: nuk do të hynte në gjuhë si term libror, por si fjalë e leksikut të zakonshëm, për të zëvendësuar biçikletë. Edhe një herë, fjalët janë të pakrahasueshme mes tyre, pse ngjashmëria strukturore maskon një dallim të rëndësishëm, që ka të bëjë me sferën dhe modalitetet e përdorimit; në kuptimin që dythundrak ka zënë vend në shqipe ngaqë ka ardhur së bashku me udhëzimet përkatëse të përdorimit.

lentoj / farkoj / krijoj – e kam parë edhe unë lentoj te Çabej; nuk më duket që të ketë zënë vend, nuk ia kam parë as lexuar kujt tjetër. Në fakt, ky grup sinonimesh në shqipe vjen mjaft i pasur: veç lentoj, farkoj e krijoj, kemi edhe sajoj, stis, sendërgjoj, sendërtoj; madje edhe fabrikoj e përpiloj. Kushedi lentoj mund të specializohej me kuptimin “krijoj një fjalë të re”, si folja anglishte to coin (a new word).

yej – kjo fjalë, me kuptimin “e gdhij”, ose “shkoj natën pa gjumë”, u soll si shembull i një fjale “të bukur”; nuk mëton të zëvendësojë gjë, por thjesht të pasurojë leksikun dhe, për mua, është e mirëpritur. E solla në këtë listë më tepër që të diskutoj konceptin e “fjalës së bukur”, pa qenë doemos polemik me F.; sepse me këtë koncept edhe abuzohet shumë – shpesh bukuria e kuptimit, ose metafora e nënvendosur, i kalon fjalës vetë; ndonjëherë tjetër bukuria ka lidhje me tingëllimin, dhe me shkronja likuide dhe sonante, si l, n, r, të cilat parapëlqehen edhe në emra fëmijësh, sidomos vajzash. E kam cekur edhe këtë, në një artikull që kam shkruar dikur për fjalën e bukur te A. Xhuvani, botuar në Gjuha Jonë (por që nuk e kam këtu); për Xhuvanin fjalë e bukur ishte fjala shqipe, e gurrës popullore, mundësisht edhe pak e rrallë; një përkufizim që unë sot do ta lexoja si negativ: jo huazim, jo fjalë e krijuar rishtas. Për shumë shkrimtarë gegë sot, fjalë të bukura janë fjalët e gegnishtes; për adhuruesit e I.K.-së, fjalë të bukura janë fjalët që sajon ai autor. Si edhe në shumë raste të tjera, “e bukura” përfundon në atë çfarë më pëlqen mua, për arsye jo-estetike.

kontinuitet / vazhdimësi – këtë e përmendi E.P. Do të shtoja që, veç vazhdimësi, shqipja ka edhe vijueshmëri dhe vijimësi, të cilat gjithashtu kanë pak a shumë të njëjtin kuptim. Atëherë pse sillet përsëri ky kontinuitet? Shembulli është individual, por besoj se zbulon një argument të hapët dhe me rëndësi. Kam përshtypjen se një numër i madh fjalësh të tilla librore po sillen e risillen në shqipe nga intelektualë dhe publicistë dhe ekspertë të cilët kanë studiuar në universitete të huaja; ose e kanë sendërgjuar dhe stërvitur mendimin abstrakt në gjuhë të tjera. Kam njohur shumë prej këtyre – edhe drejtpërdrejt, edhe në distancë, nëpërmjet shkrimeve; më ka bërë përshtypje kontrasti midis formimit të tyre intelektual dhe profesional të dorës së parë, dhe shqipes së tyre të dobët; meqë këtë gjuhë e kanë studiuar seriozisht deri në klasën e 8-të të fillores. Në fakt, pjesa më e madhe e elitës së sotme në Shqipëri dhe në Kosovë nuk e njeh gjuhën shqipe ashtu siç do të duhej ta njihte: edhe pse e flet rrjedhshëm, nuk është në gjendje ta nyjëtojë mendimin ashtu si në gjuhët ku është “doktoruar”. U mungon vetëdija gjuhësore e arsyetuar, për shqipen; deri në atë shkallë sa të mos dinë se ç’është rasa ose trajta pësore e foljes. Natyrisht, askush nuk ka nevojë të dijë ç’është rasa, për të nyjëtuar mendimin e vet; por duke mësuar për rasat dhe trajtat e foljes, stërvitet edhe mendimi. E megjithatë, sot i sheh të gjithë këta të rendin në palestra, që të zhvillojnë e të konsolidojnë bicepset dhe ab-et; por askush nuk begenis t’i kthehet gramatikës, që është kaq uncool (edhe pse realizohen, si subjekte publike, nëpërmjet fjalëve që thonë, jo muskujve që ekspozojnë). Ka edhe më: një pjesë e këtyre, ekspertë të shkëlqyer në fushat përkatëse, njihen me mendimin bashkëkohor në origjinal – pse i lexojnë veprat në po atë gjuhë, në të cilën edhe janë shkolluar; çka krijon një shkëputje (rupture) midis ligjëratës së elitës dhe shqipes së përkthimeve akademike – në kuptimin që puna e jashtëzakonshme e përkthyesve të veprave kyçe të mendimit intelektual bashkëkohor nuk ka ndonjë efekt në nyjëtimet intelektuale të elitave. Kështu mendimi më i përparuar shqip përpunohet nga njerëz që nuk e njohin mirë shqipen librore; dhe këtë mosnjohje e kompensojnë pastaj me ankime leksikore, kur nuk e kompensojnë me neologji përtacësh.

27 Comments

  1. Krahas dubleteve fjale e huaj – neologjizem qe u sollen ketu, si delegacion – dergate etj. po te kujtoj nja dy neologjizma te tjere te koheve te fundit te Kadarese qe ti Xha Xha i ke bere te tuat dhe i perdor shpesh.

    nacionalizem – kombetarizem, nacionalist – kombetarist

    Keto, sikurse me i hershmi “kombetar” per “nacional”, tashme kane hyre me plot te drejte ne normen leksikore dhe nuk na e vrasin me veshin. Ja pra qe “fryma puriste” qe i krijon eshte e njejte si me ata te tjeret qe nuk na pelqejne. Perse valle? Çfare na ben te pranojme nje neologjizem “purist” dhe jo nje tjeter?

    1. Relapso, pse mendon që kombëtarist dhe kombëtarizëm i ka krijuar Kadareja? Ku e bazon këtë?

      Sa për pyetjen që bën, sinqerisht, u lodha duke dhënë të njëjtin shpjegim: ka qenë një kohë kur norma leksikore e shqipes publike nuk ekzistonte; dhe kjo e bënte neologjinë të pranueshme, madje të dëshirueshme. Kjo ishte edhe koha kur shqipja publike në shkollë mësohej pak dhe keq; dhe nuk kish më shumë se 300-400 vetë që dinin ta përdornin mirë me shkrim dhe me gojë. Shqipja publike ishte më shumë zhargon i një elite, sesa mjet ngjitës i një shoqërie moderne.

      1. Sepse e kam lexuar te Kadare se paku qysh nga “Krushqit jane te ngrire” deri te “Mosmarreveshja”. Nuk mund te them me siguri absolute se e krijoi ai, por jam i sigurt se permes veprave te tij eshte masivizuar. Sikurse jam i sigurt se fjaloret normative te shqipes nuk e kane perfshire.

        Ketu nuk behet fjale per ato kohe kur shqipja publike nuk ekzistonte, por per kohen tone.

        Pyetjen qe te bera: “Çfare na ben te pranojme nje neologjizem dhe jo nje tjeter?” ka kohe qe ia bej vetes dhe nuk kam gjetur nje pergjigje vertet bindese. Prandaj edhe ta bera ty. Per ta diskutuar sepse me duket me rendesi. Nje pergjigje qe kam provuar t’i jap vetes eshte kjo:

        Ndoshta se fjala e pare ndihet si e konsumuar, per nje sere arsyesh, socio-ekonomike, politike, ideologjike, te modes etj. Mendo per nje çast zevendesimin e vazhdueshem te fjaleve qe ndodh ne leksik ne rrjedhe te kohes, qofte edhe brenda kategorise se huazimeve qe ndjekin njera-tjetren me shpejtesi marramendese. Dikur thoshim “kolektiv” por edhe “personel” tani po themi “staf”.

        Pa dashur te zgjatem ketu me shembuj te shumte, po shtoj vetem se edhe ato turqizmat qe permendi Ergysi, kusi, tepsi, tenxhere, penxhere etj. kur hyne se pari, do te kene bashkejetuar per ca kohe me sinonimet ekzistuese, derisa ia zune vendin krejt dhe i nxoren nga perdorimi. Para se te huazonin “pantallonat” shqiptaret nuk eshte se rrinin me breke, diçka e vishnin, ndoshta “tirqe”, po ja qe moda i beri te pelqejne me shume pantallonat se tirqet. Dua te them se leksiku eshte dinamik, ndryshon, fjalet zevendesohen vazhdimisht. E kjo ndodh edhe ne kushtet e nje norme leksikore te konsoliduar.

        Sikurse e ve re edhe vete kjo pergjigjja ime nuk e kenaq plotesisht pyetjen: Çfare na ben te pranojme sot, kur e kemi normen leksikore, nje neologjizem “purist” dhe jo nje tjeter?

        1. Të pyeta se, dikur nga viti 2003 ose 2004, Arben Kallamata më pat qortuar ashpër në publik, mes të tjerash edhe ngaqë kisha përdorur fjalën “kombëtarist” në vend të “nacionalist” në një artikull timin te Shekulli – dhe unë në fakt e kam përdorur shpesh atë fjalë, pa e ditur se kush e ka krijuar (nuk jam i sigurt nëse e kam lexuar apo jo “Krushqit janë të ngrirë”). Fjalë të tilla, që ndjekin modele të mirënjohura fjalëformuese, s’e gjen dot kollaj se kush i ka përdorur i pari; është gati njëlloj si të thuash se unë kam përdorur i pari formën foljore nacionalizokësha, ose vetën e parë njëjës në të pakryerën e habitores të foljes nacionalizoj; ka mundësi që të jem vërtet i pari, por kjo është irrelevante.

  2. Ndryshe nga pastrimi, koncepti i pasurimit eshte subjektiv, arsyeja per te cilen nuk mund te kemi kundervenie, sepse subjektivja mund te rrije krahas objektives, por s’mund ta rivalizoje dot ate duke i qendruar si ”veprimtari e kundert”.

    Proçesi i pastrimit ne rastin me te keq eshte zevendesues numerik, heq nje fjale per nje tjeter, ne rastin me te mire heq nje fjale gramatikisht shterpe dhe e zevendesoj me nje fjale pjellore, duke i dhene mundesi folesit qe fale gramatikes te shprehet me mire dhe lehtesisht kuptueshem.

    Ne familjen, delegoj, i deleguar, delegat, delegacion duket se ka diçka qe nuk shkon sepse i deleguar dhe delegat jane e njejta fjale, por i deleguar eshte krijuar nga delegoj ndersa delegat i cili shqip do krijohej me kuptimin e delegacionit (delegata e x/y/z) ka ardhur nga ‘delegato’.
    Padyshim qe ky eshte nje peshtjellim logjik qe nga ardhur nga perleshja gramatikore mes shqipes e italishtes apo frengjishtes. Njekohesisht mund te verejme edhe se gjinia eshte e ndryshme, gje qe trazon me tej racionalizmin e gjuhes, i heq vetine thjeshtuese e lehtesuese te te kuptuarit e mbajturit mend.

    Normalisht, me kalimin e shekujve gjuha shqipe i ka rrafshuar krejt, i ka sheshuar anomali te tilla, gje qe e verteton mungesa e plote e -cion tek fjalet para shekullit 19, pavaresisht latinizmave e italianizmave te hershme, sepse gjuha eshte gatuar qe ta disiplinoje te pabindurin, persa kohe qe ky nuk merr pushtetin e shkruar dhe sillet me arrogance mbi te, duke ia dhunuar natyren.

    Zjarrmi , mund te jete forme e hershme, meqenese zjarri ne shqipen e vjeter si ne gegerisht ka qene zjarrm, me etimologji te njejte me therm-os te greqishtes e warm te anglishtes. Kam pershtypjen se zjarrllek eshte vetem forme toske, e cila ne menyre kurioze edhe ne te folur po rivalizohet nga forma zjarrmi; si i thone ngadale por pashmangshem fjala po hyn ne binaret e duhur dhe per kete Kadareja s’ka asnje merite.

  3. _dërgatë – nese kjo fjale “ka ruajtur nje konotacion te forte historik”,qe edhe une e pranoj, atehere IK nuk mund te qortohet per zevendesimin e bere tek “Keshtjella”.

    _zjarrllëk / zjarrmi – Forma e pare , zjarllek, ka qene ne perdorim ne Jug( Vlore, Berat) ne te foluren popullore. Psh : ka zjarrllek = ka temperature. Tek fjalori dialektor( per jugun) i P.Tases nuk ka zjarrllek por as zjarrmi, vetem zjarr.

    E dyta , zjarrmi, eshte veriore. Meyer e permend te perdorur ne Tirane, Shkoder dhe Fier. Me duket teper e cuditshme te jete pikasur edhe ne Fier. Po doren ne zjarr dot s’e ve.
    Nderkohe Gazulli e sjell si perdorim ne Malesine Madhe ne nje familje fjalesh si ‘zjarmci’ = qi i perket zjarmit ose njeri zjarmc = i xete si zjarmi, edhe pluhun zjarmc =baroti.. Po ashtu ‘zjarth-i’ = lengate femijesh, ‘zjarmishte’ = ode zjarmi.

    Edhe A.Omari tek ‘Marredheniet gjuhesore shqiptaro-serbe’ e permend ‘zjarrmi’ si geg.veriore, por edhe ajo i referohet Gazullit.

    _tejkundroj / bëj sehir . Nga foljet e sjella (kundroj, sodit, vështroj, vëzhgoj) po t’i besojme fjalorit te shqipes atehere “sodit” do te ishte nje zevendesuese e plote e “bej sehir”.

    Ja c’thote fjalori 40 mije fjalesh:
    SODIT kal.
    1. Shikoj diçka për një kohë të gjatë, pa u ngutur dhe me kënaqësi e ëndje; kundroj….
    2. edhe keq. Vështroj punën ose veprimtarinë e të tjerëve pa marrë pjesë vetë, rri e shikoj. Sodiste me duar në ijë.

    SODITËS m.
    1.
    2. Ai që vështron rrjedhën e ngjarjeve pa u përzier në punën e të tjerëve e pa u shqetësuar për të, ai që rri mënjanë e bën sehir, spektator. Soditës i thjeshtë. Rri si soditës. Nuk qëndrojmë si soditës të ngjarjeve.

    SODITËS mb.
    1.
    2. Që vështron rrjedhën e ngjarjeve, pa u përzier në punën e të tjerëve e pa u shqetësuar për të, që rri mënjanë e bën sehir; që nuk merr pjesë në një punë a veprimtari, ndonëse është i pranishëm. Qëndrim soditës. Nuk qëndrojnë në pozita soditëse.

    MIrepo “sodit” eshte huazim sllav, nga serbokroatishtja, ndofta prandaj IK ka pelqyer rrenjen ‘kundroj’ ,qe fjalori e jep edhe si sinonim te ‘sodit’ me parashtesen -tej ( pertej, mbi) per te perforcuar mospjesemarrjen, mosnderhyrjen.

    _dythundrak /… Eshte e vertete qe perdoret rralle, por ne cdo gjuhe tjeter eshte po keshtu. As nje francez nuk besohet se e perdor cdo dite. Por kur vjen rasti per ta perdorur ,ne mungese te fjales shqipe, ose do fillosh te numerosh gjithe speciet lopa,dreri,deri,…ose do perdoresh nje fjale te huaj. Seketejmi rezulton me ekonomike dhe me e lehte( me e kuptueshme) fjala shqipe. Dhe eshte nje ndertim i pranueshem meqe kemi fjalen ‘thunder’ ne shqip. Po ashtu si edhe dykembesh(bipede),shumekembesh(centipede) etj, fjale qe gjithsesi i duhen gjuhes sado te rralla te jene ne perdorim.

    Per kersheri, tek Fjalori dialektor, me fjale e shprehje nga jugu i Shqiperise, i Pano Tases (dhe me nje parathenie te gjate e interesante te L.Shkrelit) mund te gjeni tek shtesa ‘lokalet e zejeve dhe emertesa zejtaresh:

    tregëtore/tregëtar,, mishtore/mishtar,bujtine/bujtinar ,barnatore/barnatar, etj

    Pjeserisht ky fjalor eshte botuar me 1941 si pjese e Visareve te Kombit. Te vihet re se disa fjale qe jane permenduar ne debatet e fundit kane qene prej kohesh ne perdorim popullor.

    1. Shkruan:

      _dërgatë – nese kjo fjale “ka ruajtur nje konotacion te forte historik”,qe edhe une e pranoj, atehere IK nuk mund te qortohet per zevendesimin e bere tek “Keshtjella”.

      Te Kështjella qëndron mirë – por zëvendësimi në atë roman hedh dritë në gjëra të tjera (pikërisht te orientimi konotativ i romanit). Përkundrazi, të rekomandosh zëvendësimin e delegacion me dërgatë jashtë konteksteve letrare dhe historike, më duket akt purizmi.

      Jo gjithcka që diskutojmë dhe përmendim ka lidhje me I.K. Në kontekstin e debatit tonë dhe të këtij shkrimi pikërisht, I.K.-ja është vetëm një prej burimeve të shembujve.

        1. Nuk e kuptoj se ç’hyn vjetërsia e fjalës këtu, sa kohë që purizmi nuk ka ndonjë lidhje me moshën edhe të njësive që zëvendësohen edhe të njësive që zëvendësojnë.

          Në rastin konkret, çështja është nëse ka kuptim që të bëhen përpjekje për të zëvendësuar një fjalë kaq të konsoliduar sa delegacion, dhe pse.

          Nuk ka rëndësi me çfarë po kërkojmë ta zëvendësojmë. Fakt është që delegacion përdoret gjerësisht, ndërsa dërgatë jo (më).

          Hapni sytë, o njerëz, dhe shihni se ç’po ndodh me gjuhën. A besoni se vërtet zëvendësimi i fjalëve si delegacion do të ndihmojë për gjë?

          Jo – sepse nuk është veçse një ushtrim shterp mendjesh që e kanë humbur kontaktin me realitetin. Madje, për mua, edhe një nga shkaqet pse shqipja është katandisur kështu siç është katandisur.

          Ti vetë, Relapso – kur e ke përdorur fjalën dërgatë herën e fundit? Natyrisht, s’ka nevojë të më përgjigjesh; po thjesht bëja këtë pyetje vetes.

          1. Jane te dyja fjale te shqipes, qe jane perdorur e do te perdoren. Nuk shoh ndonje arsye pse te mos e perdorim njeren ne te mire te tjetres. Shqipja, sikurse gjuhet e tjera, eshte plot me sinonime e dublete te tilla.

            Ne rastin konkret edhe ne anglishte kemi: delegation – deputation qe ne shume kontekste jane te nderkembyeshme.

            Natyrisht denduria e perdorimit dhe shperndarja eshte e ndryshme, por nuk shoh ndonje te keqe te perdoren te dyja. Te perdoresh njeren nuk do te thote se ia mohon te drejten tjetres te ekzistoje. Nuk e perjashtojne njera-tjetren, por bashkejetojne paqesisht.

            Meqe me ben nje pyetje personale, po te them se ka aq shume fjale te shqipes qe mua nuk me pelqejne dhe nuk do t’i perdorja kurre as nen torture, por jam i vetedijshem se problemi nuk eshte te fjalet. Problemi jam une, shijet e mia stilistike, veshi im dhe gjykimet a paragjykimet e mia krejt subjektive.

    2. Më bëri përshtypje edhe më sipër, ndaj ndërhyra, por shoh se ka një keqkuptim sa i takon çiftit zjarrllëk-zjarrmi. Zjarrllëk është një term i përhapur kudo ku popullsia e mëhershmhe ka qenë përgjithësisht muhamedane (sot janë ngatërruar shumë punët), pellgjet me ndikim të fortë osman – Shkodër, Tiranë, Elbasan, Berat, Gjirokastër dhe në ultësirën perëndimore. Në përshtypjen time, është më shumë e përhapur tek gegët (kryesisht ata të jugut) se tek toskët, madje tek të parët forma e letrarizuar “zjarrllëk” gjendet shpesh edhe në të folme edhe si “zjarrlluk” në Shqipërinë e Mesme. Ndërsa me fjalën tjetër, “zjarrmi” duket se ka një keqkuptim. Tjetër është “zjarrm” (zjarrmi / zjarrmin / zjarrmit // zjarrmet), emër njërrrokësh në gegërisht, që shënon lëndë, zjarrin, dhe është zgjeruar më pas për të shënuar edhe dukuri, ngrohtësinë, (gjendet edhe në formën e zbutur “zjarm”, po ashtu krahaso me tharë – tharm), tjetër është “zjarrmi” (zjarrmia / zjarrminë / zjarrmisë // zjarrmitë), një emër dyrrokësh me theksin tek i-ja, që shënon vetëm dukuri, teprinë e ngrohtësisë, nxehtësinë, me konotacion krejt tjetër nga “zjarr”-i, “zjarrm”-i. E para formohet me prapashtesën -m për të mbetur në fushën e lëndës, e dyta me atë -mi (krahaso larë – larmi) për të shënuar dukuri. Dhe “zjarrmia” është një fjalë që në përvojën time ndeshet po aq e përhapur në jug, sa ç’edhe ju thoni se gjendet në veri. Dhe për origjinën e saj nuk do vija dorën në zjarr, thjesht nga ngatërresa me “zjarrmin”.

      1. Pertej etimologjise, qe te kemi nje ide statistikore mbi dendurine e perdorimin e fjaleve, kuptimet, kontekstet, regjistrat etj. sot mund te perdorim rrjetin. Nje kerkim i thjeshte ne google na jep menjehere numrin e okorrencave, pra dendurine e perdorimit. Rezultatet e veçanta na japin nje ide te kuptimeve, konteksteve dhe stileve funksionale.
        Une e kam perdorur dikur per te matur masen e prirjeve te sotme ne drejtshkrim duke krahasuar disa raste shkeljesh sistematike te normes ne raport me format normative.

        Ne rastin konkret nje krahasim mes “zjarrllekut” dhe “zjarrmise” jep nje denduri perdorimi 1 me 300, pra per çdo here qe perdoret zjarrllek kemi 300 here zjarrmi. I bie qe “zjarrlleku” te jete duke dale nga perdorimi.

  4. Dakort me substancën e këtij shkrimi. Është e dëmshme për gjuhën; qoftë ndërhyrja e kombëtaristit i cili synon zvendësimin e orientalizmave, sllavizmave, latinizmave etj, qoftë ajo e dembelit të edukuar në një gjuhë të huaj, apo shembulli tjetër që po më vjen ndërmend, i një integristi fetar i cili zvendëson fjalët me orientalizma, latinizma apo bizantinizma të freskëta. Të gjitha këto lloj praktikash sjellin apo ushqejnë njëra-tjetrën.
    Mund të kundërshtojmë bashkarisht shumicën e tyre, por ndërkohë, megjithëse të dëmshme, a duhet të ndalen pikërisht ndëryhrjet që synojnë zvendësimin e huazimeve më të vona me sinonime më të hershme ? Pa qenë gjuhëtar, besoj se jo, përkundrazi duhen promovuar, natyrisht sidomos për arsye që pak kanë të bëjë me gjuhësinë.
    Mesa kuptoj nga komentet, dëshirojmë që të shkojmë në një debat ku argumentet relative ndaj funksionit primar të komunikimit i lënë vendin atyre mbi dimensionin identitar të gjuhës. Pra në fund të fundit jemi trashëgimtarë të një kulture të caktuar të cilën përpiqemi ta mbrojme dhe promovojmë. Më qartë; nëse sqarohet se për shembull « delegacion » është një latinizëm i vonë dhe më parë është përdorur « dërgatë », atëherë është legjitime dëshira dhe është e natyrshme preferenca për fjalën e dytë, preferencë për arsye të përkatësisë ndaj kulturës shqiptare e cila për kompozant kryesor ka pikërisht gjuhën shqipe. Kjo edhe nëse jemi në dieni të faktit tjetër, që zvendësimi në fjalë është i pakëshillueshëm prej gjuhëtarëve dhe sjell gjithfarë problemesh.
    Një argument tjetër në favor të kësaj praktike është ai i mbrojtjes së diversitetit apo veçantive kulturore. Është argument i përdorur për elementë të tjerë të kulturës, por mund të jetë i vlefshëm edhe projektimi i tij në gjuhësi.
    Ndërkohë qëndrojnë sigurisht arsyetimet mbi dëmet e purizmit të tepruar. Shembulli i « thundrrave që lëshojnë shkëndija në fortashtrojë », ilustron mirë faktin se duhet të ketë një kufi në përpjekjen për promovimin e fjalëve shqipe, kufi që për mendimin tim fillon vetëm aty ku mjetet e komunikimit nisin të varfërohen.
    Nuk i kam lexuar të gjitha shkrimet me karakter gjuhësor dhe ndoshta po them diçka që është e mirqënë për të gjithë; por ajo që mund të synohet është veprimi në tre nivele; njëkohësisht mbrojtja dhe promovimi i fjalëve më të vjetra shqipe, mospërdorimi i huazimeve të tjera të panevojshme dhe mosdëmtimi i mjeteve të komunikimit. Mund të duket si diçka e pamundur në praktikë, por në fund të fundit sa për fillim; përzgjedhja mes sinonmeve shpesh nuk është as e vështirë dhe as problematike.

  5. ”’Shembulli i « thundrrave që lëshojnë shkëndija në fortashtrojë », ilustron mirë faktin se duhet të ketë një kufi në përpjekjen për promovimin e fjalëve shqipe, kufi që për mendimin tim fillon vetëm aty ku mjetet e komunikimit nisin të varfërohen.”’

    Teknologjia ka nxjerre pothuajse jashte perdorimit si kalldremin ashtu edhe patkoin. Patkoi si fjale do t’u duhet vetem atyre qe merren me gara kuajsh, pjesa tjeter do e harroje fare, por ne bisedim do u kujtohen thundrat e patkoi neser ka per te perfunduar si ”ajo gjeja qe vihet tek thundra e kalit”, nqs do te kete ende kuaj jashte garave dhe kopshtit zoologjik, kuptohet.

    Eshte shume me e lirshme qe nqs te bie rasti te thuash rruge me gure sesa kalldrem apo fortashtroje. Nuk e di kur ka hyre fjala rruge per te zevendesuar fjalen udhe, por udhe per pjesen e pashtruar me gure dhe rruge per pjesen e shtruar me gure do te qendronin per bukuri, pa qene nevoja fare per fjalen parazitare kalldrem e as per nevojen e fortashtrojes per te hequr nje parazitizem.
    Sikunder u tha edhe nga te tjere, rruget para asfaltit kane qene per mijera vjet te bera me gure, keshtu qe kalldremi s’ka kurrfare peshe specifike, thjesht do kete bere lesh e li konceptet e udhes dhe rruges.

    Nuk eshte fare e domosdoshme qe te ekzistoje fjala kalldrem, vjen me lirshem rruge me gure per ato pak raste qe 95% e shqiptareve do kene nevoje per te shprehur konceptin, nderkaq fortashtroja mund te kete ne te ardhmen ndonje shprese te vaket per t’u jetesuar kur rruget te reshtin se beri me asfalt.

    C’eshte e verteta nuk eshte fare e domosdoshme qe te hyjne huazimet ne cilendo gjuhe, sepse e huaja me perkufizim eshte e pakuptueshme per masen e madhe te folesve, shume me veshtiresisht e kuptueshme nga mjaullima e maces, lehja e qenit apo hungerrima e derrit, keshtu qe domosdoshmeria eshte ne nivelin zero, po ja qe njerezit jane te gatuar te bien prè e me te fortes, me te zhvilluares, me teknologjikes, me te pasures keshtu qe semundja e pabarazise sjell edhe huazimet. Mandej me i barabarti se ty te merr ndonje fjale qe i duhet per fondin e ekzotikes, duke e trajtuar fjalen tende si frut apo kafshe ezotike, pak a shume si perdorim ne ndonje fjale evgjitisht, si gaxhije.

    Per mendimin tim jo vetem qe nuk eshte e domosdoshme te huazohet, por eshte nje gjest i shterpesise mendore (filozofike) dhe intelektuale (letraro-artistike) te elitave. Meriten qe ne gezojme me shume fjale shqip sesa stergjyshet tane e kane individe te caktuar, te cilet nuk jane perfaqesues te elitave sesa perfaqesues te vetes apo ndonje grupi shume te ngushte.

    1. 🙁 Shume percart keni komentuar kesaj radhe. Nuk eshte e thene qe me domosdo duhet te thoni dicka. Meqe e paske shume merak “patkuan” po te them se ka akoma shume familje apo biznese qe e varin apo e gozhdojne tek porta e tyre. Nuk e di pse, por thundra te varura nuk kam pare. lol

      Sa per “kalldremin” vs “rruge me gurre” eshte njesoj sikur te zevendesosh “diten” me “naten” dhe kjo do nje guxim te tepruar paksa.

      1. Po flitet per te ardhmen jo per te tashmen. Patkoi i takon se shkuares e mbaroi funksionin e vet, gje qe s’ka perse te shqetesoje askend tjeter pos kovaçit.
        Une vete sa here kam hasur kalldreme i kam quajtur rruge me gure, gje qe mbaj mend ta kene bere edhe shume te tjere qe njoh, dmth kalldremi per mua, e jo vetem, eshte si tip fjale letrare, nga ato qe te kujtohen me veshtiresi. Te njejten gje me ”sanpietrini”, nuk ma nxinte goja, mjaftonte pietra/e.
        Dua te them qe kalldremi eshte fjale e kufizuar ne pak qytete, me te cilen lidhen banore te caktuar te lagjeve te vjetra (nja 5% e shqiptareve), por nuk mund te pretendohet ndjeshmeri e njejte nga te tjeret. Une per vete ndoshta mund te shihja pak shtrember heqjen e fjales ”trotuar”, po nuk do çirrja faqet po te hidhej ndonje fjale per ta zevendesuar.
        Kalldremi tashme eshte fjale e kufizuar, si puna e emrave te ndryshem qe perdoren si sinonime per dhite, delet,derrat, gomeret etj ne krahina te ndryshme te Shqiperise.

        Duke u bere fjale qe si hyn ne pune mases ne shoqerine moderne, ngadale i humbet edhe domosdoshmeria konceptuale, keshtu qe kthehet lirisht ne rruge me gure.
        Mendoj se domosdoshmeria konceptuale e ben fjalen te mbijetoje, perndryshe gjuha eshte ne gjendje te shprehe çdo koncept me forma te tjera. Sigurisht mund te me thuash qe po e the rruge me gure e jo kalldrem, ate 1 apo 2 here ne vit qe do me duhet (nese me duhet) ta them, po ngaterron naten me diten, por une jam i sigurte qe ate 1 apo 2 here ne vit (nese me duhet) do te kuptohemi njesoj drejt, e shumta do e gjejme si argument bisede pse nuk m’u kujtua fjala kalldrem e do e tjerrim derisa te kalojme ne argument tjeter.

    2. Hyllin besoj se duhet të ketë një kufi në këto lloj inovimesh. Imagjino çndodh nëse miliona shqiptarë nisin të shpikin secili nga një fjalë të re, apo vendosin të fshijnë çdo fjalë që nuk mund të lidhet me proto-shqipen. Gjuhëtarët e dinë më mirë këtë çështje, por thjesht për opinion, them që leksiku që kemi sot është një kufi, për shembull fjalë si patkua apo kalldrëm e kanë një histori, janë përdorur dhe janë në përdorim dhe për këto arsye duhet të kenë përparësi ndaj neologjizmave. Dakort me pjesën tjetër, në shumë raste nuk është e nevojshme të huazohet, mund të përdoren fjalë shqipe, ose neologjizma.

      1. Perfytyrimi eshte i pagjase, sepse fjalet e proto-shqipes zoterohen nga aq pak njerez sa mund te numerohen me gishtat e dores. Por edhe sikur njerezit te germojne neper libra e internet, serisht nuk do te mund te kuptonin ndonje gje te madhe, sepse eshte lende e veshtire qe do kohe. Llafi qe bie te ndash sakte fondin zanafillor indoeuropian nga ai latin eshte çeshtje shume e veshtire. Pra vetem nje pjese e vogel e miliona shqiptareve, do te mund te aventurohej seriozisht.

        Ketu, çeshtja eshte se fjalet e fondit zanafillor te shqipes perbejne nje minorance te atille ne fjalorin e shqipes, saqe eshte per te vene duart ne koke. Shqipja eshte gjuhe ne rrezik zhdukjeje, nqs natyra shqipe e gjuhes vjen prej fondit te vet indoeuropian. Ka nje rrjedhje te vazhdueshme te esences se shqipes dhe nqs kjo rrjedhje nuk do te ndalet atehere nuk do te jete e larget dita kur shqipja te mos jete me shqip.

        Nuk po flasim per ndonje shqipe qe ne fjalor ka 90% te fjaleve qe i perkasin fondit zanafillor e tani s’po na pelqen minoriteti 10 %, por per nje shqipe qe rrezikon zhdukjen.
        Mandej, kur krijohen fjale te reja nuk se po perzgjidhet kembengultas fondi zanafillor, por nje pjese e fjaleformimeve te reja jane bashkepunim fondesh apo i perkasin fondit latin apo sllav. Llafi qe bie, ”fortashtroje”, nqs shtroje mund te jete shqip, fort me siguri i takon fondit latin.

        Per gjendjen kritike ku eshte fondi zanafillor i shqipes, huazimi i kote i nje fjale eshte nje akt kriminal, i cili per arsye te kuptueshme nuk mund te ndeshkohet nga ligji, por mund dhe duhet te ndeshkohet moralisht nga shoqeria.

  6. Këto “thundrat që bëjnë shkëndija në fortashtroja” dhe shumë tjera janë aq absurde dhe për mua tronditëse themelesh dhe idhujsh të fëmijërisë time sa që më duket ndonjëherë se do më dali gjumi dhe do shpëtoj nga kjo ëndërr e keqe, cdo gjë do jetë si më parë, “zbulimet” e Vehbiut janë pjellë e fantazisë së tij dashakeqe, ose (më e mira) nuk ka pasur kurrë kësi “spastrimesh pa kuptim”.
    Por një zë nga brenda meje më thotë që unë mund të jem zgjuar. Dhe unë sinqerisht ndjej dhimbje.
    Jam kurioz të di si ndjehet Vehbiu që i ka shkuar kaq afër skenës të krimit dhe e ka parë nga afër masakrën. Unë personalisht tani e di se c’duhet të bëj. T’i gjej ku i kam e ku s’i kam shkrimet e IK-s dhe ti mbyll në një ambient me temperaturë dhe lagështi të kontrolluar që t’i ruaj për fëmijtë e mi.
    Për fat të mirë më ngushëllon besimi se kjo lajthitje nuk do zgjasi shumë dhe koha do t’i flaki këto budallallëqe, ndoshta edhe vetë IK (ose më mirë ish-K).
    Falë “hyllin” u regjistrova se nuk mund të rrija dot pa bërë një koment, pavarësisht se kam disa muaj që e ndjek blogun me kënaqësi. Më duket se disa individë bëjnë komente vetëm sa për t’ju kundërvënë temës në fjalë sepse psh. kushdo që lexon “Thundrat që bëjnë shkëndija në fortashtroja” do ndalet për një moment dhe do i thërrasi mendjes,” Po prit pak se thundrat e kalit nuk para bëjnë xixa po të përplasen me ndonjë objekt të fortë, që na qënkish shtruar dicka (që në këtë rast i bie që të jetë rrugë sepse po flasim për një kalë të zakonshëm pa brirë dhe pa flatra) Pastaj kjo që na qenka rrugë e mirëfilltë me cfarë të jetë shtruar vallë? Hmm, me beton, me zhavorr? Me asphalt ose serrë nuk mund të jetë se asfalti zbutet kur bën vapë. Pastaj edhe aeroporti një lloj fortashtroje është. Po c’dreqin do kali në aeroport kur ai nuk ka as flatra, po edhe po pati nuk i duhet aeroporti?
    Po marr si shembull këtë fjali me që u përmend më lart. Nuk më duket se kalldrëm mund ta zënvendësosh me fjalë të tjera aq kollaj. Është mirë e bukur ashtu sic eshte me kuptimin dhe ngarkesat që ka. Rruga me gurë mua nuk ma jep imazhin e kalldrëmit kurrkund. Sa për “fortashtrojën” ajo nuk ma jep as imazhin e rrugës. Unë nuk kam ndër mend që të hap fjalorin shqip në cdo faqe për të lexuar dhe shijuar një roman në shqip. Vërtet kam ca kohë që nuk jam në Shqipëri por nuk jam as arbëresh as arvanitas. (Këtë e them me hamendje se nuk e di sa veshtire e kane at ate lexojne nje tekst shqip).
    Me që po flasim për fjalët dhe me qe ra fjala tek xhevahiret qe IK po hedh ne tregun e leksikut shqip m’u kujtua qe po lexoja nje roman para disa vitesh. Nuk me kujtohet nese ishte i ri apo ribotim. Por mbaj mend qe gjate leximit, filluan te me besdisnin disa fjale qe nuk I kuptoja megjithe ngjarjen terheqese. Njera ishte “nenkrese”qe nga konteksti e mora vesh qe na ishte “jastek”. Interesante mendova per momentin dhe per me teper tingellon shqip. Vetem mbasi e kisha mbaruar romanin ne fjale, fillova ta analizoja, “nen” dhe “kre”, ka kuptim, dicka qe ndodhet ose vihet ne kre (koke) = nenkrese. E bukur si fjale, tingellon bukur dhe ne parim ndjek rregullat e fjaleformimit. Por nga ana e imazhit qe jep eshte kokeposhte, do e quaja une. Une ve koken ne jastek, ose mbi jastek. Ne ndonje rast shume shume te rralle mund te ve jastekun nen koke. Sido qe te jete rasti une mbeshtes koken ne jastek. Dhe pavaresisht se jasteku eshte vertete nen koke ose nen krye (ose poshte krese ose kryes), prape nga ana logjike mua nuk me tingellon mire, madje me duket artificiale. Une fle si qingj me jastek ose dhe pa jastek ndonjehere. Me nenkrese, shoh endrra te frikshme.
    Fjala tjeter qe une e perktheva deri diku aty nga fundi i romanit ishte “mesore”. Megjithate nuk e mora vesh sakte se nuk kisha me cfare dhe me ke te konsultohesha. Behet fjale per nje dhome ne apartament, ndoshta “korridori”? Po vetem ndoshta ama!

    1. […Më duket se disa individë bëjnë komente vetëm sa për t’ju kundërvënë temës në fjalë sepse psh. kushdo që lexon “Thundrat që bëjnë shkëndija në fortashtroja” do ndalet për një moment dhe do i thërrasi mendjes,” Po prit pak se thundrat e kalit nuk para bëjnë xixa po…]

      I forte je mor’ burre, sapo hyre ketu, qe diten e pare, e zbulove, çëfësht, nje grup armiqesor… ,kush e di c’suksese do kesh me tutje.
      Vetem se i zoti i punes kur flet per keto gjera , thote emra e mbiemra, ti pse kaq konspiratifff ? U be si ajo pune , i zoti e jep ,tellali s’e jep.

      Po le te merremi me thundra, patkonj e kalldreme e me te tjera sa per t’u sqaruar nje cike.

      IK ben letersi dhe ne letersi shpesh perdoret edhe metafora, prandaj ne nje roman jo vetem, ‘thundrat bejne shkendija’ por edhe ‘nga syte te dalin shkendija’, bile ‘te del tym nga koka’ e te tjera, e te tjera. Nje kjo.

      Po le ta leme letersine menjane. Besoj e di qe kali mbathet, dmth i mberthehen patkonj ne thundra. Po edhe pas ketij procesi thundrat , thundra quhen. Me patkonj a pa patkonj , thundrat quhen thundra. Di ti ndonje fjale tjeter?
      Kur vesh kepucet, kembet a nuk i quan perseri kembe? Apo ke ndonje fjale tjeter? Kembemekepuce, kembepakepuce…U bene dy.

      Pra mund te thuash “nxirrte shkendija nen thundra” dhe lexuesi me mend ne koke e kupton se shkendijat shkaktohen nga patkonjte e thundrave ne gurin e kalldremit. Ashtu sic mund te thuash “rreshqiste me kembe ne debore” dhe lexuesi e kupton se rreshqitesi ka kepucet veshur sepse zbathur nuk rreshqet dot, ashtu si me gjurmashka pe Korce nuk rreshqet dot.

      Keshtu qe , si perfundim fli e mos shiko endrra , te pakten jo me Kadare. Te kam rixha.

      Tani , te rrime shtrember e te flasim drejt, kjo “fortashtroje” e IK nuk i duket kujt nje gjetje fatlume. Nuk duket as e ndertuar pas gjedheve te shqipes, ‘fort-a-shtroje’.
      Me e udhes do te ishte te merreshin parasysh pervojat e vjetra. Themi “me rruge detare” apo “rruge ajrore”. Kemi po ashtu “udhe e hekurt”= “hekurudhe” ne perdorim qe prej rilindsave. (Turqisht nuk e kemi kete fjale se turqit s’na bene dot ndonje hekurudhe,megjithese u digjte xhani, ate qe bene italianet per transportin e seres ( zift, pis, katran) e quajten dekovil).

      Nje gjuhetar i mire ne vend te propozimit te IK, mund te na propozonte per ‘kalldrem’ nje zgjidhje shume me te pranueshme “rruge e gurte” meqenese e kemi nje pervoje fjaleformimi te tille.
      Pastaj po te doni mund ta benim edhe “gur-udhe>gurudhe”. Pse jo kur kemi nje shembell te suksesshem “hekurudhe”.
      Mund te mos pelqehet prapeseprape ne fillim, por valle eshte pelqyer “udhe e e hekurt” kur hyri si neologjizem? Te gjitha neologjizmat duken te pakendeshme se pari. Dhe ne cdo gjuhe. Mos valle ‘selfie’ eshte e plotkuptueshme , por ja qe e futen pa e bere qejfin qeder . Kurse ne qibare te medhenj, as ‘lungomare’ nuk e kalkojme dot .

      Keshtu si flasin e shkruajne ca e ca ketu i bie qe ne shqipe te mos hyje asnje fjale e re , qofte si neologjizem ,kalk apo kuptim dytesor fjalesh popullore. Te mos behet asnje zevendesim fjalesh te huaja , te vjetra apo te reja, me fjale te burimit shqip. Shqipja pra te ngrije. Eshte bere c’eshte bere ,mjaft me. Fjalet e reja do jene te huaja doemos ,derisa te behemi edhe ne nje komb teknologjik.

      Ne kete derexhe ja vlen te pyetet : Si do te zhvillohet kjo gjuhe shqipe? vetem me miell hua?
      Ose me mire : Ku na shpie mushka zoterinj ?

      1. “Ne kete derexhe ja vlen te pyetet : Si do te zhvillohet kjo gjuhe shqipe? vetem me miell hua?”

        Une u tundova disa here te sillja ketu shembuj nga gjuhe te tjera perendimore, sidomos nga frengjishtja dhe gjermanishtja, per te treguar se ne shqiptaret nuk jemi te vetmit “puriste” ne kete bote, por pastaj hoqa dore sepse m’u duk se fola shume. Fakti eshte se te gjitha shoqerite moderne mundohen t’ia pershtatin prurjet e reja leksikore gjuheve perkatese. Madje mbetem i bindur se ne jemi teper te hapur ndaj huazimeve.

        Jemi te gjithe ne nje mendje se fjalet e huaja jane problem. Besoj se edhe Xha Xhai eshte i te njejtit mendim, sepse nga blogu kemi mesuar se ai eshte angazhuar vete ne shqiperimin dhe njesimin e termave te informatikes.

        Nese e kuptova drejt, Xha Xhai mendon se prirja per t’i shqyer dyert leksikut mund te jete pasoje e nje reagimi ndaj politikave puriste qe ia çoroditin ndjenjen gjuhesore folesve te shqipes. Ta zeme per nje çast se eshte keshtu. Shtrohet pyetja: a do te mjaftonte heqja dore nga diskursi purist per t’i vene fre dyndjes se fjaleve te huaja ne shqipe? Cila do te ishte zgjidhja?

      2. Nuk ka asnjë nevojë gjuhësore, për të zëvendësuar fjalë si kalldrëm ose patkua. E theksoj, asnjë nevojë fare. Kush i zëvendëson, si I.K.-ja meqë jemi në temë, e bën për arsye ose artistike, ose ideologjike. Unë besoj se e kam argumentuar që, të paktën ky autor dhe në tekstet që kam analizuar unë, e bën për arsye ideologjike – duke parë se çfarë kategorie fjalësh është shënjestruar për zëvendësim.

        Them sa më lart, meqë më duket sikur ti, Fatma, e merr për të mirëqenë nevojën e zëvendësimit, bie fjala, të kalldrëm. Në fakt, para se të kuturisemi në këtë ndërmarrje të denjë për dijetarët e Laputës, duhet të arsyetojmë pse duhet zëvendësuar kalldrëmi. Hyllini tha disa gjëra këtu, por ato që thotë Hyllini, në këtë temë, mua më duken pa peshë (ose gjepura të habitshme), prandaj edhe nuk u kam kushtuar vëmendje.

        Fatma, po ngul pak këmbë, sepse më duket se ti ose nuk e ke marrë vesh se për çfarë është fjala, ose po ha inat kot. Këtu diskutojmë dy çështje: (1) a duhen zëvendësuar orientalizmat e ngulitur dhe (2) si duhen zëvendësuar dhe ku. Para se të kalojmë te çështja e dytë, duhet të sqarojmë të parën, besoj unë. Dhe sidomos, është akrobaci e madhe, nga pikëpamja logjike, që një operacion kirurgjie plastike, ose arnimi, ta analizojmë sikur të ishte “art”, vetëm e vetëm ngaqë atë e ka ndërmarrë një shkrimtar i madh.

        Dhe flasim për orientalizmat e ngulitur – jo për terma që kërkojnë të hyjnë rishtas dhe që mund të ndalen që pa u kodifikuar në leksik; prandaj le të mos shpërndahemi, si kalamajtë me ADHD: orientalizmat e ngulitur. Fjalë si dysheme, kalldrëm, xham, gjyle, kovë, kala, sokak, oxhak. Le të përqendrohemi këtu, se përndryshe do të përfundojmë së diskutuari për globalizmin dhe tema të tjera pa lidhje.

        Ka edhe një dallim të madh, në qasjen time dhe tuajën – e kam fjalën në tënden, Fatma, dhe të ndonjë kolegu tjetër. Unë po e analizoj ripunimin e teksteve nga pozitat e lexuesit; çka do të thotë se, për llojin e analizës që kam zgjedhur, synimet e autorit janë dytësore dhe për to mund të flitet në atë masë që janë të shprehura në vetë ndërhyrjet. Përkundrazi, qasja jote dhe e ndokujt tjetër u referohet drejtpërdrejt synimeve të autorit – edhe pse këto nuk i dimë.

        Në një nga shkrimet e mia, solla një link ku U. Ecoja shpjegonte se ç’e kish shtyrë të ndërhynte në tekstin e romanit të vet më të famshëm; pa çka se ndërhyrjet e Eco-s janë një e qindta, për nga sasia dhe cilësia, e atyre të I.K.-së te Kështjella dhe Kronikë në gur.

        Me sa di unë, asnjë gazetar yni nuk e ka pyetur drejtpërdrejt I.K.-në për këto ndërhyrje; çka tregon edhe gjendjen e vajtueshme të gazetarisë sonë kulturore, e cila ka frikë të bëjë pyetje.

        1. Xha Xha, vertet e humbem fillin ne kete diskutim.

          Te merremi vesh se per çfare po diskutojme. Po flasim per leksikun e veprave te Kadarese apo po flasim per purizmin, fjalet e huaja, prirjet dhe diskursin per “pastrimin dhe pasurimin” e leksikut te shqipes etj.?

          Sepse keto jane dy çeshtje te ndryshme. E para ka te beje me gjuhen artistike te nje autori te veçante, e dyta ka te beje me mbare gjuhen shqipe.

          Pavaresisht nga shtysat artistike, estetike a ideologjike te zgjedhjeve leksikore qe ben nje autor si IK, ato zgjedhje i perkasin vetem vepres se tij. Duke zgjedhur a zevendesuar nje fjale ne vepren e tij, ai nuk kerkon gje qe ky zevendesim te saksionohet ne mbare leksikun e shqipes. Ne ate intervisten qe permende, Eco thoshte se kishte bere disa zevendesime per te shmangur persertjet e shpeshta te se njejtes fjale, pra per arsye artistike. Ne rastin e Kadarese tashme e dime se atij nuk i pelqejne turqizmat. Por ai, me sa di une, nuk ka kerkuar ndonjehere qe turqizmat e shqipes te debohen dhe te zevendesohen me te tjera. Ndoshta idealisht do t’ia kishte qejfi, por kjo nuk eshte ne dore te tij, sepse nuk e ben ai leksikun e shqipes. Si shkrimtar ai ka te drejte te zgjedhe e te shkruaje fjalet qe i pelqejne, sikurse lexuesit kane te drejte t’i pelqejne apo te mbledhin buzet kur t’i lexojne ato fjale. Mua me ka qelluar, sipas rastit, here t’i pelqej e here te mbledh buzet. Kjo eshte çeshtje shijesh estetike, pra subjektive. Nuk ka te beje as me purizmin e as me problemet e leksikut te shqipes.

          E perseris: Kadare nuk eshte as gjuhetar as autor fjaloresh te shqipes; ai nuk ka shkruar gje ndonje manifest purizmi as u ka kerkuar ndonjehere shqiptareve te perdorin a te mos perdorin keto apo ato fjale. Madje per te mos rene ne te njejtin keqkuptim propozoj qe, kur te flitet per purizmin dhe problemet e leksikut te shqipes, te mos e permendim Kadarene, sepse duket sikur i jemi qepur me buke ne traste. 🙂

        2. Edhe mua me duket se fola shume prandaj po e mbyll me bindjen se fjalet nuk mund te qiten jashte me perdhune , por as mund te mbahen brenda me pahir.

    2. Me behet qejfi qe u bera shkas per kthimin e nje lexuesi ne komentues. Meqe ke pak muaj qe e ndjek, po te shpjegoj se kam humbur hesapin e viteve qe debatoj kunder ne kete pike.
      Perse Kadareja ka bere x zgjedhje ne kete vetem mund ta hamendesojme, persa kohe qe ai nuk e shpjegon ”boterisht e botorisht”. Vete jam i prirur te gjej diçka te arsyeshme pas çdo hapi te Kadarese, sepse nisem nga parimi qe Kadareja nuk ia mbyt katundit, qe ta kape gafil i pari te cilit i bie rruga nga librat e tij.

      Motivet e tij mund te jene mirefilli letrare (artistike), por fare mire mund te jene edhe jashteletrare, keshtu qe nqs diçka mund te mos qendroje mire letrarisht, mund dhe duhet pare se mbase qendron mire jashteletrarisht. Ne kete kuptim, edhe heqja e patkoit edhe fortashtroja e gjejne per mua nje domethenie, e cila gjithsesi mbetet hamendje po aq sa edhe argumenti kunder.

      Nqs, biem dakort se kemi te bejme me arsye jashteletrare, mund te themi se ajo arsye shkakton deme artistike, por meqe ”de gustibus non disputandum est”, ajo qe ka realisht vlere ne debat eshte vlefshmeria jashteletrare. Prandaj, nuk mund ta pranoj dot tronditjen e ndjeshmerise tende artistike si argument debati, nderkaq ngelem i hapur ndaj argumenteve te vlefshme qe mund te kesh pjekur pas tronditjes qe pesove.

  7. Vertet qe u larguam shume nga tema. Ndoshta keto komentet e fundit (perfshi edhe timin) do te ishin me te pershtatshme per 2-3 tema pak me te hershme. IK cfare do qe beje nuk do kete ndonje impakt pertej adhuruesve te vet ose dhe pak me gjere tek adhuruesve e librit ne pergjithesi. Shumica eshte e bombarduar nga televizioni dhe gazetat me huazime te panevojshme ose neologjizma pertacesh sic i quan xhaxhai. Per kete shumicen eshte me vend te shqetesohesh.
    Une nuk e di se c’behet tani po me nje lloj sigurie mund te them qe deri nga 95a ose vitet 2000shi ndoshta, arsimi i larte nuk perfshinte studimin e gjuhes shqipe. Dhe kishim specialiste te shkelqyer ne fusha te ndryshme qe nuk dinin te shkruanin 5 faqe ne specialitetin e tyre. Ndoshta per kete “elite” e ka fjalen xha xhai. Kete e kam vene re dhe ma kane vene ne dukje specialiste te huaj qe nuk kishin aq problem komunikimin e dobet ne gjuhe te huaj sesa komunikimin ne shqip te specialisteve homologe. Te me korrigjoje njeri nese e kam gabim se nuk dua te bej pergjithesime. Gjuha shqipe ose te shkruarit, kompozimi ne shqip ose dicka e ngjashme duhet te jene te detyrueshme te pakten dy vitet e para ne arsimin e larte. Pastaj nuk do jete aq problem per shqipen e ketyre individeve nese merr nje Master apo PHD ne gjuhe te huaj.

Comments are closed.