DY LIRITË

Që pa hapur mirë sytë në maternitet, na kanë rrëfyer për luftërat e popullit shqiptar për liri – si një fill i kuq që përshkon historinë tonë kombëtare.

Sikurse na i kanë rrethuar me të kuqe, në kalendar, datat kur shqiptarët fituan lirinë prej osmanëve (dy herë) dhe më pas prej pushtuesve nazi-fashistë.

“Takohemi në Shqipërinë e lirë”, ishte një prej përshëndetjeve të njohura gjatë Luftës II; e cila tek ne u njoh edhe si nacional-çlirimtare.

Fëmijëve, në klasë të parë, u thuhet se Skënderbeu luftonte “për lirinë e Shqipërisë.”

Dhe kështu me radhë. Nuk ka ndonjë problem madhor deri këtu – një nga karakteristikat e një kombi në pjekurinë e vet është të kërkojë, me çdo mjet, lirinë nga kush e mban të nënshtruar: një shtet a një perandori tjetër.

Mirëpo ka edhe një liri tjetër – ajo e individit – e cila nxjerr krye, gjuhësisht, në fraza të tilla si liria e fjalës, liria ekonomike, liria e qarkullimit, liria fetare.

Edhe është, edhe nuk është krejt e ngjashme me lirinë për të cilën luftonin Skënderbeu dhe Fronti Na-Çl.

Sikurse dihet, Shqipëria fitoi lirinë nga pushtuesit nazi-fashistë në 29 nëntor 1944; por bash kjo datë shënjoi edhe fillimin e një epoke kur qytetarëve të Shqipërisë iu mohuan disa prej lirive më elementare.

Edhe kjo është thënë dhe duket afërmendsh; çfarë meriton vëmendje, është pështjellimi, shpesh i qëllimshëm, që u bëhet këtyre dy lirive, në bazë të emrit që e kanë të njëjtë.

Pështjellim që mbështetet mbi dy rrejshmëri: që liritë e individit janë funksion i lirisë së kolektivitetit dhe që lirinë një kombi (ose një shteti) ia mohon vetëm një pushtues.

Një individ të cilit totalitarizmi ia mohonte liritë elementare, nuk mund të ngushëllohej me idenë se jetonte në një Shqipëri të lirë, sovrane dhe të pavarur.

Pa çka se shkolla, propaganda, letërsia dhe opinioni publik përpiqeshin seriozisht, aso kohe, t’ia mbushnin mendjen se e vetmja liri për të cilën ia vlente të luftoje, ishte ajo ndaj pushtuesit, ose të huajit.

Shumë gjëra kanë ndryshuar, në ideologjinë dhe psikologjinë e shqiptarëve sot; por kjo rrejshmëri e lirisë ka mbijetuar dhe është gjallë e shëndoshë, duke filluar që nga historiografia e të gjitha niveleve dhe sistemi arsimor.

Tekstet dhe diskurset përkatëse i mbyt preokupimi për lirinë kombëtare, ndërsa shqetësimi për liritë individuale, në rastin më të mirë, është shtuar si arnë, diku nga fundi, “se ashtu na e kërkon Europa.”

Natyrisht, liria e një kombi dhe sovraniteti i një shteti janë në thelb metafora, të cilat përshkruajnë statusin e elitave në pushtet, por jo të qytetarëve ose nënshtetasve të zakonshëm.

Historia europiane ka treguar se ato realitete politike ku shtetasve u janë mohuar brutalisht liritë edhe më elementare, si ato totalitare në Bashkimin Sovjetik, Gjermaninë Naziste, Italinë Fashiste dhe pastaj më tej në vendet e Lindjes pas Luftës II ose, mutatis mutandis, në Spanjën frankiste, kanë përkuar me periudha të sovranitetit të shkëlqyer të shteteve përkatëse.

Vallë duhet të shtyhemi deri atje, sa të argumentojmë që liria e një kombi ose e një shteti, ashtu siç paraqitet me zell nga kombëtaristët, është në përpjesëtim të zhdrejtë me lirinë e individit?

Duke i qëndruar larg këtij absurditeti, do të mjaftohemi të vërejmë si zhurma propagandistike për njërën liri, mund të shërbejë, dhe në fakt ka shërbyer, për të mbuluar krimin e mohimit dhe të uzurpimit të lirisë tjetër.

Për lehtësinë me të cilën kryhet ky uzurpim, faji i mbetet para së gjitha gjuhës, e cila në dukje nuk bën dallim mes dy lirive, por i shkrin të dyja në një koncept të vetëm konfuz.

Dhe prej gjuhës, kjo rrejshmëri e gjen rrugën në versionet për fëmijë të historisë kombëtare – të cilat fillojnë dhe mbarojnë me dëshirën e shqiptarëve për liri, por pa u ndalur për të parë, nga afër, sa të lirë ishin vërtet këta shqiptarë, pasi ishte fituar liria.

Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta në mes tuaj – këto fjalë të famshme, në librin e shqiptarisë, i atribuohen Gjergj Kastriotit, Skënderbeut; dhe i gjen sot të shtypura në çdo libër këndimi dhe tekst historie për të vegjëlit.

Përtej një diskutimi për llojet e lirisë, në Mesjetë dhe në aktualitet, kjo lloj lirie e shpallur solemnisht nga prijësi i Arbërit mbetet një frazë boshe, një etiketë parazitare, pjesë e uniformës shkollore diskursive.

Një diskutim që fare mirë mund të fillonte nga liberté-ja e motos së revolucionit francez; dhe nga vënia në pah e së vërtetës elementare se “liria” e fituar një kombi nuk ka lidhje me liritë e individit, ose me çfarë i quajnë ndryshe edhe të drejta; pa çka se kur një fuqi – qoftë kjo perandori a shtet fqinjë – e mban një komb të pushtuar a të nënshtruar, ky pushtim a nënshtrim mund edhe të përjetohet, prej individëve përkatës, si mohim të drejtash.

Dhe që pastaj mund të kurorëzohej me idenë se një komb individësh të lirë, të vetëdijshëm për të drejtat e tyre dhe të gatshëm për të luftuar për to, është edhe kombi më i vështirë për t’u gjunjëzuar dhe nënshtruar prej një fuqie nga jashtë, ose për të humbur “lirinë.”

Metafora vepron në të dy drejtimet; dhe le të mos gabohemi me shembullin e Shqipërisë sovrane, gjatë periudhës totalitare autarkike; pse në atë periudhë gjithë çka kish arritur Enveri me të vetët ishte që ta eliminonin krejt Shqipërinë, si aktor dhe faktor, nga skakiera europiane dhe botërore.

Me fjalë të tjera, unë nocionin e lirisë do ta kisha futur në shkollat, më parë, në formën e lirive dhe të drejtave të njeriut, me të cilat fëmija e gjen më të natyrshme të identifikohet; dhe vetëm më pas do të kaloja te “luftërat për liri” të shqiptarëve në shekuj.

Nuk jam i sigurt edhe nëse kjo do të kërkonte që motivi i këtyre “luftërave për liri” të degradohej nga funksioni i vet si motor (drive) i historisë kombëtare; por besoj se, të paktën, një ripërmasim do të ishte i nevojshëm.

4 Comments

  1. Historia per si eshte konceptuar qe nga origjinat mitike e deri me sot, nuk merret me individet por me bashkesite politike. Individi ka vlere historike ne funksion te bashkesise politike te ciles i perket. Mbase kete çeshtje duhet ta nisje me homologimin e konceptit te historise, te hidhje ndonje teze revolucionare mbi te cilen te debatohej, pastaj ne fund me kalamajte e shkollat. Perndryshe kjo lende qe propozon s’ka lidhje me historine por me edukaten qytetaro-demokratike, e cila me duket se ekziston (po doren ne zjarr s’e ve).

  2. “…pa çka se kur një fuqi – qoftë kjo perandori a shtet fqinjë – e mban një komb të pushtuar a të nënshtruar, ky pushtim a nënshtrim mund edhe të përjetohet, prej individëve përkatës, si mohim të drejtash.”

    Eshte interesante te shihet mundesia e konturimi te je rregulli a raporti midis te dyjave. Duke besuar se e njoh rastin shqiptar mund te them se te pakten ne dhjetevjeçarinb e fundt te komunizmit, nuk kam njohur shume vete qe ishin te gatshem te viheshin te luftonin ne rastin e nje sulmi te jashtem. Nga fundi e tha edhe D. Agolli, se duke e lene fshtarsine pa toke, duke zhdukur pronen private u rrezikua fuqia mbrojtese e vendit, njerzit nuk kishin asnje arsye te viheshin e ta mbronin ate.
    Nje pamje tjeter te japin luftrat e Napoleonit ne Rusi. Ishte nje vend ku vepronte ligji e bujkeroberise dhe me shume se te ushtrite e tij Napoleoni shpresonte se duke u dhene lirine fshatarve ruse ata do t’i ktheheshin kunder carit e do t’u bashkoheshin ushtrive te tij.
    Nuk ndodhi keshtu. Mbase ruset nuk e dinin se mund te jetonin ndryshe. Por ajo qe nuk ndodhi ne Rusi ndodhi ne Gjermani. Edhe pse ne pikepamje sociale ishin shtete mesjetare, duket kishte nje “inteligjencia” gjermane qe ishte ne dijeni te ideve te Revolucionit freng, dhe pergjithsisht rezistenca ishte e vogel dhe pas “pushtimit” njerzit dolen dhe i priten me lule ushtrite franceze. Geteja binte telef mbas Napoleonit, Hegeli tha se edhe per vendet gjermane mori fund mesjeta, ndersa Betoveni i kushtoi nje sinfoni, gje qe nuk ndodhi me Cajkovskin i cili me “1811” i ngriti nje himn rezistences. Pra per rastin gjerman mund te thuhet se “lirite e individit” ishin me te shtrenjta.
    Me vjen ndermend edhe rasti irakian. Amerikanet nuk bene asnje lloj cudie strategjike. Ata fituan kunder S. Hyseinit sepse ushtria e tij pothuaj se nuk beri asnje rezistence, e la veten te shkatrrohej, si per t’i dhene nje shans atij vendi te hiqte qafes nje diktator.
    Shkurt, per mendimn tim, koncepti i “lirive” nuk eshte i ngrire, leviz dhe evoluon ne kohe.

    1. C’eshte e verteta, gjermanet u mposhten nga gjenialiteti ushtarak i Napoleonit e jo ngaqe e donin shume, ashtu sikunder ne fund gjermanet e Austrise dhe Prusise nuk e hodhen tuç ngaqe Napoleoni u hoqi lirite e individit po ngaqe bashke me ruset vune ne fushebeteje trefishin e ushtareve.
      Amerikanet fituan kunder Sadamit, sepse u perlesh peshkaqeni me cironken (e cila vuante prej vitesh nga uria per shkak te sanksioneve te peshkaqenit). Shansi qe fituan irakenet ishte e drejta te thereshin si dele e te hidhnin ne ere njeri-tjetrin per arsye fetare duke e katandisur djepin e qyteterimit njerezor ne token me te rrezikshme ne planet pas Somalise, ku njerezit sapo kane nderruar tangat me rroben ushtarake dhe shtizen me kallashin.

      Gjithsesi, pavaresisht shembujve, koncepti i lirise padyshim qe evolon dhe sado te duket sikur ‘lirite’ mund te ndahen, thelbi i tyre ngel i njejti e s’mund te kemi dot dy fjale te ndryshme.
      Ne vija te trasha e ne kendveshtrimin afatgjate lirite e individit jane pasoje e lirise se komunitetit te cilit individi i perket. Gjeja e pare qe ben nje komunitet i rrezikuar eshte pezullimi i lirive te individit, te cilat rifitohen sapo rreziku kalon.
      Diktatura moderne (e tirania e djeshme) bazohet tek principi i rrezikut te menjehershem e permanent, perndryshe Roma e lashte e lidhte konceptin e diktatures me pikun e rrezikut, i cili si çdo pik nuk eshte permanent, por i perkohshem ( 6 muaj sipas romakeve).

      Perendimi pati i pari privilegjin e lirive te individit sepse per here te pare nje zone e planetit dominonte zonat e tjera, duke patur njekohesisht edhe ekuilibra te brendshem, pra rreziku ishte ne minimumin e mundshem njerezor. Do te vazhdoje t’i kete derisa te vazhdoje te dominoje boten e te ruaje ekuilibrat e brendshem. Nqs neser Perendimi bie nga fiku, do rritet shkalla e rrezikut dhe te parat qe do e pesojne do te jene lirite e individit.
      Liria e polisit/shtetit/kombit te jep mundesine te gjykosh vete shkallen e rrezikut e te veprosh per rrjedhoje. Natyrisht s’jane te gjithe njerezit me fat, qe t’i perkasin zones dominante te planetit qe eshte njekohesisht me e pasura, e sigurta dhe rrjedhimisht me tolerantja ndaj individit. Kur u ndane, tha, keto na rane.

  3. “Nqs neser Perendimi bie nga fiku, do rritet shkalla e rrezikut dhe te parat qe do e pesojne do te jene lirite e individit.”

    Pikerisht siç ndodhi me ‘Patriotic Act’ mbas 11 shtatorit. U rrit kercenimi per komunitetin , u kufizuan lirite individuale.

Comments are closed.