VAJI I BYLBYLIT

Këto ditë më ra në sy një fjalë e re – bilbilfryrës, shqipërim i anglishtes whistleblower; e hedhur në tregun leksikor të ligjërimit publik së bashku me mbrojtjen ligjore që do t’u ofrohet këtyre personave.

Shtypi e përcolli termin e ri me delikatesën karakteristike, duke folur për “ligj të ri për spiunët në administratë”, edhe pse figura e whistleblower-it, në Perëndim, zakonisht shoqërohet me beteja për të drejtat civile ose për demaskimin e abuzimeve të atyre me pushtet.

Gjithsesi, kjo bilbilfryrës i erdhi shqipes fringo e re, si përkthim pjesë për pjesë, ose kalk, siç i thonë gjuhëtarët, i fjalës përkatëse të anglishtes. Kësisoj, u huazua me lehtësi të dyshimtë jo vetëm një praktikë komunikative dhe juridike, por edhe emri përkatës.

Për kopjimin e praktikave të tilla, që vijnë nga regjime juridike dhe kultura krejt të ndryshme nga e jona, kemi folur gjetiu (kulti i kargove, etj.); sa kohë që për to nuk ndihet ndonjë nevojë e mirëfilltë dhe adoptimi bëhet vetëm për t’iu afruar “Europës”, rreziku i karnevalizimit mbetet.

Edhe vetë emërtimi në shqipe vjen si një formë kopjimi; ngaqë fjala e re i përgjigjet modelit të saj anglisht edhe në strukturë (whistle – bilbil, blower – fryrës), sado që është morfologjikisht korrekte, meqë i përket formulës bukëpjekës, qeleshepunues, gurgdhendës, etj., e cila është treguar prodhimtare në shqipen.

Kopjimi këtu ka të bëjë më tepër me faktin që, në anglishte, fjala whistleblower themelohet mbi shprehjen to blow the whistle, që do të thotë jo vetëm “t’i frysh bilbilit”, por edhe “të njoftosh për diçka, të japësh alarmin, të sinjalizosh”; ndërsa në shqipe i fryj bilbilit nuk e ka këtë kuptim. Për këtë arsye, bilbilfryrës vjen e zbrazët në shqipe; dhe, edhe sikur të mbushet me kuptim teksa përdoret, gjithsesi do të mbetet shënjues i gjuhës së drunjtë (langue de bois).

Ky është një nga problemet e kalkimit, ose të përkthimit strukturor (morfematik); produktet e kësaj përftese fjalëformuese arrijnë të mbijetojnë, sepse zënë vende bosh në leksik (tek e fundit, ishin këto vende bosh që i thirrën në ekzistencë); por forma e tyre e brendshme (në kuptimin humboldtian) e humbet organicitetin, në krahasim me origjinalin. Dhe shqipja është plot me formime të tilla, të cilat e dëmtojnë gjuhën duke ia ulur jetësinë, pa çka se ne i kemi pranuar tashmë; p.sh. benevolenza është përkthyer si dashamirësi ose edhe mirëdashje; pa çka se italishtes ti voglio bene nuk i përgjigjet ndonjë shqipe të dua mirë; e kështu me radhë.

Nga ana tjetër, whistleblowing si gjest me relevancë sociale dhe nevoja për t’i mbrojtur whistleblowers ligjërisht janë dukuri relativisht të reja; disa madje thonë se termin e ka përdorur i pari aktivisti amerikan Ralph Nader, në vitet 1970 (të tjerë e gjejnë në shtypin amerikan të fundit të viteve 1950). Që këtej, gjuhëve të ndryshme u është dashur edhe atyre ta “përkthejnë” në një mënyrë ose në një tjetër, sikurse iu desh tani shqipes.

Rruga që është ndjekur, për ta “lokalizuar” termin në fjalë, është domethënëse për të kuptuar si i qasen, kultura të ndryshme, huazimit si praktikë dhe proces.

Kështu, në bazë të çfarë gjej në Wikipedia, katalanishtja e quan whistleblower-in revelador d’informació (“zbulues informacioni”); spanjishtja alertador (“sinjalizues”); frëngjishtja lanceur d’alerte (“dhënës i kushtrimit”); italishtja gola profonda (kalk i anglishtes “deep throat”); holandishtja klokkenluider (“ai që i bie kambanës”); norvegjishtja varsler (“sinjalizues”) ose fløyteblåser (“fyelltar”); rusishtja информатор (“informator”), portugalishtja denunciante, rumanishtja avertizor de integritate (“sinjalizues integriteti”), e kështu me radhë; por ka edhe gjuhë si gjermanishtja, polonishtja, suedishtja dhe danishtja, që kanë parapëlqyer ta lënë fjalën në anglishte: whistleblower.

Mjafton një vështrim i shpejtë i këtyre zgjidhjeve leksikore, për të parë se praktikisht asnjë prej gjuhëve të tjera europiane nuk ka ndjekur praktikën e kalkimit, ose të përkthimit morfematik; duke zgjedhur që ta japë konceptin përkatës me mjetet e veta, kryesisht nëpërmjet metaforës së sinjalizimit, dhënies së sinjalit ose të alarmit; idiomatizmit të anglishtes whistleblower i përgjigjet edhe holandishtja klokkenluider ose norvegjishtja fløyteblåser, edhe pse këto dy gjuhë bilbilin e anglishtes e kanë zëvendësuar, përkatësisht, me një kambanë dhe një fyell; dhe kjo ngaqë krijuesit ose përshtatësit e këtyre fjalëve kanë marrë parasysh logjikën e brendshme të leksikut në secilën gjuhë dhe nuk kanë vrapuar të pasqyrojnë strukturën e huazimit.

Më në fund, tërheq vëmendjen zgjidhja e gjermanëve, të cilët e kanë lënë fjalën në anglishte, megjithë kapacitetin e mirënjohur fjalëformues të leksikut të gjermanishtes (edhe pse, sikurse sqaron zëri përkatës në Wikipedia, në hapësirën gjermanishtfolëse ndeshen edhe terma të tjerë si Enthüller (“informues, zbulues”), Skandalaufdecker (“zbulues skandalesh”) oder Hinweisgeber (“sinjalizues, informues”)[1]. Me sa duket, përdoruesit e termit e kanë ndier se asnjë fjalë ekzistuese e gjermanishtes dhe aq më pak neologjizëm nuk e ka dhënë saktësisht kuptimin (denotacion + konotacion) të anglishtes whistleblower, prandaj edhe kanë vendosur ta mbajnë ashtu. I njëjti arsyetim vlen, besoj, edhe për gjuhët e tjera që e kanë ruajtur anglishten dhe nuk kanë guxuar ta zëvendësojnë me ndonjë fjalë të tyren.

Që këtej, mund të arrihet, tentativisht, në përfundimin se shqipja librore i krijon me lehtësi pak tepër të madhe neologjizmat, madje duke i parë këto jo si shkelje të normës leksikore (që në fakt janë), por si (propozime për) pasurim të leksikut (që në fakt nuk janë). Edhe pse unë nuk e pranoj përgjithësisht konceptin e estetikës së fjalës, nuk mund të mos vërej, kështu me intuitë, se bilbilfryrës ka diçka të shëmtuar ose kabá, ndoshta ngaqë fut nga dera e pasme, të veshur me kostum popullor si në fotografitë e Tashos, një idiomatizëm në thelb të huaj për shqipen; duke sakrifikuar formën e brendshme në emër të një “shqipërimi” mekanik të formës së jashtme.

Dhe shqipja, këtë herë, e ka pasur të gatshme fjalën: meqë toblow the whistle mund të përkthehej, me pak të shtyrë, si të japësh kushtrimin; dhe whistleblower do të jepej, sipas ligjësive kuptimore të shqipes, me kushtrues; një zgjidhje e afërt me atë të disa gjuhëve neolatine (spanjishtes, katalanishtes, frëngjishtes, rumanishtes).

[1] Përkthimet prej meje të këtyre fjalëve të gjermanishtes, të holandishtes dhe të gjuhëve të tjera janë vetëm indikative; të interesuarit i ftoj të këshillohen me fjalorët përkatës.

error: Vini re: Materiali është i mbrojtur me të drejta autori. Nëse keni nevojë për tekstin, lutemi lidhuni me një administrator të faqes!
Këtë e pëlqejnë %d blogues: