KUR TË MBETET NOBELI NË DORË

Marr vesh, nga Harper’s-i i korrikut 2014, për një libër të ri, nga Peter Finn dhe Petra Couvée, që rrëfen historinë e botimit në Perëndim të romanit Doktor Zhivago, të rusit Boris Pasternak (The Zhivago Affair: The Kremlin, the CIA, and the Battle over a Forbidden Book, Pantheon).

Librin nuk e kam në dorë, por tek recensioni i Christine Smallwood në Harper’s gjeta të dhëna pikante, të cilat po dua t’i ndaj me ju.

ZhivagoPara së gjithash, që romani i shkruar prej Pasternakut nuk ishte dhe aq i rrezikshëm – një përshtypje që e kam pasur edhe unë, kur e kam lexuar; por nuk kam guxuar ta them me zë të lartë; dhe që pastaj më është ngatërruar, si shumë të tjerëve, nga filmi përkatës.

Në fakt, deri edhe Hrushovi paska thënë, kur e ka lexuar librin pas daljes në pension, se “Ne nuk duhej ta kishim ndaluar… Atje nuk ka asgjë anti-sovjetike.” Si të thuash, Pasternakun e bënë disident më parë Kremlini, që nuk e lejoi ta botonte romanin; dhe pastaj Perëndimorët, që e përkthyen dhe pastaj e pompuan për synimet e tyre politike dhe ideologjike.

Më tej, Pasternakut vërtet iu dha, me votë unanime, Nobel-i nga Akademia Suedeze, por në motivacionin zyrtar përmendej vepra e tij poetike, jo romani; dhe nga tre profesorët që e nominuan, vetëm një e paskësh lexuar Zhivagon! (Por me siguri të tre do ta kenë parë pastaj filmin, edhe pse jo doemos së bashku.)

Sikurse dihet, Pasternaku e refuzoi Nobelin, çfarë mengjithatë nuk i pengoi kolegët e vet që ta dëbonin prej Lidhjes së Shkrimtarëve.

Më në fund, romani i përkthyer dhe i kremtuar në Perëndim nuk është se u pëlqeu të gjithëve. Nabokovi, sa për të sjellë një shembull, e quajti “një gjë për të ardhur keq, e ngathët, bajate dhe melodramatike, me situata klishé…” për të shtuar pastaj se Pasternakut me siguri ia kish shkruar e dashura e vet, Ivinskaja.

Ironikisht, vetë Nabokovit ia patën përkthyer njërën nga veprat, për t’ia shpërndarë fshehurazi në Bashkimin Sovjetik: romanin Pnin, si pjesë e të njëjtës valë të propagandës kulturore që synonte “të dëshmonte arritjet eprore të Perëndimit” dhe që mbështeti botimin dhe pompimin e Zhivagos, revistën letrare elitare Paris Review, ekspresionizmin abstrakt dhe Radion Europa e Lirë.

E kam lexuar atë roman, miniaturë e këndshme, por nuk më është dukur i tillë që të frymëzonte masat për t’u rebeluar. Të paktën me Zhivagon mund të godisje ndonjë kolonel të karabinierëve kokës!

1 Koment

  1. Ajo puna e mospërmendjes së romanit në motivimin e Nobelit për Pasternakun, në mos gabofsha, ka lidhje me faktin që për të vlerësuar një vepër sipas rregullave të atij Komisioni duhej origjinali (dhe i botuar). Dihet që origjinalin në autograf e kishte vetëm Feltrinelli dhe Pietro Zveteremich, përkthyesi i parë i Zhivagos në Perëndim, i mbyllur me kyç në papafingon e Shtëpisë Botuese. CIA në fakt i lozi të gjithë gurët dhe e bllokoi Feltrinellin me një sebeb çfarëdo për 7 orë në Qipro, thonë, për t’i fotokopjuar origjinalin që ai e kishte atëbotë në valixhe vetëm e vetëm që t’ia nisnin Komisionit të Nobelit. Djali i Feltrinellit e konfirmon këtë, por thotë që amerikanët e bënë për të nxjerrë një edicion pirat për rusët e Amerikës që Feltrinelli pastaj arriti ta ndalojë. Gjithsesi përpara Feltrinellit Einaudi e refuzoi se Angelo Maria Ripellino nuk dha gjykim pozitiv (dhe jo thjesht për arsye ideologjike).
    Kurse sa për punët në BS, Krushovi kishte të drejtë, se Pasternakun më shumë se Partia e fundosën kolegët: ishte Lidhja e Shkrimtarëve që, kur i thonë, u tregua më katolike se Papa. (Duhet ta kisha lexuar vetë librin, më ngjan se ka thënë pastaj Krushovi).

Komentet janë mbyllur.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin