MENDIME TË PAKREHURA (LXVII)

(nga Stanislaw Lec*)

Kush i ekzaminon shenjat e gishtërinjve mbi faqe?

Edhe lopët e shajnë ndonjëherë lopçarin: “Kokëlopë!”

Rrethin familjar nuk e vizaton dot me kompas.

Mos harroni të vini pikat nën pikëpyetjet!

Mos u besoni përrallave! Janë të vërteta.

Edhe Judët kanë mësuar si ta bartin kryqin.

Falsifikimet më të mira duhet të pësojnë fatin e origjinaleve.

Edhe hajdutët i sheh ndonjëherë të rrethuar nga aureola. Të cilën nuk e kanë vjedhur aspak.

Njeriu i parë nuk ndihej vetëm, sepse nuk dinte të numëronte.

Kur kohët janë të rrezikshme, mos u mbyll në vetvete: atje do të të gjejnë më shpejt.

Sa bilbila duhet të kullufisë një shpend grabitqar, që të fillojë këngën?

Jo të gjithë feniksët që rilindin nga hiri janë gati ta pranojnë të kaluarën e vet.

Ka njerëz që, në disa gjuhë, dinë vetëm fjalën për po, dhe në të tjera fjalën për jo.

Le të ndërtojmë fraza të përkohshme. Ashtu, po të bjerë tërmet…

Shumë pak njerëz e patën parashikuar që pas shekullit 19 do të vinte i 20-ti.

Si e shpjegon fizika, që kur njerëzit kanë fërkime, fillojnë të ftohen me njëri-tjetrin?

Ata që mungojnë janë gjithnjë në gabim, por shumë shpesh mbeten gjallë.

Kur ke arritur në majë, e ke një sebep të mirë: nuk shkon dot më tutje.

Është art më vete që të shesësh, pa pasur gjë për të shitur.

Ëndrra e përhershme e xhelatit: që i dënuari t’ia lëvdojë cilësinë e punës.

Që të jesh vetja, duhet të jesh dikushi.

Ndonjëherë, çatia që ke mbi kokë nuk të le të rritesh.

Mos i sillni prapë në jetë ata që vdesin nga qejfi.

Kur gabimet të rrallohen, do t’u rritet vlera.

“Mos e beso!” pëshpërit djalli. “Besoje!” të pëshpërit ëngjëlli. Ose ndonjëherë e kundërta.

 


(*) Stanislav Lec (Stanisław Jerzy Lec, 1909-1966), shkrimtar polak dhe një nga aforistët më të mëdhenj të shekullit XX. Materialin më sipër e kam përzgjedhur dhe përkthyer nga përmbledhja e tij Nouvelles pensées échevelées (frëngjisht).

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin