PAK DAMË

Damën e kemi pasë luajtur me pasion të madh në fëmini, sidomos në ditët e gjata dhe të plogëta të pushimeve verore. E luanim përjashta, mbi një fushë të thjeshtë 8×8 të vizatuar me shkumës në çimento ose trotuar, dhe pastaj duke gatitur dy bashkësi gurësh, p.sh. copa tullash dhe xhama.

Vetëm kaq mjaftonte – ndryshe nga shahu, që kërkonte bazë materiale pak më të komplikuar, ose tavlla, të cilën ne fëmijët nuk e njihnim; nga ana tjetër, dama ofronte shumë më tepër kompleksitet se nëntëshi (dhe kombinacioni çel-e-mbyll).

Më pas kam kërkuar të di për historinë e kësaj loje; e cila në Perëndim është praktikisht e panjohur – meqë nuk ka lidhje me çfarë njihet si damë ruse ose checkers.

Nga çfarë kam qenë në gjendje të zbuloj, dama ashtu siç luhej në Tiranë, është me prejardhje nga Turqia; ku edhe luhet sot e kësaj dite – madje kam gjetur, në Play Store, një app për Android që arrin të luajë relativisht mirë. Në anglishte loja njihet si Turkish draughts.

Dhe meqë nuk i kam parë gjëkundi të shkruara rregullat e kësaj loje, thashë të ulem një ditë dhe t’i hartoj vetë; dhe pastaj të këshillohem me dy shokë të mi, Vas Rambin dhe Tan Shkrelin, të cilët kanë qenë kampionë të damës në një kohë që unë veç dija si lëvizeshin gurët dhe ngushëllohesha pastaj me ekspertizën time në shah.

Sa vijon është rezultat i shkëmbimeve tona e-postare; çfarë më çliron nga përgjegjësia për gabimet.

RREGULLAT E DAMËS

Dama është një lojë që luhet mes dy lojtarëve, në një fushë katrore, të llojit 8 x 8, të ngjashme me fushën e shahut. Secili lojtar e nis lojën me 16 gurë.

pozicioni fillestar

Pozicioni fillestar

Gurët janë të gjithë të barazvlershëm. Fiton ai lojtar që ia “ha” të gjithë gurët kundërshtarit.

Një tjetër mënyrë si mund të përfundojë loja, është kur një nga lojtarët nuk mund të lëvizë; me ç’rast do të deklarohet si i humbur.

Secili lojtar i rreshton gurët në dy radhë, përkatësisht në radhën 2 dhe 3, për njërin lojtar; dhe radhën 6 dhe 7, për lojtarin tjetër. Kësisoj, radha e parë dhe e tetë e tabelës janë të zbrazëta në fillim të lojës.

Secili lojtar bën një lëvizje, dhe pastaj e drejta e lëvizjes i kalon lojtarit tjetër. Çdo gur mund të lëvizë përpara, majtas ose djathtas, një kuti të vetme, me kusht që kutia ngjitur, ku do të vendoset, të jetë e lirë nga gurët e tjerë. Guri nuk mund të lëvizë mbrapa, as diagonalisht.

Guri do ta “hajë” gurin kundërshtar duke kërcyer “mbi” të; p.sh. një gur në kutinë d3, mund të hajë një gur kundërshtar në kutinë d4 duke kërcyer mbi të dhe duke u vendosur në d5, me kusht që kutia d5 të jetë e lirë. Në qoftë se, pasi të ketë shkuar në d5, kundërshtari të ketë një gur të vetin në d6, në c5 ose në e5, dhe kutitë përbri këtyre (c7, a5 dhe e5) të jenë të lira, guri që është duke lëvizur mund të vazhdojë ta hajë edhe këtë gur tjetër. Kjo manovër mund të vazhdojë, në parim, derisa kundërshtarit të mos i mbeten më gurë në fushë.

Një gur që kërcen mbi gurët e kundërshtarit duke i ngrënë, njërin pas tjetrit, konsiderohet se po bën një lëvizje të vetme. Gradimi (small)

Një gur që arrin në radhën e 7-të, ose të 2-të, mund të vazhdojë dhe më tej, duke hyrë në radhën e 8-të ose të 1-rë; dhe ashtu të gradohet në damë, çfarë edhe i jep epërsi lojtarit.

Një gur mund të gradohet në damë edhe në qoftë se, kur gjendet në radhën e 6-të ose të 3-të (parimisht, në cdo radhë midis të dytës dhe të shtatës), mund të kalojë në radhën e 8-të ose të 1-rë duke ngrënë një ose disa gurë të kundërshtarit.

Dama është figurë madhore dhe lëviz ndryshe nga gurët e tjerë – në mënyrë të ngjashme me torren në shah, ose duke u zhvendosur aq kuti sa dëshiron, para dhe mbrapa, majtas dhe djathtas, me kusht që ato të jenë të lira nga gurët, pavarësisht se të cilit lojtar. Po ashtu, dama mund t’i “hajë” gurët kundërshtarë duke kërcyer mbi ta, pavarësisht sa kuti e ndajnë prej këtyre gurëve.

si ha dama (1)

Si ha dama

Dama e bardhë, në ilustrim, mund të hajë gurët e zinj në b4, d5 dhe d7; por jo gurin e zi në h4; dhe gjithashtu nuk mund të lëvizë vertikalisht poshtë, pse ia ka bllokuar rrugën guri i bardhë në d3.

Guri i thjeshtë nuk mund ta “hajë” damën. Vetëm një damë tjetër mund ta “hajë” damën.

Edhe kur një gur gradohet në “damë”, ai nuk mund të lëvizë në fushën e lojës lirisht si damë, sa kohë që kundërshtari nuk ka graduar damë të vetën.

Kjo damë e graduar rishtas, por pa të drejtë operacionesh në fushën e lojës, mund të kryejë vetëm lëvizje pozicionimi, horizontalisht në radhën ku gjendet, derisa edhe kundërshtari të fitojë damën e vet.

Në qoftë se kundërshtarit i mbetet vetëm një gur në fushë, atëherë ky gur do të gradohet automatikisht në damë, pavarësisht nga pozicioni ku gjendet. Që nga ky moment, lojtari tjetër do të fitojë të drejtën të kryejë lëvizje të plota me damën ose damat e veta.

Nuk ka kufi në numrin e damave që mund të veprojnë në fushë.

Dama zakonisht luhet “me detyrim e përcaktim.” Në këtë rast, një lojtar, pasi kryen një lëvizje të caktuar, mund t’i kërkojë kundërshtarit që t’ia hajë gurin (detyrimi) me një gur të caktuar (përcaktimi).

Edhe damës së kundërshtarit mund t’i përcaktohet që ta hajë një gur ose një damë, por nuk mund t’i përcaktohet se në ç’kuti do të shkojë, pasi të hajë gurin.

Qëllimi i “përcaktimit” është zakonisht që të dobësohet struktura e gurëve të kundërshtarit, në mënyrë të tillë që lojtari që kërkon lëvizjen të mund të “hajë” shumë gurë njëherësh, ose të krijojë një avantazh tjetër taktik.

ngrenia e shumefishte

Arti i damës: ngrëniet e shumëfishta

Përndryshe, dama do të luhet vetëm “me detyrim”, por jo “me përcaktim.”

Në këtë rast, një lojtar është gjithnjë i detyruar ta hajë një gur që mund të hahet, por kundërshtari nuk mund t’ia përcaktojë se me cilin gur ta bëjë këtë.

Kur luhet me detyrim vetëm dhe në rast se gjatë një lëvizjeje qëllon që lojtari A të ekspozojë disa gurë të vetët si “të ngrënshëm”, atëherë lojtari B, që ka radhën e lëvizjes vendos vetë se cilin gur do të hajë dhe me ç’gur të vetin.

Loja ‘me detyrim e përcaktim’ është relativisht më e thjeshtë se sa ajo me ‘detyrim’ pasi lojtari që planifikon dhe ekzekuton lëvizjen kufizon opsionet e kundërshtarit, duke e urdhëruar të “hajë” vetëm gurë të caktuar.

Loja ‘me detyrim’ kërkon planifikim mjaft më ‘largpamës’ dhe parashikim të kujdesshëm e ‘grackave’. Zakonisht, kampionët e vërtetë të damës në Tiranën e viteve ’70 dhe ’80  kurorëzoheshin duke luajtur vetëm ‘me detyrim’.

Nuk ka komente

  1. tavullen e di qe quhet backgammon dhe luaj rregullisht, por 5 kacin nuk e gjej dot me ndihmon njeri?

  2. Xhaxha, bëre shumë mirë që na i kujtove orët që kalonim duke luajtur damë në hije gjatë verës së nxehtë tiranase. Unë e kam luajtur shumë damën në vegjëli, madje mbaj mend që rezultatet më të mira i arrija kur luaja me xhama (ka qenë me siguri përshtypje). Të them të drejtën nuk i mbaja mend mirë rregullat, nuk e di pse i kisha harruar disa prej tyre. Me kalimin e kohës, gjërat zbehen dhe harrohen. Mirëpo me këtë përmbledhje që na ofrove këtu, kemi shansin t’i rikthehemi damës sa herë që të na teket.

    Dama për mua ka qenë loja e të varfërve dhe njëkohësisht e të vegjëlve, megjithëse mbaj mend ta kem luajtur gjatë. Edhe pse në lagjen time loja e shahut ka qenë e përhapur, dama ishte më e thjeshtë, se duheshin ca vija me shkumës, disa copa gurësh e xhamash. Mbaj mend që edhe gurët mundoheshim t’i ruanim, kur i gjenim të mirë (gurë lumi, kryesisht nga Erzeni) dhe copa xhamash të trashë por të lëmuar nga koha (ato me ngjyrë jeshile, prej shisheje, bënin goxha figurë).

    Nuk di si t’i përgjigjem pyetjes se përse jashtë shtetit dama nuk ka pasur sukses. Në Itali nuk e kam hasur, por do të pyes më mirë.

    Formën me “detyrim e përcaktim” e kam pasur inat, derisa e mësova vetë.

    Dama si lojë duhet rehabilituar. Nuk është lojë e dorës së dytë, gjithsesi më e mirë se disa lojë me letra; e pavarësisht nga kjo dama ka qenë e pranishme në fëmijërinë tonë. Mirë a keq një farë ndikimi e ka pasur.

    Mbaj mend se kam luajtur damë duke përdorur fushën e gurët e shahut. Ishte një lloj sakrilegji, por nga halli i vapës njeriu çfarë nuk bënte.

Zbuloni më tepër nga Peizazhe të fjalës

Pajtohuni tani, që të vazhdoni të lexoni dhe të përfitoni hyrjen te arkivi i plotë.

Vazhdoni leximin